Prometheu i Palidhshëm i Oksigjenit të Shqipes

At Gjergj Fishta

At Gjergj Fishta 

Prometheu i Palidhshëm i Oksigjenit të Shqipes Ton Zmali

(Parathanje për librin e Paulin Shestanit mbi Fishtën

“Shkëmb i Tokës dhe i Shpirtit Shqiptar”)

T’i heqësh kulturës shqiptare Fishtën, asht njilloj si t’i heqësh Rilindjes së përbotshme Dante Alighierin, ndërsa t’i heqësh Fishtës “Lahutën e Malcis”, asht njilloj sikur t’i heqësh Dantes “Komedinë Hyjnore”…
Midis majave kulmore të mendjeve të ndritura, Gjergj Fishta asht mundësi i heshtjeve, vrasësi i harresave, rilindësi dhe ringjallësi i madh, përpara të cilit gjunjëzohen kohnat, qofshin ato hyjnore apo me sakate, me xhuxhët e tyne epshakë. Dikujt sot ndoshta fjala liri dhe luftë për të jetue përsosjet e saj, i duket si nji zhargon i vjetër i heroizmave të dala boje, por liritë janë si gravitetet e universit, nuk mund të ekulibrojnë jashtë njëra-tjetrës.
Bashkëkohësia e vet, At Gjergj Fishtën e pati krahasue me “Zeusin e vetëtimave e bubullimave”, “Homerin e dytë të Ballkanit”, “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar” tj.
Shkëlqimi marramendës i vlerave të tij në të gjitha fushat e jetës përbën në vetvete universet e hapsinave të pafund, të ringjalljeve të pandalshme e të vërshimeve gjigande që mund të sjellë madhështia brilante e kryegjeniut. Ai ka qenë, asht e do të mbetet pararendës i kohnave, nji marathonomak pishtarndezur që u bën dritë qorrnajave e miopëve keqorientues të popullit të vet. Orvatjet dhe përpjekjet ogurzeza të tejskajshme të qarqeve lindore “komuniste dhe mbeturinave anadollake”, sulmet, shpifjet, intrigat dhe heshtjet dashakeqe, ndalimi, censurimi, harrimizolimi dhe akuzimi absurd nuk munden të shuajnë e të zhdukin oksigjenin e përjetshëm të artit të fjalëve pa varr të shqipes së futun prej tij në shkolla së bashku me alfabetin që shkruajnë përjetësisht bashkëkombasit e tij, alfabet që u krijue, u orientue dhe u zbatue drejt perëndimit prej tij, duke u ba oksigjeni i fjalës dhe i gjuhës së lirë që i kishte mungue kombit pesë shekuj në robëri.

Pllakata përkujtimore e "Lahutës Malcis"

Pllakata përkujtimore e “Lahutës Malcis”

