back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

“Ra kjo dekë e u pamë” – përtej izolacionizmit Letërsia Shqipe e shekullit XX në Kosovë – nga Leka Ndoja

Gazeta

Studiuesi Leka Ndoja, në mbrëmjen e diskutimit të librit "Pa Moshë" të Kafexhiut
Studiuesi Leka Ndoja

“Ra kjo dekë e u pamë” – përtej izolacionizmit

Letërsia Shqipe e shekullit XX në Kosovë

nga Leka Ndoja

Kosova si entitet gjeopolitik i krijuar gjatë luftës botërore, fitoi statusin e Tokave të lirueme, dhe iu nënshtrua administrimit sui generis, italo-gjerman, në vitet 1941-1944, duke u përfshirë në sistemin arsimor të Shqipërisë. Në kohën e ekspandimit të botës shqiptare si pjesë e “l’Impero Romano”, deri në shtator 1943, pasuar nga një pavarësi ‘fiktive’ nën suazën e Rajhut Gjerman, Letërsia shqipe pati një rritje në vëllim dhe shtrirje gjografike, duke përfshirë në sistemin unik kombëtar territoret e Kosovës dhe një të tretën e Maqedonisë. Ky vëllim pati si komponent kryesor tekstet unike të sistemit arsimor, përhapjen e shtypit dhe të stacioneve radiofonike në gjuhën shqipe si kurrë më parë.
Këto agregate kulturore shqipe, që synonin krijimin e ndjenjës kombëtare dhe të besimit të një identitetit historik europian të ndërtuar edhe më parë nga albanologët dhe arkeologët austriakë, gjermanë dhe italianë synonin të krijonin një skicë të bashkëpunimit brenda teorisë së racave.
Kështu nëpërmjet investimeve në fushën e kulturës identitare qeveria italiane dhe ajo gjermane kishte shpallur synimet e tyre afatgjata. Italianët kishin si program politik të tyrin asimilimin kulturor që do të zhvillohej në disa faza. Faza e parë ishte futja e gjuhës italiane në të gjitha shkallët e arsimit, botimi i të përditshmeve në biling. Një hap tjetër u ndërmor nga italianët në konferencat e nivelit akademik, ku bilinguizmi u bë metodë e përhapur gjerësisht.
Ndërsa me ardhjen e gjermanëve në tetor 1943, bie politika e bilinguizmit, dhe politika gjermane vendosi mos ta quante Shqipërinë vend të pushtuar, por formalizoi rreshtimin e Shqipërisë së Vjetër në një vend neutral të cilës iu bashkua administrimi i “territoreve të lirueme” që iu shkëput Jugosllavisë.
Gjermanët lejuan formalisht rikostituimin e Regjencës dhe të kthimit të simboleve kombëtare. Kështu të drejtat politike të reja krijuan një premisë për një zhvillim të kulturor, i cili kishte si qëllim përpunimin e opinionit publik se Rajhu Gjerman minimalisht kërkonte: mospërplasje ndërracore dhe si kompesim administrimi ushtarak gjerman do të zhvillohej në një mjedis joarmiqësor aq më tepër që territoreve etnike shqiptare iu hoq dhuna serbe.
Tashmë simbolet e indentitetit, flamuri dhe sistemi arsimor shqiptar kishte përfshirë Ballkanin Perëndimor deri në Prishtinë, Mitrovicë dhe Shkup.
Ndryshimi i situatës politike dyfishoi vëllimin e qarkullimit të literaturës në gjuhën shqipe dhe të agregateve kulturore të lidhur me të, dhe lënia e gjuhës italiane, solli shpërndërrim që la gjurmë në formacionin e didaktikës dhe të teksteve asimore pasi 300 mësuesit e dërguar nga Koliqi në jashtë Shqipërisë së Vjetër shumica e tyre e kishte përvehtësuar këtë substrat.

Mësimdhënia e Gjuhës Shqipe në Kosovë
Mësimdhënia e Gjuhës Shqipe në Kosovë
Morfologjia e Kulturës në Kosovë & Shqipëria e Vjetër

