Primo Shllaku vs Frederik Reshpja

Primo Shllaku (1947)

Primo Shllaku (1947)

Primo Shllaku vs Frederik Reshpja

(1941 – 2005)

Mendojmë se Reshpja âsht nji fenomen disi mâ i veçantë se dy shkrimtarët paraardhës e me të cilët kishim mendue me fillue nji udhtim të parë në fushat e asaj që kishim parapëlqye me e quejtë “nji letërsi tjetër”. Qysh në krye të ktij shkrimi tim të parë rreth Reshpes due të vêhen piketat mbi dyzimin real dhe faktik, publik dhe të dukshëm të ktij poeti, i cili edhe për të gjallë, por sidomos me vdekjen e tij ka shkaktue për mirë e për keq retorika të pafundme kolegësh e lexuesish, tifozësh dhe fanatikësh të tij. Me folë për Reshpen fillohet gjithnji prej hjekjes së asaj cipe ose shtrese mitike, me të cilën na kemi zakon me mveshë sendet që na bâjnë përshtypje pa ua kërkue kuptimin e tyne.
Për hir të së vërtetës duhet të themi se Frederik Reshpja i përket çetës së poetëve amfibë, që do të thotë se ai jetoi në të dy kohët që shkeli jeta e tij dhe ekzistenca, krijimtaria e tij dhe notorieteti. Qysh në fillim due me thanë se fjala “amfib” nuk ka në tekstin tim asnji konotacion, Zot ruejna, përbuzës apo denigrues. Kjo fjalë duhet të merret me vështrimin e saj literal e pozitivist që do të thotë “ai që jeton në dy mjedise të ndryshme që, pak a shum, e përjashtojnë njeni tjetrin”. Për mue Reshpja ka qenë poet i RS dhe se, mbas nji shqyrtimi të ngadaltë dhe dashamirës, mund të themi pa frikë se kapacitetet e tij lirike kanë qenë të dukshme dhe, se pak a shum, qysh në atë kohë ai e bante ndonji skapatelë të vogël lirike me mjete që mâ vonë do të rezultonin si trademark-u i tij i pangatrrueshëm. Ai pati mjaft jehonë qysh në atë kohë dhe konsiderohej si “lirik”. Mâ vonë ai do të binte në fatkeqsi me regjimin për arsye që unë mendoj se nuk i interesojnë ktij studimi.
Mbas 1990-ës, ai do të shkruej prap, do të na japë të gjithëve përshtypjen se e ka gjetë veten dhe se po bante ato që duhet t’i kishte bâ, po të mos ishte ai regjim. Ktu ky opinion me gjen paksa të papajtueshëm me kët mendim dhe shtjellimi i ksaj do të vijë mâ vonë në faqet që vijojnë. Sidoqoftë, poezia e tij u shlirue prej detyrimesh, ndoshta edhe prej iluzionesh. Ajo u bâ zâdhanësja e Reshpes si individ dhe si përjetim. Mori për vete ato të paka forca dhe energji që i mbeten njeriut mbasi ka vû rininë e vet në shërbim të nji ideje eksperimentale dhe që kjo ide eksperimentale e ka shpërblye me vuejtje e cfilitje, deri me humbjen e ndalimin e veprës. Ai qe me shum fat që e shkeli kohën kur poezia nuk gjurmohej si armë pa leje dhe si diversion. Shkroi disa të paka poema dhe shprazi në to tamthin e pikllimit të tij, lidhë me jetën, lidhë me trashigiminë, por, besoj, edhe lidhë me faktin se nuk mbrrijti me rigjetë kurr mâ energjinë dhe impulsuin juvenil, të cilin ia pati falë – ashtu siç edhe rezultoi, të paktën – xhelatit të vet.
Reshpja i jetoi dy stinë, pavarsisht se ndamja mes tyne kishte qenë krejt e dhimbshme e jo si e shum të tjerëve që kaluen pa u ndie nëpër derën që kurr nuk kishin trokitë.
Kohën fillestare të inicimit të tij në punët e holla të poezisë Reshpja e kishte fillue mbrenda korit të muzave shtetnore, në të cilin bâjnë pjesë pa përjashtim emnat mâ të spikatun të asaj kohe. Por Reshpja nuk mundi me e vazhdue garën edhe pse e kishte “zanin”. Diçka nuk funksionoi mbrenda tij apo jashta tij? Nji përqasje e shpejtë e krahasuese e prodhimeve të tij letrare të të dy stinëve thotë se Reshpja nuk mundi me i bâ ballë jetës së dyfishtë dhe dha figurë përjashta. Çdo figurë që jepet përjashta kishte të bante me Cerberin e gatshëm me u hjedhë verbnisht mbi viktimën e radhës. Kjo duhet t’i ketë ndodhë F. Reshpes.
Poezia i endej diku nën sternum dhe jo nën flokë si shum shokëve të tij të korit. Me poezinë të tjerët kishin ndërtue karrierën dhe kishin korracue pozicionin e tyne publik. Reshpja e ndoqi poezinë në rrugët e saj të ravgimit dhe u rrzue keq dhe u vra keq. Rruga e artit dhe e poezisë e çuen në zhgënjim. Mesa duket ai nuk mbrrijti me e mshefë zhgënjimin. Për shkak të origjinës së tij do të ishte shum me lypë prej Reshpes që të mos përzihej me iluzionin. Por kushdo do t’ia lypte ktij njeriu ta mshefte zhgënjimin. Prap, mesa duket, Reshpes i mungonin shum gjana që do ta lejonin atê me dallue jetën e vet prej jetës së poezive që mund të shkruente. Pranimi i statusit të dyfishtë “autor dhe personazh” dhe ndjenja e harlisun e njilloj heroizmi vetvrasës që shum e kanë veriorët, për të nuk mund të mos rezultonte fatale. Ai ishte i vetmuem, jashtë klanesh e grupimesh të lidhun me interesa. Nana e tij e nderueme kishte qenë korriere partizane dhe ky fakt ia kishte hapë disa dyer. Në Lidhje ishin të knaqun që nji katolik nga malsitë e Mbishkodrës i kndonte me “zâ të naltë” partisë, kishte përqafue “gjuhën e njësuar letrare”, të cilën – si tosknishte – e njifte cekët dhe e merrte në përdorim si të gatshme prej autorësh natyralë të ktij ekspresioni. Regjimi nuk kishte nevojë për art cilsor, bile as që i zotnonte mjetet për ta dallue artin cilsor prej atij jocilsor. Atij i duhej nji art simbas parimeve dhe sa realizim estetik, ideshmëni dhe harmonika mund të krijonte, kjo s’i interesonte fare. Ata që mund të kishin krahë me fluturue mâ nalt, ishin mâ shqetsues për regjimin sesa mediokrit e nënmediokrit.
Falë kapaciteteve të tij individuale për t’u marrë me ket lloj arti, Reshpja ishte objektivisht dhe potecialisht mâ shqetsues për linjën, por dhe mâ i ekspozuem me prodhue situata e rrethana pasigurie mbrenda linjës, si dhe pasigurie për veten së tij. Kta lloje tipash ishin në njifarë mnyre të dyshueshëm për performancë, jo të dyshuem për aktivitet.
Mendoj se ndër shkaqet themelore të “shkarjes” së ktij poeti me vokacion të dukshëm lirik ka qenë struktura e formimit të tij si individ, kultura dhe edukata, qasja me letërsinë dhe mbetja e tij shum mbrapa me njoftjen e letërsisë botnore si dhe moszotnimi e, ndoshta, nënvleftësimi i mjeteve specifike për nji qasje të sigurtë me letërsinë e madhe dhe cilsore të modernisë. Kjo dritare e ngushtë dhe ky horizont i kufizuem mund ta kenë detyrue Reshpen me kujtue se mundet me qenë edhe ai pjesë e atij kori dhe pjesë e asaj shtrese që i kap në ajër sinjalet e promocionit shtetnor dhe, tue ndjekë linjën e tij, i siguron vetes nji karrierë, nji pozicion, nji prestigj dhe, pse jo, edhe nji famë. Malsorët tanë, prej kah e ka edhe origjinën e vet krejt të afërt F. Reshpja, e kanë mjaft të zhvillueme sensin e promocionit në hierarki dhe, kur duen me shpallë ambiciet e tyne, përdorin shprehjen kuptimplote “kapidan e përpjetë”. Ndërsa kolegët e tij shfaqeshin me nji identitet të hatashëm mes shkrimeve dhe jetës së tyne e veprimeve, Reshpja ndoshta mund ta ketë quejtë të mjaftueshme që botës dhe establishmentit politik po i falte vetëm veprën. Në mesin e njerzve konseguentë dhe univokë, ky parveny pa back ground, ky kacagjel i dyzuem mund të dukej si i padenjë për nji karrierë ashensionale, për të cilën dukej i premë ky amfitrion. Deri më 1973, ai shkruente me zell proregjimental, përmendte parti, komisarë, dëshmorë, shokë të rënë, 1 majin, minatorët, anmiqtë, burokratët, horizontet, shekujt, kaltërsitë, qiellin, ylberët, yjet, komisarët dhe prap të rënët, uzinat, festën e dritave dhe murgjit që, prej thellsive të kohës e pengonin me flirtue ose me u dashunue me vashën e zemrës. Na e dimë mirë strukturën e nji libri të botuem në atë kohë. Âsht 1973 dhe mbi botën e artit ka ndodhë hiroshima. Librat origjinalë që botoheshin, kishin fitue strukturë. Poema e parë ishte për partinë dhe diktatorin, mandej për komisarin, për minatorin, për nji vepër të madhe të pesëvjeçarit, për uzinën, për dritat. Nëpër të hynte ndonji “lirikë” me nji dashuni ikanake që nuk mund të konsumohej, sepse të rijtë s’kishin mundsi me u njoftë. Mandej, a thue se diçka i thoshte se duhej të kthehej te temat e “mdha” dhe se me temat intime e kishte teprue, ai i sillej Lëndinkës së Lotëve, emigrimit dhe diasporës si recetë e majme me klor, për me pre “epshin” e pashoq të shqiptarëve për me udhtue jashtë Shqipnie.
Libra të paracaktuem si strukturë. Poema e partisë, e komisarit, e puntorit, e dëshmorit në kryeradhë, si çelsi solit në krye të çdo pentagrami. Pse gjithë ky vaksinim? Pse gjithë ky serum vaksine për nji libër të hollë sa nji kulaç votre? Për me krijue shtegun me thanë çka? Çka me thanë mbas tanë asaj dalje nga vetja, nga arti, nga poezia, nga njeriu real prej mishi e kocke, prej dobsish e frikash, prej kujtese dhe lkure që çohet kokërr, prej fryme dhe prej gjaku, prej shpresash e prej dëshprimi? Sall me thanë se AJO ishte “veshë me nji copë kaltërsi”, se “sytë e saj ngjyrë hëne verore”? Ky ishte autori që kërkon të gradohet me art e prej artit? Vërtet unë mund të dalloj aftsi dhe mjeshtri, mjete dhe stofë, po vepra ku âsht? Mjeshtria dhe prirjet, i ashtuquejtuni talent dhe aftsia marrin kuptim kur mishnohen në rezultatin final të veprës së kryeme, të përsosun ose diku afër përsosjes. Arti âsht fusha ku nuk mund të bâsh pak. Arti âsht fusha ku duhet të bâsh shum, aq shum sa disa brêza të mos jenë në gjendje me ta shterrue zbulimin. E vërteta âsht se Reshpja ka nji damar të lirë e nji hov poetik kah hymnizimi i asaj që shifet, kah ripropozimi metaforik i shqisores dhe evidentes, kah iluzioni optik dhe kah përdorimi i iluzionit për të vû në pah madhshtinë e asaj që i nuk beson. Them se në njifarë mnyre talenti dhe zotsia âsht përdorë për me prû si të vërtetë diçka që nuk âsht aq e vërtetë dhe ksisoj me kamuflue shkrimtarin, i cili me çdo shkrim të vetin duhet me dhanë provë se din dhe don me e tranformue realitetin në diçka djallzisht të zbukurueme. Kjo për fat të keq ka ndodhë edhe me Reshpen në stinën e parë të jetës së tij univoke, para se ta pllakoste fatkeqsia dhe rinia e tij ekzistenciale dhe krijuese të mbylleshin me nji sipar hekuri ndër burgjet skëterrë që ishin krijue me tredhë menden dhe virilitetin e njeriut mendues.
Sot e gjithë ditën në qarqet letrare shqiptare F. Reshpja ka nji famë të madhe dhe nji reputacion madhor. Por në mes të atyne që e duen Reshpen ka mâ shum adhurues dhe fansa sesa asish që mund me thanë për tê diçka mâ andej se “âsht lirik i madh”, se “shkruen nji lirikë të rrallë”, se “âsht tronditës” etj, etj.
Âsht krejt e vërtetë se me Reshpen kemi të bajmë me nji shpirt fluktuant dhe me nji klithmë agonie të pashoqe në krejt poezinë tonë lirike. Tekstet e tia të të dyja stinëve, kur janë të vërteta, i ngjajnë nji puhie të lehtë që shkel e shkon mâ tutje, pa prishë e pa thye asgjâ. Reshpja nuk i mshon fjalës, ndërton imazhe me fjalë të thjeshta dhe imazhet e tij janë gati si të pambarueme, fluide dhe transparente. Tingulli i poemave të tij mâ të mira i përngjet nji pshertime, a nji grahme që nuk kërkon me t’u imponue, thjesht ndigjohet, sepse i ke shkue afër. Poezia e tij nuk ban thirrje për asnji lloj solidariteti. Ai gjithkund na thotë se dhimbja âsht e tij dhe askush nuk mund ta ndjejë atê si ai, sa ai. Ndoshta kjo ndodh sepse ai e ndien se e meriton ketë dhimbje, prandej ajo nuk mund të bâhet dhimbja e askujt. Në rrëfimin e tij lirik, Reshpja duket se vjen para nesh, mbasi e ka vra njiherë empatinë. Vetmia e tij që mâ vonë do t’i delte edhe në titull libri, nuk na duket se âsht gjithaq fati i keq i tij dhe mizoria e botës ndaj tij, sesa ndëshkimi dhe vetndëshkimi, ekspiacioni dhe katharsis-i i tij.
Shkaqet e famës së tij, edhe pse kjo famë mbahet ende në kambë prej lexuesve, tifozave dhe njoftësve seriozë të poezisë në përgjithsi dhe asaj të Reshpes në veçanti, mund të spjegohen vetëm mbrenda veçantive të artistëve shqiptarë dhe vetëm mbrenda traditës së poezisë sonë, mbrenda kuadrit të cilsisë së artisëve shqiptarë si dhe me vetitë individuale dhe idiosinkrasitë e tipave dhe rrethanave formuese.
Qysh në krye të herës, Reshpja erdhi në fushën e letërsisë si njeri me ndjeshmëni, por edhe me teka e shfaqje të përserta të temperamentit e të karakterit. Ai ishte njeri i lirë dhe nuk pranonte me hŷ lehtë në kuadrate konvencionesh shoqnore. Bante nji jetë të shrregullt dhe ndihej keq mes rregullash dhe kanunesh të jetës së përditshme. Ishte tip i paaftë me kooptue dhe kishte shêja të dukshme mizantropie që alternoheshin me ekcese altruizmi dhe filantropie. Kishte oshilacione në sjellje dhe shum shpejt u pa se i pëlqente ose se do të përfundonte në nji jetë boheme.
Deri në kohën kur botonte dhe shkruente simbas recetave dhe formateve të RS, F. Reshpja ishte disi i centruem në jetën e tij, por ata që e njifnin, betoheshin se ishte e zorshme me i ra në tê dëshirave të tij, sado predispozicion që të kishe për t’ia mbrritë ktij qëllimi. Versatil dhe kapriçoz, kokëfortë dhe irruent, Reshpja kishte krijue imazhin e nji njeriu që âsht “botë në vete”. Deri ktu na jemi krejt në sintoni me imazhin klasik të nji poeti që ka problem me rretheqarkun e tij njerzor dhe kulturor. I vetmuem dhe pa nji dashuni stabile, flirtues dhe ikanak i lidhjeve të qëndrueshme, turitës i seksit delikat dhe adhurues verbal i tij, ky poet mesa dukej, nuk ushqehej mirë me sendet që lyp natyra dhe tejngopej me fantazi dhe përfytyrime, shtihej se zotnonte gjithçka dhe se përbuzte po gjithçka. Distancën e thellë dhe objektive me të tjerët ai e paraqiste si zgjedhje të tij, si moskombinim me të dhe si vetmi sovrane që nuk përbâhet doemos prej mungesës së njerzve sesa prej mosdëshirës ose mosaftsisë me krijue marrdhanie.
Lexuesi snob shqiptar kishte ndigjue për gjenì që kryejnë veprime të çuditshme, për homerë të verbët që shifnin rrozullimin, për diogjenë që ia kthenin fjalën monarkëve, për kazanova që sulmonin murgeshat, për beethoven-ë që e shkonin jetën të hutuem, për baudelaire-ë që merrnin pjesë ndër barrikada dhe banin thirrje për ekzekutim kapital të njerkut, për van gogh-ë që i prisnin vetes veshin dhe ia çonin me zarf dashnores si letër dashunie. Në kopshtin poetik të shtëpisë së vet ky lexues i njifte poetët si të mdhej, por biografia e tyne ishte banale dhe e neveritshme: De Rada, plak i kputun, ishte gjetë i vdekun me nji cironkë në xhep; Ndre Mjeda përlyente me duhan të grimë dhe me hi cigarje gjoksoren e veladonit të tij të zi; Lasgushi i kndoi nja dy kangë trenit të partisë dhe u struk në nji heshtje prej të paqeni; Camaj mbante në kopsht nji popull të tanë breshkash. Shqiptarëve, simbas ktij lloj lexuesi, i mungonte panteoni i të “krisunve”. Dhe kjo nuk shifej si statistikë e mirë. Ata mendonin dhe ende mendojnë se nji poet ose, për fund, nji artist i mirë duhet të jetë sadopak i krisun, sepse bizarrëria e artistit shkon në përpjestim të drejtë me artin e tij dhe me mrekullinë që ai krijon. Modeli i artistit strambo, i artistit të “cikatun”, të krisun, që “nuk pyet fare” etj., ishte dhe âsht kaq i kërkuem, saqë kto cilësi të shndetit mendor të njeriut kanë mbrritë deri aty sa me u marrë për kriter cilsie të produktit letrar të nji artisti a poeti të veçantë. Na i kishim dhe i kemi rrugët plot me njerz nga mâ çuditshmit, mâ të hallakatunit, më paparashikueshmit, të aftë me nxjerrë prej goje batuta nga ma holofrastiket, befasuese e komike njiheri, por ata as janë, as kanë qenë e as nuk mund të jenë artistë, poetë e njerz të ndriçëm të kulturës.
Njifarë miti i gjithëhershëm i Reshpes ndoshta e ka rranjën e vet pikërisht te stramberitë e tij, të atipia e tij prej qytetari, miku, shoku, kolegu e bashkëpuntori. Tek paaftsia e tij ndoshta organike për me qenë mâ i kopsitun dhe mâ “i përshtatshëm”, na me të drejtë shofim bohemin, por, për të theksue, theksojmë rebelin. Thellë-thellë Reshpes i mungon sfida ndaj botës. Andej kah fundi e shofim të vetëfrustruem deri në atë masë sa mezi ç’pret me shijue gjithsesi mbarimin e torturës së vet fizike e morale. Në jetën ditore ishte njeriu i njimijë marifeteve. Stratagjemat e tij të nji fantazie të hallakatun nuk mund t’ia siguronin gjithë qetsinë. I ndodhun para letrës me penën në dorë, ai kujtohej se kush ishte, se cili ishte, se çfarë i kishte bâ vetes dhe çfarë i mungonte atij prej natyre në formën e defektit, gandit ose keqfunksionimit dhe na kishim foton e tij reale të mbrendsisë. Pjesa tjetër ishte arratisje prej vetes.
Të gjitha të dhanat thonë se F. Reshpja ishte autofobik, nji formë shum e rrallë e skizofrenisë që shoqnohet gati gjithnji me sindromën e personalitetit të trazuem. Autofobia âsht frika prej vetes, moshonepsja e vetes, qenia gjithëherë në gatishmëni me ikë prej saj, por, kuptohet, me forma virtuale, fantastike, me zhvendosje identiteti dhe adoptime personalitetesh të rreme dhe të trillueme simbas nevojave të krizës dhe fobive. Mesa duket dështimi i përhershëm për të mbetë në ato arratisje, e çonte dëshprimisht te vetja e “padashtun” për nji rifreskim me të vërtetën e ditun ndoshta vetëm prej tij. Kontakti me të vërtetën e ditun vetëm prej tij nuk mund të ishte dëshirë e, aq mâ pak, zgjedhje. I pamundun me u instalue përfare në njenin prej identiteteve të shpikuna, ai i përjetonte dramatikisht momentet e ardhjes në vete. Ai, në fakt, rrëshqiste drejt vetes. Me siguri kta kanë qenë edhe çastet mâ ideale për tê për t’iu afrue letrës e penës. Dhe sapo shkarkohej për shkak të rrëfimit, ai fillonte prap mos me e durue veten. Indiferenca dhe moskujdesja për tekstet e dorëshkrueme na duket se na jep nji të drejtë. Me kthimin te vetja, qenia e tij ruente veten nga shpartallisja e pandreqshme, por arratisja nga vetja i ruente ekuilibrin që ai të mos hidhej në erë prej asaj që ai dinte për veten. Kta ekuilibra dinamikë dhe palindromikë e mbajtën atê në naltsinë e shkrimtarit, të cilit, për traditë, i falen disa gjana dhe i tolerohen disa të tjera. I gjithë ky cicmic i pafund rreth vetes, me veten, pa veten, kundër vetes dhe për veten spjegon natyrën e tij tragjikisht introverse, mosrrugëdaljet e tij dhe kompromiset e pafundme me fatkeqsinë.
 
