back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Pse nuk e ze gjumi natën Xhufin?! Sepse u krahasoka Hoxha me Hitlerin?! nga Matilda Mirakaj

Gazeta

Pllaka Përkujtimore e Kampit të Tepelenës
Pllaka Përkujtimore e Kampit të Tepelenës

Pse nuk e ze gjumi natën Xhufin?!

Sepse u krahasoka Hoxha me Hitlerin?!

nga Matilda Mirakaj

Matilda Mirakaj
Matilda Mirakaj
Në US para një jave, një vajze e çmendur, në lufte me Youtube, shkoj e plagosi tre vetë përpara se të bënte vetvrasje. Familja e saj e tronditur dhe e turpëruar përpara opinionit publik kërkoj ndjesë për dhimbjen që vajza e tyre shkaktoi tek të tjerët.
Para një jave një familjar i diktatorit që vrau e preu pa mëshirë, dhe më keq akoma, shkatërroi një popull të tërë me gjenerata, mundohet të na tregojë se çfarë ndodhi me familjet tona. Me paturpësi mundohet të verë ndonjë bizhuteri në lakuriqsinë e turpshme të krimit.
Pse nuk e zë gjumi natën Xhufin? Sepse u krahasoka Hoxha me Hitlerin?! Po me Stalinin krahasohet? Stalini, Pol Pot e shumë kriminelë të kuq. Edhe gjatë debatit në Studion e Hapur, përmendi legjendën popullore, se si gjoja Enveri kishte vrarë bebe të vogla t’u pinte gjakun e të rinohej. Duke prurë krahasime të tilla të ezagjeruara, ai mundohet të tregojë se kjo pjesë e turpshme e historisë së Shqipërisë është një legjendë “ekstravagante”, siç shprehet ai.
Ah, paska edhe hallin e kombit. Ka hall se po njollosim shqiptarët si kriminelë. Krimineli dhe shenjti është dualizmi i fshehur në çdo qenie njerëzore. Mjaftojnë kushtet për të nxjerrë njërin apo tjetrin karakter. Popuj me kulturë evropiane e kanë treguar këtë gjatë historisë. Francezët me revolucionin e tyre të famshëm nxorrën shumë kasapë që prenë koka pafund. Në një rast një prift në Nantes mblodhi në anije qytetarët dhe që të mos harxhonte kohë e plumba ja futi me top anijes me popull të pafajshëm. Gjermanët e bënë më vonë me kampet e tyre të famëshme.
Njeriu në qenien e tij të thellë e ka instiktin e të mbijetuarit dhe të vrasësit. Ajo që e bën jo kafshë, është analiza, ligji, njohja e së keqes dhe të mires, feja, besimi. Në qoftë se nuk është në gjendje të shohë se sa poshtë mund të shkojë, nuk ka për t’i thënë vetes kurrë: Stop!
O Zot, mos më ço në tentacion! – luten besimtaret çdo ditë.
Një alkoolist apo dipendent drogash, në qoftë se do t’i jap fund të keqes që e dominon, fillon duke njohur vetveten. Duke e ballafaquar atë me grupin. Fillon duke treguar se kush është dhe vesin e tij. Vetëm atëhere fillon rrugën drejt shërimit. Është një proçes që nuk përjashton individin dhe as shoqërinë.
Në Shqipëri u pre metastaza kanceroze nga trupi i saj, por qelizat kanceroze kanë hedhur rrënjë dhe shumëfishohen duke oksiduar gjithçka përreth dhe krijojnë një rrëmujë të pakontroll.

.

Xhina Mirakaj - e shoqja e Kol Bib Mirakajt - 45 vite e interrnuar
Xhina Mirakaj – e shoqja e Kol Bib Mirakajt – 45 vite e interrnuar
Nuk dua t’i jap asnjë rëndësi Xhufit si individ, por Xhufit si fenomen. Ai vetë nuk ia vjen. Asgjë më shumë se një pseudohistorian. Por që të diskutohet akoma graviteti i kampeve më pleq gra e fëmije, është e turpshme për një vend që troket në dyert e Evropës.
Nuk dua gjithashtu ta personalizoj këtë shkrim me tregimet dhe lotët pafund të gjyshes sime dhe të shumë të tjerave që mbijetuan në ato tmerre. Vetëm diçka të vogël kuptoj që e pasqyron historinë e atyre viteve.
Gjyshja ime lindi 4 fëmijë, dy vajza dhe dy djem. Dy vajzat i vdiqën të vogla, njëra 6 muajsh dhe tjetra, Donika të cilën e kujtonte shpesh 2 vjeç e gjysëm. Gjyshja ime Xhina ishte njeriu më i pastër dhe i butë në shpirt që kam njohur gjate jetës time. Me mall tregonte për të voglën engjëll që kish humbur, për kaçurrelat e arta që i binin në mollzat si qumësht e pak bojërozë. Dhe gjithmonë e mbyllte atë bisedë me psherëtimë dhe thoshte: Shyqyr që vdiqën, e nuk i provuan kampet. Një nënë që kishte arritur në përfundimin tragjik se humbja e fëmijës, “e loçkës” si thonë nënat shqiptare, ishte më mirë se jeta. Në vitet e fundit të jetës së saj, harresa mbështolli kujtimet e errta dhe ne që na donte si dritën e syrit, shpesh here nuk na njihte më. Por ajo që zuri rrënjë në trurin e saj e nuk u shkul derisa mbylli syte ishte tmerri i urisë, jo për vete, por për djemtë e saj. Deri në ditet e fundit kur s’njihte më askend dhe nuk e kuptonte se ishte në një shtëpi të bukur në Long Island, më pyeste:
“A mi ke pa djemtë? A kishin me hangër?!”
Kur jeta po rrëshqiste ngadalë prej trupit të saj të lodhur, nuk shihte dot pishinën e kaltër nga dritarja, por kampin me gjemba të Tepelenes të gdhendur në kujtesën e saj.
Xhufi me shokë është metafora e DNA’s të ndërgjegjes kolektive që është thyer, hallka e këputur që dobëson zinxhirin e jetës dhe moralit.
Xhufi me shokë është një pengesë e progresit shpirtëror që ka nevojë populli shqiptar. Është një çarçaf që mundohet të mbulojë kalbësirën e historisë, por që qelb më erën toksike të ardhmen.
Heshtni Zoti Xhufi! Pa u futur thellë në jetën tënde, vetëm afërsia fizike me djallin diktator të bën të fëlliqur. Hesht dhe mos pengo një popull të pastrojë vetveten.
Zoti Xhufi dhe raca juaj, edhe kur hapni gojën e flisni për të kaluarën, merrni shembull nga familjarët e vrasësve masivë në vende të qytetëruara dhe kërkoni ndjesë për familjarët tuaj. Ndjesë për dhimbjet që u shkaktuan qindramijra njerëzve të pafajshëm. Eshtë e vetmja herë që ju lejohet moralisht t’i drejtoheni opinionit publik!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.