back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Protesta e Shkupit dhe diplomacia e tredhur shqiptare Nebil Çika

Gazeta

Gazetari Nebil Çika
Gazetari Nebil Çika

Protesta e Shkupit dhe diplomacia e tredhur shqiptare

shkrim nga Nebil Çika

Prej disa ditësh çereku i kombit shqiptar është hedhur në protesta në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, etj., qytete shqiptare në Maqedoni. Protesta mori shkas nga dënimi i padrejtë i disa shqiptarëve nga gjykata maqedonase, por ka si synim kundërshtimin në masë të shtypjes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve nga shteti maqedonas. Zhvillimet kanë qenë dramatike dhe bota ka parë gjakosjen para kamerave të dhjetra të rinjve shqiptarë, protestues paqësorë nga policia maqedonase gjë që ka ngjallur edhe reagimin e shumë diplomacive ndërkombëtare përveç Tiranës, Prishtinës, Beogradit dhe Athinës që kanë zgjedhur të heshtin. Kur flas për këto vende kam parasysh kryesisht reagimin zyrtar pasi reagime qytetare të paktën në Tiranë e Prishtinë ka pasur boll, por gjithsesi nuk mund ta zëvendësojnë reagimin e shtetit. Është konstatuar me mijra herë zyrtarisht dhe publikisht fakti që qeveria dhe shteti i Maqedonisë nuk respektojnë te drejtat kombëtare shqiptare të sanksionuar me ligj e me marrëveshje dypalëshe të garantuar nga ndërkombëtarë e njohur si “Marrëveshja e Ohrit”. Disa herë politikanë e intelektualë shqiptarë në Maqedoni e vise të tjera shqiptare jashtë shtetit amë kanë kërkuar respektimin e të drejtave, por gjendja me sa duket, në vend të rregullohej ka ardhur duke e përshkallëzuar për keq. Duket se momenti dhe realiteti politik në Shkup dhe Prishtinë e Tiranë është shfrytëzuar nga shteti i Maqedonisë për të provokuar e ushtruar dhunën ndaj shqiptarëve e bindur qe politika zyrtare shqiptare nuk do mund të reagonte ndaj saj. Në Shkup dhe Prishtinë nuk janë formuar ende qeveritë pas zgjedhjeve politike ndërkohë që Tirana sapo ka marrë pas negociatash të gjata e jo transparente statusin e vendit kandidat në BE, ku qeveri shqiptare në mungesë të plotësimit të kushteve për këtë nivel integrimi ka qenë e gatshme të pranonte apo të pranojë kushte të tjera që kanë të bëjnë me interesat kombëtare në rajon e më gjerë. “Fituesit” shqiptarë të zgjedhjeve Ahmeti në Shkup dhe Thaçi në Prishtinë kanë hallin e përfshirjes së tyre në qeveri më shumë se sa mbrojtja e interesave kombëtare. Ata e dinë mirë se një pozicion “nacionalist” mund të shihet shtrembër nga ndërkombëtarët roli i të cilëve në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë është i rëndësishëm në zhvillimet politike, por edhe në karrierat personale politike. Ahmeti aleati kryesor i maqedonasve sllavë në pushtet është tashmë në anën e dhunuesve të kombit të vet dhe protestat e shqiptarëve janë të drejtuara ndaj tij, po aq sa ndaj Gruesvkit. Selitë e BDI në Shkup dhe Tetovë janë nën mbrojtje të armatosur të policisë maqedonase si për të taksur faktin që ai nuk është me shqiptarët të paktën në këtë moment. Thaçi në Prishtinë e di mirë se janë ndërkombtarët më shumë se sa zgjedhësit ata që mund të mundësojnë vazhdimin e tij në pushtet.
Ministria e Jashtme e Kosovës reagoi dje sa “me la gojën…” me një deklaratë të vakët e të pakuptueshme ku bëhej thirrje për qetësi sikur të bëhej fjalë për ndonjë konfliktit në Afrikë e jo për 1/3 e kombit, vetëm disa pak kilometra larg Prishtinës. Tirana, përgjegjësia politike ligjore e morale e së cilës është më e madhe, e ka qëndrimin edhe më skandaloz, nëse do të kemi parasysh mundësitë e sajë shumë më të mëdha se të Prishtinës për të reaguar ndaj dhunës antishqiptare në Maqedoni. Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi sot me një deklaratë të pakuptueshme qe ngjante me shumë sikur e kishte bërë Belgjika apo Holanda e jo diplomacia e shtetit amë…

Manifestimi protestues në Strugë.
Manifestimi protestues në Strugë.

Fakti që diplomacia shqiptare fshihet mbas gishtit duke trajtuar njëlloj si shqiptarët edhe forcat e dhunshme të sigurisë maqedonase dëshmon edhe një herë “faqen e zezë” të sajë kur vjen puna për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Mendoj se heshtja e Tiranës jo vetëm e diplomacisë përbën në radhë të parë një shkelje kushtetuese, Fryma e Kushtetutës së Shqipërisë, që përcakton qartë detyrimin e shtetit shqiptar për realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve – bashkimin e trojeve të ndara në një shtet. Sjellja e shtetit shqiptar me ngjarjet në Maqedoni, jo vetëm në këtë rast, dëshmon se kjo frymë e Kushtetutës nuk është respektuar asnjëherë, përkundrazi është shkelur duke konsumuar vepër penale nga zyrtarët që e kanë detyrë ta zbatojnë ligjin kushtetues. Por, nëse Prishtina mund të justifikohet me situatën e brishtë të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Tirana i ka të gjitha mundësitë të tregojë forcë në mbrojtje të të drejtave kombëtare në Maqedoni. Shqipëria ka luksin të jetë vend anëtar i NATO-s, status që garanton jo vetëm integritetin shtetit shqiptar, por mund të përdoret shumë mirë edhe për mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon e më gjerë. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Mimi Kodheli dëshmoi para pak disa ditësh se si mund të përdoret anëtarësia ne NATO si mjet i luftës diplomatike në mbrojtje të interesave kombëtare. Ajo u tha zyrtarëve Ukrainas në një vizitë në Kiev, “ta harrojnë anëtarësimin në NATO po nuk njohën shtetin e Kosovës” që do të thotë se Shqipëria mund të verë veton për ta bllokuar nëse nuk plotësohet kërkesa e sajë. Shqipëria e ka të qartë se si funksionin presioni me integrimin në strukturat euroatlantike, pasi vetë ka qenë dhe vazhdon të jetë viktimë e praktikave të tilla. Qeveria Rama u detyrua të blinte 95 milionë euro votën e Republikës Çeke për statusin e vendit kandidat në BE. Shpresoj shumë që ky të ketë qenë i vetmi koncesion i qeverisë pasi qëndrimi ndaj ngjarjeve në Maqedoni na bën të besojmë se mund të ketë marrë përsipër e premtuar edhe me shumë se 95 milion euro koncesione për statusin. Maqedonia është një vend që po përpiqet prej vitesh të anëtarësohet në NATO, por është bllokuar nga Greqia që ka venë veton për shkak të kundërshtimit të emrit të sajë. Shqipëria ka mijra arsye më shumë se Greqia ta kushtëzojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, e megjithatë nuk e ka përdorë kurrë veton e sajë, gjë që do te ishte gjëja më normale dhe arma më e efektshme për garantimin e të drejtave shqiptare atje. Besoj se ka ardhur koha, madje jemi me vonesë, t’u themi maqedonasve, por edhe serbëve e malazezëve: ta harrojnë NATO-n nëse nuk respektojnë të drejtat e shqiptarëve në shtetet e tyre. Mendoj se Shqipëria e ka të drejtë e detyrë ta bëjë këtë. Fakti që Tirana e ka këtë mundësi dhe nuk e përdor e bën edhe me të dyshimtë qëndrimin e sajë. Personalisht mendoj se politika e jashtme e qeverisë Rama ka dhënë shenja të këqija në këtë drejtim. Një nga dokumentet e para të lëshuara nga zyra e ministrit Bushati, Manastri, qyteti i shenjtë shqiptar shkruhej me emrin e ndryshuar nga sllavet Bitola, gjë që përkon disi edhe me qëndrimin aktual te qeverisë ndaj ngjarjeve në Maqedoni. Fola më tepër për qëndrimet zyrtare, por ka edhe një qëndrim tjetër atë të opinionit publik, i cili edhe pse ka qenë ndryshe le për të dëshiruar sidomos në Shqipëri. Media flet për protestat shqiptare në Maqedoni si për një ngjarje që ndodh diku në ndonjë kontinent tjetër. Lajmet në TV-të e vendosin lajmin në rubrikat, lajme nga bota, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre u referohen burimeve maqedonase apo serbe duke u bërë pjesë e strategjive dezinformative të këtyre vendeve. Kjo përbën një tjetër handikap të funksionimit të Shqipërisë sipas trashëgimisë komuniste, ku gjërat nuk bëhen serioze nëse ato nuk i inicion politika. Edhe shoqëria civile funksionon pothuaj në të njëjtën mënyrë. Do të ishte dashur që boshllëku i krijuar nga stepja e Tiranë dhe Prishtinës zyrtare të mbushej nga aksioni qytetar, i cili duhet të ishte në rrugë në çdo qyet shqiptar që ka apo nuk ka përfaqësi diplomatike maqedonase. Mendoj se përkrahja qytetare mbarëkombëtare është më e fortë e më e rëndsishme se sa përkrahjet e qeverive tona që në raport me interesat kombëtare kanë treguar se janë eunuke dhe të varura e të motivuara nga interesa jokombëtare. Shpresoj shumë që publiku në Kosovë e Shqipëri ta kuptojë sa më shpejt këtë e të mbushë sheshet nga Saranda në Preshevë ashtu si vëllezërit tanë në Shkup, Tetovë e gjithë Maqedoninë. Kjo do të ishte një mbështetje e madhe për protestat në Maqedoni por edhe një shuplakë turpi për Tiranën dhe Prishtinën që megjithatë janë të gjitha gjasat që ata ta kenë ngrënë me kohë turpin me bukë.
Le të presim!
Marrë http://botasot.info/opinione 7 korrik 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.