Shumkush – e me të drejtë – mund të na e drejtojë pyetjen se çfarë kërkon Federik Reshpja ndër disidentë. Dhe vërtetë ai kurr nuk kish qenë disident në at kuptim që ky punim ka për qëllim me i dhanë ktij termi. Na duket se Reshpja, edhe pse nuk kishte qenë disident i formatit rus, çek apo hungarez, ai mund të ishte fare mirë i tillë, poqese ndër ne do të kishte hapsinë zhvillimi për nji dukuni të tillë. Besojmë ngultas se Reshpja, me strukturën e vet psikike dhe ekscentrizmin e tij të lindun, nuk do ia përtonte me ia hŷ nji “thyemje duersh” me regjimin. S’e dimë nëse do të ishte i pari apo i dyti, por në kushtet e nji disidence legale të mbrendshme që na nuk e patën kurr, Reshpja do të ishte emën në spik. Ndoshta jo për bindjet, ndoshta jo për forcën e karakterit as edhe për shkak parimesh, të cilat s’i ka dhe i huazon sa andej ktej simbas konjunkturave të mbrendshme e të jashtme të tij. Por, përsëri kam bindjen e patundshme, se nji “konflikt” me shtetin për tê do të kishte qenë rasti ideal i nji arratisje të gjatë e të plotë nga vetja, nji kompensim dhe nji rikuperim viriliteti, të cilin, mesa shifet në kushtet jashtë hipotezës, e fitonte me pikatore dhe simbas nji dinamike të cilës, sapo i guxuem nji skicim.
Por Reshpja ka edhe nji pozicion mâ të bukur, nji pozicion ku dinamika e luhatjes dhe e ravgimit zbulon pa mëdyshje njeriun dhe dramën e tij të pazgjidhshme Ai qe nisë në rrugën e shkrimeve, i pajisun me entuziazmin kolektiv të të shumëve, që, me artin, deshën me “ndrrue jetën”. Regjimi kishte aktivizue potenciale njerzore prej shtresash të emargjinueme, me projekt i kishte transformue në parveny, ua njifte dhe ua përdorte dyzimin e tyne proberbial “as mish, as peshk”. I kishte shkëputë nga tradita, nëmos i kishte gjetë edhe pa fare ketë të fundit. Si enë boshe që mbushen sëpari me çfarëdolloj materiali të duesh, ata kishin msue mâsëpari se duhet të hŷsh në kor, t’u përngjasësh modeleve të rekomandueme dhe të rreshtohesh pa fjalë, kur vendet e para e të dyta janë të zana.
Te vllimi poetik “Në këtë qytet”, i botuem më 1973, kemi nji Reshpe të asimiluem prej sensit zyrtar të përceptimit. Shifet që e ka zbulue modelin – Kadareja âsht i ulun kambëkryq me gjithë verbin e tij cerebral e të thatë prej sforcimit. Traditën e ka kapërcye ose nuk e ka gjetë kurr para vetes, ka adoptue nji ekspresion gjuhsor të gatshëm dhe nuk ka asnji përpjekje për të sjellë qoftë edhe nji fjalë të vetme gege që të ketë peshë poetike dhe prozodike. Nuk po flasim për mitifikimin e “sendeve” të socializmit, të cilin po e quejmë si pasaportë ose liçencë për të gjithë ata që nuk mund të rrinin pa botue. Por diçka nga “vetja” e tij, diçka që ta paraqiste ketë njeri si të inicuem diku tjetër e që vjen e konformohet ktu para sŷve tanë. Me dhimbje apo me entuziazëm, ky njeri bart edhe veten e vet dhe mundohet ta infiltrojë atê si identitet i thellë, kryeneç dhe afirmues. Asgjâ prej të gjitha ktyne ktu. Reshpja na vjen te ky vllim si i pastruem ose si i sapolindun, si i patraditë ose si fletë e bardhë e pashkrueme, pa prejardhje, si nji foshnje 32 vjeçare që lindet para nesh, nji tabula rasa që po zhvirgjënohet prej vetë shkrimit të vet. Njeri i shartuem në boshllëk, Reshpja plotson ksisoj dy funksione vetiake. I pari âsht njinjisimi me “njeriun e ri” të epokës së komunizmit. Mbiemni “i ri” në ket togfjalësh i kishte të dy kuptimet që i ka kjo fjalë psh, në anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose italisht. Pra kuptimin kohor dhe kuptimin cilsor. (young dhe neë). Në shkaksinë e shumtë që mund të kenë përcaktue aderimin e Reshpes me valën komuniste, duhet të ketë qenë humbja e vetvetes dhe fitimi i nji vetje tjetër, krejt të re në kuptimin e kohës (young) dhe po krejt të re (neë) në kuptimin e cilsisë. I nisun prej qëllimesh thellsisht vetiake ose, thanë ndryshe, egoistike, Reshpja kishte gjetë si fillim te formula zyrtare mbi “njeriun e ri” nji strehë të bukur për t’u “rinovue” edhe me bekimin e zyrtares, të shtetit dhe të asaj pjese të shoqnisë që ajo zyrtare e që ai shtet përfaqsonin. Kjo stratagjemë e hollë dhe që mund të bâhet realitet vetëm kur ekziston kërkesa, sepse terreni âsht i pafundëm dhe probabilitetet rriten fort, ia kishte mbulue Reshpes nevojën për nji rilindje nga hiçi, për nji “ardhje” të re dhe për nji harrim të atij që ai ishte në të vërtetë. Kët imazh, të paktën, marrim prej vllimit poetik “Në këtë qytet”. Uni i tij i lidhun fort mbas unit kolektiv të modelit “heroi lirik” e rimorkionte në tokë e në qiell, e çonte në vende të ndryshme, të cilat të pame edhe si kantiere, edhe si uzina, edhe si parada, edhe si hidrocentrale, i shërbenin mâsëmiri mos me e lanë kurr vetëm me pasqyrat dhe koliket që i shkaktonte vetja e vet e ngjitun dhe e pashqitshme. Kam bindjen e patundshme se Reshpja nuk kishte ndonji punë sentimentalisht me komunizmin, as ndonji parim që ta lidhte sadopak me tê. Zaten Reshpja nuk ishte njeri parimesh. Ai nuk mund të kishte parime, s’ishte natyra e njeriut që kërkon, adopton dhe profeson parime. Parimet nuk mund të banojnë në menden e nji njeriu kaq të hallakatun që e gjëmon përmbrapa vetja e vet e padëshirueshme. Parimet banojnë ndër mendje solide e të orientueme, me dije e përvoja rysëse e integrative, ndër tipa racionalë dhe vertikalitete karakteresh. Na vjen shum keq, por Frederik Reshpja nuk i kishte kto, nuk mund t’i kishte kto. Kjo kishte me qenë ana e pavetdishme që mund ta shtynte nji njisi të dhanë, si autori ynë nën shqyrtim, drejt nji sistemi në zhvillim, por gjithsesi të dhanë. Mesa duket takimi i tyne ka qenë i pashmangshëm. Sistemi politik i socializmit real si formë e pastër diktature kërkonte njeriun pa vete mundsisht dhe të konfeksionuem simbas modelit. Reshpja vraponte me i ikë vetes, i gatshëm me lanë te “lkura e e braktisun” të gjitha ata elementë që i kujtonin qenien e vet ontologjike. Dhe kshtu kishte ndodhë “martesa” e lumtun me regjimin, vullneti i tij ishte mobilizue në at drejtim për me i ardhë në ndihmë qenies, që s’po mund ta duronte peshën e vet.
Kjo mund të ishte skema e ndërveprimit të së mbrendshmes së autorit tonë me të përjashtmen. Po ta fusim moralin si arbitër në gjykimin e zgjedhjeve tona, padyshim që ksaj i bie me qenë pjesa mâ e pafajshme. Dy subjekte kishin kërkue njeni tjetrin, rastsia kishte bâ “cak”, “martesa” kishte ndodhë dhe na sot kemi në dorë atë vllim që e çertifikon atë “martesë”. Dy qenie morboze kishin formulue nevojën e tyne dhe, për nji çast, takimi fatal kishte ndodhë. Nji dashuni po morboze kishte triumfue. Shteti dhe Reshpja.
Edhe pse shteti socialist nuk e kishte deklarue kurr – e ndoshta edhe nuk e dinte – se ishte zbatues i nji eksperimenti, ai e tregoi veten se ishte i gatshëm me e çue deri në fund eksperimentin, me çdo kusht dhe me çdo mjet. Ai ia kishte dhanë lêjen vetes me e zbatue eksperimentin edhe me kundërshtarët, por edhe me besnikët e tij. Kjo qenie eksperimentomane realizohej në arritjet e saj mâ shum tek rastet kur ajo kishte asimilue me forcë nëpërmjet asgjâsimit të vetdijes, sesa tek ato raste kur afrimi kishte qenë i ndërsjellë. Ai shtet, për parim, nuk e duronte idenë e ortakisë. Ortakët hŷjnë në bashkëveprim prej “dashunisë”, prej nji lloj erotizmi aseksual. Ata nuk njofin përvoja dhune, pra edhe mund të guxojnë.
Asnji shkak kulturor ose shoqnor nuk vjen me e spjegue ndryshe divorcin e tij me socializmin. Të dhanat socio-kulturore janë pothuejse identike me nji mori kolegësh të tij, që kishin kalue nëpër të njajtin hark triumfi dhe nëpër të njajtin qemer shpatash. Kishin pothuejse të njajtën origjinë sociale, prejardhës të së njajtës zonë amorfe mes qytetit e fshatit, me rreshtime familjare ambigue e me elementë bazalë karrierizmi me bazë ikjen prej fshatit dhe punëve të tij. Nuk na çudit aspak fakti që kta lloj kandidatësh për parveny, nji ditë mund t’i mbushnin të gjitha mungesat thelbsore dhe porozitetin e formimit edhe me krijime të vlershme arti. Por ata mbetën të gjithë në kapërcyell. Të ndëshkuem realisht prej mohimit të origjinës, ata mbetën gjithë jetën në ajër për shkak të prishjes së rrugës për tek ajo.
Nuk mund të mohohet fakti se përveç ktij faktori të thellë me bazë ngushtsisht personale, kta shkrimtarë zyrtarë të kohës të jenë yshtë edhe prej mirazhesh racionalë dhe karremash egoizmi ashensional. Por për ktê kemi folë në pjesën hymëse mbi disidencën.
Siç e dimë prej kronikës biografike, Reshpja pati ra dy herë në burg gjatë kohës së diktaturës. Burgosja e nji njeriu të arteve lente mbrapa nji vakuum të gjanë që vononte me u mbushë. Aq mâ tepër kur dikush e bante shpejt e shpejt llogarinë se nji “njeri i klasës” e, madje, i prejardhun nga nji familje “me kontribute lufte”, hymja në burg nuk ishte nji shêj se të gjithë ishin të barabartë para ligjit, por shêji se secilit do t’i vinte nji ditë radha. Kjo agoni cfilitëse rezononte tek të gjithë, tek të urtit dhe tek harrakatët, tek të bindunit dhe tek të heshtunit, tek ata që s’mund të rrinin pa kontakt me lexuesin si dhe tek ata për të cilët lexuesi ishte nji destinacion virtual ose futurist.
Arshi Pipa, Jozef Radi, Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, të gjithë kta kanë shkrue për burgun, prej mbrendë ose prej jashtë, gjatë dënimit ose edhe mâ vonë. Madje, Pipa, padyshim i burgosuni mâ i famshëm i lagerve të regjimit Hoxha-Shehu, s’ka vepër tjetër mâ të mirë poetike sesa “Librin e burgut”. Poezitë e burgut [ndoshta ky term duhet futë ndër thojza, sepse ka përpjekje me krijue edhe kategorinë e “poezisë së burgut” si nënfish i poezisë së “sirtareve”(sic)] ishin shprehje e rebelimit të shpirtit individual ndaj represionit të lirisë dhe nji shembull i mrekullueshëm i rezistencës njerzore ndaj shpartallimit të vlerave universale. Mirpo, me çudi të pashueshme, konstatojmë se Reshpja nuk i përmend kurrkund burgjet, asnji referencë për ta, asnji situatë që të na e kujtojë ose edhe të na e sugjerojë.
Pse kjo heshtje? Pse ky mohim i asaj përvoje që pjesa mâ e madhe e lexuesve të tij e kujtojnë se ishte shkaku i konvertimit të tij gjithsor në nji art të kulluem lirik? A do të mund t’i kalonte “nji poeti kaq të ndjeshëm” gjithë ai kalvar vuejtjesh pa i dalë as nji gjysmë reference në poezitë e në librat e mbasramjes së diktaturës? Dhe nëse po, përse? Si kshtu? Mos vallë gjithë ai vaj e gjithë ajo brengë e vllimit “Vetmi” âsht vaji i tij për vjetët e burgut? A kishte shkrue ndonji poezi në burg ky autor dhe cili mund të ishte fati i saj, kur dihet se poezia âsht lloji mâ i ngjeshun letrar, tamam për t’u “hjedhë” në kushte syrvejimi të burgut, për t’u ruejtë mbrenda në burg dhe, madje, edhe për t’u nxjerrë prej burgut? Asnji fjalë për burgun, asnji dëshmi shkrimore për tê, asnji mburrje e krenari heroike për tê, asnji dinjitet i ri i fituem atje? E çuditshme!
Frederik Reshpja jeton mes nesh ende vetëm në sajë të legjendës. Tek na e vetmja gjâ që mundet me të përcjellë nga nji fraksion kohe në tjetrën âsht ende legjenda. Për çudi tek na studimet në vend që t’i nxjerrin sendet në dritë, sikur kanë ndihmue që të vorrosen edhe mâ thellë. Landa dhe mishi i legjendës âsht ai që “hahet” dhe kërkohet mâ së shumti. Legjenda e shiton mendjen tonë e mpin dhe instalon aty vezullimin e pa mort të të padiskutueshmes. Me anë të legjendës na ngopim nevojën tonë për të qenë të barabartë në nji diskutim. Legjenda fillon rastsisht dhe mbaron me ortek. E na nuk mundemi me e kthye ketë legjendë në trup arsyetimi pa e besue të gjithën, pa e konsumue të gjithën.
Shum miq dhe adhurues të Reshpes do t’i përgjigjeshin pyetjes rreth mungesës absolute të referencave të burgut në poezitë e tij të mbas 90-ës, se Reshpja âsht poet kaq i madh sa ka mbrritë me distilue dhe me sublimue çdo element biografik në shkrimet e tij, e sidomos, në ata të moshës së pjekunisë. Ky interpretim i hollë dhe logjik si argument e ka pak frikë me i rezistue prap kundërshtisë. Nëse ai nuk flet për burgun se burgu âsht vërtet argument biografik, po për lirinë pse nuk flet Reshpja? Kaq të parandsi e kanë poetët lirinë? Askund nuk shofim te poezitë në fjalë nji hov fluturues a nji epsh grafullues kah liria, askund nji hjedhje jashtë orbitash, askund nji pritshmëni për minimalen e pagjetshme.
Në nji parathanie për vllimin “Në vetmi” të F. Reshpes, shkruesi i parathanies, Shpëtim Kelmendi, nën titullin “Në muzgun e një poeti lirik”, thotë shprehimisht: “Vështirësia për të qenë mik i shumë njerëzve nuk shkaktohet për arsye se Fredi është një tip i vështirë dhe tekanjoz, jo se është i pasjellshëm, – sepse në komunikim ai është një zotëri i vërtetë -, por sepse mendjemprehtësia dhe inteligjenca që i reflektohen në vështrimin sardonik që buron prej syve të tij përherë të skuqun, bëjnë çdo njeri të ndjehet si përballë një skaneri që nxjerr në pah sëmundjet e fshehura me kujdes.”1
