back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Pse i duhen poetat nji vendi? – Elegji e letrave shqipe! – esse nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Festivali ndërkombtar i poezisë në Kosovë.
Festivali ndërkombtar i poezisë në Kosovë.

Pse i duhen poetat nji vendi? – Elegji e letrave shqipe!

esse nga Gjergj Jozef Kola

Për festivalin ndërkombtar të poezisë në Kosovë

1.
Ma parë se me u ba shtet, Gjermanija lindi njiherësh Goethen e Schillerin, të cilët me vargje ndërtuen ADN-ën e kombit. Fryma e këtij kombi e mbushun me afshin e poetëve, hapi rrugën e nji nga shteteve ma të fuqishëm të kohëve moderne.
Për analogji historike, ishin pikërisht poetët e Rilindjes së shekullit 19, që pregatiten strukturat e kombit ku kishte me lindë në fillimshekullin e 20 shteti shqiptar, falë edhe Hebames Habsburge në Vjenë..
30 vjetët e parë të pavarësisë së Shqipnisë e mbushen çdo qytet me poetë të mrekullueshem, a thue se qiella që kishte qenë e mbyllun për 5 shekuj i libroi engjujt pendëflakë e ata u sulën në bregun e Adriatikut…
Kishte qytete si Shkodra, ku ranë aq shumë engjuj pendëflakë saqë në çdo rrugicë kishte nji poet e në çdo derë nji shkrimtar… Pashko Vasat, Filip Shirokaët, Ndoc Nikajt, Gjergj Fishtat, Ndre Mjedat, Ernest Koliqët, Millosh Nikollët, Ndre Zadejët, Lazër Shantojet, Vincenc Prennushat, Gaspër Palët, Arshi Pipat shtriheshin mbi muret e nalta të kohës si lulevilat e pranveres…
Me vendosjen e diktaturës në 1944, fantazma osmane doli nga “Llampa e Aladinit” e u vesh me kostumin komunist. Me tanë urrejtjen shekullore patologjike të Ali Pashës së Tepelenës, mutacioni komunist iu vërsul kulturës shqiptare dhe e rrafshoi me gjak e hekur, tue e lanë vetë fantazmën osmane me gojë haptë.
Shqiptarët e Kosovës u quejtën “miq e komshi”, ndërsa serbët “vëllezër” nga diktatori komunist i zonës së parë operative. (?)
Jo vetëm shpirtat e bukur kanë etje për poezi, porse edhe zompit janë të etun për gjak, si nji luftë e përhershme të së mirës me të keqen. Ky mutacion osmano-komunist arriti deri aty saqë dhunoi vorrin e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës e askush në demokraci nuk u ndëshkue për kët krim, madje ata që e dhunuen vazhdojnë me u dekorue nga establishmenti postkomunist…
Për 45 vjet diktaturë nuk u lind asnji poet e kombi i fshehu gjenitë siç ban dimni me rranjën e luleve. Në kët përpjekje të përbindshme për me lindë diçka, diktatura shterpe komuniste krijoi Standartin e ‘72, nji gjuhë mushke, siç pat paralajmërue Fishta i madh, as kalë e as gomar, as gegnishte e as toskënishte, në fakt shumë toskënishte e pak o aspak gegnishte…
Si pasojë e kësaj, ndalimi i gegnishtes me ligj e shtremnini i toskënishtes po me ligj, nuk lindi asnji poet ma. Brezat e lindun nën diktaturë lexojshin me kënaqësi sublime poetët e lejuem të kombit, Mjedën, Nolin, Migjenin, Poradecin e sidomos të ndaluemit, Fishtën e Koliqin, porse neveritshin poetucët skllevër të diktaturës, të ashtuquejtunit: realsocialistë. Në moçalin e tyne realsocialistët mbytën çdo specie poetike, rrafshuen çdo individ e si pasojë për çdo poezi apo prozë kishte vetëm nji stil: stilin standartas.
Jo pa lidhje, në Kinën e lashtë fëmijve valltarë u vendosnin këpucë drunit që mos me iu rritë kurrë ma kambët, e realsocializmi u vendosi poetëve po këto këpucë e sot duken të tanë njilloj. Standarti, ky akt kriminal që e bani belbacuk kombin tonë, lindi njiherësh me revolucionin monstruoz kulturor maocedunist.
