back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Racionalismi i Descartes-it nga Ali Kuçi (Marrë nga “Përpjekja Shqiptare” – gusht 1937)

Gazeta

Perpjekja Shqiptare - Gusht 1937
Perpjekja Shqiptare – Gusht 1937 

Racionalismi i Descartes-it

nga Ali Kuçi

(Marrë nga “Përpjekja Shqiptare” – gusht 1937)

“Filozofia Moderne fillon me problemin e Metodës.
Për fillimtarët e kësaj përleshjeje të re dy eksperimente ofrohen me siguri matematike.
E para është e tërë jeta spekulative medievale.
Kjo jo vetëm që qe një burim steril për rezultatet pozitive shkencore,
por, duke e bazuar të tërë punën e saj në simbolet c arësyetirnit abstrakt,
mbeti e heshtur në zbulimin e natyrës së vërtetë të gjëravet.
Eksperimenti tjetër që shkencore natyrale, e cila, me kalimin e saj
përmes një analize intelektuale artificiale, mundi, megjithse kështu,
të vazhdojë një rrugë të dukur dhe të të lërë të shpresosh në përfundimet e saj.”
Guido de Ruggiero, “Storia della Filosofia”, f., Bari, 1930
.
René Descartes (1596-1650)
René Descartes (1596-1650)
Këto janë të dy shprehjet ose të dy drejtimet që na udhëzojnë në dy Botëkuptime të Jetës Moderne. Kështu që filozofia e sotme, që ka marrur qysh në fillim një nisje dyanëshe, na çfaqet përmes një Empirizmi anglez dhe përmes një Racionalismi francez. E para me Bacon-in dhe ma Hobbes-in në krye dhe e dyta me Rene Descartesin si flamurtar. DhP, që të shkojmë pak më vonë, këta të dy burime s’bashkohen veçse në gjykimin kritik të filozofisë Kantiane.
I heshtur, mendimtar, vrejtës Descartes-i është jo vetëm një udhëtar i shpejtë në rrugën e jetës moderne, por edhe një filozof e një kritik i dorës së parë. Bazat e dijes medievale, i të cilavet ay ishte bir legjitim, i shikonte me një urrejtje të hapët. Edhe filozofinë eksperimentale të Bacon-it e të Hobbes-it i vërente me një indiferencë pesimiste dhe me një sy skeptik. I zhytur në mes të meditacionevet të një Bote tjetër, ay qëndron në mes të kryeqendrës Hollandeze krejt i veçuar dhe i papërfillur dhe në këtë papërfillje të tij shëmbëllore kërkon një monopat të ri për të vazhduar punën. Është zor. Opiumi objektiv i a ka trullosur trutë për një çast. Gjer diku ka mundur të mësojë se dy janë rrugët e filozofisë, ashtu si i thotë ay vetë, ose nëpërmjet udhëtimevet, ku mund të studiohet libri i madh i botës, ose duke kënduar shumë dhe duke qënë i zoti që, përmes këtij këndimi të mundesh ta mbash të paprekur arësyen tënde. Dhe pikërisht për këtë shkak njeriu duhet të caktojë një metodë. Kundra dijes skeptike të Montaigne-it dhe kundra idealizmit të simbolevet mesjetare, ky është një revolucion i heshtur. Që të udhëzon në sferat e larta të gjykimit. “Vepra e tij, na thotë Ruggiero, kërkon t’i lëvizë togjet e opinioneve illuzioniste e false të skollastikës, në të cilat mbështillet e tërë shkenca e vjetër!” Dhe ngjitur me këtë kërkon që të bashkojë, me anën e gjykimit, një shkencë që nuk do ta kufizojë qëllimin e saj në presionin e jashtëm. Për këtë fillon me transferimin n’arësye të kriterit të së vërtetës, që Skolastika e linte jashtë vehtes: konceptet nuk modelohen mbi një të vërtetë objektive, nga e cila s’përfaqësohet veçse një kopje e thjeshtë, por kanë një autonomi intime, një dritë të tyre. Kjo dritë ose ky perfeksionim nuk mund të ketë një zbulim: kërkon një punë të lodhëshme t’autokritikës, përmes së cilës buron e drejta dhe e vërteta e konceptit.
“Discours de la Methode” është autobiografia e sistemës filozofike të Descartes-it, ose më mirë është rruga për të dalur në dritë përfundimet e tij mendonjëse. Struktura jetike, simbas metodës së tij, duhet të studjohet parimisht, dhe te seicila prej të tri dijevet (Astronomi, Biologji dhe Anthropologji) duhet të japë një përfundim konkret. Mendimet e Galileo-s dhe të Kepler-it duhet të jenë përvehtësuar mirë para se të studiohet Biologjia për të mbrritur n’atë që është më e lartë dhe më e zorshme: Gjykimi njerëzor.
Për të mbrritur në përfundime pozitive mbi Njeriun dhe Jetën duhet të kalojmë përmes një procesi analitik të shpërndarjes së ideve, të cilat janë elementat më të para dhe më të thjeshta, dhe Sinteza do të jetë më vonë bashkimi i një tërësie organike. Skema e kësaj metode është e ngjitur me një studim të kjartë të veprimevet të përdorura në Matematikë, e cila rjedh dhe plotëson kështu një ekspresion universal të punës së mendimit1).
Duke urdhënur kështu të gjitha shkencavet, që lëvizin në pasiguri t’opinionevet dhe që nuk ishin të zonjat të ktheheshin në një mundësi të thjeshtë, pamjen dhe mundësinë e bashkimit të provave Matematike, i duket Descartes-it si forma ideale e reformës së tij metodike. Ay nuk e kufizon metodën e tij në disa nocione preliminare, ashtu si bënte Baconi, por tregon hapët se rruga e tij shpie në përfundime pozitive, duke e zhvilluar kështu në një sistemi organik të tërë filozofinë. E tërë udha filosofike e Descartes-it përmblidhet rrotull mendjes njerëzore dhe, si do të shohim më vonë, rrotull një Mekanizmi universal. S’ ka dyshim se njeriu në syt’ e tij është qenja më e lartë dhë problemi kryesor i jetës.
Para se të kalojë në Metafizikën, që formon prapë një kaptinë me rëndësi të filozofisë së tij, ka kërkuar të vërë një bazë solide. Në pjesën e fundit të “Discours de la Methode” jipet kryesisht mbas kërkimit të një shkence kaq nevojërisht të dëshëruar, duke e vënë këtë si një detyrë kryesore të jetës së tij.
Si e jep një mendim kaqë të prerë në fillim të punës së tij, mbasi ka zbuluar metodën? Historikisht di përbuzjen e mendimit në të gjithë periodën medievale. Filozofikisht mendon dhe e di që mendimi është baza e të gjithë studimit. Ahere procedon: Njeriu është objekti i studimit. Brenda tij është misteri etern. Duke kaluar përmes analizash dhe sintezash t’idevet të shpërndara n’atmosferën e helmuar mesjetare dhe duke qënë nga ana tjetër një student i shkencës, përfundon në një aksiomë subjective: Cogito, ergo sum. Kjo “mendoj, pra jam!” e tij është një vërtetësi për këdo. Mbasi pra ka bërë kërkimet e tij relativisht me shkencën dhe mbasi ka vënë themelet e një metode të caktuar e të disa parimeve morale, na shtron mbi tryezë të punës ekzistencën e Zotit dhe të shpirtit njerëzor, që janë baza fondamentale e Metafizikës.
.
Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)