Unë mendoj se Sh. Kelmendi e ka ndie mirë fort se në rastin e Fredit kemi të bâjmë “me smundje të fshehura me kujdes”. Por për shkak të legjendës që e cekëm mâ sipër dhe të admirimit të gjanë që ka Kelmendi për Reshpen, pa dashje âsht ndrrue kahja e vështrimit. Unë nuk e di nëse ai që ka smundje për me mshefë me kujdes, mund t’i ketë sŷtë si skaner që nxjerr në pak smundje të fshehuna me kujdes. Simbas vetë përshkrimit idiotrop të poetit të bamë me shum vërtetsi nga ana e Kelmendit, i smundi mund të ishte ai – Reshpja, pra – dhe aspak ti që ndodhesh para tij në nji rrethanë rutine ose rëndomsie. Në jetën korrente dhe përditshmëninë, ishte ai që shfaqte shêja të nji patologjie psikike që – nuk mund të mohohet – e kishte bâ thalbsisht mizantrop dhe të pashoqnueshëm. Kjo idiotropi e tij duhet ta ketë përshtypë Kelmendin, kur e deklaron me nji dalje pak a shum të pazakontë nga toni i parathanies: “Kurrë nuk e mora vesh se cili ishte qëndrimi i tij i vërtetë dhe cili maska.”2
Dhe disa radhë mâ poshtë: “Nën vizionin e tij që herë asht haluçinant, herë surreal, herë absurd, herë onirik, herë romantik, herë futurist apo modernist etj, etj.”3
Me siguri Kelmendi ka rreshtue ktu kta epitete për të nënvizue dashamirësisht te ai nji figurë komplekse deri poliedrike, por jo. Kta fjalë, edhe ashtu të pasakta në përdorim e të papërshtatshme në adresë, janë pohimi mâ i mirë i papërcaktueshmënisë kulturore dhe i nji personaliteti të tronditun, në kuptimin mâ të guximshëm patologjik të fjalës.
Mendojmë se disi e në njifarë mnyre jo vetëm Reshpja ishte autofobik. I tillë ishte edhe regjimi diktatorial që kaloi nëpër ne. I ardhun me gjak dhe i mbajtun me gjak, ai kishte mbrenda vetes frikën e Makbethit se duert e tij nuk “mund t’ia lante as uji i detit”. Ai e dinte se kto duer të palame prej gjakut e padisnin atê dhe ai duhet t’i ikte ksaj padie, duhet t’i ikte vetes së vet kriminale. Pse kot ishte gjithë ajo propagandë për gjoja zemërgjansi të partisë e të pushtetit, disa amnisti, vija e masave që duhet të ishte nji antipod i luftës së klasave, kompetencat që u liheshun kolektivave, metafora e “dorës së ngrohtë” për të mshefë “dorën e hekurt” të regjimit, etj… Të gjitha kto ishin shprehje se regjimi nuk e duronte veten e vet, se ai kishte bâ ekcese dhe se, për të ndêjë prap në pushtet, duheshin bâ edhe do ekcese të tjera. Arti, në mnyrë të veçantë ishte orientue drejt zbutjes së figurës së regjimit, drejt galvanizimit të jetës si mnyra, me të cilën regjimi do të arratisej nga identiteti i vet, por pa u largue fizikisht. Regjimi kishte nevojë për amnezi dhe amnisti historike dhe për freskim identitetesh. Kjo, thamë, kishte qenë edhe ujdisja fatale e Reshpes me atë regjim dhe pika e takimit të tyne në qëllime e deri në mnyra.
Dikush ka pasë avancue idenë se regjimi i ndaloi kontaktet me artet moderne si dhe lavrimin e tyne ndër ne për arsyen e thjeshtë se “diktatura ishte e vetdishme për shëmtinë e saj dhe çdo kontakt me të bukurën do ta padiste edhe mâ fort ketë shëmti”.4
Ndërsa shëmtia e diktaturës ishte e kjartë si drita e diellit, cilat mund të kenë qenë ato anë të identitetit të poetit Reshpja, të cilat ai nuk donte me ia marrë vesht kush? Çfarë pjese e identitetit të tij dhe e intimitetit të vetnjoftjes përbanin sekretin e jetës së tij të turbullueme? Çfarë dinte ai për veten që të tjerët nuk e dinin dhe nuk duhet ta dinin? Ku i i mbaronte ftyra e ku i fillonte maska? Përse nuk e përmendë askund burgun? Pse pikëllimi i tij nuk lidhet me humbjen e lirisë dhe me jetën e shkueme dam? Pse dhimbja e tij humbet në nji errsinë shkaksie, kur shkaksia e persekutimit për shkak të ideve âsht tregues universal i dinjitetit dhe i përveçmënisë?
Mendojme se vetëm 6 vjet mbas vdekjes âsht ende tepër herët me e dhunue privatsinë e nji të vdekuni qoftë me fakte, qoftë me hamendje. Askush nuk do ta dëshironte ketê, qoftë edhe për qëllime studimi ose të nji objektiviteti tjetër. Por gjithsesi duhet të vaksinohemi përfundimisht nga legjendat dhe, para se të ikin dëshmitarët, duhet të tregojmë epërsitë e qytetnimit shkrimor. Ai dëshprim kulturor për të cilin fola në pjesën e parë të ktij punimi, zmadhohet dhe vazhdon, i ushqyem prej irruencës së legjendës në të gjitha punët tona të dijeve dhe të ndriçimit.
Të gjithë ata që e kanë njoftë prej afër F. Reshpen thonë se ishte nji burrë i shkurtë, me nji deformim të vogël në kurriz, me tipare prej plaku qysh në kohën e rinisë, me nji fizik të imët e të ecunën me hapa të vegjël si prej femne. Thonë për tê se qe martue nji herë, por martesa nuk zgjati. U ndanë dhe mbretnoi heshtja përgjithmonë. Thonë se nuk ka pasë asnjiherë asnji relatë dashunore dhe nuk kishte aftsinë me tërhjekë gjininë e dobët, edhe pse ishte i pajisun me nji squetsi të admirueshme dhe poezitë e tij pëlqeheshin prej elementit femnor. Disa komshij të tij e mbanin mend që, në kohën e rinisë, e kishin pa në oborrin e shtëpisë vet që me orë të tana, qendiste në gjergjef. Po të merren edhe poezitë e tij, shifet në to nji skrupulozitet strukture si prej amvise poetike që di t’i mbarshtrojë vargjet si rangë shtëpie.
Âsht fakt i pamohueshëm se në poezitë e tij ka shum trishtim e pikllim, por lotët janë plazma ku noton çdo poetemë e tij. Lotë, shum lotë. Dhe lotë seriozë, të vërtetë e që burojnë prej strukturash adekuate të pikëllimit e dhimbjes granishte. Kudo pikëllimi i tij âsht qaraman, i përlotun, emocionet e tij nuk mund të quhen të tilla, poqese nuk shkaktojnë lotë. Ka edhe ndonji rast kur ai, në poezi, krahas “i ri’, vetquhet edhe “i bukur”. Na duket se kto të paka indicie do t’i mjaftonin dikujt me fillue me krijue idenë se Reshpja ishte individ me mashkullorsi të dobsueme dhe se gjithë ai zballancim i tij në reflekset e shkrimeve, por edhe, deri diku, të sjelljes mund ta ketë burimin te nji papërcaktueshmëni e mjaftueshme e gjinisë së ktij individi, e cila mund të kishte prekë aftsitë e tij interaktive, me pasojë harlisjen kompensative të femnores që kaq e randsishme âsht për artin e poetifikimit e artin, në përgjithsi. Goethe fliste hapun për das ewige ëeiblich (femnorja e përjetshme) në punët e poetifikimit.
Dhe për të mbetë gjithnji në lamin e hamendsimeve do të përpiqemi me i dhanë përgjigje edhe punës se pse nuk përmendet burgu as drejtpërsëdrejti, as tërthorazi në botimet e tij të mbas ’90-ës.
Mbasi ndërtuem hipotezën se Reshpja u fut në RS si nji rishtar me memorie embrionale, për të krijue nji identitet të ri dhe për t’i ikë vetes së tij me probleme bazale të gjinisë dhe të virilitetit, pati nji “martesë” të lumtun me epokën, që ia çmoi çdo zerim të identiteteve individuale dhe kolektive. I kombinuem me të njajtin problem bazal të diktaturës – ikjes së saj prej historisë gjakatare që e padiste orë e çast e minut – Reshpja besoi se kishte gjetë qytetin dhe qytetnimin e bamë tamam për masë të tij. U ndie aleat dhe homogjen me regjimin dhe fitoi vetdijën e ortakut me tê. Aty gaboi me ndonji kritik i bindun se mbas bashkëpërkimit me regjimin në kaq pika bazale, ai nuk mund të dukej i rrezikshëm për tê, sepse aleat ontologjik me tê. Regjimi e burgosi për shembëlltyrë. Në burg ai duhet të jetë dëshprue fort, sepse zhgënjimi ishte i madh. Por burgu ishte vend bashkësie të ngushtë njerzish solidarë, ku problemet e veçanta homogjenizoheshin dhe njerzit fillonin me i ngja tmerrsisht njeni tjetrit, derisa me u kthye në kipca të panumurt të njeni tjetrit, sidomos lidhë me problemin e madh që Reshpja kishte me veten e tij. Në mjediset e burgut mashkullorsia e dobsueme ishte identike me mashkullorsinë e pezullueme. Mandej, mungesa e pranisë së elementit femnor dhe efekti i saj natyral i ngacmimit pritet që të veprojnë si kalmant për nji vetdije seksualisht të përmbysun. Mendojmë se burgu për tê nuk qe vetmi as në kuptimin e pranisë së të tjerëve, as në kuptimin e ndjesisë së të qenit i vetmuem në rastin tand të fatkeqsisë. Mesa duket burgun Reshpja e kishte mbrenda vetes dhe shtimi edhe i nji tjetri jashtë nuk e kishte tronditë edhe aq fort, kur, në mesin e tij gjeti dhe pau nji mori të tjerësh si vetja, të cilët ishin pengue pa qenë të penguem, kurse ky – i penguemi – ishte i privilegjuemi se, të paktën, nuk i ndjente ngacmimet e mishit dhe dukej se burgu e privonte prej mâ pak gjanash se sa të tjerët. Ngul kambë se në burg Reshpja duhet të ketë konstatue njifarë komoditeti të çuditshëm, sa i përket gjithmonë problemit të tij qensor. Reaksion duket se i bante atij liria, shansi i madh i kontakteve dhe i matjes së performancave individuale, rikthimi përsëri para vetes së vet batalle, që, duket, nuk i përgjigjej në njenin nga funksionet mâ të rëndomta që e gzonin me bollëk edhe bimët, edhe kafshët. Prandej na dalin dy vllime mbas 90-ës e mbas daljes së tij prej burgu: “Në vetmi” dhe “Vetmi”, të dy të botuem më 2004. Kshtu mund të spjegohet edhe ai pikllim botnor, ajo ankesë pa adresë që, si nji njollë hapet dhe përhapet, sa me zanë krejt universin. Kur pikllimi mbrrin qiellin e hyjt, shkaku âsht ontologjik dhe jo shoqnor. Pafuqia e njeriut me luftue me fatin e vet anonim, e prodhon ketë tipologji pikllimi, të gjanë dhe evazive, anonime dhe të paderman. Në vetminë që i shkakton qenia mes njerzish, Reshpja nuk mund të qetsohet veç si novic në diktaturë ose mes të burgosunish që, sikurse ai, janë të privuem prej gostisë së jetës. Kemi bindjen se ky ekuacion âsht i mjaftueshëm me prodhue dhe me spjegue atë pikllim e atë gjamë prej Filokteti mitologjik, që poeti ynë në vargjet e tij lshon si mâ e ligshta grue.
Ndërsa po mundohemi me e spjegue Reshpen njeri dhe poet me gjithë rrezikun e hamendsimeve, të cilat nganjiherë mbrrijnë edhe në dy kate, e theksojmë se kto mekanizma që na duket se i kemi zbulue te rasti i tij, kanë të bâjnë me nivele të kjarta ontologjike, ku operacionet nisin e përfundojnë pa dijeninë dhe vullnetin e subjektit. Bile ka shum mundsi që, po ta kishin edhe Reshpen mes nesh sot, problemi do të ishte po aq i madh për të vërtetue sadopak se tezat tona kanë nji takim substancial me fenomenologjinë që na ofron rasti i ktij poeti të çuditshëm, por edhe çuditërisht lirik, megjithë vajin e tij aspak të modës në poezinë e mbas shek. XIX. Pra deri tashti hamendsimet tona dhe metodat e kalimit nga evidentja te fenomenologjikja, për me depërtue mandej te esencialja e te noumenologjikja kanë prekë zona të nënvetdijës dhe janë krye me metoda induktive e krahasimtare. Zakonisht autorët dinë shum pak rreth vetes së tyne nga kjo anë. Madje, Reshpja me probleme të mdha që ka me funksionimin e natyrës së vet dhe me të natyrshmen në veten e vet, as që mund të vijë në kontakt në mnyrë autognostike me ketë vete. Prej së mbrendshmi ai ka nji lloj tjetër marrdhanie dhe kontakti me kto struktura të jetës së vet psikike. Ai nuk ndihet në mnyrë gnosticiste, çka do ta detyronte t’i qasej vetes si mjek ose si kritik i psikokritikës. Ai âsht subjekt i nji marrdhanie patetike e deri patologjike, përsa kohë që çdo kontakt me kto pika prîhet prej dhimbjes, brengës e disforisë5. Ketë lloj marrdhanie të thellë me veten e aspak evidente, ai përpiqet ta përjashtëzojë, ta kthejë në send përmes fenomenologjisë së vargjeve që shkruen. E dimë se shkrimi dhe shprehja gjithnji shoqnohen prej nji ndjenje zbrazje, për pasojë lehtësimi. Nji send që ekziston vetëm mbrendë “sëmbon” mâ fort se diçka që âsht vetëm jashtë ose edhe mbrendë, edhe jashtë. Ksisoj mund të spjegohet edhe dëshira e mallkueme i disa poetëve të disa periudhave me shkrue për me “nxjerrë” jashtë.
Nga ana tjetër duhet të themi se, në përpjekjen për ta ruejtë qenien e vet, psikja e autorit nuk mjaftohet vetëm me ato çfarë ndodhin në nivele të qenies. Pjesa tjetër e detyrës i lêhet me u krye arsyes së tij, pra bishtnimeve ose stratagjemave racionale, me të cilat âsht e mbushun plot jeta e ktij poeti. Nuk ka vend mbrenda ktij punimi që të merremi veçanërisht me anën anekdotike të ktij autori. Miqtë, shokët e admiruesit e tij duhet të gjejnë mnyrën që t’ia dorzojnë kujtesës së letrës gjithçka që ka lidhje me ktê person, para se atê të shkretin ta mbulojë harresa, ose para se atë nafakëmadh ta pshtjellë në rrjetat e saj legjenda e “jashtatoksorëve”.
I pajisun natyralisht me veti intelektive dhe nji nivel vetnjoftje të mjaftueshëm, autori ynë i ka kthye në fakte të vetdijes të gjitha “të metat” e tij. Ai, pra, e din se çka nuk shkon, e din se çka ka dhe nuk ka. Reshpja shum herët dinte mirë për veten e vet. Dhe kto i mbajti sekret për të gjithë jetën. Me siguri nuk duhet t’ia ketë thanë askujt, as nanës së vet për të cilën ka nji adhurim të dukshëm dhe të pashterrshëm. Por verifikimin për vetdijen e tij pasqyruese na e japin bukur fort vargje të tij, të cilët, të shpërndamë sa andej ktej, e prekin si rastsisht ose si “pa të keq”, por gjithmonë tangjencialisht. Qysh te vllimi “Në këtë qytet”6 Reshpja shkruen lirika, drejtue vajzave anonime ose edhe eponime (poezia “Anilës”), por me emna konvencionalë, tue lanë me kuptu nji libido aktive si dhe nji erotikë faktike të unit lirik. Madje në nji prej poezive të tij të vllimit “Në vetmi” me titull “Vijnë ciganët”, Reshpja i lejon vetes edhe pozën e njeriut që plaket dhe kujton zamanin e vet të rinisë, si mâ normali i njerzve, kur thotë, tue sfidue veten dhe, me gjasë, edhe të tjerët:
 
