back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Raporti i votave në Tiranë si tregues i së ardhmes – nga Përparim Gjeka

Gazeta

Përparim Gjeka
Përparim Gjeka

Raporti i votave në Tiranë si tregues i së ardhmes

nga Përparim Gjeka

Zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë më 14 Maj janë eksperimentale në kuptimin që për herë të parë në historinë pluraliste të shtetit shqiptar kemi një palë zgjedhje vërtet pluraliste me spektër politik thuajse të plotë zgjedhjeje për zgjedhësit, të cilat do të shërbejnë si indikator për të ardhmen e vendit. Por akoma më me rëndësi, këto zgjedhje kanë edhe disa risi e ndarje thuajse epokale në disa rrafshe:

Rrafshi Politik

Në këtë rrafsh kemi katër subjekte dhe faktorë politikë në garë me peshë elektorale, por kemi një risi dhe ndarje të qartë në dy mendësi dhe praktikë politike; nga ana e politikës së vjetër qëndrojnë fuqishëm Partia Socialiste, ish PPSH me pinjollët e Bllokut në krye si dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” BF me ish anëtarët e PPSH Berisha dhe Meta në krye, gjithë këta përgjegjësit kryesorë për prapambetjen dhe shpopullimin e Shqipërisë, kurse nga ana tjetër ngrihen për herë të parë filiza sypatrembur të një politike të re që ose ka mohuar hapur korrupsionin dhe trashëgiminë e drejtimit me metoda jodemokratike të partisë dhe të shtetit si në rastin e Roland Bejkos nga Partia Demokratike, ose ka guxuar që të përfaqësoje për herë të parë të majtën e vërtetë socialdemokrate jo si bisht apo brinjë e PS si në rastin me Arlind Qorrin dhe subjektin politik Bashkë.

Rrafshi Ideologjik

Gjërat janë qartësuar ndjeshëm edhe në rrafshin ideologjik; ndërsa te PS dhe Veliaj kemi një të majtë fasadë që interesat e kupolës drejtuese sektit “Rilindja” dhe forcën e ka te oligarkia dhe jo te vegjëlia, të majtët me zemër dhe formim kanë alternative të qartë zgjedhjeje te A. Qorri, i cili është një artikulues elokuent i narrativës së majtë në qeverisje dhe kundërshtar i provuar i fasadës PS, të djathtët gjithashtu të disorientuar nga BF në bashkim me të majtën radikale ish LSI, bashkim i provuar i passuksesshëm si në qeveri dhe në opozitë, kanë mundësinë të votojnë R. Bejkon si një i djathtë i padiskutueshëm, mbështetur nga PD e drejtuar nga një ish i persekutuar politik si Alibeaj.
Do ishte absurde që socialistët të mos votojnë asnjë sindikalist në listën për këshillin bashkiak, apo një i djathtë të votonte për 8 të majtë të Metës nga 10 të parët në këshill për “Bashkë Fitojmë”.

Rrafshi Profesional

Si pasqyrim realist i përmbajtjes së vërtetë të katër subjekteve politike kemi edhe backgroundin personal të katër kandidatëve për kryetar bashkie të ndarë në dy grupe;
PS dhe BF propozojnë dy larva të rritura flutura në laboratorin e tyre politik, si Lali dhe Belo pa asnjë ditë pune jashtë politikës dhe pa asnjë punë të suksesshme të pavarur, të ujshëm të marrin formën e enës që i ushqen, ndërsa Rolandi dhe Arlindi dy profesorë të lexuar, me karakter të provuar në vite dhe në kauza, me ide të qarta politike e administrative dhe me guxim për të vepruar.

Rrafshi Sociologjik

Ndërsa nuk ka besoj asnjë shqiptar që është i kënaqur me gjendjen dhe trajektoren e zhvillimit të vendit (edhe vetë kryeministri aktual e pranon kur thotë kemi edhe shumë për të bërë), do ishte një eksperiment social interesant të mqsojmë sa prej tyre do ta pqrdorin votën për të protestuar dhe ndëshkuar përgjegjësit kryesorë tashmë që këta përgjegjës janë vetëqartësuar dhe tiranasit kanë mundësi për alternativë zgjedhjeje. Kupolat në PS dhe BF bashkë me sektet e tyre klanore dhe mafioze që kanë thithur fondet e zhvillimit, kanë thithur paratë nga xhepat e shqiptarëve fituar me djersë e gjak, kanë thithur kohën e çmuar 30 vjeçare, kanë thithur edhe atë që vdes e fundit, shpresën për një Komb të begatë si na takon, pra këta vampirë dhe votuesit e tyre trumpirë nga propaganda dhe metodat vampire do të jenë një numër dhe ata njerëz të lirë, akoma me gjak, shpirtdhembshur, me kërkesa ndaj vetes ndaj Kombit dhe ndaj së ardhmes, votues të alternativës do të jenë një numër. Nga raporti i këtyre dy numrave varet e ardhmja e shoqërisë sonë dhe e Kombit tonë. Secili le ta gjejë veten ose te vampirët, ose te të mpirët, ose te të lirët.

Rrafshi Kohor

Nuk ka asnjë dyshim se formacionet politike PS dhe BF e sidomos liderët e tyre autokratë Rama, Berisha, Meta, të korruptuar, të konsumuar nga pushteti, mosha dhe shëndeti, non-grata nga faktori ndërkombëtar që u ka dosjet, janë e shkuara. E ardhmja megjithate ka dyshim, sepse do duhet që PD dhe formacione të tjera apo të reja opozitare të konsolidohen si alternativë e politikës së vjetër jodemokratike (e për rrjedhojë edhe e qeverisjes jodemokratike 30 e ca vjeçare).
Por ky konfigurim politik aktual i Tiranës, i arritur të shfaqet pas kaq vitesh, sidoqoftë në vetvete është një arritje madhore në historinë kombëtare pavarësisht nga rezultati numerik zgjedhor, arritje e cila do të hapë rrugë për zhvillime pozitive në kahun e duhur kombëtarisht.
7 maj 2023

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.