Kombi shqiptar ishte shprishë në atë mënyrë tragjike, saqë kur erdhi liria me 1992, shumica e popullit kërkonte me ikë sa ma parë jashtë shtetit. Të parët që ikën ishin realsocialistat, nga frika se revolta popullore kishte me i linçue për krimet që kishin ba, porse lumi i historisë shqiptare u kanalizue në njiqind përrej të vegjël e nuk u vendos kurrë drejtësija e meritueme.
Asht kjo mungesë e vetpastrimit, e asaj që Frojdi quen, “shtypje e neurozës” që e vazhdon ende sot krizën e Identitetit të kombit shqiptar: shkurt, frenon lindjen e poetëve që riformojnë kombin.
Nëse njeriu lexon sot gjenitë e botës në poezi apo prozë e dallon menjihere Autorin prej stilit të tij, porse edhe nji njohës i letrave shqipe e njef stilin e gjenive të poetëve shqiptarë të pavarësisë, Fishtës, Mjedës, Poradecit, Kutelit, Konicës, Çajupit, Nolit, Frashërit, Koliqit, Migjenit…
Ndërsa nji poezi apo prozë në standart nuk të lejon njohjen e autorit sepse aty mungon stili: standarti si artific e mbyt stilin. Shumë qytetnime jane zhdukë për arsyen e vetme se kanë mbytë poetët me gurë ose i kanë zhvarrosë ata e u kanë hjedhë eshtnat në lumin e harresës.
Në Babilon njerzit nisën me ngritë nji kullë deri në fronin e Hyjit, porse ata nuk e ndërtuen kurrë sepse gjuha u ngatërrue rrugës dhe qëllimi final u shkërmoq bashke me kullën. (Standarti i 1972, ka kët mision shkatërrues kundra kombit shqiptar e deritash ia ka dalë me sukses, mjerisht.) Prej aty njerëzit ndërtuen qytetnime te tjera, kombe të tjera me poetë të rij. Kështu nën diktaturën neverhoxhiste u rritën stilet e poetët jashtë sistemit realsocialist, mbijetoi nën diktaturë Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli në universin e tyne të mbyllun, në toskërishten e lëvrueme me mjeshtëri, njashtu si Arshi Pipa në USA apo Ernest Koliqi në Itali, me gegnishten e tyne aq të natyrshme e mjaft të pasun.
Natyrisht majën ma të naltë e përban Martin Camaj, që në vetminë e Lenggries nga 1970-’90, krijon edhe stilin ma unik në poezine shqipe, të përfaqsueme nga gegnishtja.
Në premierën e dramës “Martin Camaj – Poeti i Vizatuem”, në Lenggries të Gjermanisë, bashkshortja e tij, Frau Erika Camaj na tha se Martinit i asht dashtë nji jetë me latue e limue stilin e tij origjinal. Të mendosh se sot letrarët shqiptarë mendojnë se tue lexue nji libër arrijnë nji stil origjinal. Nëse lexon nji poezi të Camajt, e njef menjiherë autorin, gja që nuk mund të thuhet për të tjerë, poetë realsocialistë, të cilët ngjajnë si pika ujit në stile. 
Me Martin Camajn në 1992, u mbyll edhe diktatura komuniste, si nji paradoks historik, se në fakt Martin Camaj i “pau dhambët e amshimit tue u mbyllë” për të fizikisht, e fatlumnisht tue u hapë për kombin shqiptar e për poezinë shqipe.
Ky asht fati i poetëve te nji kombi në kristalizim e sipër, si nji diell në lindje, përgjakë horizontin përballë… 
Jam i lumtun që në kët festival ndërkombtar të poezisë asht e ftueme edhe poetesha shkodrane Ledia Aleks Dushi, si vazhduese e denjë e poezise Camjane, si shenjë e vazhdimsisë.
.
Poetja Ledia Dushi
Poetja Ledia Dushi
2.
Që të jena të qartë që në fillim: Kombin shqiptar nuk e formojnë oligarkët politiko-fetaro-tregtarë, sepse ata janë të parët që e braktisin Kullën e Babilonit, porse poetët, sepse ata janë fjala, ADN-ja që e mban kullën në kambë.
Me rritë nji poet në tokën shqiptare asht si me hapë nji pus me gjylpanë e kjo ndodh qyshse ishim arbnorë. Ka 5 shekuj që shkrimtari ma i randsishëm, bestselleri i vetëm i shekullit të 16, arbnori Marin Barleti ende nuk e ka të rindërtuem vendin ku shkroi kryeveprat e letrave shqipe: Bazilikën e kalasë së Shkodrës, respektivisht: Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Skanderbegut.
Kanë kalue 30 vjet demokraci e gjendja nuk asht aspak e kandshme, as për poetët e as për kombin shqiptar. Në dy shtete i ndame, me pakica në dy të tjerë, kombi shqiptar drejtohet nga politikanë me formim postkomunist e jo nga poetë me formim universal – human, që janë të vetmit që munden me ringjallë kombin shqiptar në Ballkan. 
Mbështetja që bota po u ban “klounëve politikë” shqiptar, kallxon edhe nji herë seriozitetin që ka bota e qytetnueme ndaj nesh e tragjikomikja qindron në atë që këta politikanë po e luejnë rolin e tyne me shumë seriozitet, tue lan Sanço Pançon e don Kishotin me gojëhapë. Këtu për poetin e kombit nuk e ka asnji shancë mbijetese. 
Reminishencat osmano-bizantine, respektivisht turko-greke sot, kanë qenë historikisht dy helme në frymëmarrjen e kombit shqiptar prandaj flirtet politike me këto dy vende që janë në anmiqësi të thellë më njeni-tjetrin, vetëm sa e thellojnë edhe asfiksinë e shqiptarëve. 
Rranjët arbnore janë e vetmja forcë e mirëfilltë që lulëzon pemën e kombit shqiptar. Fundja falë kësaj rranje kombi shqiptar i qindroi asimilimit 5 shekullor turko-greko-serb.
Pozitive në demokraci asht ajo që poetët gegë u ringjallën menjiherë, njashtu në universin e tyne të strukun në mjegullnajë. Penda që kishin shkrue në “letërsinë e heshjes” si Zorba, Lazër e Jozef Radi, apo Primo Shllaku, nisin me e zbukurue pranverën e kthyeme të poezisë shqipe, bash si zambakët e borës që nxjerrin kryet me kallxue se stina e luleve s’asht larg. Mjaft poetesha të reja shqiptare gege, si Ledia Dushi, Erenestina Gjergji Halili, Gabriela Muja, Arjola Zadrima, Ledri Kurti Kraja, Donika Dabishevci, Manjola Brahaj, Lindita Ahmeti, Diana Toska, Elinda Marku, Lavdi Bakiu, Kaltrina Uka, Mira Nikolli, Vlora Ademi, Desantila Qerimaj, Eljona Kodra, Rozafa Shpuza, Entela Tabaku, Elona Culiq etj, zbuluen vallen poetike të shtojzovalleve: Shtojizotvallet!
Nga ana tjetër disa poetë gegë, madje të talentuem, nuk gjetën forcë me dalë mbi standartin, apo nuk deshën me hjekë monopolin e tij e kjo solli atë që shumë prej tyne vazhdojnë me shkrue në stilin e stilistëve të pastilë, porse të afirmuem të diktaturës.
Poeti i kombit At Gjergj Fishta shkruen para 100 vjetësh, 5 vjet mbas pavarësisë: “Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka letrarë…” Shqipnia sot në 2021 asht i vetmi vend në botë ku letrarët botohet prej njohjeve politike e jo për hir të stilit e talentit poetik.
Politika e përkeqësoi plagën e gjuhës e të poezisë saqë të vjen me qitë vner kur shef se si letrarë pa asnji stil mbajnë kunorën e larit mbi krye. Si askund në botë vazhdojnë me u frye letrarët e pastil të diktaturës, njashtu siç kërkon njeriu me kthye jetën normale tek nji zombi përçudnues. Rezultati njihet, sot nuk kena asnji vepër dinjtoze, shpërthyese gjeniale, as poetike e as prozaike nga këto pseudostiliste.
Sepse fundja duhet me ra dakort që: Stili origjinal, asht ai që përcakton letersi, poezi e art!
.
Gjergj Jozef Kola
Gjergj Jozef Kola
3.
Arti e letërsia si shumëçka tjetër në shoqninë shqiptare asht marrë peng nga politika e nga oligarkët analfabetë në poezi. Establishmenti kujdeset përditë që të mos kalojnë kush rrethin vicioz e gjithçka të konsumohet në vetvedi.
Në asnji shtet të botës nuk ndodh absurdi shqiptar, ku drejtues të naltë të shtetit ndajnë urdhëna shtetnore pseudoartistave të realsocializmit, në mënyrë që ata të marrin nji pension të dyfishtë në kohën e demokracisë, të cilën tanë jetën e kanë sha e shilue.
