back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe “Ballkani i Hapur” – nga Frank Shkreli

Gazeta

21 dhjetor 2021 - Open Ballkani i Trojkes: Vuçiq - Rama - Zaev
21 dhjetor 2021 – Open Ballkani i Trojkes: Vuçiq – Rama – Zaev

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe “Ballkani i Hapur”

nga Frank Shkreli

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, Mitt Romney kishte të drejtë sa i përket Rusisë. Përafërsisht, ky është titulli i mjaft artikujve të ditëve fundit – pas agresionit rus kundër Ukrainës – në mediat amerikane, duke sjellur në kujtesë debatin e Senatorit republikan të shtetit Utah, z. Mitt Romney me ish-Presidentin demokrat, z. Barak Obama, 10-vjet më parë, në lidhje me rrezikun që paraqiste gjithnjë Rusia për Amerikën. Senatori Romney, në atë kohë kandidat i Partisë Republikane për President, (në vitin 2012), gjatë fushatës, përballë presidentit demokratit Barak Obama dhe zëvendës presidentit Joe Biden, kishte deklaruar se, “Pa asnjë dyshim, Rusia është armiku gjeopolitik numër një i Amerikës”. “Rusët, – ka thenë Senatori Romney, – luftojnë për të gjitha kauzat e aktorëve më të këqij në botë”, ishte shprehur ish-kandidati i Partisë Republikane për president, gazetarit të CNN, Wolf Blitzer. Në atë kohë, administrata amerikane Obama/Biden si dhe miqtë e tyre në media, por edhe establishmenti politik, sulmuan Senatorin Mitt Romney për “pikëpamjet e tija të prapambetura”, dhe për komentin e tij që përcaktonte Rusinë si, “armiku gjeopolitik numër një i Amerikës”, e që nënkupton, natyrisht, njëherazi edhe armik i Perëndimit.
Ish-Presidenti Barak Obama, në një debat televiziv të fushatës për president të viti 2012, ka kritikuar ashpër Senatorin Romney për komentin që ai kishte bërë për Rusinë, duke iu përgjigjur, me përqeshje: ku jeton ti, ke harruar që, “Lufta e Ftoftë ka marrë fund 20-vjet më parë…” duke lenë të nënkuptohej se ora e Senatorit Romney kishte ngelur në periudhën e luftës së ftoftë dhe se duke cilësuar Rusinë si armikun gjeopolitik numër një të Amerikës, ai nuk kishte haber se kush ishin kërcënimet e jashtëme ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara 10-vjetë më parë.

