back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Protesta e Studentëve të Gjimnazit Shkodër 28 Nëntorit 1927 – nga Pertefe Leka

Gazeta

Mirash Ivanaj dhe gjimnazistat demonstrues - Shkoder 1927
Mirash Ivanaj dhe gjimnazistat demonstrues – Shkoder 1927

Protesta e Studentëve të Gjimnazit Shkodër 28 Nëntorit 1927

nga Pertefe Leka

Protesta e të rinjve në festën e 28 Nëntorit 1927, organizuar nga studentët e Gjimnazit të Shtetit Shkodër, për flamurin italian që ishte ngritur më lart se flamuri shqiptar në Bankën e Shtetit (në mes të fotos dallohen studentët Refik Shpuza dhe Jahja Domnori të grupuar… përpara kryerjes së aksionit të heqjes së flamurit.)
Matura e parë e Gjimnazit të Shtetit, Shkodër 1928 (Nga e majta Xhemal Loçi, Ahmet Ashikja, Drejtori Prof. Mirash Ivanaj, Jahja Domnori, Refik Shpuza Më lart Rexhep Bërdica, Qamil Golemi 

Protesta e të rinjve në festën e 28 Nëntorit 1927, në mes të fotos dallohen studentët Refik Shpuza dhe Jahja Domnori
Protesta e të rinjve në festën e 28 Nëntorit 1927, në mes të fotos dallohen studentët Refik Shpuza dhe Jahja Domnori

Gjimnazi i Shkodrës që u hap në vitin 1922, u zgjerua shumë shpejt me nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, të Kosovës, Çamërisë dhe nga trevat shqipfolëse që kishin mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shkolla nuk qe vetëm një qendër mësimore-edukative, por edhe një çerdhe patriotike, ku mësonin nxënës të tre religjioneve.
Në këte vatër mësimi, një rol të rëndësishëm për edukimin patriotik ka luajtur mësuesi i përkushtuar dhe drejtori i Gjimnazit, Prof. Mirash Ivanaj. Nëpërmjet mësimit mëkonte dashurinë ndaj atdheut, duke ngulur vështrimin ndaj të vërtetës historike. Ishte Ivanaj i Madh siç e etiketonin shkodranët, i bindur se shqiptari mund t’i kryej vetë punët e tij, të drejtojë e të krijojë.

Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)

Kulti i besimit të tij, ishin vlerat kombëtare në ripërtëritjen e vendit me zhvillimin e kulturës e të arsimit dhe këte e tregoi se kjo vjen vetëm me patriotizëm nëpërmjet shkollimit.
“Për ne, çdo vend në Shqipni asht Shqipni dhe e besojmë të përshtatshëm, e në kjoftë se nuk asht do ta krijojmë të tillë… për me krijue qytetarë besnikë, por në vendin e parë shqiptarë të mirë.” Mirash Ivanaj
Ai vetë punoi me patriotizëm të lartë dhe me kompetencë profesionale. Në veprën e tij shumëdimensionale, i dha zemër rinisë dhe elementeve përparimtarë, intelektualëve duke u bërë modeli më i shkëlqyer për t’u marrë shembull.
Prof. Mirashi nuk punoi i vetëm, Ai e gjeti të ngritur këtë institucion një vit më parë dhe e vazhdoi punën e paraardhësve po me aq përkushtim si ata. Pas gjashtë viteve, kur po përgatiteshin provimet e maturës së parë në gjuhën shqipe, Drejtori u shpreh me entuziazëm: “Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë ky hap, me të cilin fillon Indipendenca në fushën arsimore të kombit shqiptar”
Ajo që e evidentoi punën edukative të drejtorit – mësues Prof. Mirash Ivanaj, në ndërgjegjësimin e vetëdijës kombëtare të studentëve, ishte protesta e 28 Nëntorit 1927, rezultat i punës tij.

Jakov Milaj (1911-1997)
Jakov Milaj (1911-1997)

Ja si e ka përshkruar ndërmjet të tjerave ish-studenti, Jakov Milaj*, pjesëmarrës në atë ngjarje.
“E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në Shkodër, ka qenë punë patriotike. Unë po përmend një fakt:
Me 28 Nëntor 1927, nga nxënësit e gjimnazit tonë u bë demonstrata kundër Bankës Kombëtare, pse në ballkonin e saj, flamuri ynë ishte vendosur në anën e majtë, kurse flamuri italian në të djathtë.
Ky gjest përbuzës i të huajit ndaj nesh, ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve.
Policia, sa pa studentët që filluan demonstratën, njoftuan menjëherë Drejtorin që të merrte masa. Drejtori na thërret që të hyjmë në shkollë. Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhesë. Ai u ngjit në këmbën e parë të shkallës dhe na foli me butësi. Ndër të tjera na tha se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demostratë kundër bankës. Në vazhdim e sipër, na tha se detyra e parë e nxënësve është që të shikojnë mësimet dhe përfundoi me këto fjalë të buta. “Ju tani jeni të rritur, e kuptoni të mirën e të keqen e vetes e të Atdheut, unë ju këshilloj që të shihni mësimet. Ju e dini vetë si të veproni…” Këta këshilla na u dukën më tepër se aprovim. Shtytje për veprimin tonë. Nga shkolla dolëm më të vendosur. Pasdreke demonstrata vazhdoi më e ashpër.
Në mbarim të saj, policia arrestoi nja njëzet nga shokët tanë më të rritur. Të nesërmen shumica u liruan dhe mbetën në burg vetem 6 vetë, të gjithë pa përkrahje. Për ushqimin dhe fjetjen e tyre Drejtori (Mirash Ivanaj kishte edhe drejtimin e konviktit) interesohej shumë. Nga konvikti u dërgonte ushqime dhe shtresa të arrestuarve prej të cilëve, dy ishin konviktorë. Çdo natë që i vizitonte, i këshillonte që të hanin mirë, të mos ftoheshin dhe të mbanin gjakftohtësinë.
Një jave më vonë, në mbrëmje, kur kishim mbaruar mësimet e pasdrekës Drejtori i zymtë në fytyrë, na mblodhi përsëri në korridorin e shkollës dhe na liroi pa bërë asnjë koment për telegramin e Ministrisë së Arsimit, me anën e të cilit njoftohej se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla përgjithmonë. Të përjashtuarit i mblodhi në drejtori dhe u komunikoi urdhërin epror. Sipas fjalëve që na treguan 6 shokët, Drejtori u kishte thënë: “Demonstrata vërtetoi se ju dhe shokët tuaj nuk jeni vetëm nxënës të mirë, por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica!”
Me këmbënguljen e Drejtorit, të dënuarit u falën, me përjashtim të njerit, të tjerët rifilluan mësimet…
(Marrë nga fjala që mbajti Dr. Milaj, 83 vjeçar në vitin 1993, Tiranë, në Konferencën Përkujtimore për Prof. Dr. M. Ivanaj në 40-Vjetorin e vdekjes.)

Jahja Domnori (1905-1989)
Jahja Domnori (1905-1989)

Të njëjtën gjë pohon edhe studenti i atij Gjimnazi, Jahja Domnori në fletoren “Jeta ime” i ka lënë një vend të veçantë shkrimit “Ulja e flamurit Italian në Bankën Kombëtare”
Në atë kohë, Jahja Domnori, ishte maturant. Duke qenë se bënte pjesë në grupin e më të rriturve të shkollës, ishin marrë me organizimin e aksionit, për heqjen e flamurit italian. Si i pranishëm në momentin kulmor të aksionit shkruan:
“Unë (Jahja Domnori) me shokët Agustin Shestani (nga Kraja) Jup Kazazi,** Jahja Baçe… gjetëm një shkallë. Na, me trup ma të bashëm e mbajtëm shkallën, ndërsa Jahja Baçen, që ishte më i vogël në trup e ngjitëm lart, që të tërhiqte flamurin italian të vendosur në të djathtë të Bankës Kombëtare.
Në momentin e tërheqjes, na erdhi policia dhe na arrestoi.
Atëhere komandant ishte Hajdar Qyrku. Ata krijuen dyshim se na ka shti Konsullata Jugosllave, sepse me ne ishte edhe Agustin Shestani, që jetonte në Krajë të Malit të Zi. Na nuk mund ta shihnim flamurin e huaj ma të nderuar, aq ma tepër në ditën e Festës së Indipendencës.
Ma vonë morëm vesh se Prefekti Javer Hurshiti, kishte njoftue Ministrinë e Brendshme e kjo Bankën Qendrore, e cila kishte urdhnue me ba rregullimin. Pra, vetë banka e ka ulë mbas protestës tonë.
Mbas përjashtimit tonë nga shkolla ishin përpjekjet e Zotni Mirashit që na u kthyem përsëri në shkollë, vetem Agustini nuk u kthye. Atë e larguan nga shkolla vetëm pse jetonte jashtë kufijve shtetnorë, kur të gjitha përgatitjet i kishim ba na të tjerët. Agustini ishte konviktor, ishte shumë patriot dhe erdhi mbas nesh për ta krye sa më shpejt aksionin. (Marrë nga “Jeta ime”, Jahja Domnori, Mësues i Merituar, drejtori i shkollës së parë shqipe në Ulqin 1941, drejtor dhe mësues në Vlorë, Dibër Peshkopi, Durrës, Shkodër…
Të gjithë studentët e adhuronin, Prof. Mirashin, jo vetëm si edukator, mësues i shumë shkencave dhe atdhetar, por për anën e përkryer morale e patriotike, që rrezatonte edhe tek studentët. Askush ma bukur se Mitrush Kuteli bashkëvuajtës me Mirash Ivanajn e ka dhënë portretin moral: “Dr. Mirash Ivanaj emër i bardhë si dëbora, të cilit rinia shqiptare i mban një emër, një vend mirënjohje, një predestinacion, them për të vajtur në emrin dhe për emrin e Kombit…”

* Jakov Milaj (1911-1997) – U lind në Fier. Mjek veteriner i lauruar në Torino. Figurë shumplanëshe e botës intelektuale shqiptare. Punëtor dhe studimtar i zellshëm, hulumtues i shumë studimeve shkencore, që kulmojnë me veprën e rëndësishme, “Raca shqiptare” 1944. Nacionalist, pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit dhe ministër në qeverinë e Maliq Bushatit 1944. Dënuar me 15 vjet burg nga Gjyqi Special 1945. Më pas punoi si mjek veteriner i thjeshtë, i përfshirë në rrethin e luftës klasave.

**Jup Kazazi (1905-1946) pasardhës i Hamza Kazazit me origjinë nga Kastrati i Malësisë Madhe. Mori mësime në shumë shkolla: Tre vitet e para në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, pastaj i shpërndarë, ndoqi medresen në Shkup, Liceun në Beograd, për ekonomi në Torino. Kthehet në Shkodër shumë aktiv, drejtoi grupin “Djelmënia”. Merr funksion Ministri në Qeverinë Kruja duke u bërë mburojë për veprime kombëtare, por shpejt jep dorëheqjen. I bashkohet “Ballit Kombëtar” dhe mbështet marrëveshjen e Mukjes. Organizoi dhe komandoi “Luftën e Reçit” që u përpoqën komunistët t’ia mohonin. Në Lëvizjen e Postribës, si drejtues i saj ishte edhe fundi i tij i vëllezërve dhe i kunatit tij Kosovar Adem Boletinit.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.