back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Refleksione të thella mbi një shkresë krimi! – nga Jozef Radi

Gazeta

Savër - Gusht 1984
Savër – Gusht 1984 (pese nga lista ne foto)

Refleksione të thella mbi një shkresë krimi!

nga Jozef Radi

Para pak ditësh më ra në dorë një material prej atyre që konsiderohen të Sigurimit të Shtetit, e që simbas historianit dhe arkivistit Kastriot Dervishi është pjesë nga “Regjistri i përpunimeve të DPB Lushnje” Shkresa (ose fleta), siç edhe mund ta shihni, i përkiste vitit 1982, dhe ku midis 13 emrave figuron edhe emri im… Në fakt kemi të bëjmë me fragment të një liste emrash, ku 6 prej tyre, në këtë listë mjaft e gjatë, janë në unitet edhe gjashtë emra djemsh nga Savra, në krye të tyre është edhe emri im… E theksoj se kjo lista është sajuar për të gjashtë në të njëjtën ditë (1 Gusht 1982) kohë në të cilën unë isha 25 vjeç! Praktikisht në këtë listë janë 6 persona, të cilët unë i njoh mirë, dhe të 6 janë të skeduar si pjesë e “zbulimeve inteligjente të huaja”!!! Praktikisht elemente të dyshuar e të skeduar, por që habia mbetet se si prej një kampi interrnimi, 6 persona, mund të krijonin lidhje me shërbime të huja?! Në pikëpamjen teknike shkresa mbetet paksa qesharake… po të mbash parasysh se të gjashtë personat në fjalë, po e theksoj i njoh mjaft mirë dhe do të flas më poshtë pak rreshta për secilin prej tyre, janë pjesë e kësaj liste të gjatë, ku grupi ynë është pjesë e numrave 3456-3461, ndërkohë që lista duhet të vazhdojnë në mos me qindra o mijra të tjerë…!! Shumica e grupit janë të lindur o të ardhur foshnja aty në kampin e interrnimit, me mundësi komunikimi tejet të dobta me realitetet të përafërta, deri në qytetin e Lushnjes e jo me gjerë… me kulturë mediokre për të përfaqësuar shërbime inteligjente, dhe me realitete absurde, mbasi të gjithë janë të ngarkuar me mundësi bashkëpunimi me shërbime sekrete të huaja, siç kanë emrat e tjerë në listë (njëri me atë italian, njëri me atë grek, një me atë gjerman dhe tre me shërbimin sekret jugosllav!!!) dhe jo me Grupime Kundërrevolucionare… Pra diçka qesharake e po të marrësh në konsideratë që në kohën e shkresës, 5 prej tyre ishin me arsim tetëvjeçar dhe vetëm unë me arsim të mesën të papërfunduar (për shkak të përjashtimit)
Pyetja lind… çfarë është ky dokument?! Për çfarë mund të shërbente kjo listë emrash e indeksuar si armiq potencialë të regjimit. mbasi përfaqësonin diçka të rëndësishme. Simbas meje, dokumenti dëshmon një fazë parapërgaditiore për të mbajtur nën kontroll këta njerëz, dhe nën vëzhgim e survejim të përditshëm të organeve të sigurimit të Shtetit, duke u vendosur këtyre të rinjve pesha shumë më të rënda, se çka ata përfaqësonin…

Dokumenti i bashkëpunimit me shërbimet e huaja...!!!
Dokumenti i bashkëpunimit me shërbimet e huaja…!!!

Si duket ata duhej të ngarkoheshin me një paragjykim që më pas shëndrrohej në faj ose krim që do të justifikonte çdo masë ndëshkimore e dhune dhe përmes hipotezave të shkruara t’i kthenin në fakte të kryera… S’ka asnjë rëndësi nëse ajo çka është shkruar ishte e vërtetë a jo! E rëndësishme ishte që ata të pikëtuar për këtë krim të paramenduar të ndodheshin me pas tpara faktit të kryer duke u plotësuar dosjet e tyre me tekste provokatorësh e bashkëpunëtorësh, që nuk ishin të pakët dhe lehtësisht e bënin të bardhën të zezë….
Kështu, në një të ardhme jo të largët ata kishin kontingjente të gatshme për t’u futur nën presion, për t’ui bërë shembull në demaskime, kontingjente të freskëta për burgjet ku nxirresh minerali i kromit apo bakrit… po edhe kontingjente të nënshtruara për të kryer shërbime ndaj Sigurimit të Shtetit që na “kontrollonte lugët dhe pirunjtë, dhe çfarë kishim ngrënë për darkë…”
Unë, Jozef Lazër Radi me nr. rendor 3456, i datlindjes 1957, nga Savra, i regjistruar nga Dega e Punëve të Brendëshme Lushnje, jam i pari i kësaj liste, të hapur me 1 gusht 1982, më i madhi në moshë i këtij grupi, i regjistruar si pjesë e zbulimit italian dhe i hequr nga kontrolli me 30 qershor të vitit 1990, pra për rreth 8 vite kam figuruar në mos tjetër si i mbikqyrur! (në kërkesën me shkrim që kam bërë në autoritetin e dosjeve, nëse ka ndonjë dosje personale timen në Arkivin e Sigurimit, shkresa e tyre e përgjigjes është negative)
I dyti në listë është një shoku im i fëminisë, i ushtrisë dhe i punës Kujtim Sherif Nela, me origjinë nga Kollovozi i Kukësit, ndjesë pastë mbasi ai sot s’është (ka ndrruar jetë para pak vitesh), por ka qene djalë që kishte qejf të vishej mirë, i apasionuar mbas muzikës angleze, në veçanti i Mick Jeggerit dhe Rollingstonëve, Joe Coccer, Dire Straits e plot të tjerëve, me thënë të drejtën s’e kishte fort qejf punën dhe në atë të vetën ishte kundërshtues i nënshtrimit të asaj pagese që shpesh ishte qesharake, ndoshta për këtë fakt në shkresë është shënuar edhe detaji që që me 11 shkurt të 1986, ai është marrë në përpunim aktiv 2/A që do të thotë se ishte i gatshëm për tu burgosur, e normalisht ka pasur dosje sigurimi… Fakt është që nuk u burgos!
I treti është një person i urtë, disa vite më i vogël se unë, vinte nga një familje dibrane, me baba (s’e kam marrë vesh kurë nësi ishte i arratisur, apo i vrarë), të cilin e kemi pasur shumë vite komshi, por pa ndonjë konfidencë me të, për arsyen krejt të thjeshtë, se i vëllai i tij qysh atëherë kishte hije të dukshme të bashkëpunëtorit të Sigurimit, e që më vonë mbasi kam kaluar mjaft dosje të sigurimit nëpër duar, emri i tij më figuron gjithandej me nofkën “Vëzhguesi” bile tek disa persona, që më pas janë dënuar me 10 vite të gjata burgimi… emri i tij rezultonte kryesori… është vendosur nën shërbimin jugosllav!
I katërit është Hekuran Qazim Elmazi (Avdija), një djalë nga Kukësi, mjaft i thjeshtë, i heshtur e i patrazuar, solid në pikëpamjen fizike, nuk përzihej shumë në debate, u martua tejet herët se ishte djalë i vetëm e me tre pleq, kishte një shpirt dyshimi ndaj gjithçkaje. I është ngarkuar në shkresë zbulimit jugosllav… Të tre këta djem të zonës verilindore (Kukës -Dibër) u është ngarkuar paragjykimi jugosllav…
Dy personat e fundit të listës që unë analizoj, janë të një moshe, të lindur në vitet ’60, mjaft shokë mes tyre, unë kam punuar shumë vite me ta në të njëjtën brigadë… Njeri Ferdinand Hysen Laholli, ishte nga Korça, më saktësisht nga Devolli dhe tjetri Alfred Petrit Tafani (Lamçe) nga Elbasani, kanë frekuentuar sëbashku shkollën tetëvjeçare, më pas atë të natës, kemi punuar për mjaft vite të tre bashkë… e kemi bërë biseda nga më të ndryshmet… Ferdinand Laholli ishte djalë i apasionuar mbas leximeve, krijimeve, muzikës… bile arriti të prodhoje edhe një kitarrë elektrike vetë, e cila u bë pjesë e pasioneve të tij, njeri mjaft punëtor, dhe me energji të jashtëzakonshme për të mësuar!
Me pak fjalë mbas arratisjes së të atit familja Laholli tre fëmijët dhe nëna u interrnuan. Ferdinandi kishte lindur rrugëa për në kampin e Gradishtës, me një fjalë njeri i 1001 sakrificave, e që në këtë listë i faturohet “shërbimi sekret grek…”
I fundit është Alfred Petrit Tafani (Lamçe), një djalë i urtë, familjar, pa ndonjë ves apo prirje të veçantë, këmbëngulës, të cilit për çudi i është vënë shërbimi sekret gjerman…
Në përfundim mund të themi se të gjashtë këta persona, që figurojnë në faqen 134 te “Regjistri i përpunimeve të DPB Lushnje” që ka së paku 3500 emra, e poshtë tyre kushedi sa të tjera janë, përbëjnë një grimcë të atij projekti që në dukje është mbyllur, por që unë them se vazhdon të prodhojë efekte sot e kësaj dite…
Ky material është një dëshmi me dokumente se si përgatiteshin kontingjentet e armiqve dhe masat që merreshin për të ndëshkuar, pavarasisht prej sjelljeve të tyre… Pra ky mund të quhet katallogu i përgatitjes së armiqve!

Kujtim Nela, Jozef Radi, Luan çeliku, Ndoc Vokrri - Saver 1984
Kujtim Nela, Jozef Radi, Luan çeliku, Ndoc Vokrri – Saver 1984

Unë së bashku me Kujtim Nelën, ishim më tëi mëdhenjtë e këtij grupi 25 vjeç, të tjerët ishin 20-21 vjeçarë dhe si të thuash trajtimi i vendosjes të lejon të besosh se ata ishin “mvartësit e mi”, pra unë “koka e Meduzës”, mbasi siç duket merrej në konsideratë shkolla e mesme dhe me siguri si “bande terroriste” do të duhej të hidhnim në erë fabrika o ujësjellsa, simbas mendjeve të sëmura, po i quaj gabim, mbasi në të vërtetë, kanë qenë mendje të strukturuara kriminale, që i prodhonin krimet ku ato nuk ishin, dhe ndëshkonin mijra të pafajshëm…
Pyetja shtohet, çfarë filozofie kanë përcjellë këto monstra kur të fusnin nëpër an(h)alet e shkresave të tyre kur ti rropateshe gjithë ditën Myzeqesë, për të siguruar bukën e gojës, dhe të mbanin peng asaj fushe pa asnjë peme në mes të zhegut edhe baltës… dhe befas me një telefonatë të bënin kontingjent për të ndëshkuar e të shkatërruar qysh në moshën 20 vjeçare, kur njeriu nuk ka krijuar si të thuash as elementet bazë të jetës, dhe i duhej të përgaditej për të qenë pjesë e ndëshkimeve sa të padrejtë aq edhe kriminale… e cila ka vazhduar për thuajse një dekadë, e ndoshta sot që po reflektoj mbi këtë dokument të arkivave të “Djajve të Kuq” do të ishim me siguri viktima të këtyre shkresave duke vuajtur burgjeve të Spaçit o Qafë Barit, o burgjeve të reja që do kishte lindur ai vend burg, duke shtyrë vagona piriti e kromi, e që bandat e krimit s’u lodhën asnjëherë së masakruari njerëz të pafajshëm, që ishin në punë të tyre e në hallet e tyre… e që më e keqja gjë që mund të bënin ishte shkuarja pas e atyre pasioneve për artin, muzikën, sportin apo edhe ato veshje në kushte e rrogave mizerabël…
Koha tregoi se këta njerëz të mirë, shumica e tyre u detyrua të largohej me valën e parë të arratisë kolektive, për të shpëtuar çka mund të shpëtohesh prej kataklizmës, prej kësaj pafundësie shkresash kriminale që flenë arkivave të krimit, e që njerën prej tyre pata mundësi ta kaloj nëpër duar, dhe të ulem e ta interpretoj me qetësinë e një studiuesi të paqëm të monstruoziteteve komuniste shqiptare, të cilat me sistemin e vazhdimësisë së këtyre shkresave të ruajtura qëllimshëm vazhdojnë të prodhojë të keqen e madhe për këtë popull që edhe pse vazhdon të tkurret dhimbshëm, nuk ndjen asnjë keqardhje për veten…
23 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.