Mendoj se mjafton vetëm kontributi i tij për gjuhën për t’iu ngritur përmendorja e pavdekshme kombtare, “Gjergjit të Mendjes përkrah Gjergjit të Shpatës”, si dy maja në vargmalet dritëzuese  e të pamolepsuna të kulturës sonë.
Me korifeun e ndaluar At Fishta, jam takue për herë të parë personalisht në rrethana misteri e të paimagjinueshme, ndonëse në mjediset e jetës ku jam  rritë  oksigjeni i fjalëve, epos mbi sharkun e lahutës, telat dhe kuajt e muzave ishin shpirti i ndezun i odave, gëzimeve, festave dhe notave polarike, akujt e të cilave, pas ndalimit të zjarrit fishtian u shndërruan pak nga pak në morg asgjesues dritash, andrrash e shpresash. Aty mbijetoi e kalëroi në katër dekada edhe arkivoli harrimtar i fjalës time gojëndryme.
Nuk e mbaj mend as ditën, as muajin, por kujtoj me siguri se ishte periudha e “Çmendurisë së artit”, menjëherë pas dënimit të festivalit të njëmbëdhjetë, festivalit të pranverës dhe plenumit të katërt që varrosen çdo iluzion për lirinë e artit. Ishte koha që sapo kisha mbrojtur diplomën në I.L.A. (Sot Akademia e Arteve të Bukura). Në barakën prej dërrasash të Mark Frrok Sadikut, në Laç, vëllait të madh të nanës sime, bujta gati si gjysëm ilegal i fshehun brenda lëkurës time. Në mjes, kur ai u ngrit herët për të marrë turnin, papritur e pakujtue më vjen te koka e minderit dhe më thotë: “A don me folë goja-gojës me Atin e Madh Gjergj Fishta?! E leni këto libra të kuq… Rruga e Shqipnisë asht rruga e Fishtës…” Pa prit të marri përgjigjen time rrënqethëse, nxori nga nëndyshemeja e cepit të barakës, poshtë minderit ku flinte nji libër të vjetër, të shkruar në nji gegënishte të pastër. Valixhja prej hekuri kishte edhe libra të tjerë “të verdhë”, siç quheshin atëherë e asokohe për të cilat kurrë nuk mora haber, por di që u morën pa inventar e pa kthim ditën e arrestit të tij, që ishte 5 maji. Libri i fshehur ishte “Lahuta e Malcis”. Kundër saj dhe autorit ishin derdh mbi mue rrufe leksionesh me lloj-lloj akuzash e sulmesh llahtaruese.
E ndaluemja ka nji shije të çuditshme. U mrekullova që në rreshtat e parë ku në sfond dëgjova fjalën e dajës në ikje kur më  tha:
-Po ta mbyll derën me dry nga jashtë… mos iu përgjigj askujt. Po trokiti kush, fute librin nën jastek e ban sikur po fle gjumë.
U zhyta me nji oreks të urituni në oqeanin e asaj vepre dhe ndjeva brenda çdo vargu e rreshti alarmet zgjuese të “korifeut të ndaluem” që hynte brenda meje si oksigjen përjetësie. Të nesërmen, po aty shetita “Mrizin e Zanave” dhe ndigjova pallamat e lemerishme të “Gomarëve të Babatasit”.
Ato dy ditë e netë në barakën e drujtë me dërrasa të vjetra e të kalbuna vende-vende, pranë Kombinatit të Drunit, i kyçun me dry nga jashtë, jetova parajsën e shpirtit qiellor, u ngjita majave të heroizmit të paimagjinueshëm të vetorganizimit atdhetar të malësorëve në vetëmbrojtje të tokës e të lirisë së tyne. Preka iluzione andrrash universale dhe u tejngopa me oksigjenin e fjalëve pa varr të gjuhës sonë të lashtë sa vetë jeta mbi tokë. Po njikohsisht nga  ekstaza e majave të larta u hodha viktimisht nën kataraktet, hone e humnera të botës së molepsun e pa karakter që paranjoftonte simptomat e ferrit ku jetonim…

Gjergj Fishta - Homeri i Shqiptareve

Gjergj Fishta – Homeri i Shqiptareve

Gjatë rrugës në fushën e letrave e sidomos pas studimeve të mia që lidhen me “krijimtarinë, estetikën e kritiken e ndalueme të këtij kryegjeniu”, shpesh kam pyet veten: Pse u ndalue kaq egërsisht ky “Përbindsh i dijeve”, siç e quan me të drejtë Prof. Aurel Plasari?
Përgjigjen e jep vepra e tij dritëzuese.
I pamëkat e krejt pafajësisht u “grabiti djajve të tokës së vet” oksigjenin e fjalëve të gjuhës së Perëndisë për të ndez flakadan zjarrin e shpirtit atdhedashës të bashkëkombësve të tij në veçanti, por edhe për çlirim njerëzor në përgjithësi nga prangat e jashtme e të brendshme të “luciferrëve të kohnave”. Gozhdat e ndryshkuna të nguluna në trupin e këtij Prometheu të lidhun në eposin e maleve të lahutës së tij, gjatë kohëve nga psikozat e kryeskifterëve të realsocit që akoma shfaqen aty-këtu në horizontet e lirive si hije të përjetshme, të molepsuna me dogmat e dështueme të botës së fjalëve të vdekuna nga mbingarkesa e tejskajshme e gazit karbonik e të jetës së ngujueme oksigjenvrasëse e symbyllëse. Dilema fishtiane mbeti e hapun si dilema e njohun shekspiriane “të rrosh a mos të rrosh”, por ajo s’kishte të bante me Hamletin, por me shqiptarët… “tash që u ba Shqypnia duhen ba shqiptarët”. Në të vërtetë shqiptarët mbeten pa u ba… dhe dilema fishtiane vazhdon pa kohë e pa cak.
Ajo që mbetet perla e pendës fishtiane asht vepra e tij pa dallim feje, krahine si dhe idea në bashkësimin e shqiptarëve.
Duhet theksue fakti se në satirën e sarkazmën e thellë politike kundër shtetit dhe organizmave shoqnore të bashkëkohësisë, Fishta dhe Migjeni, ndonëse në pozicione të ndryshme, janë në të njëjtën vijë sulmi, luftëtarë të të njëjtave llogore, sidomos sa i përket pasojës morale e përgjegjësisë së drejtësisë e humanizmit me qendër njeriun edhe jetesën e tij. Migjeni e autopson varfërinë e tejskajshme të kohës me viktimat e saj si pasojë reflektive nga vjen mjerimi. Kurse Gjergj Fishta i mbush e i zbraz armët e randa mbi “Gomarët e Babatasit” dhe mostrat e tyre si shkaqet e së keqes nga vijnë pasojat, kusarët dhe korrupsionet e shtetit. Të dy, secili në mënyren e vet, në thelb synojnë universalitetin e lirive të çlirimeve shoqnore, ngadhnjimeve e dinjiteteve të vlerave njerzore.
Fishtës i shkon për shtat thania e mençur popullore “Prek nji kashtë e dalin gjashtë”, pra prek nji rresht a fjalë nga vargjet e tij dhe shpërthejnë rreze drite ku do të gjejsh rrezatime e diej të pafund; prek nji sekondë nga jeta e do të gjejsh vite e shekuj, paramotet dhe epokat e popullit të tij; prek nji fletë nga vepra e tij e zgjohen Homerë, Eskilë, Shekspirë e Dante…
Prometheu i ndaluar i oksigjenit të fjalëve pa varr të shqipes asht universalisht enciklopedi gjithëkohore, e cila sa më shumë të lexohet e të përjetohet, aq më shumë fisnikëron kulturën e qytetëron botën shqiptare. Nën shqetësimet e vazhdueshme të gogësimave e ulçerave të arteve të orientuara në klimat e ndotuna të dekompozimeve të tyne, bahem i detyruar t’u them shkarrashkruesve të realsocit, që vazhdojnë akoma me shkrimet e tyne edhe sot e asaj dite të përdorin termin “shkrimtar katolik të Veriut” duke synuar përfshirjen unikale prej fillnajave të shkrimit të shqipes nga Pal Engjulli, Barleti, Budi, Buzuku, Bogdani, Matranga, Prennushi, Migjeni, Camaj, Palaj, Kurti, etj. Me të tilla etiketime keqdashëse “fetarokrahinore”, këto qorravaça të dalë boje, siç u thotë Fishta këtyne modeleve në bashkëkohësinë e vet, nuk sjellin vlera arti, por përçarje, ndarje me parcelime në kulturë dhe traditën letrare të gjuhës shqipe, e cila asht unikale kudo e kurdoherë, që asht dëshmue si vlerë nga pellazgjishtja e deri në përsosjen e alfabetit fishtian.
Ferexhetë e errësinave “pesëqind plus pesëdhjetë vjeçare” ka ardhë dita t’i grisim në mendjen, jetën e kulturën tonë, duke u hapë rrugë dritave të lirive, duke refuzue majmunëritë mbrenda dhe jashtë vetes.
Promethe i palidhshëm i ideve, misionar profetik elitar me frymë europiane të andrrimit, mendimtar integrues e erudit perspektivë si gur kilometrik i bardhë orienton rilindjen e hapsinave të reja me ankthet e kohës, duke i rrëfye botës shqiptare vullkanet aktivë të antikonformizmit në art e letërsi, publicistikë, gazetari, politikë, ligje e shtet, moral, karakter, besim, orientim e qytetërim.
Artisti i talentuem vetëlidhet drejtpërdrejt në intuitivitet me satelitorët e ardhmënive, kurse i patalentuemi asht si televizor pa antenë. Rrezatimi i veprës së tij universalisht dëshmon se  artistëve të vërtetë nuk u lind kurrë nevoja për bateritë e auditorëve artificialë, mediokër e të rremë. Dufet e fjalëve të zjarrta si prush ndezin shqiptarët e u japin frymë hyjnore lirie larg korit elegjiak të dështakëve puthadorë, lustraxhi, oborrtarë e shërbyesa të dogmave bashkëkohore e atyne pa kohë.