Isha i ri e isha i bukur,/ Isha i zjarrtë në dashuri,
Shumë gjëra tani i harrova/ Për hënë e për magji…
 
Kur mendon se ketë lloj vete të parë nuk e pati përdorë as vetë Byron-i, për shkak të kambës çalamane, kupton se Reshpja e kishte poezinë për me mbajtë ekuilibrat e tij mendorë, për të kompensue dhimbjet me burim te qenia si dhe për të ndërtue andrrën e vet kozmike që do ta konsumonte po prap ai vetë.
Por, sapo ushqehet me landën iluzore të andrrës, ai ndihet i kompensuem, kompensimi i rikthen luciditetin e mendes dhe, pup, shpërthen vetironia:
 
Kori i trëndafilave derdh lotë/ Për daulle dhe për hënë
Ah, ç’isha i ri dhe i bukur dikur/ Dikur në një mars të shkuar!
 
Shêjat që sugjerojnë kuptimisht dhe vizualisht ironinë janë “mars” dhe pikëçuditësja në fund të vargut. Marsi vërtet âsht mueji i parë i pranverës, por jo mueji i luleve dhe i lulzimit për antonomazi. Marsi âsht muej i përziem, me shum dimën e me pak prill. Kompensimi e zhdeh atypëraty dhe ai fillon me zbritë te pikllimi, te muejt që të çojnë në dimën prej ku ishte arratisë, tue u mburrë për rininë dhe bukurinë e tij si dhe për potencën erotike. Theksimi i vargut të fundit âsht pikëçuditsja. Ajo don me tregue se në çastet e luciditetit, ai e tregonte veten me gisht dhe e padiste se shifte andrra dhe, për pasojë, nuk duhej marrë për i krisun.
.
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)

Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)