Askund në botë nuk ka ndodhë, vetëm nën rilindjen e (B)Eduin Ramës që të mbahet Kuvendi i poetëve të Diasporës e të ftohen shkrimtarucët që jetojnë në Tiranë me drejtue panelet e me folë për letërsinë në Diasporë!? Korrupsioni e tallavaja nuk mund të ketë fytyrë ma monstruoze se kjo!
Porse nga Zona e Parë Operative nuk mund të pritet gja tjetër, ajo e ka për mision shkatërrimin e kulturës e të kombit shqiptar të ndërtuem me aq mund e dashuni nga Rilindasit e nga Habsburgët.
Na duhet me u ba të vetëdijshëm se ishin poetët e kombit, Gjergj Fishta në Gegni e Naim Frashëri në Toskëri që e ngjizën kombin shqiptar ne fillim shekullin e XX e sot në fillim shekullin e XXI ata mungojnë tmerrësisht. Kjo ndodh jo se kombi jonë asht shterp e s’ka forcë me lindë poetë, porse establishmenti postkomunist përkujdeset që ata me i mbytë qysh në lindje.
Realsocialistët kanë marrë peng botimet e ndodh siç i ngjau romanit bestseller në Amazon “Tim Autist”, për të cilin Autorit, nji nga shpitë ma të mëdha botuese në Tiranë i kërkoi ta sillte në standart prej gegnishtes, se ndryshe nuk mund ta botojnë e nuk e botuen: Apartheidi vazhdon!
Kështu cerberusat e politikës kujdesen që edhe nëse nji Autor fiton papritmas nji konkurs drame me Juri të ndershme, të pakompromentueshme, siç ngjau edhe me dramën “Nanë Tereza në Shkodër” vijnë menjiherë osmano-bizantinët nga kryqyteti e ta hjekin e ja japin vedit, të pastileve, për “30 asprat” biblike.
Aktualisht në Shqipni nji poet – autor, që me mundimin e nji jete ka ndërtue nji stil të vedin në poezi apo prozë nuk e ka asnji shanc me dalë në sipërfaqe, edhe nëse shkruen 200 “Elegji Duine” apo 10 “Komedi hyjnore” njiherësh. Ministria e Kulturës, në Tiranë as që e ka në agjenda krijimin e “shpirtit të kombit” nëpërmjet poetëve, porse vetëm pasunimin e pafrè të titullarëve të saj, siç shifet edhe nga deklarimi i pasunive në shtypin shqiptar, prandaj unë nuk habitem që për projektin poetik apo dramatik të rradhës, ata as denjojnë të përgjigjen, sepse nuk kanë as pikën ma të vogël të edukatës e kulturës, çmos kush në botën e madhe, të qytetnueme të perëndimit, Europës ku dojnë me shkue e me ardhë. Ministritë shqiptare konsiderohen si “Selbstbedienungsladen” thonë gjermanët e jo si drejtuese të kombit me forcën e shtetit.
Unë u jam jashtëzakonisht mirnjoftës poetëve shqiptarë të Kosovës e veçanarisht poetit te afirmuem ne botën e poezisë e të vlerësuem në mbarë kontinentet, z. Fahredin Shehu që më afruen kët platformë dinjitoze festivali botnorë me folë për atë që nji poet ka për zemër: shpirtin e kombit të vet. Në Amazon, platformën e vetme demokratike që nuk kërkon as lidhje politike e as ideologjike e as fetare, porse përcakton bestsellerat në bazë të shitjes së librave, unë jam i prezantuem me 50 drama e 10 romane e 4 poema në shqip e gjuhë të hueja, në stilin që kam ndërtue tash nji jetë letërsi.
Nji empati e mrekullueshme i mban lidhë poetët shqiptarë sot, poetët antikonformistë, ndërsa e kundërta ndodh me poetucët që janë të lidhun me establishmentin postkomunist, këta të fundit mbështesin vetëm korrupsionin e tallavanë, egoizmin e tyne primitiv.
Flirti i pështirë që rilindja në Tiranë po ban me serbosllavët e Ballkanit duhet të jetë nji shtysë kundravepruese e shqiptarëve të Kosovës e të mbarë Gegnisë për kundrapërgjigje. 
