Profesor Sami Repishti – “Qytetar Nderi” i Shkodrës… nga Romeo Gurakuqi

Prof. Sami Repishti & Prof. Romeo Gurakuqi

Prof. Sami Repishti & Prof. Romeo Gurakuqi

Profesor Sami Repishti – “Qytetar Nderi” i Shkodrës…

nga Romeo Gurakuqi

Shumë e nderueme zonja kryetare e Bashkisë, Voltana Ademi,
Shumë i nderuem Kryetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, zoti Xhemal Bushati,
Zonja këshllitarë, zotërinj këshilltarë,

në radhë të parë ju falenderoj për besimin e dhanun për caktimin tim në Komisionin e Dhënies së Titujve për Bashkinë e Shkodrës.
Se dyti, dua t’ju shpreh besimin dhe shpresën e plotë se mandati juej do të jetë një mandat nën të cilin Shkodra dhe krahina, do të bajë progresin e nevojshëm drejt ndërtimit të nji hapësire të lirë të përparimit ekonomik dhe ju do të ndërtoni mjedisin e nevojshëm nënligjor, strukturat e përshtatshme të lehtësimit të investimeve të reja dhe vendosjes nën kontrollin e ligjit të investimeve ekzistuese. Jam i bindun se interesat e Shkodres në Republikën e Shqipnisë, paqes, progresit ekonomik, shtyllat e bashkëjetëses do të jenë, linjat që do udheheqin punën tuej në këtë mandat.
Së treti, më lejoni të deklaroj se në këndvështrimin tim, asht nji nder i veçantë që Bashkia e re e Shkodrës ta nis punën e vet në dhanien e titujve, me vendimin për titullin Qytetar Nderi” për Profesor Sami Repishtin, të cilin unë e kam konsiderue dhe e konsideroj, udhëheqësin e vërtetë të bashkësisë shkodrane dhe një lider i mirëfilltë të të gjithë shqiptarëve, në procesin e emancipimit për nga Liria, mbrojtja e institucioneve të saj, mbrojtja e të drejtave shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në Epirin e Jugut.

Bashkia Shkoder 2015

Bashkia Shkoder 2015

Ndërkohë, dhania e këtij titulli profesor Sami Repishtit, vendos nji standard të naltë dhe të veçante, që do të duhet të respektohet në të ardhmen, në rastet e dhanies së titujve të ngjashëm. Respektimi i këtij standardi kërkon, në radhë të parë, nji obligim thelbësor në ndjekjen e rrugës që profesor Repishti ka përcaktue. Rruga që ai ka promovue dhe promovon çdo ditë për bashkësinë tonë, asht e bazueme në parimet progresiste të ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme qytetare, vendosjes e drejtimit të rajonit tonë nën leadershipin e elitave ma të përparueme intelektuale, që e dojnë Shkodrën sinqerisht dhe pa interes; ndërtimi i akseve zhvillimore dhe marrëdhanieve tona ndërqytetare mbi të njejtat parime të lirisë që kanë drejtue me sukses gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë në kohët ma të vështira; refuzimi i përdorimit të shkodranve të politikës si apendikse të interesave joligjore dhe të qendrës së pandjeshme të Shqipnisë; imponimi i interesave zhvillimore të Shkodrës në bashkëpunimin me politikën qëndrore të Tiranës; hapja e rrugëve për përfshirjen në fuqinë ripërtëritëse të Shkodrës, të brezit të ri të shkolluem në mënyrë të përshtatshme jashtë vendit.
Unë ju garantoj ju se ky titull i jepet nji shkodrani dhe shqiptari të madh dhe të ndritun, që mendon çdo moment të jetës së tij, atje larg në ShBA, për Shkodrën e vet, progresin e saj në paqe, liri, demokraci funksionale dhe progres ekonomik të qëndrueshëm. Kur e njoftova mbi këtë vendim të Komisionit që unë drejtoj, të nderuem këshilltarë, ai më tha krejt shkurt: “më vjen shumë mirë që Shkodra jeme nuk më ka harrue!”.

Presidenti Rugova dhe Prof. Sami Repishti 1993

Presidenti Rugova dhe Prof. Sami Repishti 1993

Nuk do ta teproja të thoja besoj, se Sami Repishti asht lideri ynë, asht frymëzuesi i rrugës sonë, asht shkodrani ma i shquem i gjallë, që jeton çdo çast me gëzimet dhe vuejtjet tona të përditshme dhe këtë e tham me përgjegjësinë ma të madhe për të vërtetën para jush të nderuem këshilltarë.
Jeta e tij në emigracion, sa kohë që Shqipnia ndodhej nën diktaturë dhe aktiviteti i tij i përditshëm në 25 vite të tranzicionit parademokratik, nga emigracioni drejt Shqipërisë, nga Quins i New York-ut ku jeton, drejt State Department ne Washington DC, apo drejt Bruxell-it zyrtar, që asht nji aktivitet Publik, i hapur dhe i mirënjohur, janë prova të kjarta të statures së pacënueshm të udhëheqësisë morale, politike, zhvillimore dhe të një trashëgimie që Bashkia Shkodër duhet ta vendosë në hyrje të saj si udhërrëfyes dhe drejtues.
Ju të nderuem keni mundësinë ta ndiqni këtë aktivtet të Profesor Repishtit gati çdo muaj në gazetën ma të madhe të përditshme në vend.
Me lejoni të nderuar këshilltarë të shpreh besimin tim se ju do ta konsideroni me përparësi aprovimin e këtij propozimi për Profesor Sami Repishtin, në 90 vjetorin e lindjes së tij, si shenjë nderimi dhe angazhimi për të vijuar rrugën drejt përparimit në paqe, liri dhe mbrojtje të qytetarëve tanë, të drejtave të tyne të pacënueshme për një jetë ma të mirë dhe në rikompozim demokratik, tolerancë dhe vetëdije të naltë atdhetare.
Romeo Gurakuqi,
drejtor i Shkolles Doktorale
Universiteti Europian i Tiranës,
dhe Kryetar i Komisionit Këshillimor për dhënien e medaljeve dhe titujve vendore të nderit në Bashkinë e Shkodrës
Shkodër, me 29.12.2015

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook