back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Pusi, si metaforë e Dashurisë dhe varr i saj! nga Rezart Palluqi

Gazeta

Pus në Shkodër
Pus në Shkodër

Pusi, si metaforë e Dashurisë dhe varr i saj!

nga Rezart Palluqi

Mendime rreth dramës

“Dashunia me birë në zemër” e Gjergj J. Kolës

Për mua, një roman, dramë a poezi, duhet t’i japë shkëndijat e së magjishmes qysh në fillim. Përndryshe, unë i them: “Më fal, por kohën e kam të çmuar. Hajt, mirupafshim”. Për fat të mirë, kjo nuk më ndodhi me dramën e Gjergj J. Kolës. Qysh në parathënie të dramës unë e dija që kjo dramë do të bëhej një vakt qiellor për shpirtin tim. “Zemra” e njeriut aty konsiderohet si motori i dramës. Kjo më dha një garanci se këtu do të sakrifikohej, dhe aty ku sakrifikohet, fiton njerëzorja, dhe kur fiton njerëzorja fiton edhe letërsia.  Pa dashur të bëj kritikun, letërsisë shqipe moderne të fundshekullit të njëzetë, i mungon sakrifica njerzore për një ideal të madh.
Drama e Gjergjit, ka si personazh kryesor, Mark Brengën. Gruaja e tij, Meri ka vdekur, por prej saj ai zbuloi dhe shijoi një dashuri të pashtershme. Mbas vdekjes së gruas së tij, të cilën e deshi dhe e do pa kushte, plaku, sa herë që ajo i mungon, e kërkon frymën e saj metafizike në grykën e lagësht dhe të freskët të pusit. Mbas 1500 ditësh vetmie, në portën e shtëpisë së Mark Brengës, troket e dashura e tij e parë, Helena Shkurti.
Autori u ka dhënë personazheve emra me domethënie, sinonime që simbolizojnë dhimbjen, dertet, si mbiemri i personazhit kryesor, Brenga, dhe mbiemri i dashnores së tij të parë, Shkurti, e cila, këtu nënkupton dashurinë jetëshkurtër.

