Punë kjo që do b… por s’ta paguan asnjeri – nga Sadik Bejko

Sadik Bejko

Sadik Bejko

Punë kjo që do b… por s’ta paguan asnjeri

nga Sadik Bejko

Shqiptarçe, tentimi për të arritur diçka me peshë, me peshë të rëndë, thuhet: kjo do bythë.
P.sh, dikur Universiteti ynë donte bythë. Do me thënë, që të diplomoheshe shkëlqyeshëm të duhej përkushtim dhe analizë, të duheshin cilësi intelektuale për të hetuar, analizuar, për të sintetizuar dukuri dhe fakte.
Veç kësaj..
Ka dhe njerëz që kanë lindur për të hulumtuar, për të zbuluar. Kjo do të thotë që këta njerëz, veç përkushtimit, përgatitjes akademike, janë të prirur, kanë lindur për të bërë punë studimore.
Marrim një shembull të freskët: Luçia Nadin erdhi nga Italia dhe iu përkushtua studimeve shqiptare. Ajo bëri diçka që vite më parë as mendohej. Përse?
Sepse ajo ishte studiuese klasike: dhe e lindur, dhe e kualifikuar, e përkushtuar për të hulumtuar në arkiva, për të analizuar, për të sintetizuar, për të hedhur dritë mbi fakte e dukuri të panjohura më parë.
Në fushën e letrave në Shqipëri ka një prodhimtari të bollshme. Për çmimin vjetor letrar të vitit 2020, u futën në konkurim mbi 700 tituj në prozë, poezi dhe përkthime, të botuara këto në vitin që shkoi.
Por, për sa nga këto libra kishte recensione, kritika, analiza të botuara në shtyp?
Për pak libra. Ose për aspak. Se ne nuk kemi përkushtimin baritor për t’u kujdesur për një të tillë produkt kulturor kombëtar…
Madje nuk kemi as shtyp të specializuar që të merret me këtë krijimtari.
Në Shqipëri ka me dhjetra Universitete, me dhjetra janë dhe studiuesit që paguhen për të bërë kritikë, recensione, analiza. Por disa nga ata, ashtu si bleta që instiktivisht lind për të bërë mjaltë, nuk kanë b… për të bërë studime. Ata nga Universitetet marrin një rrogë si gjithë nëpunësit e tjerë, punonjës të kualifikuar për një profesion. Pra, atyre nuk mund t’u kërkosh më shumë. Ata mund të mos e duan fare letërsinë, prozën, poezinë. Ata me letërsinë nxjerrin jetesën. Dhe nuk e kanë fare për vokacion punën studimore. E duan letërsinë për një rrogë e për një vend pune.
Pse duhet t’u kërkosh më shumë, kur për të bërë një shkrim mbi një libër, të duhet së paku, një javë kohë, një javë për lexim, reflektim, analizë, shkrim…
Punë kjo që do b… por që nuk ta paguan asnjeri.
E për një punë që nuk paguhet, a ka të drejtë ndokush që, nëse ajo nuk bëhet, të kërkojë një pse, të kërkohet një llogari?
.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook