back to top
17.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

“Protopeiria” i Kavaliotit – nga Aurel Plasari

Gazeta

“Protopeiria” i Kavaliotit
“Protopeiria” i Kavaliotit

“Protopeiria” i Kavaliotit

nga Aurel Plasari

“Da er das Griechische,
das wlachische und Albanische as
Muttersprachen versieht und redet…”
J. Thunmann, I, 178
 .
Pasurohet fondi albanologjik në Bibliotekën Kombëtare.
Vjen në shtëpi “Protopeiria”, fjalori 3-gjuhësh i Kavaliotit.
Një libër me rëndësi të veçantë gjuhësore dhe historike, me një rrugëtim gati legjendar.
.
Studiuesi Aurel Plasari
Studiuesi Aurel Plasari

 Thesari albanologjik pasurohet nga një tjetër vepër e vyer. Pas një rruge të gjatë dhe falë këmbënguljes së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari, u bë e mundur ardhja në fondin e kësaj biblioteke e një kopjeje të veprës së famshme të Teodor Kavaliotit, “Protopeiria”. Ky akt u mundësua përmes bashkëpunimit me Bibliotekën e Akademisë së Rumanisë, ku gjendet edhe ekzemplari i vetëm i kësaj vepre, e cila mbart me vete një histori peripetike shfaqjesh e zhdukjesh. “Protopeiria”, vepra më e rëndësishme e njërit prej drejtuesve të Akademisë së Voskopojës, Teodor Kavaliotit, është një fjalor i trefishtë në gjuhën greke, vllahe dhe shqipe, me një rëndësi shumë të madhe për albanologët dhe leksikografët. “Protopeiria” është jo vetëm një dëshmi gjuhësore, por edhe historike.

“Datëlindja” e vetëdijes kombëtare, si një dukuri e re e qytetërimit modern europian, merret rëndom viti 1789, si vit i Revolucionit frëng. Një përsëritje e këtillë nuk është veçse artikulim i një “mitologjie pragmatike”, sikurse E. Hobsbawm-i e emërton drejt. Në Gadishullin ballkanik ka shembuj të mjaftueshëm për të dëshmuar shenjat e zgjimit të kësaj vetëdije përpara “frymës luftarake” të përhapur prej revolucionit në fjalë, madje përpara vetë këtij revolucioni. Një ndër këta shembuj është, pa dyshim, Voskopoja e shek. XVIII me lëvizjen mendore që ajo në këtë shekull dha.
Kjo lëvizje u kushtohet, në radhë të parë, kontakteve të asaj qendre të madhe tregtare, që ishte Voskopoja, me Lindjen dhe Perëndimin. Rrjeti i rrugëve i organizuar mirë e lidhte atë jo vetëm me qytete të rëndësishme brenda Gadishullit (Vlorë, Durrës, Ulqin, Elbasan, Strugë, Kostur, Larisë, Beograd, Sarajevë etj.), por përtej tij me metropole të tjera, si me Siqilinë, Gjenovën, Livornon, Sardenjën, Napolin, Ankonën (port që i përkiste shtetit papnor), Venedikun, Triestën, me republikën autonome të Raguzës, me arrnatorët e “Bokave të Kotorit” (Kastelnovo, Perast, Dobrota), me Maltën, Kadisin, Vjenën, Lajpcigun, Poznanin, Budën dhe Pestin, Bukureshtin, Odesën, në përgjithësi me tregjet e mëdha të Lindjes dhe qendrës së Europës, deri në Egjipt, Kostandinopojë dhe Azi të Vogël”. Është fjala, pra, për një qytet që, mes viteve 1720-1770, qe bërë metropol i vërtetë i Gadishullit, me rreth njëzet e katër kisha,me një shtypshkronjë, një bibliotekë, madje një “Akademi të re”, me lagje të shumta e të pasura, me tregje të lulëzuara, të tillë siç e karakterizonte një burimi kohës: “urbs amplissima non modain tata Grecia, sed etiam fere per totum Turcarum imperiuni”.
Një hapje e tillë kushtëzoi ardhjen në atë qendër, si dhe mandej formimin në të, të një vargu figurash që e ndikuan fuqishëm jetën intelektuale të qytetit: Joan Halkeu, nxënës e mandej mësues i shkollës së Voskopojës, më mbas drejtor në Venedik i kolegjit në zë Filangini; Sevast Leontiadi, nga Kosturi, nën drejtimin e të cilit më 1744, shkolla e Voskopojës u riorganizua dhe mori emrin “Akademia e re”. Mbërrinte nëpërmjet tyre ndikimi i një Eugjen Vulgari, zëmadh në gjithë Orientin europian si përkthyes i Voltaire-it; kishte dhënë mësim thuajse në të gjitha shkollat e rëndësishme ortodokse të Perandorisë osmane; veç teorive të Leibnitz-it e të Wolf-it, propagonte teoritë e Locke-ut, at i enciklopedistëve dhe mbrojtës i të drejtës për revolucion. Vjen mandej kryefigura e qytetërimit të Voskopojës, “protopapa” Teodor Anastas Kavalioti, nxënësi Eugen Vulgarit, profesor dhe drejtori “Akademisë” së qytetit qysh kur ishte vetëm 22 vjeç, filolog, gramatikan dhe poet. Ndonëse veprimtaria e tij nuk njihet ende në zhvillimet e saj konkrete, mund të pohohet pa mëdyshje se ke të bësh me një djalosh gjenial, “profesore dhe drejtues shkolle, me një potencë pune të jashtëzakonshme, sa të bëhej frymëzuesi kulturor dhe shpirtëror i një breznie të tërë, shpirti Akademisë”, sikurse e quan Skenderesi. Burimet e vjetra (të shek. XIX) flasin me terma të lartë për kulturën e tij: Thunmann-i e përshkruan gjithë admirim”, e quan “filolog mjaft të mirë” dhe”predikator të talentuar”; Zavirasi e thërret “gjenial”; Sathasi e përshkruan të apasionuar gjithnjë për “kulturë të re” Pikërisht te një libërth i tij, që më duket se përbën produktin më tipik të kësaj lëvizjeje mendore, do të ndalem këtu: tek i ashtuquajturi “Fjalori Kavaliotit”. Po e përshkruaj simbas ekzemplarit unik që ruhet në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave të Republikës së Rumanisë.
 .
Faqja e parë dhe e dytë e “Protopeirias”
Faqja e parë dhe e dytë e “Protopeirias”