"Dashunia me Birë në zemër" Kopertina
“Dashunia me Birë në zemër” Kopertinat

Marku e ironizon bukur mënyrën se si e vuan Helena mungesën e burrit të saj të ri, që sipas saj kishte vdekur…
Helena: Kam diarre, tash sa vjet, qëkur me ka dekë burri e kam marrë e nuk po din me mu largue. Mjeku thotë se sa herë kujtoj diçka në të kaluemen, kujtesa e shtyp fort zorrën e trashë. Uroj të mos kem sëmundjen e keqe…
Marku, e shpreh dashurinë për ish gruan e tij nëpëmjet një gjuhe mjaft poetike dhe romantike. Kur e pyet Helena, se si ishte jot shoqe, ai i përgjigjet:
Marku: Ajo mblidhte lule, tanë kohën, në dimën e verë e kjo me ka mbetë ndërmend prej saj.
Helena, përpiqet ta joshë Markun me lloj-lloj lajkash. Ajo e gënjen pa pikën e turpit duke e shpallur burrin e saj të vdekur. Marku përpiqet nga ana e tij, tia bëjë të qartë qysh në fillim Merit, se ai nuk vë asnjë grua tjetër, dhe se ka ndërmend ta mbyllë jetën e tij, duke e ushqyer vetminë me kujtimet e bukura që ai ka pasur me Merin, duke lexuar e rilexuar plot pasion e mall poezitë që Meri, poete, shkroi sa qe gjallë.  Por, Helena, që Markun e tradhëtoi përpara 50 viteve me një burrë më të pasur financiarisht, sot, shpik një truk tjetër, i cili e zgjon njerëzoren e madhe të Markut. Ajo e gënjen duke i thënë se fëmijët po kërcënojnë ta vrasin, dhe se e kanë ç’trashëguar atë prej çdo lloj pasurie që burri i saj grumbulloi sa qe gjallë. Me një dinakëri mjaft të hollë ajo i kërkon Markut që fillimisht ta strehojë atë në shtëpizën e tij, ku deri përpara 1500 ditëve jetonte me Marinë. Por Helena, e ka shumë të kthjellët planin e saj Trojan.  Helena e reflekton paturpshmërisht opurtunizimin e saj nihilist, kur Marku e pyet nëse ajo ka menduar ndonjëherë për botën tjetër. Oportunizmi i saj, përkon mjaft mirë me atë shqiptar, dritëshkurtësinë tonë vetvrasëse, kur bota komuniste materiale qëndron mbi atë shpirtërore. Ja një pasazh që e demonstron këtë:
Marku: A ke mendue ndonjihere për jetën tjetër, për botën tjetër?
Helena: Cilën botë? Mu më del e më mjafton kjo këtu, sa më ka ardhë në maje të hundës…
Bota e pastër shpirtërore e Markut, e larë me gjakun poetik të Merit, e pengon ose nuk i jep asnjë shkak atij për t’i shkuar mendja për keq, dhe nuhasë qëllimet grabitqare të Helenës. Pra, kemi të bëjmë me një Helenë moderne, e cila e tradhton jo për dashuri, por për pasuri. Para, pasuri të patundshme. Edhe pse ajo e ka braktisur Markun 50 vite më parë për arysye shumë imorale, asaj nuk i trembet qerpiku, as i dridhen mëlçitë e ndërgjegjes, por tenton “mes ditës me diell”, t’i përlajë Markut shtëpinë e tij të dashur, të cilën e ka ndarë me dashuri e dhimbje me Merin dhe fëmijët e tij, të cilët tashmë jetojnë në emigracion dhe që ai komunikon nëpërmjet Skypit, çka e skicon atë si një plak sa romantik apo konservator, aq edhe modern, duke i përqafuar mediat elektronike për të komunikuar me fëmijët e tij emigrantë.
Në pjesën e dytë, pika kulminante nuk qëndron vetëm kur Helena i kërkon Markut hollësi rreth tapisë së shtëpisë ku ai banon, por edhe kur i rrëfen për dashnorët, burrat me të cilët ajo ka ndarë shtratin. Marku reagon si një burrë mjaft modern, (fenomen i rrallë ky në hapësirën shqiptare ose më gjerë…) ai nuk e shpall Helenën kurvë, siç do ta bënte një burrë ballkanik, sidomos plak i sotëm shqiptar. Ai nuk i paragjykon lidhjet e Helenës me të paktën gjashtë burra, si lidhje pornografike, por e toleron, sepse tek e fundit, trupi është i yni  dhe ne kemi të drejtë të bëjmë ç’të na dojë zemra me të. Tradhtitë që Helena i ka bërë mbrapa kurrizit të burrit të saj, ajo i justifikon, ngaqë edhe burri i saj, doktor, e ka luajtur bishtin me infermieret e tij.  Helena, me karakterin e saj hakmarrës, i përgjigjet plumbit me plumb…
Sidoqoftë, Helena nuk ka dëshirë të vetreflektojë nga e kaluara e saj e dyfytyrë. Këtë ajo e shpreh vetë kur thotë:
Helena:
 Marku, kjo diarreja tash ma merr shpirtin nji ditë. Edhe kam dëshirë me folë për të kaluemen edhe sapo flas më shpërthen diçka brenda. Ç’a je tuj kërkue në pus?
Sa herë ajo tenton ta bëjë këtë, e sulmon një diarre e fuqishme, ç’ka nënkupton këtu se “hijet e Enver Hoxhës” i kanë bllokuar si mos më keq zorrët e barkut dhe gypat frymëmarrës të shpirtit tonë. Autori na e jep mjaft të qartë mesazhin e tij politik në vargjet e mëposhtme:
Marku: Prej shegave të kryqëzueme
të mbjedhuna jashtë stinës
dolën fruta të idhta për zemrën,
prandaj ti besoji asaj që ke ndigjue shpesh se “ky vend nuk bahet kurrë!” Aty degët e egra e kthejnë tokën pjellore
në shkrepa dhe zhabinj prej mercenarësh
gjallojnë nëpër shullaje e përherë e ma shumë
je i sigurt se dikush ta ka vjedhë vendlindjen
e dashuninë e kanë vjerrë jashtë me krena poshtë…

