back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Prolog i 22 drandofilave të Maria Tuçit! – nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

22 drandofila për Maria Tucin - Multidramë - nga Gjergj Jozef Kola
22 drandofila për Maria Tucin – Multidramë – nga Gjergj Jozef Kola

Prolog i 22 drandofilave të Maria Tuçit!

nga Gjergj Jozef Kola

Tre Artistë shkodranë të Diasporës gjermanofolëse:
Gjergj Jozef Kola – Autor (Austri)
Gjystina Lekaj – Koreografe (Zvicer)
Orestia Kapedani – Skenografe (Gjermani)
nderojne në kët Multi – dramë të Lumen Maria Tuçi (1928 -1950)
.
Orestia Kapidani - Skenografe
Orestia Kapidani – Skenografe

Sot thuejse për çdo teme apo figurë të njoftun bahet nji vepër letrare apo arti, me të njajtin mundim që i duhet qiellit në nji kohë të përshtatshme me krijue nji ylber. Ndryshe nga natyra që asht gjithnji origjinale dhe e papërsëritshme në veprën e saj, gjysa e ma shumë e ylbereve artistikë me elemente biografikë në botë nuk i pshtojne kiçit dhe dështojnë. Në Shqipni ky numër asht shumë ma i madh për vetë ambjentin e mbyllun ku jane formue autorët dhe projektojnë botën krejt kiçik, pa asnji frymë dashunijet.

