back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Refleksion mbi një dhimbje poetike të Jusuf Luzajt nga Jozef Radi

Gazeta

Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)
Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)

Refleksion mbi një dhimbje poetike të Jusuf Luzajt

nga Jozef Radi

Vargjet e kësaj poezie të hershme të Jusuf Luzaj janë jo vetëm të një dhimbje të rrallë, po edhe të një dëshmi historike e papërsëritëshme gjurmët e së ende sot lendojnë edhe pse shfaqen e trajtohet me vështërsi nga studiuesit e letrave…
Jusuf Luzaj si shumë intelektualë shqiptarë të periudhës së pasluftës së dytë, krahas rolit të tyre si mësues, kishin mbajtur edhe qëndrime politike, kishin luftuar jo vetëm për çlirimin e vendin nga pushtuesi, po ishin përpjekur me mish e me shpirt në krijimin e një frymë paqtimi midis shqiptarëve… Si intelektual i shqetësuar për fatet e kombit të vet, Jusuf Luzaj, do të qe një prej krerëve të Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes, dhe mosrespektimi i asaj që qe shkruar në dokumente kohë më pas, do të zhyste vendin në luftë civile, dhe ai do të detyrohej ta braktiste Shqipërinë, që të mos bëhej preh e asaj masakre vëllavrasëse që ai kurrë s’e kish dëshiruar, po që tashmë kishte përfshirë mbarë shoqërinë shqiptare e që do të vazhdonte edhe më përtej një gjysëm shekulli…
Jusuf Luzaj qe pjesë e asaj shtrese intelektuale dhe politike që u detyrua të marrë rrugët e botës, duke lënë mbas një dhimbje që do ta përndiqte gjithë jetën! Jashtë atdheut, duke ruajtur bindjet e veta politike, ai do t’u përvishej studimeve dhe kontributeve intelektuale, tashmë në një botë më të gjerë, duke u shfaqur si studiues, filozof dhe shkrimtar i një mprehtësie poetike të pashoqe. Këto vargje të rralla Ai ia ka kushtuar familjes dhe fëmijëve të vet. Ato janë nji dëshmi e patjetërsueshme jo vetëm e fatit të intelektualit shqiptar dhe familjes që ai e kish të shenjtë, po dhimbje e krejt atyre që kishin luftuar për një Shqipëri përbashkuese, një Shqipëri jo komuniste, por që mallkimi i historisë tashmë i kish flakur udhëve të botës…
Prandaj në këto vargje nuk duhet lexuar thjesht fati apo dhimbja e Jusuf Luzaj, por e qindra prindërve që u detyruan të braktisin familjet dhe fëmijët, me shpresë se diktaturat janë jetëshkurta dhe se një shtet që flet për lirinë dhe çlirimin s’mund ta shkarkonte krejt tërbimin e vet ndaj kundërshtarëve mbi pleq, gra e fëmijë të pafajshëm. Ishin me qindra familjet shqiptare të mbetura në kët gjendje mbas lufte, që u ballafaquan me tmerrin e një diktature pa pasur asnjë lloj fajësie… Lista e tyre është e pafund, po unë krahas familjes së Jusuf Luzajt do të përmend familjet e Mehdi Frashërit, Eqerem Vlorës, Hasan Dostit, Mustafa Merlikës, Gjon Marka Gjonit, Qazim Mulletit, Fiqiri Dines, Preng Pervizit, Muharrem Bajraktarit, Kol Bib Mirakës, Isak Allës, Bilal Kolës, Pashuk Mirakës e plot e plot të tjerëve… familje që nuk panë një ditë të bardhë lirie në një gjysëm shekulli diktaturë…
Prandaj kjo poezi e shkruar me teh të hollë shpirt në thimbje të thellë nuk është thjesht testament i shpirtit të një poeti, po klithmë e gjithë atyre që u detyruan ta jetojnë jetën të ndarë nga të dashurit e tyre në një dhimbje të pafundme deri në ditë e mbrame të vdekjes…
Kjo poezi fsheh edhe nji fakt tjetër po aq të dhimbshëm… ajo mban si datë të shkruarjes së saj 18 prillin e 1945! Datë e cila për fat të keq koincidon me kohën e mbylljes së Gjyqit Special në Tiranë (15 prill 1945), ku midis 60 të dënuarve, (ku Jusuf Luzaj kishte mjaft miq) 17 prej tyre përfunduan nën breshëritë e automatikëve, (pa asnjë krim të provuar)…! e 42 të tjerë do të pësonin dënime e persekutime të rënda e të pafundme…(mjaft prej tyre miq, bashkëkohës apo bashkëshkollarë të tij)… Fatmirësisht Luzaj i shpëtoi kësaj ploje, edhe pse me kryet mbas, pasi kish lënë fëmijët e tij të mitur në duart e vuajtjeve të pafundme.
Fati e desh që këto vargje të Luzajt t’i rishfaqim sot si pjesë e asaj dhimbjeje të madhe që s’ishte vetëm e tija; këto vargje mbeten dëshmi e rrallë se edhe kur trupi i një poeti u kish shpëtuar  kthetrave të vdekjes, shpirti i tij përlotej qiejve të mërgimit e mbrrin ndër ne sot si klithmë ende pezull e atij Njeriu të Madh…
2 dhjetor 2016