Andrrimtari

Po ta vemë re me kujdes shofim se nga pikëpamja e ksaj lloj analize ku e kemi futë autorin dhe poezitë e tij, shum mâ interesante janë poezitë e kohës së para se me hŷ në burg. Atje, gjithsesi ai na shfaqet mâ i i ekuilibruem dhe duket se kta ekuilibra i kullandris mâ me lehtësi. Aparati i tij i ekuilibrit ka nji aleat të madh: andrrën. I paplotsueshëm në jetë, i paafrueshëm dhe, mesa duket, gjithmonë me dietë seksuale, Reshpja duhet të kompensohej diku tjetër e disi ndryshe. Jeta për tê s’ishte dëftue e drejtë dhe ai duhet të jetonte, megjithë padrejtsinë e saj.
U tha në kapitullin e mâsipërm sesi na e mendojme se aderimi i tij me revolucionin dhe të bamet e tij kishte ndodhë për shkak se ai i lejonte atij nji arratisje prej vetvetes dhe mund t’i ofronte nji identitet të ri, poqese ai hiqte dorë prej jetës së tij të mâparshme dhe “pagzohej” lakuriq me idetë e revolucionit. E pamë në sintoni me parimet e RS, në sintoni me baballarët e letërsisë të cilët, për hir të së vërtetës edhe i imitoi deri në stil, kadencë dhe imperativitet, i mburri edhe me emna, megjithse mâ vonë të mburrunit e tij duhet të kenë firmosë edhe përse e meritonte burgun, kishte marrë pjesë në materializimin e nji andrre kolektive e cila kurr nuk u pa kolektivisht, por u përdor për me krijue sfondin mbi të cilin do të gjykohej jeta e secilit, e ndihmoi fuqimisht partinë që ligjërimi i saj cinik të pshtillej me nji ambalazh deri poetikisht të konsakruem, nuk la ngjarje të portatës aktuale dhe propagandistike pa e veshë me tisin transparent e “joshës” të poezisë, provoi me shkrue edhe poema të formatit të madh si të baballarëve të RS, të mbrujtuna me nacionalizëm komunist, me kultin e qëndresës, me kultin e binomit iliro-shqiptar, me anatemimin e kanunit dhe të patrialkalizmit të shqiptarëve të Veriut dhe kurr nuk përmendi matriarkatin e shqiptarëve të Jugut, edhe pse e kishte rastin tek poezia me titull autentik (dmth éfféminé) “Lëndinka e Lotëve”, përmendi me simpati(!) paganizmin (dhe kjo ka nji domethanie në linjë të plotë me punët e Reshpes), s’la aksion pa hymnizue a thue se shqiptarët të parët e kishin zbulue magjinë e punës dhe, mandej, mbas pune, mbas hymnizimesh, mbas apoteozash dhe kurbetash sa me i ra kapela në tokë, Reshpja gjente kohë edhe për ndonji “Anilë”, ose ndonji vajzë tjetër anonime për t’ia nisë nji flirti gjithsesi konsumativ. Por pesha dhe prania e pamundsisë së tij i shfaqej në të gjitha format dhe mbrapa të gjitha formave. Mungesa e funksioneve ishte aty, mbrenda tij, nevoja aty, uria aty, me zgjimet e saj periodike. Diçka ia kishte bâ me hile natyrës te Reshpja dhe ai duhet të qetsonte konvulsionet e natyrës mbrenda vetes. Mandej i duhej të paqtonte e të pajtonte natyrën gjigande me shpirtin e tij. Ketë urë të pamundun e tenton vetëm arti. Arti âsht nji gjendje e përjetshme kllapie, andrre, nji përpjekje me pajtue të papajtueshmen, me paqtue të papaqtueshmen. Leximet mund ta kenë çue Reshpen qysh herët te arti, por te arti si pajtim duhet ta kenë çue mbasi ai ka fillue me marrë vesht padrejtsitë e natyrës që vepronin mbi qenien e tij. Ngacmimi ishte aty, në rrugë, në zyrë, në shtrat, në gjumë. Askund nji strehë për me u mshefë. Atëherë, o burra, ta krijojmë nji strehë ose shum streha, për sa mâ shum kohë që të jetë e mundun.
Ndër strehat mâ e thjeshta dhe mâ e lira âsht andrra. Mjafton të shtrihesh në krevat dhe, ose nga vesi i mendes, ose nga lodhja e trupit, andrra vjen si shkputje gjithsore prej realitetit. Kuptohet se në rastin e Reshpes nuk e kemi luksin me folë për andrrën e gjumit, por për andrrën me sŷ hapët, për andrrën-urë që pajton natyrën me shpirtin, nevojën me dëshirën, hovet vertikale me stabilitetet bazale.
Kjo “metodë” artistike i blatonte tipit të F. Reshpes gjithë autoritetin e andrrës së pashpotitun. Ajo ishte nji andër shtetnore, mbrenda së cilës mund të strehohej edhe andrra e vërtetë personale e poetit. Por andrra e tij nuk ishte pikëpërpikë ajo e shtetit. Struktura dhe qëllimi i saj ishte i njikahje me të Reshpes. Shteti, i pamundun me i dhanë nji të tashme shoqnisë që e konstituonte, mundohej ta “vërviste” me çdo kusht kah e ardhmja, kah abstraktja, kah pafundsia, kah përjetësia, sepse e tashmja ishte e pamundun me plotsue kërkesa sado normale. Po kshtu edhe Reshpja normale i kishte kërkesat, normale i kishte nevojat, por natyra e tij kishte bâ qark të shkurtë diku dhe ai nuk mund të funksiononte si i plotë ose si qensor. Tue u bashkue me shtetin, i cili vuente analogjikisht prej të njajtit sindrom, prej “sindromit të pamundsisë me dhanë nji të tashme”, Reshpja e ndjente se mund ta instalonte fare mirë andrrën në sqetullën e shtetit të tij. Hapsinat që i ofronte shteti i tij ishin pamasë: pafundsi, kompetencë absolute, sundim mbi të ardhmen, mbi historinë, mbi epokat, mbi të gjallët e mbi të vdekunit. Andrra e promovueme e shtetit kishte vend për andrrën e poetit. Me kusht që ai të ishte pjesë e ksaj andrre kolektive, poeti i angazhuem kishte të drejtë me andrrue edhe statusin e drejtësiprumësit, edhe të bukurikultivuesit, edhe të kasnecit të së ardhmes, edhe parapamësin e qytetnimeve të paimagjinueshme prej turmash, edhe lirinë me andrrue pa fund, edhe lirinë me u ngopë me lugën bosh, edhe të drejtën me ndrrue institucion andrrimesh.
Mendojmë se disa hove të vërteta poetike, disa vargje transparente, disa penelata prej akuarelisti, disa metafora e disa sinekdoka e trathtojnë Reshpen si njeri që shkruente sa për liçencë. Ato janë vërtet emanacione delirante dhe ekstatike të nji shpirti që nuk e ndien peshën e trupit (dhe të turpit). Në ketë pikëpamje kam dëshirë me theksue, se ndër të gjithë armatën e madhe të artistëve të RS asnjeri nuk i ishte qasë zyrtares me mâ shum pafajsi e mâ me shum interes se F. Reshpja. Në nji çast të Kohës dhe në nji pikë të Hapsinës paranoia patologjike e nji shteti kishte takue patologjinë paranoiake të nji individi. Dhe të dy, njizani, kishin shpallë edhe triumfin e metodës së RS, meqë individi kishte qëllue andrrimtar dhe shteti shitës andrrash.
Âsht me të vërtetë interesante sesi nji burrë shum nën mesataren, nji xhuxh pothuejse, me probleme të randa mbrenda vetes e që kishin të banin me alarme biologjike që nuk rreshtin, por tërbohen, të guxonte me marrë përsipër për llogari të nji shteti, që t’i skiconte të ardhmen njerzimit, t’i tregonte kaltërsitë jo si qiell parajse ku mund të shkohet mbasi të vdesësh, por si pafundsi mundsish realizimi, si pafundsi kohe a si amshim, ku jashta çdo sensi historik e zbulimi ai merrte në dorë stafetën e qëndrestarit para anmiqsh shekullorë, të mbrendshëm e të jashtëm dhe me shembullin e vet si kangtar del para epokës me çelsin e zgjidhjeve në dorë. Vetëm nji andërr dehëse dhe nji andrrimtar i kputun mund të merrte poza të tilla para njerzimit, tue pasë në trup nji zbraztinë e nji motiv kaq tragjikomik.
Po lamë më nji anë elementët e strukturës protokollare të renditjes së poezive në nji vllim të kohës, ku kryet e vendit e zanë poezitë me dedika politike. Po fillojmë me nji poezi ose minipoemë që ai ia kushton Shkodrës, qytetit të lindjes. Me siguri ai ka për vendlindje qytetin mâ poetik, me mâ shum poetë, me mâ shum poezi, me mâ shum traditë poetike, me mâ shum telashe me poetët, mâ të sakatuemin edhe poetikisht. Reshpja ka dy mnyra për t’iu afrue qytetit të lindjes: ose si adhurues i tij, ose si kritik dhe si anatemues. Qysh në titull e ndjejmë se ai ndodhet krejt off- side para qytetit të tij të lindjes që, mesa duket, i âsht qasë me e himnizue. Papritmas nijeti i tij tronditet. Dëshira për t’i kndue qytetit të vet simbas nji tradite të gjithëhershme topitet, sapo ai ndihet përballë tij. “Në këtë qytet” e ka titullin dhe ndodhet në faqen 117. Fjala kryesore e ktij titulli âsht nji emën në trajtën e pa shqueme. Autori sikur ka ngurrue me ia thanë emnin qytetit të lindjes. Pse? Mos vallë ardhja e tij rastsore para qytetit të lindjes e ka befasue me faktin se ata të dy janë të huej tashmâ me njeni tjetrin dhe se përballë tij ai âsht ndie dorëjashtë dhe i huej ndaj traditës së madhe të Shkodrës, në të cilën ai mund të inserohet vetëm nëse do të jetë vazhdues i ksaj tradite? Mos vallë mes tij dhe qytetit takimi ka qenë nji përplasje dhe mosnjoftje reciproke? Unë them se po. Edhe pse zâdhanës e besues i nji ideje kozmike, entuziaste dhe triumfuese, poeti âsht ndie minor, nënfish, liliput para qytetit të lindjes dhe e ka nuhatë flakjen prej tij. Kam idenë se “në këtë qytet” thuhet për diçka që shfaqet si i panjoftun. Andrrimtari snob i ka konvertue gjendjet. Konvertimi âsht mnyra e tij e përjetshme se si gjen ngushllim, sa herë merret me punët “toksore” Pra, kush nuk njef kë? Reshpja Shkodrën apo Shkodra Reshpen?
Poemthi fillon çuditërisht me nji fjali mohuese. Pse mohuese ndaj vendlindjes? Do të jesh kritik ndaj saj se ajo ka pjellë ndonji përbindësh dhe ti nuk mund t’ia shprehësh admirimin, apo ti je gjetë gabim para saj dhe situata zhvillohet si papranueshmëni?
 
Unë nuk këndova kurrë për ty./ Mbase nuk kam qenë i sigurt
se zëri im mund të merrte formën e mbrëmjeve,
formën e plazhit ngjyrë hënë, që, i lodhur nga zhurmat e ditës
fle te këmbët e liqenit;/ mbase zëri im nuk mund të merrte formën e fluturimit të pelikanëve
formën e gjërave të thjeshta si dashuria.
 
Në këtë qytet që i kishte dhanë jo vetëm hapsinën me hjedhë të qamen e parë të ardhjes në jetë, por që ia kishte fillue ndërtimin e identitetit deri atë ditë që ai u shkput prej tij, ai gjen veten e vet që nuk i duhet gjâ. Prandej, me gjysmë zâni, me drojë e me pendesë bashkë, ai e pranon fajin e madh të ngatrrimit të hierarkive. Autokritikë me vetdijë apo i shpëton goja? Qyteti ofron humusin. Poetët, mandej, çilin nën cilin qiell të dëshirojnë. Ky qytet i kujton Reshpes veten e tij, i kujton kohën e dyshimeve dhe konstatimeve të tmerrshme që ia kishin përmbysë jetën. Por ai e konsideron veten poet dhe si i tillë e ka detyrimin që nji homazh duhet t’ia bâjë qytetit të lindjes, edhe sikur ai të mos ishte mitër gjigande poetësh gjigandë. Por ky qytet e turbullon Reshpen, i kujton veten e tij, i kujton distancën që ka krijue me poezinë e tij, në shërbim të nji poezie tjetër. Ai ndihet për nji çast djalë plangprishës, i dhanun diku tjetër, i nisun diku tjetër, i orientuem diku tjetër, me nji plagë të pashërueshme që ky qytet nuk ia shëron, përkundër ia malcon edhe mâ keq. Prandej strofa e mâsipërme ka dy momente të randsishme: i pari âsht ballafaqimi me qytetin dhe topitja autokritike e pendestare para tij dhe, e dyta, largimi i poetit me ngadalë e me marifet, me fjalë të lehta e delikate, tue u justifikue pak a shum, por tue u tërheqë i paaftë me e përballue takimin. Vargu i fundit âsht zbulimi, ramja pikës, sikur poeti në ketë monolog të gjatë e rrekës para qytetit të vet të lindjes e ndien mâ në fund detyrimin me thanë emnin e asaj fjale, që e ka çue drejt qytetesh të tjerë:
formën e gjërave të thjeshta si dashuria.
Na duhet me theksue se Reshpja âsht puritan dhe nuk e ka për mbarë me u zhveshë në publik për hir të sinqeritetit. E gjithë shkrimtaria e tij përpiqet me mbulue shkaqe, me i bishtnue evidencave dhe me çorientue lexuesin. Për ket qëllim ai përdor thaniet inversive. Atë që i mungon atij dhe e kërkon për vete e paraqet si diçka që ai e kupton se u mungon të tjerëve. Ose në rastin e vargut të mâsipërm, Reshpja i ul tonet dhe i merr të gjitha përgjegjsitë për marrdhaniet “e vokta” me vendlindjen, sikur ai e ka fajin se nuk i ka tregue qytetit dashuninë që ai meriton. Në fakt ekuacioni âsht tjetër. Për poetin qyteti âsht nji nanë e madhe, nji matrix përgjegjëse për dhuntitë e për defektet. Ajo merret prej poetit si nji zavendsuese e nanës së vërtetë, e cila mund të jetë shkaktarja e atyne defekteve që i rrinë në bazë krizës së tij. Për mue fjala e thjeshta mban barrën kryesore të ksaj strofe dhe aspak fjala dashuria. Dashuria âsht nji nocion universal, i pasigurtë dhe i ngatrrueshem për dekodifikimin e rasteve të tilla kaq ambigue dhe evazive. Ai vetë na e pranon se ktu, në ket kontekst, mungon dashuria, por jo çfarëdolloj dashunie, por vetëm ajo e thjeshta, kupto natyralja, erotikja, erosi. Pra, nën nji dukje të butë përgjërimi, flen i pangushllueshëm dhe i papaqtueshëm ahti i poetit se qyteti – kupto nana e madhe edhe e tij – ia ka mohue mundsinë e knaqsive të erosit, prandej ai, për hakmarrje, nuk ka kënduar kurrë për të. Ndjenja e nji hakmarrje të kamuflueme ka dalë edhe te nji poezi tjetër me titullin kuptimplotë “Erotike”. Na duket se i vetmi element erotik që mund të konsumojë poeti âsht hakmarrja ndaj atyne që ai dëshiron t’i caktojë si shkaktarë të pamundsisë së tij. Edhe ktu âsht prap inversiv. Në vend që poezinë ta titullojë “Hakmarrje për erotizmin e parealizuem”, ai merr vetëm njenin element të frazës që do të pasqyronte realisht temën. Poeti po rri me nji vajzë në breg të liqenit dhe e ama e saj e thrret që të mos rrijë me poetin. Komentet e nanës së vajzës Reshpja i parashikon dhe fajin për opinionin e saj nuk e ka ajo vetë, por Lekë Dukagjini që, me kanun, nuk lejoka dashuninë mes djalit e vajzës, ose ajo mâ e randa dhe mâ cinikja, për sintoninë cinike me frymën e kohës, âsht se vjersha mbyllet me akuzën që i ban Reshpja murgjëve sekretarë e kancelarë të Lek Dukagjinit kur, në Mesjetë të thellë, shkruente ligjet e kanunit dhe ndalonte dashuninë e tij mbas 500 vjetësh(!?!). Nji tjetër përpjekje – nuk di nëse e suksesshme apo jo – e arratisjes së Reshpes nga vetja e vet për t’i shkarkue fajet mbi të tjerët:
 
Dëgjo, të thërrasin./ Vërë re si zvarrisen në këtë zë
sandalet e murgjve që nga rëra e viteve!
 