Unë i lëshoj klithmën e shqipes Kryemnistrit të Kosovës z. Kurti për me ja ba tana nderet emnit të tij shqiptar Albin dhe me e nxjerrë të jashtëligjshme në Kosovë Standartin stalinist të zonës së parë operative! Në vend të tij me kthye Standartin që ishte ndër shekuj me të cilin u shkrue edhe kryevepra e kombit shqiptar: “Lahuta e Malcis!”
Bajeni kët për kombin tonë zoti Kurti, njashtu siç e bani edhe Ernest Koliqi për kët komb kur hapi me qindra shkolla në Kosovën e lirueme nga serbët. Ju e keni rastin me hi në kujtesën e kombit si legjendë, si Muji e Halili e si Gjergj Elez Alija me kët akt të madhnishëm.
Dhamb për dhamb e sy për sy me të keqen që na ka marrë peng kombin – thërret poeti biblik!
Na si komb kena mungesë të madhe ne forcën e pastrimit nga e keqja historike, njashtu siç ka nji fëmijë mungesë nga vitamina D kur nuk e shef diellin për nji kohë të gjatë. Kështu gjuha shqipe përditë e ma shumë po bastardhohet me fjalë të hueja sepse standarti nuk asht i aftë për vetpërtërimje e dalëngadalë “vena nuk mban ma ujë”. Më duket se jena nji sirenë në breg të detit që mbulohet me çdo barishte që hjedh koha e kët fenomen kameleoni askush nuk e vuen ma shumë se gjuha, sepse ajo nuk lejon kameleonizma, porse vetpastrohet.
Drama “Musine Kokalari” e shkrueme në toskënishten e Musinesë e në Gegnishten e autorit, nji bestseller shqiptar në Amazon, kallxon se këto dy dialekte rriten sëabashku si identitet i letrave shqipe, larg artificit të standartit të imponuem e antishkencor të diktaturës komuniste.
Pa paskajoren që hoqi me dhunë diktatura komuniste, nuk ka gjuhe shqipe.
Shtetet e forta qëndrojnë mbi kombe të forta e këto kombe të forta u formuen prej poetëve, prandaj edhe i prijnë qytetnimit. Shqipnia shtrihet në dy shtete jo të forta, sepse nuk asht ende nji komb i plotë e për m’u ba i tillë i duhen poetët, poetët antikonformiste e jo ata postkomunistë.
Jena i vetmi komb në botë që nuk kena nji poet, prozator apo dramaturg si pikë referimi, si institucion, njashtu siç kena pasë në politikë Presidentin Rugova apo në kulturen e paqes, Nanë Terezen. Kjo kallxon se shoqnia shqiptare asht vetmarrë peng si akrepi i rrethuem nga zjermi e pret ditën e kamikazes në vetëdije e identitet, “njashtu siç e don anmiku”, – shkruente Fishta i madh, gati nji shekull ma parë…
Vllaznit siamezë, gegë e toskë duhet të vazhdojne m’u rritë njilloj sëbashku, se përndryshe njeni ka me ia marrë shëndetin tjetrit, ka me marrë gurin e Kainit në dorë, siç vepruen komunistat toskë nën 45 vjet diktaturë, ose kanë me pasë fatin kirurgjikal të binjakëve siamezë.
Prandaj na duhen poetët me krijue kombe prej mermerit e jo shtete prej kartuçit.
Poeti dikur i panjoftun gjerman Frederik Shiller braktis karrierën e mjekut ushtarak në moshë të re me iu përkushtue dramës e poezisë, të cilat vitin e parë e çojnë në greminën e luftës për egzistencë, derisa nji mecen i artit e letërsisë e zbulon atë dhe falë tij rritet nji gjeni i mbarë njerzimit.
Mos i leni poetët e ri të kombit shqiptarë me humbë në luftën për egzistencë, se kombi jonë ka sot ma nevojë se kurrë për to.
Në kët festival unë gëzohem me u paraqitë me poemën e pabotueme: “Rozafat”, prej së cilës më lejoni me afrue disa rreshta:
 .
Rozafat,
ti fat i drandofiles!
Me të shtërngue ty në dorë
mbushen gishtat me gjak 
e bahen penda dashunije,
se gjaku jot mban lidhë themelet
Ku rrëmojne ende sot
Hijenat me feçkat e përgjakuna.
E ti aty përditë vdes
E ata përditë majmen, tue ndryshue pamjen
Herë çakall e herë zagar:
Kunetnit, kumbarë të vdekjes,
porse ti je dashuni
në vetpërsosje… 
 .
Gjergj Jozef Kola, Vjenë, 01.08.2021 
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.