Protopeiria paraqitet si një libër i vogël, in 8º, me 96 faqe të shtypura. Kapakët i ka të dëmtuar nga koha, por lidhjen ende të fortë. Faqja e titullit është kompozuar simbas modelit tip të shtypshkronjave venedikase me këtë tekst në greqishte: “Protopeiria/ prej/ Fort-të-mësuarit,/ dhe Fort-të -ndritshmit Mësues,/ Predikator i Shenjtë,/ dhe Protopapë Zotëri/ Teodor Anastas/ Kavalioti/ Voskopojarit/ e shkruar/ dhe e nxjerrë në dritë nga shtypi tani së pari me shpenzime të Fort-të-nderuarit dhe Fort-punëmbarit/ Zotëri Jorgji Trikupa, i mbiemëruar edhe Kos/miki prej atdheut/ Voskopojë./ [Një fri­zë.] / Në Venedik/ më 1770/ prej Antonio Bortoli-t”. Në rreshtin e fundit latinisht: “Superiorum permissu ac privilegio”. Në f. 3 ndodhet një parathënie e shkurtër e Kavaliotit. Në verso të së njëjtës faqe një gravurë në dru që paraqet Trininë e Shenjtë. Faqet 5-11 përfshijnë abetaren greke, ndërsa në f. 12 vijon një gravurë që paraqet Shën Mërinë me Jesuin foshnjë. Prej f. 13 fillon fjalori greqisht-vllahisht-shqip, në tri kolona, me radhë alfabetike. Mbi tekstin ndodhet një frizë, nën të titujt e tri kolonave me fjalët: Rhomajika, Vllahika, Allvanitika. Ka 1070 fjalë. Fjalori zë 46 faqe dhe mbyllet me një gravurë në dru në f. 59. Më tej Protopeiria ka përmbajtjen e zakonshme të librave të leximit të asaj kohe. Në f. 61 ka një lutje drejtuar Shën Mërisë. Vijojnë disa faqe me pjesë nga Bibla. Prej f. 68 deri në f. 79, ka mësime të ndryshme morale, fjalë të urta dhe lutje. Faqja 80 ka tri gravura më të vogla, megjithëkëtë të qarta, që paraqesin Darkën e Fshehtë, Mundimin e Krishtit dhe Varrimin. Në faqen vijuese, sipër, një gravurë që paraqet Ngjalljen. Deri në f. 92 vijojnë tekste kishtare, ndërsa prej f. 93 deri në f. 96 përfshihet pjesa aritmetike e Protopeirisë.

Në teknikën e gravurave specialistët kanë dalluar elementet tradicionale të artit të shtypjes venedikas, të famshëm në gjithë Europën, dhe që Republika ia detyronte mjeshtrit të shquar gjerman Ratdolt. Pjesa tjetër e zbukurimeve: iniciale, korniza, friza, si dhe trajta kursive e shkronjave dhe formati in 8° i përkasin stilit të quajtur aldin.
Nga rrjedhojat e mëtejshme të shkatërrimit të Voskopojës për kërkuesit europianë u shpëtuan prej këtij libërthi vetëm dy ekzemplarë. I pari qe ai i shpëtuar prej aventurierit voskopojar Kostë Haxhi Jorgji Xhehani, ish-nxënës i Akademisë së Voskopojës dhe admirues i Kavaliotit, me rastin e udhëtimit në Gjermani më 1773. Ky ekzemplar ra në dorë të gjuhëtarit gjerman Johann Thunmann, profesor në Universitetin e Halle-s dhe bashkëkohës i Kavaliotit, i cili e riprodhoi fjalorin në veprën e vet. Mbas vdekjes së Thunmann-it ky ekzemplar u zhduk. Kur më 1882, Miclosich-it i dukej për hulumtimet e veta, nuk gjeti dot asnjë ekz. dhe mbërriti në përfundimin: “Protopeiria është zhdukur”. Ekz. e dytë e zbuloi gjuhëtari Gustav Meyer më 1895; duket se ky i dyti kishte shpëtuar në sajë të një tregtari voskopojar që ndodhej në Austri ose ishte strehuar atje mbas shkatërrimit të Voskopojës. Meyer-i e ribotoi më 1897, me përkthimin gjermanisht dhe me shënime gjuhësore. Ndërsa ekz. i Meyer-it kishte 96 faqe, ai që riprodhon Thunmann-i ka pasur 104 faqe, të cilat edhe në ekz. që përshkrova mungojnë. Simbas përshkrimit të Thunmann-it, në to ndodhej një alfabet latin. Kjo mungesë i ka bërë hulumtuesit të mendojnë se ekz. që ruhet në Bibliotekën e Akademisë së Rumanisë duhet të jetë po ai me të cilin ka punuar Meyer-i. Kur më 1909, dijetarit Pericle Papahagi i duhej ta riprodhonte në antologjinë e tij Shkrimtarë arumunë të shek. XVIII, i mbetej të mbështetej vetëm mbi riprodhimet e Thunmann-it, Miclosich-it dhe Meyer-it. Një vit më vonë hulumtuesit rumunë e zbuluan ekz. e Meyer-it në katalogun e antikuarit Joseph Baer nga Frankfurti-mbi-Mein, nën titullin Die Protopeiria des Kavaliotis dhe me nëntitullin sensacional Ein Unicum. Prej Baerit e bleu Biblioteka e Akademisë Rumune në nëntor 1910 për 600 marka të asaj kohe.
Për befasi të studiuesve, mbas Luftës I Botërore as në këtë bibliotekë ekz. i ve­tëm nuk gjendej më. Madje nuk rezultonte as regjistrimi i tij në librin e inventarit. Kur më 1936-’39 dijetari shqiptar Ilo Mitkë-Qafëzezi e ribotonte Fjalorin e Kavaliotit në Shqipëri në revistën “LEKA”, duke e vë­në pjesën shqipe në alfabetin shqip, mbështetej po te riprodhimet, pa e ditur se më 1935 Protopeiria qe rishfaqur nga depozitat e thesarit të Mbretërisë rumune të transferuara në Moskë prej Akademisë në kontingjencat e Luftës.
Sikurse shihet, kemi të bëjmë me një libërth krejt të thjeshtë, të shfaqur pa kurrfarë buje, por që ka shënuar një nga karrierat më të habitshme në jetën e librave për shkak të “fjalorit” që përmban. Duke e vendosur në kuadrin e lëvizjes mendore ku ai u shfaq dhe funksionoi, së toku me katërgjuhëshin e Danielit, ato i kanë quajtur edhe “më të bukurat dhurata të popujve ballkanikë për kulturën e botës”.