***

Për filozofin frëng këto janë dy të vërteta a priori të Filozofisë.
Vërtetësia e objekteve nuk mund të qëndrojë në kompleksitetin subjektiv dhe gjersa zotëron arësyen e saj, ajo duhet të ketë determinime thjeshtësisht racionale për të qënë krejt në raporte të ndara me ndjenjat. As ngjyra, as të duruarit, as vetë lëngu nuk mund të jetë përmbajtja substanciale e Botës natyrore. Duhet të jetë pra Materia e ndarë dhe e vazhduar, që qëndron vetëm në spjegimin mekanik e matematik. Kjo është drita që e nxjerr Descartes-in nga monopatet mithologjike të së shkuarës në një banim shkencor, ku njeriu mund të qëndrojë për disa minuta i sigurtë dhe pa asnjë shqetësim skeptik.
Substancë mendore dhe substancë eterne: ja ndarja e madhe e filozofisë Kartesiane. Janë dy Botë të mbyllura në njëra-tjetrën. Materia nuk do ta krijojë kurrë mendimin: të gjitha qenjet pra në të cilat konsiston materia (dhe ndërmjet këtyre Descartes-i vë edhe shtazët që janë më poshtë se njeriu) s’mund të ngrihen në sferat e larta të arësyes.
 
***
Ku na shpie racionalismi dhe si e gjykon këtë kritika moderne?
Ka pasur kurdoherë një resistencë dhe një presion përgjithërisht të rëndë në Botën filozofike dhe në ambientet kulturore. Jo vetëm ka qënë një tronditje për klerikalët, po edhe një faktor i ri për lëvizjen e shkencës moderne. Për këtë arësye Pierre Gassend-i (1592 -1655) ka vendosur kundrejt theorisë së tij materialismit atomik, që është një ekspresion theorik e morali Epikurismit. N’anë tjetër Pascal-i (1623- 1662), filozofi dhe matematikani i madh frëng, për të pranuar në studimet e tij shkencore metodë racionaliste, ka dashur të riveprojë kundra përshkimit të tyre në jetën më intime dhe më të thellë të shpirtit. Dhe është pikërisht nga kjo antitezë që përfundohet një gjendje skeptike kundrejt shkencës dhe së bashku një misticisëm sentimentale.
Është e drejtë që racionalizmi shënon një pjellje aktive në sferën e saj. Descartes-i kufizohej të vendoste, nën presionin e dyshimit dhe të kritikës, vetëm pak koncepte të filozofisë, duke qënë gjithnjë në studim e sipër të gjendjes aktuale. Çdo gjë e tij është e vendosur nën një kritikë të fortë subjektive: ndërmjet Botës dhe Arësyes s’duhet të pengojë asgjë. Eshtë një farë Luterismi laik, që e vazhdon mandej reforma.
Merita e filozofit frëng qëndron pikërisht në bazat kritike. Nëse Hume2) bëri një hap përpara dhe themeloi shkollën kritike, që më vonë e përpunoi Kant-i, gjeti në filozofin racionaliste një instrument të fortë dhe krijoi prej saj një armë revolucionare për sferat e larta të mendimit. Duke shkuar më gjatë mund të themi se Filozofia Moderne, aq sa edhe Kritika, filloi me Descartes-in dhe para se të vijmë te Kanti kemi një tok veta, q’e pasojnë me mall dhe me zell Kartesianismin. Ndoshta edhe me pak modifikasione ashtu si bënë Spinoza dhe Leibniz-i.
 
***
Problemi metafizik formon një kaptinë me rëndësi të filozofisë racionaliste. Kjo valavitet në Principes-et e Descartes-it ndërmjet dy monopatevet. Dhe indecizioni i Kartesiasmit është i dukur. Nga njëra anë filozofi frëng afirmon mekanizmin universal: prej kësaj pike lëvizja duhet të jetë relative dhe, sikundër koha ka aq realitet sa edhe lëvizja, rezulton që e shkuara, e tashmja dhe e ardhëshmja burojnë nga eterniteti. Nga ana tjatër Descartes-i beson edhe në vullnetin e lirë të njeriut. Ay propozon mbi determinizmin e fenomenevet fizike indeterminizmin e veprimevet njerëzore dhe, për konsekuencë, mbi gjatësinë e kohës, një kohë në të cilën zbulimi, krijimi dhe vazhdimi gjënden të futura thellë. Dhe këtë ay i atribuon një Zoti, i cili ripërsërit veprimet krijonjëse dhe, duke qënë i përputhur me kohën dhe evolucionin, i mban ato, u komunikon atyre diçka nga fuqia e tij absolute.
Descartes-i hyri pra në të dy drejtimet pa i dhënë asnjërit fund.
E para do ta udhëzonte atë në përgënjeshtrimin e vullnetit të lirë të njeriut, dhe e dyta në një eternitet ë vazhduar dhe jo që vazhdohet (Henry Bergson: Creative Evolution – Modern Science). Universi i marrur si tërësi, do të evolvonte. E ardhëshmja nuk do të determinohej nga e tanishmja, dhe vetëm kështu do të kishte mundësi të dilte prej kaosit mesjetar në thelbin e problemit qëndror të evolucionit modern, që ka si themelonjës Spencer-ui dhe si mjeshtër Bergson-in.
Ja ç’thotë kritiku modern për Descartes-in. Dhe prapë metoda dhe doktrina e tij qëndrojnë si sfera të zjarrta në atmosferën e filozofisë së Botës së sotme. Kritiku gjeti, gjen dhe do të gjejë miriada xhevahire te ky filozof. Eshtë një thesar që s’mbaron shpejt.
“Duhet një tjetër “Discours de la Methode” modern për të tërhequr vëmendjen e dijetarëvet nga Racionalizmi. Duhet edhe një filozof tjetër që të ketë po atë gjerësi pamjeje dhe atë presion të tmershëm mendimi për të rrotulluar të tërë vrejtjen në një drejtim të ri”3).
Njerëzimi ecën!
(Përpjekja Shqiptare – Gusht 1937 – fq. 180-183)
 
1.Will Durant, “History of Philosophy” part III, Macmillian
2.David Hume lindi më 1711 dhe vdiq më 1776. Ka shkruar mjaft vepra ndër të cilat vlejn të përmenden: “Treatise on Human Mature”, “Enqulrlng Concernfng the Human Understandlng”. Kudo shihet sensi i hollë i kritikës së tij. William James në “Pragmatic Method” të tij e quan Hume-in si “baba të kritikës moderne” dhe i jep fare pak të drejtë Kant-it të mburret për të.
3.Mellooe, “Modern Logics”, London, 1935.
.
Ali Kuçi (1914-1948)
Ali Kuçi (1914-1948)

Kush ishte Ali Kuçi

Ali Zeno Kuçi lindi në 14 mars 1914 në Kuç të Kurveleshit Vlorë, në një familje me tradita të shquara patriotike, kreu studimet në shkenca politike dhe ekonomike në Universitetin e Londrës, ku edhe u diplomua e më pas mori Doktoratë edhe në Filozofi në Universitetin e Firencës.
Në vitin 1940, doktor Kuçi u internua dhe u burgos në Kretë e Rodos për ndjenjat e tij antishoviniste, të shprehura në gazetën e tij “Shqipëria e Lirë”, më pas nga fashistët në Ventotene (Itali), e pas kapitullimit të saj, korrik 1944 – qershor 1945 në Kampin e shfarosjes në masë të Dachaut, deri në rënien e nazizmit
Ali Kuçi ka qenë një ndër dëshmitarët kryesorë në gjyqin e Nurenbergut. Prej vitit 1946, ai u kurua në SHBA, ku edhe vdiq në 24 qershor të vitit 1948.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.