back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Pse u humbën zgjedhjet?! – Refleksione nga Jozef Radi ditë mbas dite si pjesë e një ceremonie mortuarie…

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Pse u humbën zgjedhjet?!

Refleksione nga Jozef Radi

ditë mbas dite si pjesë e një ceremonie mortuarie…

***
Përpara se të pyesim “Pse u humbën zgjedhjet?” duhet të bëhet një pyetje tjetër thelbësore: A mund të fitoheshin zgjedhjet…?! dhe “A kishte Opozita ndërgjegjen se mund t’i fitonte këto zgjedhje, përpallë një Pushteti që gëlon nga korrupsioni dhe po e përdor korrupsionin si lubrifikant të mbijetesës?!?”

***
Zgjedhjet për pushtetin lokal vinin nga zbraztësia humnerore e vitit 2019, ku i gjithë pushteti lokal iu dhurua sovjetëve me një vendim ashtu si “inkoshiencë” e një spitullaqi, por duke mos pasur struktura pushteti në 60 bashki, pushteti lokal monokolor kishte gjithë premisat për të mos e lëshuar atë çka kishte futur në dorë falë dhurimit… dhe duke mos pasur asnjë lloj pushteti e duke e tejfryrë tej çdo përmase një administratë, ajo bëhet ultraservile dhe të nënshtruar, dhe kjo administratë e tejfryrë në fazën finale jashtë çdo përmase, krijohn një mekanizëm bllokue e një lidhje zinxhir të njerëzve me interesa të vogla utilitare.
Pjesa pa personalitet e shoqërisë shqiptare votuesit e rëndomtë ata që janë në shtim gjeometrik, e që quhen kontingjenti i “thesit të miellit”, “qeses së ushqimeve” “më mirë një vezë sot se një pulë mot” apo ata “Pesëdhjetshes” mbeten gjithnjë një llokmë solide e që vijnë duke u shtuar ku sigurisht tre zgjedhje administrative dhe tre zgjedhje politike janë nën vartësi të reflekseve të kushtëzuara të Pavllovit, bile aq janë përsosur këto mekanizma sa ky shpërblim bëhet pa asnjë mundim e pa asnjë ndëshkim, si të thuash është pranuar ligjerisht! Përjashtim bën vetëm Fredi Bejleri!
Një tjetër arsye e humbjes është se shtresat më të kulturuara të shoqërisë shqiptare, ata që e lexojnë drejt këtë realitet, e kërkojnë zgjidhjen përmes ikjes. Si pjesa më largpamëse dhe shtresa themeltare e opozitës s’ka asnjë gadishmëri t’i nënshtrohet vullnetit të një shumice të degraduar, ndaj do t’i mungojë Opozitës gjithnjë e më shumë…
Oligarkia nuk është më fuqi ekonomike, ajo është fuqi politike, ajo paguan një hise të vogël për blerjen e votave, ajo paguan për strukturat e goditjes sistematike të trurit të atyre që e blejnë shkollën, edhe pse në qarqe të caktuara ku s’ka nevojë për parti ato vlejnë vetëm për periudhën parazgjedhjeve votat e blera janë konsistente, bile i diktojnë edhe pushtetit që të jetë i kujdesshëm me ta… Ato i gjen gjithandej si sekserë tashmë të konsoliduar të klientelës së tyre… Kjo shpesh kalon krejt e pa vënë në evidenca, sepse ata kanë krijuar mekanizma të tilla që investojnë dhe marrin atë produkt që i tejkalon në rezultat edhe partitë politike.

***
Figura e Kryeministrit determinoi edhe zgjedhjet Lokale, ai ishte Gjergj Elez Alia që i shpalli luftë dy bajlozëve, dhe ata e panë si njeriu që tallej me ta nëpër postera të paligjshëm, pa i hyrë asnjë ferrë në këmbë, e bëri vetë fushatën elektorale, pa i lënë as postera e as programe kandidatëve të vet, që nesër mos të kenë asnjë pretendim se fituan ata, e diku qeshte, diku përqeshte, diku gagaçonte, diku gallatonte, diku shpërfillte diku spërdridhej, duke e nxirë kundërshtarin, e duke i bërë faqezinj edhe kandidatët e vet. Ai s’bën më fushata elektorale thjesht merr një dajre dhe hyp në autobuz, o si klloun i një cirku shetitës, ku as në mëngë ka gagaçin e pazarit që shfaq estradë pa lek…
Shqipëria ky Bigbrother Kryeministror me sejmenë të nënshtruar e figurina të sheqerosura që aq me qejf donin ta kishim përditë mes nesh…