Ç’është e vërteta, studimet e para për njohjen e gjuhëve shqipe, vllahishte dhe bullgarishte janë realizuar mbi bazën e këtyre fjalorëve disagjuhësh dhe autorët e tyre është e drejta të përfillen si pararendës të gjuhësisë së krahasuar për Ballkanin. Por Fjalori i Kavaliotit dhe ai i ndonjë ndjekësi të tij paraqiten të rëndësishëm në një aspekt përtej filologjik: me ta fillon në Ballkan historia e rilindjes mendore të popujve përkatës, para përhapjes në rajon të “frymës luftarake” të Revolucionit frëng, madje përpara vetë këtij revolucioni. Rëndësia e një libërthi të këtillë në rizgjimin kombëtar të popujve në fjalë shihet edhe nga fakti që Fjalori i Kavaliotit ka qarkulluar edhe i rikopjuar me dorë, sikurse dëshmon kopja e gjetur në manastirin e Shën Pandelejmonit të Malit Athos; disa vjet mbas botimit të tij, ka lindur nevoja për katërgjuhëshin greqisht-vllahisht-shqip-bullgarisht të Daniel Voskopojarit; ndërsa më 1841 bullgarëve u është dashur të bëjnë një “botim” të dytë të katërgjuhëshit si trigjuhësh, duke i zëvendësuar vllahishten dhe shqipen me turqishten.
Ajo çfarë e ka bërë më “të habitshme” karrierën e këtij libri, si për studiuesit e tij, ashtu dhe për bibliografët, është doemos zhdukja e plotë e tij. Sado i kërkuar dhe i përdoruar të ketë qenë ai, si dhe sado i reduktuar të ketë qenë tirazhi i tij, së paku në bilbliotekat e Greqisë duhej të gjendeshin prej tij ekzemplarë. Sepse njohim botime, dhe sidomos libra dore, shumë më të vjetër nga Protopeiria, që kanë qenë po aq të kërkuar e të përdoruar, prej të cilëve megjithëkëtë ekzemplarë janë ruajtur. Sakaq, qysh kur i bënte riprodhimin, vetëm tre vjet mbas botimit, Thunmann-i thoshte në shënimet e tij se Protoperiria ishte bërë tanimë (më 1773) një “libër i rrallë”. Këto fakte shtyjnë që shpjegimi i zhdukjes së kësaj vepre të kërkohet jo te “përdorimi” a “konsumimi”, por në drejtime të tjera.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, ndërsa popujt e Ballkanit prireshin drejt jetëve të tyre “kombëtare”, Kisha e Kostandinopojës, e njohur si “kishë greke”, shpërthente një fushatë të egër për të ruajtur hegjemoninë e vet të ashtuquajtur të “traditës bizantine”. Duke përdorur si përligjje rrezikun e muslimanizimit që, sidomos mbas shek. XVI, po hapej me shpejtësi në zonën në fjalë, Patrikana Ekumenike e Stambollit suprimoi Kryepeshkopatën e Pejës më 1766 dhe atë të Ohrisë më 1767. Ishin veprime që synonin drejtpërsëdrejti pengimin e lëvizjes rilindëse të popujve jogrekë të Ballkanit, sidomos të shqiptarëve dhe vllehëve të cilët, për vetë pozicionin e tyre gjeografik, depërtonin thellë në zemër të Greqisë dhe mund të krijonin aty konflikte si etnike, edhe kulturore, të padëshirueshme për grekët. Në këtë mënyrë Kisha greke përqendronte në duart e veta edhe metropolitë e zonës në fjalë. Rrënimi i parë i Voskopojës realizohej më 1769, pra pikërisht dy vjet mbas këtij su­primimi kishtar. Ky proces regresiv i Kishës greke vononte ndjeshëm, krahas lëvizjeve kombëtare, edhe lëvizjet për pavarësimin e Kishave përkatësisht shqiptare dhe vllahe, që në shek. XVIII tanimë kishin filluar. Pikërisht Kavalioti, autori i trigjuhëshit, si protoieré i madh i Voskopojës, kishte dhënë kontributin e vet edhe në Metropolinë e Ohrisë dhe kishte predikuar edhe në katedralen e Prima Iustinianës (Ohrisë).
Si gjuhë dijeje, njëherësh liturgjike dhe letrare, gjuha e Kishës greke, e “Patriarkatit ekumenik”, vijonte të përdorej si gjuhë unike, duke ngulmuar të bashkonte gjithë “popullsinë e krishterë” në një bashkësi të vetme. Prej kësaj Kishe greqishtja mbahej “gjuhë e shenjtë”, ndërkohë që gjuhët e tjera vendore përfilleshin “vulgare”. Si mbas kësaj ndarjeje, jo çdo gjuhe i ishte dhënë e drejta e të shprehurit të mistereve të besimit dhe përdorimi në liturgji i “gjuhëve të tjera” nuk mund veçse ta tradhtonte fjalën e shenjtë, “ta bënte Zotin të thoshte atë çfarë ai nuk e kishte thënë”. Nuk ka dyshim që një gjendje e tillë të ketë krijuar për “qytetërimin voskopojar” një situatë dileme, në mos kundërshtie. Vetë përpjekja e Kavaliotit, që në trigjuhëshin e tij krahas një gjuhe “të shenjtë” (greqishte) vendos dy gjuhë “vulgare” (vllahishte dhe shqipe), e vërteton këtë: është një akt bravure që, në një mjedis të tillë, të trajtosh nën shenjën e barazisë gjuhën “e shenjtë” të grekëve me gjuhët “barbare” të vllehëve dhe të shqiptarëve; për këtë arsye studiuesit nuk kanë ngurruar ta lidhin këtë akt te gjeneza e ideologjisë nacionaliste që, në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, do të trondiste botën ballkanike.
Në ballafaqim dhe, sidomos, në kontrastim me këtë situatë të krijuar nga Kisha greke, është zhvilluar prirja e Kavaliotit dhe pasuesve të tij në “Akademinë e Re” të Voskopojës për t’i kundërvënë teologjizmit rigjid të klerit të vjetër ballkanas “filozofinë e re” të modelit perëndimor duke futur në këtë akademi teoritë e Descarters-it, Leibnitz-it, Kant-it, Gassendi-t, Malebranche-it etj. Nga ana tjetër, ka ardhur duke u theksuar prirja e vetë aristokracisë voskopojare për t’i dërguar bijtë e vet për studime në Perëndim, ku të nxenin gjuhët perëndimore, për të mbajtur letërkëmbim në frëngjisht, për të shtypur tekste shkollore në Venedik, Padovë etj., përgjithësisht për të përvetësuar një mënyrë jetese sa më perëndimore. Ka shumë të ngjarë të ketë qenë ky ballafaqim gjuhësor një ndër shtysat më të fuqishme që i ka dhënë shkas clash-it qytetërimor, për të cilin do të flasë në shekullin tonë Huntington-i, dhe i cili në gjysmën e dytë të shek. XVIII shkaktoi rrënimin e qytetit të Voskopojës dhe bjerrjen, së toku me të, të atij që e quaj “qytetërim voskopojar”. Ne, njerëzit e sotëm, e ke­mi të vështirë ta kuptojmë një këso procesi, mbasi jetojmë në epokën kur është imponuar prirja për ta modeluar gjuhën mbi kombin; ne, të sotmit, e përfillim gjuhën si një fakt thjesht natyror. Por shkencërisht nuk mund të mos vihet re se një gjuhë nuk është thjesht “fakt natyror”, ajo është një institucion njerëzor që evoluon së toku me ngjarjet historike.
Fakti që në një interval 167 vjetësh nga shtypja e Propopeirisë u gjendën vetëm dy ekzemplarë të saj, të dy në Perëndim, pra jashtë zonës së goditur nga veprimtaria e klerit grek, të detyron të pranosh se Fjalori i Kavaliotit është zhdukur si pasojë e fushatës së shpërthyer prej Kishës greke, qysh nga fundi i shek. XVIII, kundër të gjithë librave që ndihmonin në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të popujve jogrekë nën Perandorinë osmane. Detyrohesh, atëherë, t’u japësh të drejtë autorëve si Ruffini sa u përket shkaqeve të zhdukjes, në kuptimin e plotë të fjalës, të një libri si ai i Kavaliotit: “Ka, pra, arsye të mjaftueshme që të mendojmë se është dhënë urdhri që libri të hiqet nga shitja dhe madje të digjet…”.
Një tradite tanimë të re i brendashkruhej lëvizja mendore e Voskopojës e shek. XVIII: mësuesit dhe shkruesit e saj e quanin praktikë normale që greqishtja si gjuhë dijeje të mos i pengonte, nga njëra anë, të përthithnin në qytetin e tyre kulturën perëndimore (me libra në latinisht, italisht, frëngjisht dhe më vonë gjermanisht) dhe, nga tjetra, të lavronin gjuhët “popullore”. Këtë situatë na e dëshmon trigjuhëshi i Kavaliotit dhe, deri diku, katërgjuhëshi i Daniel Voskopojarit mbas tij. Po të shtojmë dhe faktin që na vjen prej Thunmann-it, të informuar prej voskopojarit Kostë Haxhi Jorgji Xhehani, se Kavalioti “kupton dhe flet greqishten, vllahishten dhe shqipen si gjuhë amtare”, atëherë vëmë re se si për një intelektual voskopojar të asaj kohe duket të ketë qenë diçka e zakonshme t’i përdorte të tria gjuhët e mjedisit shumëgjuhësh të qytetit të tij.
Është fjala, pra, për një situatë bashkekzistimi disa gjuhësh, në të cilën shumëgjuhësia duket diçka aq normale, saqë identifikimi i individit vetëm e vetëm nëpërmjet njërës prej tyre do të delte arbitrar. Në këtë kuptim, pikërisht prej situatash të këtilla të rralla gjuha e një populli shfaqet, simbas shprehjes së Einar Hanger-it, si “artefakt kulturor”. Është, me sa duket, një nga ato situata shumësie të gjuhëve dhe të popujve, për të cilat një historian i madh të ideve thotë se “vetëm në sajë të një përgjithësimi të vonë qeniet njerëzore që flasin të njëjtën gjuhë konsiderohen miq, ndërsa ata që flasin një gjuhë tjetër konsiderohen si armiq”. Situata në fjalë do të përdhunohet qysh në të gjallë të Kavaliotit; madje ajo duket se ka qenë e lëkundur qysh kur ai ka qenë i detyruar që, për të botuar Protopeirinë, të vejë në Venedik dhe ta shtypë atë nën lejen e autoriteteve të Vatikanit: “Superiorum permissu, ac privilegio”. Edhe vetë shkatërrimi i Voskopojës mund të lexohet simbolikisht si përmbysje e dhunshme e kësaj situate.
Në pikun e “Krizës së Orientit”, gjatë periudhës së formimit të shteteve “moderne” në Gadishull, ndërkohë që vepra si ajo e Kavaliotit do të llogariten të zhdukura ose të mbuluara me heshtje, zona Shqipëri-Maqedoni-Epir-Greqi do të bëhet fushë beteje e filologëve grekë, sllavë etj. Hulumtuesit që do të vijnë nga “Perëndimi”, do të çmeriten në këtë zonë prej nacionalizmit gjuhësor agresiv që ngreh e hedh në përdorim shkollën kundër familjes, kishën kundër shkollës, armët kundër kishës etj. Gjatë luftërave ballkanike, mandej, komisione ndërkombëtare si ai i të famshmit Carnegie Endowment do të indinjohen kur të konstatojnë se si zona të tilla, ish-babele gjuhësh dhe etnish, do të shtypen me hekur, do të digjen me zjarr dhe do të lahen në gjak, duke shkruar në këtë mënyrë kapitujt më të trishtë në historinë e tyre të luftës së “gjuhëve kundër gjuhëve”
Marrë nga http://www.panorama.com.al/
.

Kush është Teodor Kavalioti

Teodor Kavalioti (rreth 1718 – 11 gusht 1789) ka qenë një studiues dhe leksikograf arumun nga Voskopoja. Pas shkollës elementare atje, ai studioi matematikë, teologji dhe filozofi në Janinë, në kolegjin Maruci, i drejtuar në atë kohë nga Eugjen Vulgaris, mes viteve 1732-1734, duke u njohur me veprat e Malebrancheit, Descartesit dhe Leibnizit. U kthye në Voskopojë, që kish nisur të lulëzonte si qendër shqiptare dhe arumune, dhe në vitin 1746, u bë drejtor i Akademisë së Re.
Kavalioti është autori i disa veprave filozofike, të shkruara në greqisht, i një gramatike elementare greke dhe i Protopeirias (Venedik, 1770) që përmban një fjalorth trigjuhësh në greqisht, arumanisht dhe shqip prej 1170 fjalësh. Ky fjalorth u ribotua nga profesori gjerman Johann Thunmann nga Halle, me përkthimin latinisht përkrah më 1774. (Wikipedia)
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.