Andrrim - Foto Iden Temali
Andrrim – Foto Iden Temali

Helena, edhe pse mjaft dritëshkurtër dhe armike e ndjenjës njerëzore,  abuzon me Markun, kur ajo i kujton atij fjalët ose citatin empatik të Nënë Terezës, që ka thënë se për njeriun gjëma më e madhe është vetmia.
Sakrifica madhështore, sa naive aq edhe humane apo idealiste, vjen kur Marku pranon të martohet me Helenën mbasi kjo e fundit i përgjërohet ta strehojë, në të kundërtën do ta vrasin fëmijët e saj. Këtu vjen falja e madhe që i bën Marku,  Helenës. Ai i hedh mbrapa krahëve tradhtitë e Helenës, dhe pranon të martohet me të, në letra, paçka se ai është pafundësisht i dashuruar me Merin e ndjerë. Marku e ka shumë të vështirë ta pranojë këtë fillimisht. Shtëpia ku ai banon, është një pjesë e dashurisë së tij me Merin, Dashuni, që në vetvete e ka një birë ose vrimë të lindur, por Kjo Birë zmadhohet, sepse duke e ndarë shtëpinë me Helenën, ai ndien se po baltos dashurinë e tij të përjetshme me Merin. Sidoqoftë, zemërgjërësia e tij, mëshira e tij ndaj njeriut në nevojë, e në rrezik, e bën atë në sytë e  mi një personazh nobel, qytetar model – përballë Shqipërisë së sotme, të anti-humanizuar. Njerëz të tillë i duhen fort hapësirës shqiptare.
Në pjesën e tretë dhe të fundit, burri i Helenës, shfaqet në dhomën e Markut dhe e shtyn Markun të firmosë testamentin e shtëpisë, e cila ndodhet ende në emrin e vajzave të Markut.  Marku e akuzon Helenën se po e gënjen në mes të ditës ngaqë ajo i tha qysh në fillim se i shoqi i saj, dikur doktor i suksesshëm, ka vdekur.
Helena e përgënjeshtron praninë fizike të burrit të saj në dhomë. Ajo i thotë se është hija e tij. Këtu drama merr përmasa metafizike. Tashmë nuk është vetëm hija e Merit që shfaqet magjishëm në grykën e pusit, por edhe hija e frikshme e burrit të Helenës. Këtu përplasen dy botë: ajo shpirtërore, prania prej ajri e poetizuar e gruas së Markut, Meri, dhe silueta e burrit të Helenës, i cili në fakt, jeton, është gjallë, dhe ka ndërmend që nëpërmjet Helenës, të gllabërojë shtëpinë e Markut. Ky i fundit përpiqet ta gjejë shpëtimin te pusi, i cili simbolizon edhe dashurinë në kohë të vështira dhe të lumtura. Vrima e zemrës në dashurinë e Markut, tashmë bëhet po aq e madhe sa ajo e pusit. Pusi, ose dashuria, të mbyt ose të shpëton. Në këtë rast, Marku e mashtron/mbyt Helenën duke i thënë asaj se në tabanin e pusit gjenden rubinë dhe flori. Helena, si lekiste e pashoqe që është, ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve, gënjehet dhe zbret në pus për të gjetur arin. Kjo përbën edhe fundin e Helenës. Dashuria e madhe këtu hakmerret, ngaqë Helena nuk arrin të dalë më nga pusi. Dashuria të pranon në ujin e pusit të saj, kur ti e përqafon atë pa kushte apo interesa të ngushta, kryesisht materiale, siç ndodh me Helenën.
Metafora e pusit këtu, merr një dimension të dyfishtë, magjik të dashurisë. Bira e Dashunisë, këtu bëhet gryka e pusit, të poetizuar prej Merit dhe Markut, që i reciton ato me mall dhe lot në sy.
Drama mbyllet me një skenë mjaft të poetizuar, ku shfaqet personaliteti i dytë, i padukshëm i të dy personazheve kryesorë. Autori është përpjekur që nëpërmjet kësaj mbylljeje sa abstrakte aq edhe biblike, të na japë rilindjen e njeriut që në jetë vlerëson më shumë shpirtin, ndjenjën, dashurinë, se sa arin, floririn apo paranë, siç ndodh edhe në dramë, kur Helena1 e pyet Markun1 se ku është unaza që ai i dhuroi ditën që u martuan në letra. Një mesazh i qartë pra, për të gjithë botën shqiptare ose më gjerë, se nëse njeriu dëshiron të ketë një të ardhme të ekuilibruar dhe njerëzore, duhet të lajë së pari mëkatet e së kaluarës në pusin e dashurisë…
Në vargjet e mëposhtme, autori na shpalos ringjalljen dinjitoze të dy personazheve. Mund të themi më mirë, ringjalljen njerëzore të Helenës, e cila mbasi është zhytur në ujin e pusit të dashurisë, del prej andej e shpëlarë nga mëkatet dhe balta e dritëshkurtësisë materialiste, e cila edhe e ka mbrujtur atë me daltën e saj… Marku nuk ka ndonjë nevojë për ringjallje, ngaqë ai i qëndroi besnikërisht idealeve dhe virtyteve të dashurise dhe jetës dinjitoze familjare.
Marku i ri: (e ndjek mrapa)
Unazën e ke hjedhë vetë në pus mramë.

Helena e re:
 Unë e kam hjedhë? Pse? Jam çmendë?

Marku i ri:
 Më the se nuk don me kenë e lidhun me kurgja në jetë, don me ndejë e lirë si zogjtë.
Helena e re:
 Po si zogjtë në ajër e si peshqit në ujë. Du unazën teme me brilant.
Marku:
 Gzohem pra për ju të dyja. Me sjelljen tonë i mësojme të tjerët se si me u lirue prej nesh. Nxirri pra nxirri letrat, se poezitë janë rubinët e Merit!

(Helena i rrëshqet prej duerve dhe bjen në pus, bashkë me Helenën e re.  Marku i ri shkon afër Markut dhe i rrin afër. Ata janë lirue tashma prej te kaluemes)

Marku i ri: Kur vdesim, tana kohët tona shkrihen bashke në nji!
(Prej pusit del nji dritë e projektohet nalt si nji kolonë zjarrmit.)
Marku:
 Unë jam njeriu i vetëm në botë që e din se kur ka me ardhë fundi i botës.

Marku i ri: Kur pra ma thuej ditën?
Marku: Atë ditë kur prej gurëve të pusit të jetës të mos rrjedhin ma poezi, atë ditë, zemra e njirit ka shterrë dhe kjo asht shenja se po mbaron bota….
Marku i ri: Deri atëhere dashunija asht dielli që lind përditë e kërkon me na ba të lirë!

Do t’i mbyllja shënimet e mia për dramën e Gjergjit, me fjalinë mbyllëse të dramës së tij, që mbart si shpend triumfues, shqiponjën…
Marku: 
Njeri, liroju prej të kaluemes së zezë dhe fluturo si shqiponjë e lirë!
Amsterdam, qershor-korrik 2015 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.