Jusuf Luzaj - Vallja e Luleve - (Poezi)
Jusuf Luzaj – Vallja e Luleve – (Poezi)

Gjethe Vjeshte…

poezi nga Jusuf Luzaj

“Ua kushtoj fëmijëve të mij që braktisa,
duke i lutur në u qoftë e mundur,
të më falën e të më harrojnë…” i. luzaj

I – Vegime
Mendj’e shkretë gjithnjë shtegëtare
e haine moj e mjerë
Jeton vetëm për të shkuarën;
Trembur tmerrit moj ditëprerë
Kalojnë stinat e s’më njohën
përse ti je n’arrati.

Porsi shpendi i plagosur,
bje andej nga ta shpjere era
Ashtu më ikën plapturisur
e më le vetëm përhera
Shkon moj lumë: të fëmijt e mij.

E i gjen mbledhur pranë gjyshes
rreth e rreth vatrës së zjarrit
Plakë e zbardhur po lut zotin
për në jetë të përtej varrit
Mos e pret dhe atje tmerrim

Ata soje ç’kujdesuar,
meraktare për diçka tjetër
Mëma gjyshe po Loloi e
Xhaxhai do vinë nesër,
Paskan vajtur shumë larg!

Lodhur moshës, lodhur tmerrit
e mërisë q’e lodh më tepër
Jet’e shkretë ëndërr e trishtuar,
si përrallë e tërë gënjeshtër
Mëmëron plak’e helmuar.
Shkojnë kujtimet varg e varg!

Hidhen foshnjet një për gushe,
një për krahë e qafë e duar
Një i pështet kokën në prehër,
tjetri qan në krahëruar
Por Ciciu loton në heshtje,
i puth gjunjët me mallim.

Çilimiqër derëzestë,
qajnë për atin që u iku
Qajnë në mes të katër udhëve,
me uri i lodh armiku
Çilimiqër në mjerim!

II
Natë për natë porsa m’zë gjumi
vjen një ëndërr e shajtuar
Porsi ankth t’m’ape dënimin,
pse i braktisa pa menduar
Pesë foshnjet këmba zbathur,
humbur udhe n’arrati

Vaji i strehës së sokakut,
ati gjallë ata jetimë
Njohen etjen e mëshirën
e natyrës e urinë
Nëm’ jetës është e fortë
i tmerron për lemeri

Ja Nokushi tretur! Tretur!
Qan se shpohet nëpër gjemba
Ja Babushi e ka marrë malli,
qan i gjori i dridhet zemra
E Ciciu zemëruar – as afrohet as vështron.

S’e kupton i gjori foshnjë,
ç’është shkaku i largimit,
Ç’ish urrejtja që më ndoqi,
e u dha emër jetimi
S’e kupton ndaj mban mëri.

Femijet ne Kampe Interrnimi
Femijet ne Kampe Interrnimi

III
Përse ike e n’a le,
ulurinë foshnjët të tërë
Si gjërprij sulmojnë t’helmuar,
t’mi nxjerrën sytë me gjilpërë
Mua atit? Prindit tuaj?
Ç’u bë vallë ajo dashuri?

Sytë m’i nxirrni? Përse s’panë?
S’gjenë për ju një udhë të mirë
Ata shkuan ku kish shkuar
flamuri në ditë të lirë
Nëpër gjurmat të dëshmorëvet
që e bënë jetën fli.

Më qorroni! Unë s’mendova
kurrë për ju, asnjë çast jete
Kurrë s’mendova, as për miq,
as për shokë, as për vete
Veç për mëmën Shqipëri.
U lashë keq por n’atdhe tuaj
Unë më keq në vend të huaj
Por do vdes pa nxjerrë zë!

Atin tuaj po t’a doni
Kurr u them të më besoni
Unë më keq e kurrë më.

IV
Ju me pyetni kush ka faje?
E ka mëma Shqipërija
E ka populli i paditur,
e ka fati i keq i tija
E ka bota mëkatare,
e inati e lakmia
E kanë thonjtë grabitqarë
pr’atë ditë që vdiq lirija
E sa ndjenja kombëtare,
që i është e shjshme flija
E ka zjarri i krahërorit
që për t’tjerët, hidhet n’zjarr.

V
Dy virtute! Në paçë fuqinë
sa ke mallin, sa ke zjarrin
Të këndoçë edhe pas meje,
veç per foshnjën e për varrin
Se unë s’qaj as nuk ankoj

E ç’kujdes ka njerëzija
të n’dëgjojë rrënget e mija
Shpirt njeriu në ka vuajtur,
sy njeriu në vrau lia
Gojëmbyllur i vetmuar,
në harresë do mbaroj!

VI
E në qoftë se një dorë
e përshpirtshme besimtare
Si në shenjë që m’kujton prore,
a zakon që shkojnë në varre
Do i bjerë në mend për mua,
të më sjellë dafinë a mare
E do qajë mbi kokë të varrit
Për kujtime q’e djeg malli,
Bashkë me thirrjen q’i jep Hoxha,
pranë kufomës, shpirtit hikës
Të drithmuar ndëgjojnë
gjallorët para vdekjes,
Tmerrit t’frikës thirrje fundit
n’kokë të varrit
Ti o këngë në paçë fuqinë
Sa ke pasur dashurinë
Ne agim të rinisë sime
Ji e lumtur e gëzuar
Mos mblith lotë në erë trishtuar,
Por këndo si në kremtime
Këng’e vdekjes jij për mua,
zgjidhse  shpirtit angethit t’rëndë
Angëthit të tmerrshëm që m’sundoi,
për një jetë me vaj e rënge
Qe s’gëzoj kurrë qetësinë
Vdekja është kapak prej ari,
që i jep shpirtit lirinë
Këng’e sajë është këngë malli
Jehon n’varr të mëraktarit
Porsi zë që ëmbël tingëllon
Zinxhirit rëndë që gjëmon
Në prag t’burgut q’e liron
Kur bije duarsh t’mëkatarit

VII – Rrëfim
Oh i lumtur ai që mund,
t’i shuajë shpirtit çdo dëshirë
Që frymëzon për ambicjon,
e që mund të rrojë i lirë
Nga çdo anth për madhëri,
Lum kush mund t’jetojë vetmuar
Pranë familjes i bekuar,
Lumturinë q’e mat urtësuar,
N’atë udhë q’i dha fati
simbas mundësisë së tij.

Insbruk 18-4-45

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.