Nji autor i vetëdijshëm merr elementet biografike dhe krijon fytyrën origjinale të kohës në ngjyrat e ylberit që nuk shprishen kurrë. Këtu nuk bahet fjalë për nji Biografi bardhezi, siç bajnë shumë prominente me ndihmën e gazetareve, porse për vepra artit.
Kur vjen thirrja me krijue ylberin e nji martirit, nji njeriut që ka dhanë jetën apo ja kanë marrë jetën për nji ideal të naltë njerzor, atëhere ndryshon puna.
Kush përpiqet me ngritë në art nji jetë të tillë “rrezikon” me ra në nji “mëkat të pafalshëm”, nëse e lyen atë me bojën e banales së përditshme narrative, e cila zhduket me shiun e parë. Prandaj i ndishëm ndaj nji “rreziku” të tillë, unë jam përpjekë me krijue nji personazh krejt origjinal, si nga stili, njashtu edhe kompozimi skenik.
Të shkruesh mbi Maria Tucin asht sikur me ecë mbi kristalet e padukshme të borës e mos me jua prishë formën sublime…
Multi-Drama “22 drandofila” vjen me nji risi në “kompozimin simbiotik”, ajo asht shkrue edhe në gjermanisht me vullnetin e mirë me e pa atje dritën e skenës, ngaqi në skenat e teatrove shqiptare, institucioneve dhe botuesve shqiptarë, simbas eksperiencës time dhe nga ajo që më thojnë miqtë atje, vazhdojnë me sundue strukturat realsocialiste dhe për martirët ka shumë pak apo aspak vend.
Elementi kryesor që përshkon tejpërtej dramen asht ajo që në gjermanisht quhet: Der Rausch des Todes.
Ka vdekja nji moment që hyn me tanë forcën e saj në jetën tonë dhe sado të mundohena me ju shmangë, me e përshpejtue apo ndalue, ajo ecën në ritmin e saj të veçante. Në kët hapësinë të panjoftun lindin martirët e vërtetë të qenies njerzore. Ata shohin nji dritë të pafundme me sy haptë, ndryshe nga vdekjet klinike, ku na vdektarët e zakonshëm shohim nji dritë dhe jena të pavetëdijshëm. Këto shpirtna martirë përjetojnë gjithçka realisht, porse gëzojnë edhe nji mekanizëm të veçante mbrojtës, që ju jep nji energji të rrallë, e cila i lejon me e përballue me dinjitet torturën ma mizore.
Unë jam i sigurt se nji biopsi e tyne kallxon shndërrime te panjoftuna, transhendentale.
Nga ana tjetër, reaksionet social- neurotike që kanë modifikue qenjen e hetuesit sadist e kriminel, Hilmi Saiti, drama i jep në personin e nji Cerberusi-dac me dy krena, ndryshe nga ai i mitologjise greke Cerberusi-qen.
Qenia njerzore ecën në modifikimin e vazhdueshëm të së bukurës dhe të dijes nga njena anë dhe kjo asht e pranueme nga të gjithë, porse ka edhe persona në të cilët evolucioni mbledh tanë llomin dhe të keqen e krijon ato që na njohim si monstrat kolektivë të mitologjisë greke.
Nën diktaturë e keqja dhe e liga mbijetojne ndaj të bukurës dhe humanes, injoranca mbi dijen, terri mbi dritën, gja qi për evolucionin darvinian përban nji paradoks.
Se në çfarë humnere, në çfare ferrit, apo çfarë gjendjet zombiste ka kalue urrejtja njerzore tek qenia e hetuesave kriminelë komunistë, na vetëm mund të imagjinojmë e ta prekim në përplasjen e së bukurës dhe kafshës, në Multi-dramë, të vetëdijshëm se arti asht vetëm fiksimi i përjetshëm i nji momenti njerzor, aty ku përplaset e mira dhe e keqja, diktatura dhe demokracia.
Ç’ka e shtyn nji përfaqsues të nji shteti diktatorial, nji mashkull të frustruem me marrë nji amazonë 22 vjeçe, si hyll i bukur drite dhe me e lidhë bashkë me kafshë të egra në nji thes tue kqyrë për seri, se si krijesat përplasen për vdekje me njena tjetrën?
Praktika të tilla nuk njihen as në periudhat ma të erreta të njerzimit dhe kjo dekadencë e së keqes të shtyn me reflektue thellë edhe atje ku refleksioni nuk ka hi ma parë, përtej së mirës dhe së keqes. Këtu nuk mjafton vetëm me hapë trunin e monstrave dhe me pa damtimet neurologjike të hetuesve kriminelë komuniste. Hetuesia e pafund ndaj vajzës së pafajshme nuk ishte asgja tjetër, vetëm përpjekjet mashkullore me thye me anë të torturave psiqike dhe fizike, etjes dhe urisë, nji vajzë që 22 vjetorin e shënoi në nji nga muret e lagështa të birucës. Faji i saj i vetëm ishte bukuria e racës shqiptare.
Në muejt e pafund të hetuesisë ai monstra me fytyrë njeriut kërkon mbi të gjitha, me e thye shpirtnisht, me e skllavnue viktimën, dhe për kët nuk len mënyra vrastare pa përdorë, derisa në fund thërret edhe vdekjen ma mizore.
As Shën Pjetri nuk ka vdekë ma mizorisht se Maria Tuçi.
Kjo përplasje në mes dy individësh, kafshës-njeri dhe Dashunisë së madhe-njeri, asht nji nga ato përplasje që vetëm jeta ka hapsinën e pabesueshme me i dhanë. Asnji imagjinatë artistit nuk mund të shkojnë aq larg e aq thellë, sado gjeniale kjoftë. Kjo asht përplasje e shpirtit autentik shqiptar me atë orientalo-komunist.
Në fitoren e shpirtit të pathyeshëm të Marie Tuçit unë shoh mbijetesën e nji kombi, nji populli, nji kulturë të veçantë.
Në kët komb martir, vazhdojnë ende sot kultura të ndryshme, primitive e te hueja të shpëlajne neurozat e tyne vrastare me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve dhe kjo asht Drama e vërtetë.
Farsa e dënimit gjyqësor e plotëson tragjedinë dhe kallxon se në këto 500 vjetët e fundit nuk ka pasë asnjiherë nji shtet shqiptar të së drejtës.
Urrejtja patologjike ndaj femnës së lirë, mësueses së qeshun e të bukur a mund të shkaktojë te qeniet primitive, reaksione të panjoftuna e kërcënuese për botën e qytetnueme? Përplasja në netët e pafundme të birucës së ferrit duhet të jetë luejtë në dimensione që mendja normale e ka të vështirë me i kapë. Hetuesi Hilmi Saiti pak kohë mbas krimit të përbindshëm, pati haluçinacione dhe vdiq në rrethana që të kujtojnë vetvrasjen, e megjithse vdekja e tij nuk asht shënue askund, populli i Shkodrës tha se “ai plasi” nga e keqja.
Fakt asht se kafshët e mbylluna në thes ja shkyen trupin virgjineshës 22 vjeçe, vajzës noviciale, që po pregatitej me ja kushtue jetën Hyjit dhe njashtu si edhe Nanë Terezja e Kalkutës, ajo kërkonte me dashtë njeriun, 24 orë rresht, natën dhe ditën.
Në spitalin e Shkodrës ku u çue nga hetuesia ajo shkoi vetëm si paciente e morgut, se nuk kishte ma asnji shpresë. Në çastet e fundit që jetoi në spitalin e qytetit ajo tha nji frazë të vetme, të jashtzakonshme, sa nji mijë vjet apo ma shumë hapsinë njerzore: “E lumja unë se po vdes e pastër…”
Marie Tuçi gjeti pushimin e saj të fundit në Vorret e Rrmajt të qytetit të Shkodrës, aty ku pushojnë gjenitë e kombit shqiptar, poetët dhe arkitektët, piktorët dhe muzikantat, martirët dhe shejtnit. Nëse dikush kërkon prova për motivet e sublimit njerzor, si feja, dashunia apo arti, Maria Tuçi asht Prova.
Kur ushtria e vdekjes turret në jetën e nji njeriu, me tanë fuqinë e saj, kavalerinë, kambsorët, legjionarët, truni jonë mbushet me nji frymë të jashtzakonshme, që jo vetem na lejon me mbijetue si fillim, porse i jep dhimbjes nji karakter krejt tjetër. Nëse ka nji fushë transhedence ku mund të preket me dorë e panjoftuna, misteri njerzor, kuantika e shpirtit, kjo asht hapsina e baticës së vdekjes, e vdekjes që nuk na mbyt përnjiherë si në gijotinë, porse na e lejon zemrën tonë me vue verzat e amfibit e me mbijetue sulmin e parë të saj.
Martirët e dashunisë dhe të bukurës njerzore janë të mbushun me nji forcë të tillë, sikur evolucioni ta ketë mendue nji përplasje të ngjashme, ai i ka pajisë këto shpirta me nji landë krejt të veçantë mbijeteset. Nga ana tjetër xhelatët marrin në vedi nji hije të randë, ma të randë se hija e tuberkulozit në mushkëni, e cila nuk ju hiqet tanë jetën derisa te vdesin…
Anipse në kohën e paradoksit ku kalon Shqipnia sot këto kriminelë-xhelatë mbajnë ende dekorata, marrin tituj dhe paguhen me nga dy pensione.
Përpara kufomës në shpi dhe çakallit te dera e shpisë, njerzit vazhdojnë me preferue kufomën, në vend që me u kthye te fluturimi i lirë i shqiponjës.
Ndaj edhe kur drama mbaron dilema mbetet: çka duhet me ba nji komb për me u lirue nji herë e mirë prej moçaleve që lindin monstra të tilla?
Kjo fabul moderne, krejt moderne, krejt martire, krejt e prronit të nënvetëdijes që papritmas bahet i vetëdijshëm, asht edhe drama jonë e mbushun me nji fabul transhendente dhe me nji poezi të mirëfilltë, me nji balet modern origjinal e nji skenografie po aq origjinale… Shqipnia dhe Shkodra në veçanti e mbante tash sa kohë si “peng në shpirt” nji akt sublim arti ndaj mirditores fisnike, se Maria Tuci i fali atdheut dhe qytetnimit përjetsisht 22 drandofilat e amshimit.
Natyrisht që kisha katolike botnore me urdhnat e saj të shumtë fetare, mund t’i kushtoje martires nji kishë dhe shumë Altare, porse Marie Tuci asht ma shumë se kaq. Ajo asht emblema e shpirtit shqiptar, i cili ka tash mbi 500 vjet që ndjen mbi fyt thonjtë e përdhunimit të huej e vazhdon me mbijetue.
Kjo dramë asht ma shumë se nji kronikë e diktaturës komuniste të viteve 50, në periudhën kur themelet po hidheshin me gjak shqiptarësh të pafajshëm, të cilët kërkonin demokracinë që gëzojmë sot. Kjo dramë asht drama e përditshme e kombit shqiptar. Ajo asht përplasja e primitives së komunizmit anadollak me gjeninë e shpirtit sublim shqiptar.
Asnjiherë ma fort se sot nuk ka qenë ma aktuale nji temë e tillë, sot pra në shekullin XXI, kur putrat e orientit ia kanë ngulë thojtë kombit shqiptar në Ballkan dhe po ja shkyejnë trupin ngadalë në kërkim te shpirtit, për me ia ba fli interesave të tyne.
.
Gjystina Lekaj - Koreografe
Gjystina Lekaj – Koreografe

Burimi Historik

Mbi kët tragjedi shkruen dëshmitari ma besnik dhe i patjetërsueshëm i kohës, Arqipshkevi dhe Albanologu Mons Frano Illia, ish i dënuemi me pushkatim nga diktatura komuniste:
“Ndër Stigmatine ishte nji motër e re, quejtë Marie Tuci (Gjomarkajsh). E pau Hilmi Saiti, gjenerali komunist prej Jugut, që n’atë kohë tronditëte Shkodrën, e i çueka fjalë se e donte. Dhe kur ajo përgjegji se ishte e kushtueme Jezu Krishtit Zot, ai trim në mendemadhsinë e epshin e shfrenuem e të çmendun, thanka:
“Do ta baj qe as prindët e saj mos të mund ta njohin!”.
Dhe trimi i trimave e futka në burg dhe në dy vjet e bani me të vertetë ashtu si e kishte msue djalli i mallkuem, shoqi i tij, e si e bani asht e lkurë, sendergjoi nji tjetër burrni, që veç djallit ka muejtë me ia shku në mend. Ban ta shtijnë vajzën në nji kllef dysheku bashkë me nji dac t’egër dhe aty i rrahë me shkop të dy bashkë derisa lahet vendi në gjak, nën zgërdhimjet satanike të kulimave të kolosit Hilmi Saiti. Mandej e çon n’spital njashtu asht e lkurë e la në gjak dhe heroina mirditore para se me dhanë shpirt u thotë grave që kishte afër:
“E lumja unë që po vdes e pastër!”
Me të vertetë kur e panë prindët nuk e njoftën binë e vet që kishte kenë si hyll drite. Nji vajzë e re, në lule të jetës mbrrinë n’atë heroizëm, ashtu fuqia e Shpirtit Shenjt, si kurdoherë ndër luftat të krishtenve të gjitha kohnave, asht njeri i shekullit tonë. O histori e zezë e shqiptarve ateista! O histori e lume triumfuese e shqiptarve katolikë të vërtetë. Salvimi i egër mizuer me ritmin e vet shfarues vazhdon: Mizoria vllavrasëse vazhdon…”
(Marrë nga revista Albania, “Shembjet e popujve fillojnë me vllavrasje. Fati, në rrugën e shpëtimit. Shënime autobiografike, të pabotuara më parë, nga Frano Illia, Ipeshkvi i Shkodrës” nga Kastriot Marku.)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.