Frank Shkreli
Frank Shkreli

Por, pas sulmit të para disa ditëve të Rusisë kundër Ukrainës, duket se ish-presidenti Obama ka ndryshuar pikëpamjet e tija në lidhje me Rusinë, ndërsa reagoi në lidhje me sulmin rus kundër Ukrainës duke theksuar ndërlikimet historike të këtij krimi shtetëror, dhe shtoi se pasojat e këtij akti ilegal dhe armiqësor do të shtrihen përtej kufijve të Ukrainës. “Për një kohë të gjatë tani kemi vërejtur forcat përçarëse dhe autoritare që po ngrenë kokë anë e mbanë botës, duke sulmuar idealet e demokracisë të shtetit ligjor, barazisë, lirisë individuale, lirisë së fjalës, lirisë fetare dhe vetvendosjes. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia tregon se ku çojnë këto prirje të rrezikshme – dhe se ato duhet të kundërshtohen”. Pak si vonë, z. President Obama, por megjithkëtë duhet vlerësuar komenti i tij. Rusia, historikisht, gjithmonë ka përbërë një rrezik gjeopolitik ndaj interesave të Shteteve të të Bashkuara dhe ndaj lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së popujve.
Por, pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, mediat amerikane, me prirje të majta e të djathta, si dhe përfaqsues të politikës amerikane, përfshirë demokratë – pas agresionit rus në Ukrainë, po rikujtojnë deklaratën e Senatorit Romney të 10-viteve më parë, duke i dhënë kredinë se ai paska patur të drejtë sa i përket Rusisë së Putinit. Si shembëll, deklarata kongresistit demokrat nga Kalifornia, Ted Lieu, sikur përmbledh të gjitha reagimet dhe komentet ndaj deklaratës së dikurshme të senatorit republikan në një intervistë me CNN, se “Agresioni i Putinit ndaj Ukrainës, vërteton se Mitt Romney kishte të drejtë kur e ka quajtur Rusinë, armikun gjeopolitik numër një të Shteteve të Bashkuara!”
Një ndër kritikët e deklaratës së Mitt Romney ka qenë në atë kohë edhe Madeleine Albright (ish-Sekretarja e Shtetit), e cila, disa vite më vonë, më 2019, i kërkoi ndjesë Senatorit Romney për kritikat e saj ndaj tij në lidhje me Rusinë, duke thenë se, “Unë personalisht, i kërkoj ndjesë Senatorit Romney, pasi besoj se ne kemi nënvlerësuar zhvillimet në Rusi…” Ajo kërkoi ndjesë publikisht gjatë një dëshmie para Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve në shkurt të 2019, në lidhje me regjimet autoritare dhe për rreziqet që ato paraqesin për sigurinë botërore. Sidoqoftë, shumë ishin të gabuar në lidhje me objektivat e Rusisë putiniste, sidomos në Europë, por edhe në botë, gjatë këtyre 20-viteve të fundit, përfshirë ish-presidentët amerikanë, Bill Clinton, Xhorxh Bush i ri dhe Barak Obama, si edhe një numër udhëheqsish europianë, përfshir ish-Kancelaren gjermane Angel Merkel dhe Gerhard Schroeder. Senatori Mitt Romney në një deklaratë me rastin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia kritikoi ashpër ish-presidentët amerikanë Obama dhe Trump duke thënë se “dekada e 80-ave na bëri thirrje për veprim, e ne nuk iu përgjigjëm”, tha Senatori Romney në një deklaratë dhe shtoi: “Pushtimi i Ukrainës nga Putini është hera e parë në 80-vjet që një fuqi e madhe pushton një komb sovran, pa asnjë justifikim, pa provokim, por edhe pa nder!”, u shpreh senatori republikan nga shteti Utah.
Ku ishte bota perëndimore, NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, kur Putini pushtoi Krimenë në vitin 2014? Çfarë provash tjera donin të kishin se çfarë po përgatiste Putini për Europën? Po për Ballkanin Perëndimor? E di njeri? Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet të premten gjatë një konference me shtypin në lidhje me nismën e tij dhe të presidentit serb Vuçiq, “Ballkani i Hapur”, se çfarë ndikimi mund të ketë pushtimi rus i Ukrainës në nismën e tyre ballkanike. Siç dihet, sipas shumë vërejtësve politikë, vendas dhe të huaj, ajo nismë e ka origjinën në Moskë, ndërsa z. Rama u pyet edhe për marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Beogradin, pas sulmit rus në Ukrainë. Sipas medias, Kryeministri Rama u përgjigj duke thenë se, “Sa i përket Serbisë, natyrisht, që është një rast për ata që nuk lënë rast pa u marrë me Ballkanin e Hapur për të spekuluar përsëri. Nuk kemi pasur mungesë qartësie e pozicioni për Serbinë, nga pikëpamja e politikës së vet të jashtme kur kemi nisur procesin. Do të shikojmë në vijim shumë gjëra, jo në raport me Serbinë, por në raport se si do të zhvillohet ky proces!” Sipas kësaj deklarate, Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka ndër mend të ndryshojë asgjë sa i përket “raportit me Serbinë”, dmth as nuk do të rishikojë nismën e tij “Ballkani i Hapur”, një pjellë kjo e Serbisë dhe Rusisë, me qëllimin përfundimtar për të përhapur influencën ruse në Ballkan, por pa një luftë të nxehtë si kjo në Ukrainë, që Sekretari i Përgjishëm i OKB-së, Antonio Guterres e cilësoi si, “momenti më i rrezikshëm për sigurinë në Europë, në një gjeneratë”.
E solla këtë shembëll të debatit amerikan të 10-viteve më parë si dhe kujtesën këto ditë në median amerikane rreth atij debati midis dy ish-kandidatëve për president, Obama dhe Romney, në vitin 2012 – por edhe “mea culpat” nga të dy krahët e politikës amerikane – që sot kërkojnë falje duke vlerësuar Senatorin Mitt Romney, për largpamësinë ndaj rrrezikut që paraqet Rusia për Amerikën dhe për botën. Se kishte të drejtë sa i përket rrezikut që paraqet Rusia ndaj interesave amerikane dhe perëndimore, por jo vetëm. Por edhe për të venë në dukje një problem tjetër, nismën Rama/Vuçiq të “Ballkanit të Hapur”, në raport me ato që po ndodhin sot në Ukrainë dhe për të venë në dukje qëndrimin e Serbisë ndaj këtij akti kriminal. Serbia dhe Bjellorusia janë të vetmet vende në Europë që nuk dënuan sulmin ushtarak të Ukrainës nga Moska. Ishte për t’u çuditur që gjatë konferencës me shtypin, Kryeministri shqiptar edhe kështu u përpoq të mbronte qendrimin e mikut të tij Vuçiqit ndaj agresionit rus në Ukrainë duke thënë se Vuçiqi është shprehur në “mbështetjte të integritetit territorial të Ukrainës”, sikur kjo e falë Vuçiqin për mos dënimin, nga ana e tij, të sulmit barbar rus në Ukrainë. Fatkqesisht, duket se disa ende nuk e kanë kuptuar se Vuçiqi dhe Putini janë kopje të Millosheviqit!

Ndërsa për “Ballkanin e Hapur”, megjithëse kundërshtohet ç’prej fillimit, vendosmërisht, nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga shumica e shqiptarëve kudo, Kryeministri Rama u përpoq të justifikonte këtë nismë në konferencën me gazetarët të premtën, se “është një projekt i mbështetur shumë fort nga Shtetet e Bashkuara… dhe nga shumë aleatë e partnerë… dhe nuk shoh asnjë problem, fare, fare, për t’u fokusuar ose për t’u shqetësuar…”, tha Kryeministri Rama. Me sa di unë, nuk ka një qëndrim të qartë të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin e Hapur. Me sa dihet tani, qëndrimi i SHBA-ve, i shprehur nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është se, “Nëse në nismën “Ballkani i Hapur” (Open Ballkan) nuk përfshihen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë”. Në këtë deklaratë unë nuk shikoj një mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara për “Open Balkan”, siç pretendon Edi Rama. Por, si shumica e shqiptarëve jam i vetdijshëm se alternativa Vuçiq-Putin ose Rusi/ Serbi nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë në interesin e shqiptarëve, ashtu siç nuk është nisma “Ballkan i Hapur”, siç nuk ishte as “Mini-Shengeni Ballkanik”, para tij.
Për të justifikuar një nismë politike rajonale, siç është “Ballkani i Hapur”, pa pjesëmarrjen e Kosovës – duke thenë se e mbështesin fort SHBA-të – është papërgjegjësi personale dhe kombëtare. Shtetet e Bashkuara edhe kur gabojnë, reflektojnë për mungesat dhe gabimet politike dhe po të jetë nevoja, kërkojnë edhe ndjesë. “Ballkani i Hapur”, si nismë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk është as nuk mund të jetë krijesë dhe as e mbështetur si ide nga Shtetet e Bashkuara, sepse ajo u shërben kryekëput interesave serbo-ruse në Ballkanin Perëndimor. Sepse siç ka thenë Senatori republikan Mitt Romney 10-vjet më parë, Rusia është armiku gjeopolitik numër një i Amerikës jo vetëm i vlerave të saj, por edhe i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së kombeve, përfshirë Shqipërinë e Kosovën si dhe mbarë rajonin.
Sa i përket nismës së “Ballkanit të Hapur”, është shqetësues dhe alarmues fakti se pse Kryeministri i Shqipërisë nuk heq dorë nga një nismë e dështuar, ende pa filluar, por aq e rrezikshme për kombin shqiptar madje edhe si ide, sidomos pa pjesëmarrjen e Kosovës – përballë agresionit rus në Ukrainë dhe ambicjeve serbo-ruse në rajonin e Ballkanit. Shumë ekspertë po thonë se agresioni rus në Ukrainë është një përpjekje nga Putini për të vendosur një rregull të ri ndërkombëtar, përtej Ukrainës. Prandaj nisma “Ballkani i Hapur”, duhet të shqetësojë të gjithë ata që u intereson demokracia dhe të drejtat e njeriut, kudo.
Të gabosh është njerëzore, z. Rama. Të kërkosh ndjesë është hyjnore. Gjëja më e mirë do të ishte të heqësh dorë nga “Ballkani i Hapur” dhe në, heshtje e pa bujë, të bashkërendosh politikat e interesave kombëtare në bashkëpunim me institucionet përkatëse të Shqipërisë, por sidomos me autoritetet e Kosovës, por edhe me partnerët strategjikë të kombit! Putini e filloi në Ukrainë, por sipas disa ekspertëve, objektivat e tija ekspansioniste shkojnë përtej Ukrainës. Kjo është edhe arsyeja që Vuçiqi nuk e dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ndërkohë që mbështet me gjithë fuqi e shpirt nismën, tashti famëkeqe, por edhe një nismë e pa nder e pa burrëni, “Ballkani i Hapur”.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.