Kultura gjermane kishte depërtuar më së shumti në qarqet veriore të Shqipërisë përmes misoneve të mbështetur nga austriakët, por edhe në rajone të veçuara si Vlora. Gjermanët shfrytëzuan më së miri konfliktin historik shqiptaro-serb dhe nuk ndërhynë në shfaqjen e ekstremizmit rreth të drejtës historike të shqiptarëve para opinionit publik.
Shfaqja e konfliktit sllavo-shqiptar u zhvillua në funksion të rimarrjes të kontrollit në Kosovë e Maqedoni dhe krijimit të aleancës së re politike të shqiptarëve kundër pushtuesve serbë.
Kanali gjuhësor tashmë ekskluzivisht i shqipes, nëpërmjet institucioneve arsimore e të administratës u kthye në primar duke njohur influkset e standartit të qendrës në Tiranë, madje duke funksionalizuar në dy dialektet aq më tepër në shkresat e Ministrit të Tokave të Liruara, shkrimtarit dhe studiuesit Ekrem Bej Vlora në vitet 1943-1944. Nga rreth 200 arsimtarët që u dërguan nga Qeveria e Tiranës në Kosovë mbetën në Kosovë rreth 30 mësues dhe edukatorë. Nga këta veçojmë Tajar Hatipin, mësues me origjinë nga Elbasani, i cili së bashku me Esad Mekulin drejtuan për disa dekada revistën më të rënësishme të shqiptarëve në Kosovë, Jeta e Re.
Në shkurt të vitit 1945, në Prizren u themelua gazeta Rilindja, e cila u mbyll më 1999.

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës - Dr. Ibrahim Rugova
Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dr. Ibrahim Rugova
Agregatet e Sistemit Letrar

Modeli i letërsisë nacionale u vu në funksion të prodhimit letrar dhe sidomos atij joletrar, prodhim i cili rriti vëllimin përmes komunikatave dhe mediumit të radios, duke u bërë një gjuhë dominuese dhe duke përgatitur receptivitetin kombëtar në masë të gjerë duke ecur paralelisht nëpërmjet programeve të përbashkëta arsimore dhe duke krijuar edhe një premisë të receptivitetit letrar përmes krijimit të shkollës gjimnazike si ajo e themeluar në Prishtinë. Kështu melting poti i gjuhës sllave me shqipen pësoi një frakturë në favor të shqipes në këtë periudhë për të mos u ndalur dot edhe nga kjo traditë nga shndërrimi i pushtetit në Kosovë nën pushtimin e “çlirimtarit” të vjetër serb. Pavarësisht ndryshimit të raporteve programore lidhur me kanalin tashmë bilingual serbisht-shqip, dikotomia e këtyre gjuhëve nuk krijoi receptivitet vëllimor në favor të serbishtes për sa i përkiste prodhimit letrar – përveç stafit universitar dhe studentëve të shkolluar jashtë Kosovës, në republikat e tjera jugosllave (Beograd, Sarajevë, Zagreb).
Lidhur me subjektet e shkolluar në këto qendra arsimore duhet bërë një dallim për rrethin kulturor universitar të Zagrebit i cili ishte më i hapur ndaj komponentëve kombëtare shqiptare në tematikat e disertacioneve të mbështetura nga Universiteti i Letërisë dhe Filozofisë si shembulli i disertacionit të Dr. Rugovës me “Kahe dhe premisa të kritikës shqipe”. Por edhe Universiteti i Letërsisë së Sarajevës kishte shënuar një premisë me pranimin e temës së disertacionit të Martin Camajt mbi “Gjuhën e Buzukut”, për të përmendë disa të dhëna kryesore të vijimit të traditës së studimeve albanologjike duke krijuar qendra studimore të prodhimit letrar të shqipes.
Prodhimi letrar në Kosovë u nxit nga popullarizimi i lektyrave shkollore fillimisht nëpërmjet entit shkollor dhe botuesit Mustafa Bakija.
Enti botues arsimor Prishtinë i vendosur pas përfundimit të Luftës së II-të pasi përgatiti kurrikulat e reja të shtetit jugosllav, në biling, mori nisma të ndryshme për rritjen e vëllimit letrar të gjuhës shqipe në Kosovë në funksion të politikës së “vëllazërimit jugosllav”.
Kështu u ngritën rrethet letrare dhe Instituti Didaktik, i cili nën drejtimin e një redaktori nga Shqipëria toske, u bë redaksia e realizimit të teksteve shkollore dhe botimeve të përkthyera nga literatura jugosllave dhe botërore.
Edhe në Prishtinë institucionet arsimore dhe kulturore si Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, shmangën nga sistemi letrar prodhimin letrar e didaktik të rrethit të Koliqit e të Diasporës gjithashtu u shmangën tekstet e Ministrisë së Shqipërisë së Vjetër gjatë okupimit italo-gjerman. Koliqi, Fishta dhe gjithë autorët të etiketuar si antisllavë u përjashtuan nga sistemi letrar i qendrës (Prishtinë-Tiranë) për t’i hapur udhë letërsisë deklarative antifashiste – si tematikë toksike – udhëzuar nga qendra polisistemore e Beogradit, rasti i Murat Isakut etj.
Kjo letërsi pati kundërshtime te shumta – dhe autorët e talentuar si Anton Pashku, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Rrahman Deda e Musa Ramadani me shkrimin e tij mbi vepren satiriko-tragjike “Ra kjo deke e u pamë” iu mbivendosën letërsisë kuadrovike Prishtinase.

Marrë nga Muri i Fb Vrethee Lnika, 13 shkurt, 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.