back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Profecitë e rreme dhe Hija e Hamletit – ese nga Leka Ndoja

Gazeta

Leka Ndoja - Studiues
Leka Ndoja – Studiues, perkthyes, autor

Profecitë e rreme dhe Hija e Hamletit

Ese nga Leka Ndoja

Tërmeti i nëntorit të vitit 2019

Në median e Tiranës tërhoqën vemendjen parashikuesit, si zonja Xh., zoti V., dhe tabloidë të ndryshëm profetikë, formate të social-medias, portale e Talk-show – devalorizimi i profecive krijoi nji devijim të audiencës së prekun nga fatkeqësia. Pati nji përhapje te gjanë diskreditimi i profecisë nga grupet mediatike që nuk kishin formate të tilla. Kështu subjektet-autorë bartës të kohëve profetike u tërhoqën në heshtje. Kaluen tri vite. Nisën të ashtuquejtunat profeci politike-mediatike ose sondazhe, shenjë se duket u kapërcye kriza e fatthënësve e profetëve të motit për të nisë gjithçka nga e para.

Mbi ligjërimin artistik

Në fushën e artit popullor, koha profetike përcillet përmes fjalëve të urta dhe gjë e gjëzave, të cilat janë transfiguru kohëve të fundit. Në memet e sotme të socialmedias shihen thelbet e narrativës së fjalëve të urta, aforizmave vulgare dhe anekdotave të memories kolektive të gjysmës së dytë të sh. XX. Këto forma mendimi rrahin të zëvendësojnë shkrimtarët të cilët nuk marrin në analizë ngjarjet e sotme por narrativa e tyre heton të ardhmen si perspektivë. Një aradhe shkrimtarësh pretendojnë njohjen përmes motivit të artit poetik, duke kërku shkaqet e afirmimit të tyre përmes argumenteve biografikë, dhe kontestit të agregateve të sistemit letrar, strukturave kulturore, strukturave institucionale dhe në qendër të kontestit si në epiqendër sizmike vihen kritikët, herë në formë mohimi total të tyre, herë duke u përgjëru për njohje po nga këta kritikë të cilët sipas porosisë së Roland Barthesit dhe Gerard Genettit kanë nji depozitë të vetmjaftueshme leximesh, teorish dhe metodash të përcaktimit të njeriut narrativ, pra të artistit.

Mbreti Hamlet - Pikture nga Radu Jolesku
Mbreti Hamlet – Pikture nga Radu Jolesku

Nji nga themeloret e mosnjohjes së shkrimtarëve emergjentë do të jetë gjithmonë jehu profetik i shkrimeve të tyre, dhe sigurisht fuqia narrative e cila nuk duhet të përmbajë paratekste, dmth arsyet e të nisurit të shkrimit nga konteksti jetësor ose biografik.
Mjerë kush bie në narrativat biobibliografike, se nuk do ta quajë kush krijues. Niveli narrativ do të shihet në origjinalitetin e fictionit jo në rrugën për të shku tek fictioni. Ne kemi pasë nevojë emergjente për letërsinë e kujtesës, por me t’u përmbushë ky mision do t’i kthehemi artit të mirëfilltë – jashtë konteksteve repetitive.
Psh. përsëritja se dallandysha asht zog migrator dhe vuan gjatë fluturimit në kandin 55o nuk asht art, por mënyra sesi e ndërton folenë ajo dhe mbamendja e saj kozmike janë objekt i artit. Pra, mjaft me kontekste shkrimtarë këtej dhe andej emigracionit. Këto detaje nuk mund të shfaqen si periteste, në hyrje, postille (pasthanie) apo shënime ato detaje duhet të jenë brumë e karaktereve të personazheve. Kështu do të pastrojmë mjedisin nga sekuencat jashtë narrativës artistike për t’iu kushtuar vemendje – Plot-it, stilit, kristalizimit të aksionit, ritmit të narrativës me shpejtësitë që përcakton Gerard Genetti: shumë i shpejtë, normal, pak i ngadaltë dhe deskriptiv (historia nuk lëviz përpara).
Vëmendje të veçantë duhet marrë parasysh për krijimin e distancës me temën e lëvrueme; sipas rrëfimit diegjetik (shtjellim i rrafshët – i hollësishëm – i historisë) ose rrëfimi mimetik ku paraqitet rrëfimi, përmes karakterit të personazhit dhe ngjarjes.
Duke pasë parasysh shkallën e përvojës së shkrimtarit, leximet duhet të jenë në atë drejtim të interesave të shkruesit. Psh. Kapërcimi i fuqisë së shkrimtarit psh një fshatar që don të shkruejë për filozofinë, ose për gratacielat apo Sahatin e Tiranës siç ndodhte në vitet 60-të sh. XX me shkrimtarët tanë ardhë nga pluriperiferitë – do të kemi kalangerçime. Por mund të ndodhë edhe e kundërta, në të vëertetë këtë prag të kapërcimit të proveniencës u përpoqën Martin Camaj, Vasil Alarupi dhe Anton Logoreci ndërsa Ernest Koliqi ishte pjesë e borgjezisë dhe e qytetit kështu arti i tij nuk ka shterzime dhe asht modeli nga nuk duhet të nisen shkrimtarët e sotëm pa pasë karakteristikat e formimit të tij që përsëritet nji herë në 200 vite.
Këto shembuj sidomos jepen për shkrimtarët në diasporë të cilët kërkojnë njohje. Këta autorë si Camaj, Alarupi e Logoreci vinin nga nji kulturë e konsolidueme dhe në krijimtari ata dëfrenin dhe nuk kërkonin shejtnim. E vetmja kërkesë që kishte Koliqi ishte nji lexim i mendimit politik nga pasardhësit dhe përgatitja e nji historie të letërsisë së diasporës që ne jemi përpjekë t’ua plotësojmë këtë amanet.
Por amaneti i pashpallun i etërve ishte krijimtaria e plleshme dhe jo kontestizmat e sistemit letrar dhe thirrjet për lindje kritikësh si të ishin ata e vetmja telajo ku ata do të derdhnin ngjyrimet marramendëse.
Për ata që shkruejnë poezi asht ma e thjeshtë – nuk po zgjatem – a mund përkthen sekushi nji libër poetik të dorës së parë, dhe të lexojë nji histori letërsie perëndimore? Pastaj shkrimtaria do t’u shfaqet – si hija e mbretit Hamlet dhe ju do rrekeni gjithë jetën ta rrokni me pendë ose shpatë ose do të zhyteni ne lumin e harresës së Lethes – të gjallë.
Profecitë kur janë të rreme të ndëshkojnë me harresë – nji autor kthehet ne provincën e tij dhe pranohet por jo profetet.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.