***
Opozita ka dy vjet që merret me veten dukë lënë veglat rrugës… Duke qenë gjithnjë e më larg pushtetit qëndror, larg pushtetin lokal, ajo s’ka më fuqi të sjellë njerëz konkurues, të përzgjedhë me kujdes nëpër poste të ndryshme, dmth nuk ka kohë as mundësi të kultivojë individë model për projektet e saj, kjo sepse braktisja e parlamentit dhe braktisja e pushtetit në 2019 kanë lënë një boshllëk të frikshëm, dhe jam i bindur se figurat që vlejnë nuk do të kenë as guximtë futen në betejën për të shërbyer dhe ngjitur shkallët e karrierës së tyre.
Përçarja e brendëshme, krijimi i një konglomerati tashmë të dukshëm mes së majtës e së djathtën (e kam si shprehje) ka krijuar hapësira deluzioni si në njërën palë edhe në palën tjetër, dhe parulla “Hajde bëhemi bashkë e t’i biem të korruptuarit!” – nuk solli produkt, nuk mund të sillte produkt, sepse kjo çorbë që është sot e me të cilën kemi mbushur lugën shumica, është rezultat i mardhënieve të konsoliduar në kohë, e që ka prodhura fatkeqësi për të gjithë ata që cënuan kushtetutën në favor të vetes, duke harruar se ishin të përkohshëm dhe se një ditë ajo do të binte edhe mbi ta, siç edhe po ndodh në të vërtetë…

***
Komisioni zgjedhor i radhës, ishte hokatar më mjeran i spektaklit. Ai i tejkaloi edhe pritshmëritë e pushtetit në zellin për të qenë substanca e fitores… Nuk është një, po janë një pafundësi shërbimesh që tejkaluan edhe lapsin kuq e blu të kryeministrit, lenë në tavolinë para mbylljes së kutive… Pikërisht pse e tejkaloj këtë shërbim, do ta largojë pushteti, sepse e ngjyrosi hartën më mavi se duhet, sepse për sy e faqe ca bashki thjesht vetëm për ngjyrën e hartës ai mund t’i ndreqte, sepse edhe ato që kanë sadopak blu këshillin bashkiake kanë flakë të kuq kështu që kryetari thjesht ka për të qenë një avazxhi i këshillit, prandaj Qelibashi e meriton qelinë prej pushtetit dhe jo prej opozitës… Me ka mbetur në mendja leximi prej tij i votës elektronike, ku fytyra e tij shëndriste nga fitorja e pushtetit dhe ai përpiqej ta sundonte emocionin e të mos e lexonte rezultati… Emocioni i tij i derdhej nga mjekrra e thinjur dhe merrte gjithandej…
Pushteti i ka kapur të gjithë për ushkuri, veçse ata që aktrojnë keq i përze si qen nje ditë!!!

***
Deluzion i madh ka qenë edhe i atyre që e kanë mbështetur Opozitën pa rezerva, ndërkohë që ajo mbështëti një shumësi ligjesh të shtrira në kohë të cilat nuk i lejuan të djathtët e vërtetë (aq sa kanë mbetur) të faktorizoheshin si pjesë e këtij realiteti. Ata tashmë nuk shohin asnjë lloj shprese te opozita aq më pak te pushteti, i cili tashmë i ka dhënë një ngjyrosje kaq të pështirë hartës elektorale sa është bërë nji lloj garancie për humbjet e mëtejme…
Unë mbetem i bindur se askush prej këtij trekëndëshi nuk do të ikë nga politika e këtyre 32 viteve?! Aty do të jenë, nuk do të largohen As neoDiktatori as dy ish Presidentët ish Kryeministra, as shpurat e tyre! Ata janë pjesë e së tërës, dhe Politika në Shqipëri do të vazhdojë si dikur me vdekjet e Papës… por edhe Papët diçka ndryshuan…e ne jemi të pandryshueshëm…

***
Zgjedhjet lokale janë zgjedhje alternativash, programesh po edhe individësh që premtojnë përmes një programi përmirësimin e jetës së një bashkësie të përcaktuar… Shkodra ka pasur gjithnji llogari të pambyllura me pushtetin e majtë për keqtrajtimin e saj! Në zgjedhjet e fundit partia që kishte dominimin absolut njëngjyrësh të 60 bashkive, vetëm Shkodrën e kishte jashtë vathës, kështu që futja e Shkodrës “nën kthetra” ishte synimi i saj thelbësor i këtyre zgjedhjeve… Votimi dhe shenja të forta të një çedimi në strukturë të Shkodrës, e cila prej pushtetit lidhej me historinë e ikjes prej saj të gjermanit të fundit dhe tashmë do të jetë e lidhur me hyrjen triumfale të “rilindasit” të parë…

***
Zgjedhjet e 2023 janë si përgjithësisht zgjedhjet në shqipëri: të shëmtuara. Ku shteti mbasi e ka bërë kacek administratën e që e ka thellësisht politike në bindje të veta, në mos politike të kontrolluar e të nënshtruar me terror, organizon farsën e përdyvjetshme të gjoja zgjedhjeve duke përdor gjithë mekanizmat e mundshme për të mos e lejuar që pushteti t’u ikë nga duart!!
Pra, mjafton të ndjekesh dy zgjedhjet e fundit ky Kryeministri me një teh të çuditshëm thike, ka dhënë rezultatet e sakta të zgjedhjeve, pra u ka paraprirë rezultateve dhe makina shtetërore ka përdorur gjithë instrumentet e saj, për ta çuar ujin vetëm te mulliri i pushtetit dhe askund tjetër… dhe rezultati ka shkuar, si ai i shkruar dikur me laps në qesen e ushqimeve, si ai i shkruar me laps kuqeblu i shpallur një orë para se të mbylleshin votimet… E gjitha kjo dëshmon së pari se rezultatin e zgjedhjeve e nxjerr pushteti dhe jo votuesi; e dyta zelli, për ta kënaqur një kryeministër që grabit pushtet më shumë se i duhet, vjen nga të gjithë faktorët që përbëjnë strukturën e shtetit, e treta Opozita ka faj të padiskutueshëm në krijimin e kësaj klime, me piruetat prej balerine ku shfaqja dhe thelbi nuk kombinojnë mes tyre; e katërta ndërkombëtarët përdorin ironinë “buono për l’Albania”; qytetari i vërtetë jep e merr që diçka të ndryshojë më pas e gjen shpëtimin te valixhet…
Pra nuk ka zgjedhje.
Kjo që konsiderohet botë e qytetëruar e demokracisë, e që vjen vetëm për leksione e këshilla, ka një lloj indiference tashmë të parafinuar, që është e turpshme ta quash botë e qytetëruar, ku përfundimet të gjithë i shohin e askush nuk u thotë: “Ndaluni burra!”, sepse në fund të fundit, gjithë jemi pjesë e kësaj bote dhe ajo çka ndodh si fenomen rastësor ndër ne po ndodhë edhe diku tjetër gjithnji e më shpesh, e gradualisht të gjitha shoqëritë nga ato më të dobtat te ato më solidet, po bëhen pjesë e një degradimi të përgjithshëm më i dukshëm se kurrë…

***
Pushteti i fitoi zgjedhjet. (edhe Opozita është Pushtet)
Pushteti do të vazhdojë t’i fitojë zgjedhjet, deri kur falimentimin e shtetit shqiptar ta shpallin agjensitë ndërkombëtare të borxheve. Atëherë Opozitës s’ka ç’i duhet më pushteti, ndërsa pushteti do t’i ketë sistemuar mirë klientët e vet në rezidencat parajsore dhe parajsat fiskale! Si duket deri atëhere ka mbetur edhe një copë e vogël rruge…
Prandaj në mbyllje të këtyre refleksioneve katërditore mendo se pyetja nuk duhet të jetë: “Pse u humbën zgjedhjet?” po habia “Pse, kush i fitoi zgjedhjet?” sepse zgjedhje as ka pasur, as ka, e as do të ketë, thjesht jemi pjesë e një spektakli ku tifozërisht po ndjekim në arenën me gishtin poshtë betejën e djajve të politikës shqiptare si vritet Atdheu!!!

***

Që zgjedhjet kanë qenë një operacion kirurgjikal, ku janë kombinuar shumë elemente bashkë dhe asnjë element s’është lënë mbas dore, kjo është e padiskutueshme, por ajo që m’ka rënë më së shumti në sy është një fakt shumë i thjeshtë. Në të gjitha bashkitë ku ka fituar “Bashkë Fitojmë” do më thënë në ato “shtatë të famshmet”, në asnjërën nga këto bashki ajo nuk e ka këshillin bashkiak, çka të le të kuptosh se ata që e kanë “lejuar fitoren” e kandidatit për kryetar bashkie, “janë kujdesur” në mënyrë të veçantë që këshilli bashkiak të mos jetë në anën e kryetarit të bashkisë, pra që ai të jetë në funksion të këshillit bashkiak dhe në funksion të asaj partie që e determinon këshillin bashkiak…!!! Pra, ngjyra në hartë ka ndryshuar paksa dukjen e gjërave, ndërsa ngjyra në realitetin e gjërave thuajse nuk ekziston te asnjëra nga ato Bashki. Ndaj kjo është një produkt tavoline, produkt bisturie dhe jo produkt terreni. Pikërisht ky produkt i tavolinës është qershia mbi tortë e një diktature e ardhur si tallava, e cila do ta ruajë skematizmin e pluralizmit, por që askush nuk duhet të besojë se mbas këtyre zgjedhjeve do të ketë vërtet zgjedhje që ta demantojë këtë strukturë tashmë kriminale të ngritur mjeshtërisht dhe diabolikisht në këmbë…!!!
15-19 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.