Gjergj Fishta (1871-1940)

Gjergj Fishta (1871-1940)

Përpjekja e disa intelektualëve të nderuem të letrave për të “standardizue” fjalën fishtiane, mue më gjenë krejt në krah të kundërt, atje ku dogmat e kongresit të përjashtimit të drejtshkrimit duhet që të afrohen te gjuha e Fishtës dhe rranjët e saj. Asnjë arsye nuk ka që Fishtës t’i preket origjinaliteti autokton i madhështive të papërsëritshme të universit gjuhësor të përdorur prej tij. “E mesmja e artë” e shqipes duhet të gjejë kryeqendrën e vet në aksin gjuhësor të orbitës së tij, por jo kurrsesi jashtë magmave të vullkaniteteve unikale të njësimit bashkëjetues.
Sebep për me i shkrue këto pak rreshta për korifeun e fjalës shqipe të derisotëm u ba inisiativa e intelektualit të nderuar në Greqi, Z. Paulin Shestani, i cili prej shumë vitesh në emigracion hulumton e studion pandërpremje sistematikisht e i pavarun askund dhe te askush jetën dhe veprën e Gjegj Fishtës, duke synue krijimin e nji përmbledhjeje me titull “Shkëmb i tokës dhe i shpirtit shqiptar”. Libri i tejkalon kufijt e nji bibliografie, duke i theksue lexuesit të sotëm, të nesërm e më tej gjykuesve apo paragjykuesve “arshivën e plotë” të derisotme të pasurive të patundshme të fjalëve e të kryefjalëve të botës së letrave që na dhuroi kryegjeniu i graviteteve të pavdekshme. Ai ka mundë ta tërheqë magnetin e artit të fjalës rreth e rrotull, penat e mendjet e shquara me elitat më të ndritura të botës shqiptare mbrenda dhe jashtë vendit.
Gëzimi im kaloi kufijtë e çdo parashikimi kur mora vesh se fatlumnisht autori më kishte zgjedhur mue, nga krijuesit dhe studiuesit e emigracionit, për t’u përcjellë lexuesve librin e tij arshival. Atëherë më kaloi në mendje libri “Fishta, Estetikë dhe kritikë”, ku në nji letërkëmbim të Fishtës me Dr. Gjergj Pekmezin, për vlerat e mëdha të veprës së Thimi Mitkos “Bleta shqiptare”, Pekmezi kish shkrue: “Në kurbet kaq munda, kaq bëra” Fishta fisnikërisht thotë: “Po të banin të gjithë mërgimtarët aq sa keni ba ju, kultura shqipe do të ishte sot nji ndër ma të përmendunat e kohës”.
Duke i marrë leje Fishtës e duke mos prekë asnji fije autorsie, këto fjalë profetike në ligjeratë të drejtë s’dua t’i them edhe unë sot, nji shekull ma vonë autorit për librin arshival të vlefshëm për të gjithë. Libri nderon autorin si atdhetar, përmbledhës, gjurmues dhe hulumtues, por dëshmon edhe pavdekësitë origjinale të oksigjenit të fjalëve të gjuhës sonë të lashtë.
Uroj që ky libër qëllimmirë t’u ngjajë “Hipogrifeve fishtiane”, simboleve të fluturimeve të muzave mbi kokat e kryezeusave edhe sot kur maska skifterësh e kufoma krijuese përpiqen të na shiten si engjuj të kohnave. Autori ka kuptue vetë, por ndjen edhe nevojën të njoftojë të tjerët për mesazhin fishtian që duhet t’u jepet brezave të ardhshëm se graviteti i rranjve e ka mbajtun e do ta mbajë botën në kambë si nji forcë e palëkundshme e universalitetit të saj.
Nji gja asht e sigurt dhe e pamohueshme për të gjithë ata që shkruejnë e flasin gjuhën shqipe, kudo që janë, gjuhën e perëndive si e quajti ai ndërtuesi modern i saj, kur jep mesazhin e pavdeksisë:
“Pra, mallkue njaj bir Shqyptari,/ Qi ketë gjuhë të Perëndisë;/ Trashigim qi na la i Pari, tashimin nuk ia len fmisë
Duke ecë nëpër shkallët përcjellëse të kësaj parathanie, them me bindje të plotë se shqiptarët sot ma shumë se gjithnji kanë nevojë për terapitë universale të kulturës së hapun të fjalës e të shpirtit njerzor. Galeria e shumësalloneve dhe polivitrinat “Shestani”, zemërhapun mirëpresin me besim të patundun në profecinë fishtiane se “Shqipnija e shqiptarët do të bahen nji ditë prej Zotit…”: vizitoni magjitë e saj brilante pa asnji ngurrim, pa asnji hezitim, pa asnji paragjykim.
21 shkurt 2013
Ton Zmali – Poet

Marrë nga Gazeta Ekspres 5 qershor 2014

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook