back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Presupozimi dogmatik si strukturë paralizuese e mendimit… Ndue Gjika

Gazeta

Bedri Blloshmi 2013
Bedri Blloshmi 2013

Presupozimi dogmatik si strukturë paralizuese e mendimit shoqëror

Ndue Gjika (standard)

Reflektim mbi librin e Bedri Blloshmit “Revolta e Qafë-Barit dhe terrori komunist 1943-1990”

Bedri Blloshmi është prej atyre njerëzve që e kaloi me këmbët zbathur ferrin komunist. Dënuar me pushkatim, por që në çast të fundit ia kaluan me 25 vjet burg, nga ku doli me kontingjentin e fundit, në mars të vitit 1991. Në atë kalvar humbi vëllanë, të afërm, miq e shokë të mrekullueshëm dhe ajo humbje vazhdon të gërmojë një shpellë në gjoksin dhe shpirtin e tij. Nëpër atë shpellë oshtijnë erërat e të shkuarës e të sotmes… Ai ka mbi njëzet vjet që kërkon dritë për të parë fytyrën e së vërtetës. Të vërtetat e tij nuk u pëlqejnë shumë njerëzve e sidomos qeverive. Këtu gjërat “lidhen nyje, pa e justifikuar veten” se shmangen nga përgjegjësitë dhe varroset e vërteta. Janë të vërteta fizike dhe filozofike. Ai është binjak me të vërtetën. Ai fle e zgjohet me binjaken e vet. Kur kjo binjake e zgjon nga gjumi ai rri e mendohet thellë. Zymtësia e natës, mblidhet lëmsh që atje, diku ku është rrënxosur e kapërthehet me të vërtetën e rreckosur e ashtu dyshaz shëmben si një ortek shpateve të thepisura të jetës thua se duan ta zënë poshtë. E hidhur është dhe kafja e mëngjesit, se vëllai, të afërmit, miqtë, shokët e tij duan zërin, imazhin, minimumi varrin, hapësirën e lirisë që sëpaku pas rrëzimit të diktaturës e meritojnë.

Libri "Revolta e Qaf-Barit" i Bedri Blloshmit
Libri “Revolta e Qaf-Barit” i Bedri Blloshmit

Burgu me izolimin e tij të mëson të mendosh dhe për nga mënyrat e dhunshme të fajësimit të bën skeptik e dyshues. Të gjithë ata që rrethi i kapte për armiq (rreth që zgjerohej vazhdimisht), përjetonin ankthin e dramës së survejimit, burgimit, hetimit sadist, dënimet, ridënimet, lirim grackë, internimet dhe nuk i ndahej kurrë persekutimi, survejimi, spiunimi e kur i duhej sigurimit e policisë i kishin gati akuzat, shpifjet e dëshmitarët e rremë dhe gjithë pervesitetin njerëzor i kishte aktivë, në çdo kohë dhe çdo rrethanë. Gjithë kjo strukturë vepruese krijonin ankthin, frikën dhe persekutimin e vazhdueshëm për ish-të burgosurit e të internuarit por nuk kalonte pa lënë gjurmë as te pjesa tjetër e popullsisë. Madje, për ta bërë më konkrete këtë, u bëhej paradë e herë pas hershme prangave nëpërmjet spektakleve të ashtuquajtur “gjyqe popullore” se jeta përgjithësisht kalohej përmes insinuatash inkriminuese të organizuara e të programuara mjeshtërisht. Pesha e shtetit të diktaturës mbetej e lidhur pazgjidhshmërisht si gjarpri në zverk. E gjithë kjo peshë na bënte të kishim një presupozim të deformuar, se në pamundësi të një shqyrtimi asnjanës i të dhënave dhe fakteve reale të jetës, ishim të kondicionuar të besonim konkludimin që vendoste Partia, të besonim verbërisht se ata që dënonte ajo ishin armiq, pra ishte një vendim i fiksuar dhe i padiskutueshëm. Kjo situatë mbizotëron ende si reminishencë e së shkuarës, pasojat e së cilës sjellin verbëri ose militantizëm qorr e korrupsion galopant.
Gjithë kjo mënxyrë Bedri Blloshmin e ka detyruar të shkruaj libra. Më në fund arriti ta botojë dhe librin e tretë – “Revolta e Qafë-Barit dhe terrori komunist 1943-1990”, po aq voluminoz sa dhe dy të parët, po aq konkret, serioz e i hapur me dokumente, me analiza e gjetje të mprehta psikologjike, me dëshmi okulare të ngjarjeve, me fotografi që të ngjethin për dramaticitetin dhe tragjedinë që na transmetojnë.
Libri i Bedriut shtron një pyetje, të cilës duhet t’i përgjigjemi ne, të gjithë shqiptarët. Ishim të vërtetë apo të gënjeshtërt gjatë periudhës së diktaturës, po sot? Përditë na thuhej se armiku punonte fshehurazi e hapur, ndaj duhej të tregoheshim vigjilentë. Në çdo dhjetëvjetor sajohej nga një komplot i bujshëm dhe ne festonim që fituam ndaj armikut, dhe burgjet dëndoseshin. Dhe ne e besonim një gjë të tillë. Për burgjet, e për kampet burgje ku përqendroheshin me mijëra e mijëra jetë njerëzish nuk hynte dritë informacioni, dritë kulture apo ndonjë element tjetër njerëzor. Por as drejt nesh nuk vinte informacion se çfarë dhe deri në ç’shkallë ishte dhuna, tmerri e niveli i poshtërimit e skllavërisë. Nuk kishte as dokumentarë, as filma, as libra për burgjet, se ata ishin breza që Partia i donte të zhdukur, të mos u mbetej as nam e as nishan e sidomos as brezni.
Ne e dinim, më saktë e përfytyronim se të burgosurit vuanin nga regjime imponuese si për jetën ashtu edhe për ankthe të tjera; për kequshqyerjen, për keqveshjen, për keqëndrimin që të zvetënon nga vetja, nga dinjiteti e shumë synime të tjera zillëku të qëllimshme partiake e shtetërore, por është jashtë çdo përfytyrimi, ajo që rrëfehet nga Bedriu. Kushtet mizerabël të sigurisë në punë, të ushqyerit përjetësisht të pamjaftueshëm, normat në skajet e mundësisë njerëzore për t’i realizuar dhe mungesa absolute e çdo mekanizimi apo mjeti lehtësues i punës fizike… dhe nuk pyetej për gjendje të dërmuar shëndetësore ose shpirtërore se jashtë priste “shtylla e turpit dhe e torturës”. Ishte një shtyllë në dalje të galerive ku lidheshin të burgosurit që nuk ia kishin arritur të realizonin normën ditore. Ai duhej të rikthehej në punë, dhuna fizike e ushtruar sistematikisht në mënyrë arbitrare e mbështetur jo në ligj, por në logjikën e një kapteri, e sa e sa detaje të tjera tronditëse për anën e tyre ç’njerëzore… Dhe vjen një çast kur jeta nuk ka më kuptimin as si qenie biologjike. Atëherë ngrihet grahma e fundit e qenies njerëzore, çasti mes jetës e vdekjes, revolta si dëshmi e gjithë atyre gjërave të paimagjinueshme që konkretizohen në dy revoltat: të Spaçit dhe të Qafë-Barit… Ky është kulminacion, të cilin autori e ka dhënë me detajet dhe vëzhgimet e zhbirimet më origjinale psikologjike e tradicionale zakonore, që janë në nivelin më të lartë të letrave shqipe. Aty është konkretizimi i besës, burrërisë dhe qëndresës shqiptare që brezat do t’u jenë jenë mirënjohës në përjetësi si një akt mishërimi i gjithë shtratit historik kombëtar. Kjo është kaq reale sa edhe sadistët e kriminelët e pa shpirt i stepi. Por krimineli nuk njeh pari e burrëri se nuk ka njeri t’i japë shpjegim nxjerrjes së syrit të Sokol Sokolit, gjymtimit të Tom Ndojës e shokëve të tyre në dhomat e hetuesisë mes torturave e sadizmit të xhelatëve. Çfarë prisnin të nxirrnin nga Sokol Sokoli, Tom Ndoja, Sokol Progri, Vllasi Koçiu, Martin Leka, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi, Ndue Pisha, Lush Bushgjoka, Kostandin Gjordeni, Lazër Shkëmbi dhe Hysen Tabaku? Ata i morën nga burgu, ku nuk lejonin të fluturonin as zogjtë… Ishte veç një veprim vandalësh, t’ua pinin gjakun për së gjalli si vampirë. Bedriu jo vetëm na jep kronikën besnike të ngjarjeve, por atë e pasqyron me ritmin, detajet dhe tmerret makabre çast pas çasti. Ai na e sjell besueshëm burrërinë, trimërinë e besëlidhjen e atyre bijë nënash që zbehu e injoroi gjithë çka përbënte diktaturën, bash në kështjellën e saj më të sofistikuar e të më armatosur. U desh vetëm një çast e gjithë ai monstruozitet të kthehej në një farsë humoristike zhelanësh e frikacakësh, se të tillë u treguan pasi ia arritën të lidhnin ushkurët e të mbusheshin me frymë nga frika e tmerri që i pushtoi. Se ishte burracakëri, mungesë dinjiteti e ndjenje njerëzore, mënyra hakmarrëse e shpirti gjakatar prej xhelati që demonstruan.
Është çështje e partive dhe e gjithë popullit shqiptar…
Kemi mbi njëzet vjet që vijmë vërdallë pa i dhënë zgjidhje çështjes themelore, ndërgjegjes së vrarë për burgimet politike, dhunës së shfrenuar sistematike të ngritura si pushtet që nuk u ndal deri në ditën e fundit të sundimit komunist në Shqipëri.
Tani pas kaq shumë kohe, lind pyetja nuk duam, nuk dimë apo nuk e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë? Në vend që të ishim të vendosur, të njëmendshëm dhe sistematikë në përmbushjen e detyrimeve tona politike e sociale, ashtu siç bënë gjithë vendet lindore të ish-vendeve socialiste, ne u mbështetem te premtimet boshe demagogjike, që jo veç ndërlikuan më tepër situatën, por u punua për ta nxitur e mbajtur gjallë linjën e thellimit të hendekut mes shtresave të ndryshme të popullsisë. Jemi të vetmit që detyrat historike nuk i shtruam për zgjidhje, por i mbajtëm peng për t’i përdorur si aset politik për të fituar pushtet. Për interesa të ngushta politike dhe jo për interesat reale të popullit u mbyllen të gjitha shtigjet; kur të hapen letrat kemi për t’i parë të dokumentuara çfarë përmbajtje kanë pasur riciklimet politike, pushtetore, mediatike e sociale. Kjo duhet t’i bëjë përgjegjës ata që e gëzuan dhe e deformuan demokracinë, por kohën e humbur, deformimin social kush do ta rikuperojë e cilët do të mbajnë përgjegjësi??
Shoqëria e sotme shqiptare dikur i shkarkonte përgjegjësitë me atë shprehjen “E di Partia, e zgjidh Partia”, por zgjatimi i kësaj mentalogjie na ka deformuar e mbushur me presupozime të pa bazë. Ne në vend që të mundoheshim për t’u njohur e për t’i shqyrtuar me kujdes gjithë atë mal krimesh e deformim shoqëror, ne pëlqejmë më mirë kënaqësinë e të mbetur në “padije”, të gjërave, çka në thelb është vetëvrasje tipike intelektuale. Kjo vetëvrasje intelektuale ka hyrë në spiralen e vet çka është një dënim i dytë i gjithë asaj shtrese që ka vuajtur dhe e gjithë atyre që ndershmërisht duan dhe kërkojnë zgjidhje dinjitoze. Padrejtësia nuk mund të ç’rrënjoset kurrë nga jeta e njeriut, përpjekjet për mbulimin dhe injorimin e saj jo vetëm janë të gabuara, por sjellin pasoja të pariparueshme. Xhosh MëkDauell në librin e tij “Prova që kërkojnë vendim” sjell një anekdotë që flet për pikëpamje të presupozuara jo reale: Një psikiatri i kërkuan të trajtonte një person që thoshte se “jam i vdekur”. Psikiatri vendosi ta kuronte duke e bindur përmes një fakti që ishte i kundërt me besimin e tij se kishte vdekur. Dhe fakti i zgjedhur ishte i thjeshtë, të vdekurit nuk i del gjak. Veç seancave terapeutike i dha edhe literaturë rreth autopsive etj., për ta përforcuar idenë e mospërgjakjes së të vdekurit. Dikur pacienti i tha: “Në rregull, në rregull. Më binde. Të vdekurit nuk gjakosen.” Në këtë çast psikiatri e shpoi me një gjilpërë në krah dhe prej të shpuarës rrodhi gjak. I sëmuri e pa gjakun dhe në çast iu deformua fytyra dhe i mori ngjyrë hiri, pastaj thirri: “Sa mirë, o zot! Të vdekurit u gjakoskan!” Po ta shohim këtë fakt me topitjen tonë me çfarë na ndodhte vazhdimisht në kohën e diktaturës, e kuptojmë fare mirë se të mbështetemi te presupozimet jo reale me një këmbëngulje të mjaftueshme, faktet nuk sjellin asnjë ndryshim…
Librat e Bedriut nuk i duan. Librat e Bedriut nuk janë të bukur, se historitë e tij janë dëshmi nga ferri. Janë tragjedi. Portreti lakuriq i një realiteti të pa zbuluar ende. Librat e Bedriut kanë në fokus zemrën e diktaturës, e cila me veprat, bëmat dhe ligësitë e saj tremb shumë njerëz.
Pavarësisht kësaj, koha, rrethanat, detyrat historike na bëjnë që t’i shohim me vëmendje faktet me qëllim që të bëhen vepruese arsyeja dhe ndjenja njerëzore për t’i bërë lëvizëse gjithë hallkat shtetërore e shoqërore. Kjo situatë e degraduar nuk mund të lihet kështu e të shtyhet në humbëtirë historike.
(Standart 24 korrik, 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.