I mshefun mirë nën fjalët e tij, Reshpja hjedh në eter dhimbjen e tij, ndërsa, nga ana tjetër, ose luen të ngopunin, ose akuzon të tretët që ia rrëmbejnë rastet e erotizmit. Kur i kndon Anilës, i kndon me patos të dobsuem, dashunia i ikë prej duersh dhe ky e len me i ikë prej duersh, a thue se ikja âsht nji destinacion mâ i randsishëm se konsumimi. Por ankimi mbetet dhe kjo na detyron me gjetë fillin real të gjanave. Anila fluturon si zog mbi çatitë e shtëpive dhe ai hedonizëm mishtor që nuk realizohet për poetin, sublimohet si imazh poetik për t’u konsumue si hedonizëm estetik, gjithsesi shpirtnor.
Sikurse mund të shifet prej shembujve të stërshumtë që e popullojnë poezinë e tij të para 90-ës, Reshpja e ka konstatue defektin e vet fiziologjik dhe me njimijë mnyra mundohet ta largojë kumtin e tij tragjik mbi vetdijën e tij. Me gjithfarë stratagjemash e me gjithfarë bishtnimesh, ai përpiqet ta prapsojë efektin depresiv të ksaj të vërtete, tue invertue rolet, tue u shtie si normal mes anormalësh, tue akuzue historinë, ligjvumësit e murgjit për fatkeqsinë e vet, tue bâ demokratin me dashunitë që vijnë vetëm për të ikë dhe për t’i falë Reshpes vetëm poetikën e nji ikje në rrugë ajrore prej zogjsh. Teknikat janë të shumta dhe me shkallzimet e veta, gjâ që tregon se ai kshtu e paqtonte brengën e vet, derisa nji metodë nuk e qetsonte mâ dhe ai shpikte tjetrën. Gjithsesi duhet thanë se ai njeri, me vetdije e edukim mashkullor e patriarkal, e ka pasë shum të vështirë me e shpërfaqë të vërtetën e vet, me ia thanë lexuesit atë që ai di për veten. Zbulimet e tij janë të çastit dhe ai nuk e ul kurr vigjilencën para nevojës së të qenit i sinqertë. Te poemthi për Shkodrën ai e rimerr edhe njiherë temën e dashunisë, flet për nji vajzë që e kishte dashunue, mandej nga landa e saj konkrete kalon vertikalisht të përshkrimi i syve të saj që përfundojnë me pejzazhe krepuskolare, me prendime dielli dhe silueta shelgjesh. Kudo dashunitë e tij prej andrre, ku palandsinë e tyne duhet ta kompensojë nji estetizëm i imagjinuem – shpesh ndihet shtrëngzimi estetik – irreal, fantastik, impersonal, por edhe dekadent dhe krepuskolar:
 
Në këtë qytet që agoi mes zërit tim,/ banon e dashura ime;
e dashura ime i ka sytë në ngjyrën e qiellit (në momentin e përendimit).
Sikur sytë e saj kanë dalë nga ky moment/
nga ky moment i prerë prej shelgjeve që u ka rënë muzgu përsipër.
 
Në ketë njisi poetike që mund të merret si strofë kemi disa sheja parathanëse të asaj që do të bâhet poeti, mbasi t’i kenë mbarue stratagjemat dhe dredhitë, mbasi t’i ketë konsumue të gjitha mundsitë e mshefjes dhe të shprehjes deri te limiti i zbulimit që ai i ka caktue vetes. Kemi dy metafora bazë në kta katër vargje momenti i perëndimit dhe shelgjet që u ka rënë muzgu përsipër. Mbas të gjitha atynë që kemi rreshtue deri tash për tê, Reshpja duket i përfunduem qysh në fillim të vjetëve ’70. E dashuna e tij i ka sŷtë ngjyrë prendimi, pra që shuhen si shpresa e tij dhe fillon adoptimi i shelgut si simbol me konotacione vetëm vizuale, ku përkulja e kunorës së ksaj bime sugjeron idenë e kputjes, plakjes, gërmuçimit, dekadencës dhe rrënimit. Dhe ashtu ndodhi me F. Reshpen. Muzgu dhe shelgu, njeni në kurriz të tjetrit dhe shelgu i përkulun, i shkrehun e i pazoti me u drejtue, me u ngritë shul si të gjitha pemët e tjera. Autoportret dhe autoprofeci ? Alegori dhe hjedhje të tërthorta. Pafuqi me e ndalë veten në rrugën drejt honit dhe agonisë së gjatë. Simboli i shelgut âsht distanca mâ e shkurtë që na ka lejue ky autor me iu qasë enigmës së tij bazale.
Mâ parë se me marrë në shqyrtim disa simbole a shêja karakteristike me të cilat ndërton imazherinë e ligjërimit të tij poetik, më duket se do të ishte me vend të gjurmonim elementë të përhershëm të F. Reshpes, të cilët dalin që në krye të herës dhe e shoqnojnë atê deri në shkrimet e fundit.
Elementët protokollarë të nji politike partie dhe të nji propagande janë landë e lidhun me historinë dhe çastin konkret. Ata zhduken e zhdavariten, sapo mbaron stina e tyne. Por qysh në kohën e naltë të RS, me të cilin Reshpja ishte rrokë e përqafue thellë e në mnyrë të pazgjidhshme, dallojmë elementë të cilët do t’i rikthehen vargjeve të tij edhe në kohë të tjera, tue na e dhanë të drejtën me i quejtë ata si elementë konstitutivë të lirikës dhe, bile, edhe me i gradue deri në statusin e simbolit. RS ishte pjesë e sistemit shtetnor komunist, ai kishte ADN-në e tij si dhe përcillte të gjitha shqetsimet e ankthet e tij me nji frymë të përkundërt. Problemit kryqsor të mbajtjes së pushtetit, arti dhe, sidomos arti i fjalës, i përgjigjej me optimizmin e së ardhmes, me hapjen e dimensioneve të pafundsisë dhe të përjetësisë, madje edhe të pavdeksisë, nocione që deri tashti kishin qenë ekskluzivitete të religjioneve dhe spiritualitetit metafizik. Berdjajev-i në veprën e vet madhore “Të vërteta dhe gënjeshtra të komunizmit”, ka nxjerrë në pah lidhjet analogjike të komunizmit ideologjik me kristianitetin, tue thanë shprehimisht: “Komunizmi thotë shum të vërteta dhe vetëm nji gënjeshtër: atê që nuk ka Zot. Dhe vetëm kjo gënjeshtër mjafton që të gjitha të vërtetat e tij të shkatrrohen e të shpartallisen.”8
Poezia oborrtare e RS kishte marrë përsipër me i dhanë arteve dhe letërsisë nji vlerë spirituale, nji spiritualitet. E paaftë për të spiritualizue nji sistem determinist materialist, në mnyrë tinzare RS filloi t’i huajë disa kategori prej ideologjive fetare siç ishin ato të sipërpërmendunat: pafundsia, amshimi dhe pavdeksia. I vetmi spiritualitet që mund të haset në artet e RS janë kto tri nocione, të cilat janë nocione të kullueta e të damkosuna si fetare. Për ta realizue ket qëllim, shkrimtarët e poetët iu drejtuen nji mekanizmi mbrendagjuhsor shum sugjerues dhe e përgjithsuen në të gjithë stilin artistik. I mahnitun prej ktij ekspresioni të ri që e futën në stil të gjanë Kadareja dhe Agolli, por edhe Arapi e ndonji tjetër, Reshpja do të konformohej dhe do ta përdorte deri në keqpërdorim, por, ajo që âsht mâ e randsishmja, do ta ruente për gjithë jetën si mekanizëm i sigurtë që ia amplifikonte shprehjen.
RS solli përdorimin në stil të gjanë të njifarë lokativi të shprehun me të pashquemen e rasës rrjedhore shumës. Po kshtu u shfaqën togfjalësha emnorë ku gjymtyra e dytë ishte nji emën i rasës gjinore të pashqueme shumës dhe që leksikalisht shprehte nocione kohe ose hapsine. Kto forma dhe ndërtime gramatikore u zbuluen poetikisht dhe morën frekuencë të madhe në poezitë sidomos. Me të thanë mendja, se nji poezi nuk mund të tingllojë si e RS pa kto struktura të kalluna në trup. Marrim disa shembuj te Reshpja sepse ai ndoshta i ka “lodhë” mâ shum se asnji tjetër kto sajesa gjuhsore, sepse ka vazhdue me ua shtrydhë kapacitetet e sugjerimit spiritual edhe në krijimet e tij të mbas shembjes së ngrehinës së RS. Ktu kemi disa shembuj:
 
që zvarrisen përjetësisht nëpër plloçat e shekujve
ose
këto iniciale do t’i lexonim edhe nëpër murin e kohërave
ose
se zëri im nuk mund të merrte formën e mbrëmjeve
ose
si një katund yjesh, i ndërtuar në breg të kaltërsive
ose
Dhe kooperativistët pleq dalin gardheve etj, etj.
 
Por edhe në vllimet e mbas 90-ës, Reshpja nuk e braktis ketë gjuhë me trademark të deklaruem realsocialist. Te vjersha “Këngë lahute” prej vllimit “Lirika të zgjedhuna”, faqe 38.9
 
Më zuri gjumi i balladave/Dalin etrit pleq në prag të rapsodive.
 
Mund të thuhet se, nëse në shkrimet e tij simbas metodës së RS, kto struktura përdoreshin për me sugjerue apoteozën hapsinore dhe kohore të “sistemit socialist”, në shkrimet e tij të mbas 90-ës, Reshpes i kanë ridalë me efektin e sugjerimit të pafundsisë së dhimbjes dhe tensionit të pafashitshëm.
 
Disa simbole
Kemi qëmtue disa fjalë që udhtojnë nga vllimi në vllim dhe nuk kanë psue vetëm ndonji ndryshim modal në krejt krijimtarinë e Reshpes.
 
Zëri
Kjo fjalë me funksione të dukshme simbolike del rëndom në të gjithë librat e Reshpes. Kuptimi i saj nuk âsht krejt ashtu transparent, ka nji formulë hermetike nën kët tog tingujsh që, gjithsesi denoton nji element të pangatrrueshëm të njeriut. Përdorimet e tjera mbi botën e kafshëve ose mbi sendet, janë shtrimje metonimike të kuptimit. Fjalën zëri Reshpja e ka përdorë si nji gjetje të vetën, por edhe jo shum të largët me rëndomsitë e kohës së diktaturës, kur organi mâ i randsishëm dhe tribuna e jetës politiko-shoqnore shpallej në gazetën nr. 1 të vendit Zëri i popullit, që aso kohe quhej për shkurt Zëri. Ketë fjalë Reshpja e përdor në hymjen e vllimit “Në këtë qytet” tek vjersha “Kurorë dëshmorëve”: Vë zërin tim të bërë kurorë
 
ose pak mâ poshtë në të njajtën vjershë:
 
Zërin tim të bërë kurorë,/ zërin, që në gjunjë ka rënë,/ po vë mbi mermerin tuaj!
 
Ky simbol ka nji përmbajtje mjaft evazive dhe të papërcaktueme, tamam landë poetike që i rrëshqet analizës dhe nuk mund ta rrokësh lehtë. E din deri diku se ku sillesh, por nuk e thue me nji fjalë, madje as mund ta perifrazosh në mnyrë shterruese. Kjo fjalë âsht tipike e prozodisë së RS, nji pozë letrare bolshevike, që, në mungesë të pasunisë dhe në përbuzje të saj, patriarkët e “humanizmit socialist” (ndonji Majakovski) e përdornin me tregue vlerën personale të individit në revolucion, por edhe të poetit, i cili nuk ka asgjâ mbas shpirtit përveç fjalës – dhe kjo jo e shkrueme, por e deklamueme. Mbas të gjitha atyne që i ndodhën socializmit prej veprimit të kohës dhe njerzve prej kalimit sipër tyne të socializmit, simboli zëri im, âsht nji figurë fodulle e deri qesharake me elementë të donkishotizmit, e dhimbshme për ata që ende na duket se e kishin besue dhe fort raffinato për ata që e përdorën me sukses për karriera të atëhershme e të mâpastajme. Përfund, tingllimi i ksaj fjalë në buzët e F. Reshpes tingllon shum qesharak dhe i patakat, tue mbajtë parasŷsh problemin e tij të madh me të cilin ai, me siguri, ishte përballë dhe po përpëlitej qysh në kohën kur e përdorte ket simbol me solemnitet dhe bindje prej njeriu pa respekt për veten e vet. Sidoqoftë kjo fjalë në gojën e nji poeti të RS ka kuptimin e personalitetit (gjithsesi të dhanë), të gjenialitetit (gjithsesi të pretenduem) e të nji vetdije kolektive (gjithsesi të parashkrueme), e cila vetëm në raste të tilla solemne e zyrtare, guxon të shkëputet prej asaj kolektive dhe të faktorizohet si veçanti.
 
Era
Edhe ky âsht nji simbol i kudondodhshëm te Reshpja. Fillim e mbarim mbi shkrimet e tij fryn erë. Era âsht simbol i trazimit, por edhe i sugjerimit të shkallëve të ktij trazimi. Por gjithsesi era âsht nji element shum i fuqishëm e dinamik, trazues e rropamëmadh që vjen prej askund dhe shkon në askund. Ajri në lvizje që e shkakton âsht i padukshëm, i palexueshëm dhe i paparashikueshëm. Vargjet e tij janë të prirta, “korsive”, mbi ta fryn vazhdimisht erë. Nji erë që vjen prej rropullive të qenies së tij dhe ia trazon pa derman ditët e netët e jetës. Ajo i përngjet kryekput asaj që ai di për veten e tij dhe që, kurr nuk shfaqet, kurr nuk lexohet, kurr nuk shpërfaqet, por gjykohet prej partallave që dallga qet herëmbashere në breg, Reshpja fenomenologjik në konflikt të përjetshëm me Reshpen noumenologjik. Qenie agnostike ky poet dhe interesante edhe për ket fakt. Por era ka edhe nji funksion tjetër shum special e gjithsesi mistik. Ajo t’i rreh veshët dhe të pëshpërit. Për plazmën e ndjeshme të poetit kjo pëshpëritje âsht zavendsuesi i nji dialogu shum serioz me veten dhe nji dalje sado e shkurtë prej dënimit me vetmi. Nji erë e tillë që mërmërit te veshi, âsht nji rast i bukur me u kthye te kohët e lumtuna, kur njeriu ende nuk e ka takue veten dhe bota âsht nji kafshatë molle për orekset e tij vigane. Me efekt komprese ose si luejtje në play back e nji lirishte në kujtesë, ajo funksionon si nji prej rrugëve mâ të shpejta për nji arratisje prej vetes tande të rritun.
 
Pylli, drurët, shelgjet
Pylli âsht nji simbol sugjerues që ka lidhje me zërin dhe erën. Pylli âsht objekti ku era prodhon zë. Mendojmë se simbolet e Reshpes nuk janë të hallakatuna e të stërpikuna. Problemi serioz i personalitetit të tij dhe graviteti i tij ka krijue me kohë nji bosht rreth të cilit krijohen, rrotullohen e funksionojnë mjetet e tij të shprehjes. Sapo e kemi pohue në mnyrë të tërthortë se te Reshpja simbolet veprojnë në sistem dhe mbrenda tij. Landësisht ata janë asociativë dhe, ksisoj, sigurojnë nji funksionim të parreshtun edhe kur mbyllen metodat, edhe kur bie sipari midis epokave. Ata janë krijesa të qenies së tij, mjetet e tij të komunikimit me vetveten dhe të tjerët dhe përfaqsojnë elementët bazalë të dëshmitarisë së tij, përsa rrojti mbi ketë tokë.
Pylli âsht simbol i njoftun edhe në letërsi të tjera, edhe në drejtime letrare që kanë hŷ në letërsi me kontribute të shterrueme. Pylli del si simbol i vetmisë, i të vetmuemve. Njeriu i vetmuem në kuptimin ekzistencial nuk âsht njeriu që nuk ka rreth vetes njerz fizikë. Robinson Crusoe nuk quhet i vetmuem, pse jeton i hedhun prej lundërthyemjes në nji ishull të shkretë. Njeriu ekzistencialisht i vetmuem âsht njeriu që jeton në qytete të mdha, mes njerzish dhe me njerzit, por pa ta. Picasso thoshte: “Po të mos ishte pasioni im i çmendun për korridat dhe lojën me demat, kurr nuk do të shkelja në arenat. Mes nji turme kaq të madhe njerzish, ndihem tmerrsisht i vetmuem.” 10Vetmia ekzistenciale âsht jo mungesa fizike e njerzve përreth, por paaftsia me krijue raporte lirie me të tjerët, pamundsia me funksionue si individ dhe me kooptue me ta. Vetmia âsht mosfunksionimi i asaj valence korrelacioni me të tjerët, për aq sa na të mos ndjejmë nevojën organike për nji vetmi të kërkueme për nji krijim që e ka të vetin ket kusht.
Pylli âsht element që ofron në mos asociacion, të paktën analogji me vetminë. Mes pyllit je i rrethuem me sende të ngjashme me njena tjetrën, pingule, të barazlargueme, lëvizëse dhe pëshpëritëse, që gjenden në nji komunitet të pafund si njerzit në qytetet e mdha. Por komunikimi me ta âsht hiç. Ndihesh i rrethuem prej mospranisë së tyne. Ekuacionit matematik nji me shum i përgjigjet ai ekzistencial nji me asnji. Edhe Baudelaire-i në poezinë e vet të famshme Obsession11 vuen prej sindromës së vetmisë, të cilën e lidh me pyjet: Pyje të mdhej, ju më tmerroni si katedralet.
Por pemët janë drûj dhe druni për antonomazi âsht landa që përdorim për me përcaktue të pandieshmen, të pareagueshmen, të kundërten e mishit e lkurës njerzore. Shpesh poezia e tij i përdorë drûtë si sinonimi për simbolin e “lodhun” pyll. Por drûtë të marra si pemë pylli ose jo, kanë çerdhet përsipër dhe zogjtë që rrinë në kto çerdhe. Pa nji interpretim të thellë me rezonanca ontologjike dhe ekzistenciale, fjalori i Reshpes do të na bante me kujtue se kemi përpara nji shkrimtar për mosha të mituna. Çerdhja i vjen si mirazh i pamundun me u pasë, e hypun atje maje nji druni “të pandieshëm”, por që mbrendë ka vetëm zogj, vetëm zogj që ikin e që ai duhet të knaqet që ikin, duhet t’ia poetizojë ikjen si e vetmja gjâ, të cilën ai mund ta zotnojë në tansinë e gjithë atyne zotnimeve të parealizueshme. Zogjtë marrin statusin e simbolit të ikjes së pashkak. Ata vetëm ikin, pavarsisht nëse ti u afrohesh me nijetin e mirë apo të keq. Ata nuk dallojnë, janë të verbët, dinë vetëm me ikë, por ikin bukur, thotë Reshpja. Dhe kshtu e gjithë ajo që ndodh mbrenda tij e që ai nuk mund ta shpërfaqë në lakuriqsinë e vet, ka korrespondenten e vet në botën e sendeve tjera që ofrojnë analogji. Gjetja e ktyne analogjive e okupon sapak menden e poetit dhe ai ndërton portretin e mbrendshëm apo edhe të jashtëm të nji Reshpje të dytë me grimca simbolesh e analogjish, tamam sikurse bante Arcimboldo-ja me portetet e veta, tue përdorë fruta dhe perime të ndryshme mbi ftyrat e portreteve. Dhe kur diçka, sado e vogël, e dikujt del përjashta atëherë ajo len nji dalje mbas veti që, për lexuesin e studiuesin, bâhet automatikisht hymje.
Shelgjet janë edhe ata nji simbol i poezisë së Reshpes me nji frekuencë relativisht të madhe. Shelgu âsht drû, jeton në koloni, pra sajon njifarë pylli, por për kta u fol. Shelgu ka nji karakteristikë tjetër se degët e tij janë të përkulshme dhe ai rri normalisht i prirun, degët i varen dhe pamja e tij âsht pothuejse e përkulun, e brishtë dhe e hallakatun prej erës mâ të lehtë. Shelgu edhe kur âsht i ri e i njomë, ka pamjen e plakut, të moshuemit dhe të leqendisunit. Shelgjet – sidomos salix lugens i parqeve tona – jep pamjen e nji njeriu të përkulun, zverkkputun në aktin e gjatë të nji rrzimi pa kthim. Ky simbol del qysh në periudhen e tij të RS, në kontekste mjaft piktorike dhe në atë kohë ishte fort e vshtirë, kujtoj, që dikush me kapë vlerën simbolike të ktij elementi që rrinte i mshefun mirë në kuadrin e nji pejzazhi fshatarak.
Shtegtimi i të njajtëve simbole nga nji stinë në tjetrën, nga nji periudhë në tjetrën, madje, nga nji metodë në nji “pametodë”, mund të merret fare mirë si argument i ekzistencës së përhershme të nji baze psikalgjike te autori, si argument i falsitetit të angazhimit të tij në nji periudhë angazhimi të detyrueshme. Kuptojmë se, mbas periudhës së burgut, të cilën nuk e përmend askund (na i dhamë disa spjegime simbas linjës sonë rreth ksaj heshtje), ai do të sendërgjojë simbole të rij pa i humbë të vjetrit, zbërthimi i të cilëve na çon me kuptue metamorfozat e autorit nën veprimin e kohës, “pjekunisë”, si dhe raporteve të reja që Reshpja do të ketë në ketë fazë të dytë e të vonë me brengën e vet të pashërueshme.
Në ketë pjesë të dytë e të vonë Reshpja duket se e ndien mâ pak defektin fatal, duket se ka ndryshue stratagjemën e vet të dikurshme të arratisjes nga vetja, sepse, simbas asaj që rezulton, kjo mnyrë kryesisht e rinisë dhe e fillimeve të pjekunisë kishte efektin e morfinës, që, atypëraty, ta pushon dhimbjen, mandej dhimbja kthehet edhe mâ e ndërkryeme, edhe mâ e tërbueme, edhe mâ hakmarrëse. Zaten, Reshpja me kohë i ka konsumue të gjitha mnyrat e arratisjes së vetes: RS, burgun, lirizmin elementar me rê, qiell e sende jashtatoksore e mbitoksore, evokimi i ilirizmit, evokimi i iliadave, evokimi i troiave, evokimi i paganizmit, evokimi i balladave e i epeve me enigma dhe me rrugë të tranzitueshme mes jetës e vorrit, inversioni i gjendjeve, tërthorsia e ligjërimit, zhdukja e vetes nga pesha e tmerrshme e saj. Në moshën përmbi 50 vjeçare (ah, sa do të na ndihmonte Reshpja, po ta kishte zakonin me i vû nji datë vjeti poezive të tij) Reshpja duket se e ka fitue vetdijën e bashkëbanimit me fatkeqsinë e tij dhe, pak a shum, ketë gjâ e ka pranue nën formulën e fatit, ose të enigmës që ai nuk e shtjellon kurr, por ravgimi i tij nëpër të panjoftunën dhe kputja e fillit logjik të rrfimit poetik, tregojnë mirë se në ç’terren âsht tue shkelë mendërisht poeti. Karakteri eklektik i teksturës poetike, kapërcimet e pahirta si dhe trokitja pa masë në derën e idesë fikse, janë teknika të surrealizmit mâ të kulluet, të cilat i kanë “përdorë” me efekt të madh shprehës De Chirico, S. Dali dhe René Magritte. Ata trokitën fort në derën e madhe të enigmës, nuk e hapën, por lanë shêja të thella mbi tê. Na duket se në periudhën e vonë të jetës mâ fort se uria natyrale dhe inanicioni, energjinë Reshpes ia jep enigma dhe pyetja dërmuese: Pse mue kjo? Pse ky fat “kurrizthyer” për mue? Dhe mâ fort se faktorët e natyrës, enigma e ban me harbue Pikllimin.
Në ketë fazë autori ka ndrrue taktikën. Ai âsht ndalue para vetes, nuk do që të arratiset mâ, don me e përballue veten, brengën, don me u ndalë para saj me e shikue në sŷ dhe me e zbutë në nji mnyrë tjetër: tue e përshkrue. Kjo vetdije e naltë arti duket se i erdhi vonë Reshpes. Do prej klimës komanduese të RS e kanuneve vetëpërjashtuese, do prej ravgimit të madh nëpër burgje, kjo vetdije i krijohet autorit në nji moshë kur ai âsht rrënue edhe me shndet dhe ka krijue figurën e njeriut strambo, që vetëm mund ta mëshirosh, por nuk mund ta bâsh bashkëpuntor. Shum miq e dashamirës të vërtetë të tij na tregojnë sesi Reshpja në kohët e fundit ishte njeri krejt jashtë bote, ishte kthye në holofrast, habiste të gjithë me fatin që i caktonte dorëshkrimeve të veta, fantazonte dhe dhe shkonte deri në gjendje halucinacioni kur përshkruente takime dhe punë të tij që s’mund të ndodhnin kurr. Por mbrenda vetes së tij, mbas vendimit që kishte marrë mos me i ikë ma vetes dhe atyne realiteteve tashmâ të stërsprovueme dhe të konsumueme në moskonsumim, kishte ndodhë nji diçka shum e randsishme. Ai kishte fitue ndëgjegjen e nji përvoje speciale, anipse negative dhe thellsisht brengosëse, dhe kishte vendosë me i dhanë vlerë ksaj përvoje me anë të dëshmitarisë mbi tê si nji histori njerzore.
Qetsia relative që fiton autori mbas ktij vendimi e që i bie me qenë objektivizim i dhimbjes dhe njifarë pakti bashkëjetese me tê, shënon edhe fazën e fundit të dukshme të krijimtarisë së tij. Dyzimi i tij i torturës së gjatë kthehet në tjetërsim (alteracion) të dhimbjes, ajo bâhet nji qenie e ngjitun me autorin, e pandashme me tê, por që ka njifarë autonomie. Reshpja i ndien praninë, por peshën jo mâ. Dhe ky ka qenë rasti ideal i marrjes me dhimbjen, i poetifikimit mbi tê. Ai vazhdon me qenë kontradiktor si në fillimet e vetkonstatimit, por dhimbjen e ka vû nën lupë dhe po e kundron me përfitim. Ky ishte rasti i madh i poetit. Nga pësues i vetvetes, tashti ai po kthehet në përfitues i vetvetes. Arti me ksilloj lande ndërton. Me dhimbje, brengë e torturë të pakuptueshme. Njeriu dhe vetëm ai mund ta kthejë vuejtjen e tij të thellë në materie të ndritshme arti. Kjo âsht metamorfoza mâ e dobishme, ajo që të autorizon edhe fodullëkun, edhe krenarinë, por edhe kreninë. Njeriu që âsht ndalë, i ndjekun nga dhimbja dhe brenga, për ta shikue në sŷ dhe për ta përshkrue, ka fitue diçka të madhe e të paçmueshme që nuk e kishte mâ përpara: dinjitetin. Dhe, qe, sesi thotë te poema e fundit e vllimit “Lirika të zgjedhuna”:
 
Këndoj për tërë ata që ikin/ Dhe që nuk do të kthehen kurrë më
Dhe për tërë të braktisurit/ Dinjitozë deri në dhëmbje.12
 
Koha dhe pjekunia, rysja me fatkeqsinë dhe asnji kompromis me tê, objektivizimi i brengës dhe ballafaqimi me tê, janë shêja të nji dinjiteti që e kthen qaramanin në artist që e bart me dinjitet kryqin e vet ekzistencial. Mâ në fund ai duket sikur e ka kuptue se arti âsht nji rrugë e vshtirë ku njeriu nuk ven vetëm idetë e veta në lojë, por krejt qenien, dhimbjen, vuejtjet, e gjithërropatjen e tij ekzistenciale.
Dhimbja âsht sublimue dhe nuk e nxjerr mâ autorin “jashtë shinash”. Vendimi i tij ose edhe, ndoshta, të msuemit me dhimbjen, ose edhe mâ keq vartësia (nji lloj addiction) me dhimbjen, nuk mund t’i ndodhnin autorit pa katalizën e artit. Na duhet me e pranue se edhe arti âsht patjetër nji lloj arratisje, por kjo arratisje do të ishte e nji lloji tjetër. Kjo nuk do të ishte nji arratisje drejt kotsisë dhe nji kthim i pahirtë gjithmonë atje ku ishte nisë. Arti do të ishte nji arratisje drejt plotnisë. Me artin âsht i siguruem krijimi dhe, me krijimin, shansi me jetue dy herë, sikurse thotë Camus-ja. Arti nuk ia zvoglonte dëshprimin, as edhe pikllimin. Dëshprimi dhe pikllimi i tij mbeteshin atje, të egjër e të paprekun, kaustikë dhe shpirtngranës. Epshi dhe transporti gjatë aktit të krijimit, ramja në tê e vetes, vetdija graduale e rezultateve të knaqshme të vetnjoftjes e orientuen poetin drejt artit si i vetmi antidot ndaj gjendjeve të stërzgjatuna, por edhe ndaj sfidës reale ndaj vdekjes. Reshpja ksaj here ka fitue nji fodullëk të “besueshëm”, të cilin e ka ble me dhimbjen e vet dhe çmimin e dhimbjes personale dhe jo me pozën “metodike” të nji shkolle që e quente dinakisht parësore vetdijën kolektive. Arti po profilohej si nji qëllim që mund ta justifikonte edhe ashtu ekzistencën e poetit. Sepse arti prej vetiu âsht shprehje e mungesës dhe shum rrallë e bollëkut. Pastaj arti âsht pasqyra e vetes tande mâ të bukur dhe, ksisoj, artisti mund ta sfumojë sadopak, por përgjithnji dhimbjen për veten e vet të papërsosun. Arti realizon dhe ky lloj realizimi krijon nji gjendje shpirti për autorin dhe nji realitet virtual me veprën, që e relativizon shum fuqinë e brengës.
Reshpja nuk mund ta zhdukë dhimbjen, ai do të provojë me e kultivue. Ballafaqimi me tê do ta bajë të bashkëmatshëm me tê dhe ky familjaritet i fituem ngadalë mes të dyve do të themelojë njifarë solidariteti mes tyne. Në nji poezi ai thotë:
 
Mirpo unë jam pagan i vjetër,/ Për fat të keq nuk ndjehem mirë,
Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet/ Kam edhe unë për prehje dhëmbjen time.
 
I vetmi familjarizim i vërtetë âsht njoftja. Reshpja do të fillojë ta njofë brengën e vet si diçka jashtë vetes dhe si send të pavarun. Kjo lehtëson shum. Përjashtëzimi âsht librim, âsht divorc me votrën e torturës. E para ndërhymje me qëllim njoftës âsht “matja” e brengës. Kuja dhe lotët flasin për nji dhimbje të madhe, por jo për nji dhimbje të madhe dhe të transmetueshme. Filokteti kishte mbetë shum vjet në ishull, tue bërtitë e tue bubullue, por njerzit kishin qenë indiferentë, sepse ai s’ua transmetonte dot masën e dhimbjes që ndjente në trup. Arti i Reshpes nga egocentrist mund të bâhet i transmetueshëm edhe për të tjerët. Dhimbja e tij përmes empatisë mund të bâhet edhe e të mâ shumëve.
Unë mendoj se nji përpjekje e mrekullueshme për ta matë dhimbjen e sakrificën e vet, ndodh në kta vargje:
 
Tutje pas mjegullës, perënditë ilire/ Dëgjonin ankthin e gurit: Imzot
Si më këmbeve me një qytet/ Që s’më këmbeje as me zotat?13
 
Rozafa punon për llogari të poetit në matjen e humbjes së dashunisë e të familjes. Të msuem tashma me inversionet dhe format e tërthorta të Reshpes, na ndjejmë kambënguljen e tij për të mos e zbulue burimin e brengës. Në art nuk ka randsi burimi i brengës, ka randsi ajo, pesha, masa, intensiteti. Kushedi se kujt i flet Reshpja me fjalët që ven në gojë të Rozafës. Por çmimi âsht kolosal. Mâ i madh se vlera e nji qyteti, mâ e madhe se vlera e perëndive. Matja që i ka bâ dhimbjes, nuk âsht vetëm e barazvlefshmja e nji shifre, por ajo kuptohet si zotnim, si përmbysje e roleve. Deri tashti dhimbja e sundonte dhe ai qante me të madhe si nji fmijë ose si nji grue e dobët. Tashti ai ven Rozafën t’ia masë brengën, bile brengën e përbashkët. Jo vetëm që e ka zotnue dhimbjen, por ka gjetë edhe të tjerë që kanë të njajtin hall si ai. E kë? Rozafën, nusen tragjike të legjendës së murosjes, që, mbas të gjithave, jeton në shekuj (qysh prej kohësh ilire, beson poeti). Me nji të rame, me nji trop poetik e me katalizën e artit, ai ka fitue shumçka: zotnimin e dhimbjes, solidaritetin e nji legjende dhe të nji figure legjendare si dhe përjetsinë që kanë për tê legjendat. Atëherë lumi i dhimbjes së tij ndrron shtrat. Nga rrjedhje mbi terrenin e ashpër të përvojës së tij, ajo fillon me rrjedhë në terrenin e rrafshët të hapsinës e të kohës estetike. Autori shtrëngon dorën dhe e ndien produktin e tij, jeta e tij mund ta marrë njifarë kuptimi mbas gjithë asaj batërdie dhe ai, me nji qetsi që nuk na e ka rrfye kurr, thotë:
 
Jo, unë nuk deshta të ik nëpër qiej,/ Unë deshta të ik nëpër këngë.14
 
Ky mëtim i tij âsht shum serioz ketë herë. Ketë herë ai do të jetojë qoftë edhe mbrenda formës virtuale të veprës së artit, ku ajo âsht pjesa e bleme mâ shtrêjtë dhe e kthyeme në metalin mâ të pashkatrrueshëm: fjalën poetike.
Poeti ka gjetë nji lloj “karari”, e ka stabilizue situatën dhe i lejon vetes ndonji llogari në fushën e ardhmënisë:
 
S’dua të trishtohet kush për fatin tim,/ Se për fatin tim trishtohem vetë;
Mermer i thyer i Perëndisë së Humbjes:/ Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë.15
 
Ksaj radhe na shfaqet nji fjalë krejt e re dhe krejt në diametralitet me fjalorin për jazë e trishtimin e dendun që e shoqnon lexuesin nëpër faqet e Reshpes. Ketë herë ai flet edhe për lavdi. Lavdia âsht papritmas nji element entuziazmues i toneve të ngrituna dhe i rigjetjes së motiveve të jetës. Çfarë mund t’i ketë ndodhë Reshpes në ketë çast? Nji zgjim i papritun mbi vlerën e randë të transaksionit dhimbje – lavdi, apo vetdija e beftë e dëshmitarisë që po ban me kaq kosto? Diçka ka ndodhë, sapo në mes ka hŷ vetdija sovrane e artit dhe fati i keq fillon të shfaqet si nji monedhë që ka dy faqe. Bile, ktu po ndodh diçka edhe mâ e madhe me Reshpen. Ai shfaq njifarë shqetsimi që dikush mund të pikllohet me fatin e tij. Tashmâ në evidencat e veçantisë së përjetimeve të tij, bashkë me shfaqjen e monedhës dyfaqëshe, âsht shfaqë edhe ekuacioni pikllim = art = lavdi = përjetsi. Të gjitha kto fjalë nuk i kemi shpikë na. Ato kanë dalë si literalitete ose si parafrazime njikuptimshe e të padyshimta.
Tashti Reshpja nuk po flet mâ për vetmi. Madje, na duket sikur po kërkon të jetojë në vetmi, pa solidaritetin e të tjerëve. Ky nuk âsht nji hov fodullëku për solidaritetin e munguem të të tjerëve që nuk ka ardhë kurr edhe mbas thirrjesh e qamjesh prej Filokteti. Jo. Ai ka themelue nji solidaritet tjetër mbrenda vetes, ka fitue vetdijen e cilësisë së artit që prodhon dhe, përveç ksaj, ka ndie mâ realin dhe mâ ngushlluesin prej lehtësimeve: atê që buron prej krijimtarisë dhe realizimit, adekuatsinë e përjetimit me sublimimin në art, vlerën e dyzimit jo në nji vetje anmike dhe torturuese, por vetjen në gur, mermer, në landë të pashkatrrueshme të artit. Ky njeri që tashti jeton mbrenda vargjeve dhe prej vargjeve të tij, âsht Reshpja i realizuem në nji formë tjetër, në formën e sajueme nga alkimia estetike e dhimbjes që kthehet në vetdije universale e pakohore. Prandej, mbasi ka qenë ai vetë që e ka pague ket barrë, nuk do që njeri t’i afrohet jetës së tij se, kshtu, ai mund t’i kërkojë pjesë në lavdi. Por tashti, kush të dojë, le t’i afrohet veprës dhe vetëm nëpërmjet saj të solidarizohet me poetin, por jo mâ tue marrë pjesë në pikllimin e trishtimet e tij, por tue admirue artin e tij lidhë me pikllimet e trishtimet.
Por Reshpja mbeti gjithë jetën introvers dhe hileqar. Ktej i gërthet botës dhimbjen që ka, ktej nuk e zbulon kurrkund shkakun. Madje, në ndonji varg, sfidon botën, tue e akuzue se nuk e kupton. Si introvers që ishte, ai grumbullonte gjithnji nji energji të madhe mbrenda vetes, e cila gjithnji rezultonte si nji faktor i përhershëm vetshkatrrues. Introversiteti i tij ishte forca shkatrruese mbi tê, e mbajtun në kambë prej moralit si dhe, mâ konkretisht, prej karakterit ekskluzivisht maskulist të shoqnisë shqiptare. Prirja introverse ishte mina me fitil të ndezun dhe agonia e saj në qendrën e nji qenie të brishtë dhe të papërcaktueme. Reshpja e shkriu jetën në kërkim të nji identiteti që do të pajtonte introversin me narcizin që ai e mbante mbrenda vetes. Narcizi i duhej gjithnji për të zgjidhë të gjitha emergjencat, kur ai kërcnohej prej vetshkatrrimit. Introversiteti i duhej për ta mbrojtë nga shkatrrimi mbrenda nji shoqnie maskuliste. Problemi i tij bazik do të ishte nji qime e futun në sŷ po të mos vepronte konteksti shoqnor e moral. Për ketë, Reshpen do ta shofim përjetsisht të korracuem mbrenda heshtjes së vet mâ llafazane, ose, mbrenda llafazanisë mâ memece. Me siguri ai duhet ta ketë llogaritë në favor të vet nivelin e ultë të kritikës, spurdhjakllëkun e saj që merret me “struktura” dhe jo me “kuptime”, ngurrimin e përjetshëm të nji mendsie që shkenca nuk mund t’i afrohet personales. Por autori duhet të ketë llogaritë edhe introversitetin e shoqnisë e të lexuesve. Dhe, kshtu, megjithse la nji dëshmi rrënqethëse të nji drame të kulluet humane, na la edhe shijen e idhtë të nji mbrapambetje kolektive.
Edhe marrdhania e Reshpes me vdekjen ka disa veçanti. Nji introvers takohet rrallë e tek me vdekjen, ose nuk takohet kurr. Vdekja nuk âsht mbrendë te poeti. Mbrenda tij âsht vetëm dhimbja dhe dhimbja nuk tregon vdekjen. Ajo mâ fort tregon reagimin e jetës ndaj saj. Si hero ekzistencialist, liriku i vjershave të Reshpes, jeton agoninë e nji vdekjeje që nuk vjen, që nuk mund të vijë, sepse jeta atje jep betejë të fortë, le të jetë “e pakuptim lufta”. Kur Reshpja u familjarizue me dhimbjen e brengën, atëherë jeta ishte kullandrisja e ktyne dy të fundit, kurse vdekja ishte e papranishme. Vdekja kishte qenë vetëm metafora e gjendjeve të tij, por kurrsesi nji forcë që pret me të zotnue. Për ketë, vetë Reshpja do të deklarojë në nji poezi se “vdekjet nuk më zënë”. Unë mendoj se në ketë varg Reshpja mbrriti me shprehë identitetin e tij të kërkuem dhe të rrokun, por të humbun vazhdimisht. Ky âsht vargu ambig në kuptimin e të cilit pajtohet introversi me narcizin. Dozat e ktij oksimoroni kaq të përveçëm e kaq “reshpian”, luhaten mes 50 % dhe janë pika mâ e ekuilibrueme e gjendjeve shpirtnore të shprehuna në poezi, mbase edhe e jetës së tij të vetdishme. Kjo formulë që ka formën e nji vargu, kuptimisht shpreh gjendjen permanente të alarmeve të poetit, por edhe ngushllimin narcizist që i buron nga vetnjoftja, vetndjemja ose mendjelehtësia. E para ka kuptimin e hiperbolës së dhimbjes, e dyta ka kuptimin e entuziazmit të lavdisë. S’ka asgjâ të keqe deri ktu. Edhe Horaci romak e ka pasë nji hov fodullëku të tillë kur thoshte: I ngrita vetes nji përmendore,/ mâ jetgjatë se tunxhi/ që as reshjet gërryese por as murlani i tëbuem/ të mos kenë ç’t’i bâjnë./ Nuk do të vdes i tani.
 
Për ta përmbyllë ketë vështrim të parë mbi Reshpen desha me thanë diçka mbi mardhaniet e tij me nanën e vet. Tue lanë mënjanë homazhet e natyrshme dhe formale të poetëve në përgjithsi për nanën e tyne, lidhja e Reshpes me tê merr disa herë vlera që ndërthuren me aventurën e tij ekzistenciale. Në mnyrën si vjershëron ai për nanën e vet, nuk del prej stilit, por ndrron prozodinë, bâhet kalama dhe prek korda melodramatike. Por në kta vargje mund të veçohen disa të tillë që flasin për nji “dëshirë” të tij me shkue te e ama. Po të merrej në kuptim melo nuk do të kishte kurrfarë randsie, por kur mendojme se nji individ rropatet me njiqind mijë mnyra me u arratisë prej bote, na duket se kthimi i tij tek e ama, nuk mund të jetë i barabartë me dëshirën për t’i dhanë fund jetës dhe për t’u bashkue me tê në botën e përtejme. Reshpja në poezi deklarohet se nuk ka besue zot tjetër pos asaj.
Në çelës psikanalitik kthimi te nana merr vlera simbolike që kanë të bajnë me riformimin e atij që e dëshiron ket kthim. Ai që “vdekjet nuk e zënë” ose mendon me ia hjekë vetes, ose me u kthye te e ama “në rrugën prej kah ka ardhë prej saj” në mnyrë që të rilindet edhe nji herë me shpresën e sprovimit të nji shansi tjetër, që mund të jetë mâ i mirë se ky që folëm. Megjithse indiciet janë të vorfna në ket pikëpamje, në terrenin e tronditun të personalitetit të Reshpes, ky interpretim nuk do të tingllonte veçanërisht i guximshëm.
Reshpja shkroi nji poezi egocentriste dhe shqyrtoi kryesisht rastin e vet. Me ndjeshmëninë e tij të leme, por edhe të mprehun prej rrethanash hipotetikisht dramatike, poeti arriti me dëshmue estetikisht nji aventurë humane. Kjo aventurë ndoshta mobilizoi te ai poetin dhe poeti pasqyroi aventurën. Nji lidhje reciproke mes ktyne faktorëve e spjegon mâ mirë poetin, jetën e tij, shkrimet dhe ndërveprimin fatlumakeq mes tyne.
.
Vuno-Himarë, 24 gusht 2011
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Hapësirë Debati  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook