Prend Buzhala: Udhëtimi me Kuaj të Drunjtë

Prend Buzhala

Prend Buzhala (1951)

Prend Buzhala:

Udhëtimi me Kuaj të Drunjtë

[Ose kallëzim modern për një ngjarje antike]

(Çast Lirik II, 17)

1.
Sa shumë kuaj të drunjtë po shalohen.
Me ta njerëzit, së pari, udhëtojnë drejt shtëpive të tyre. Me këta Kuaj të Drunjtë futen në dhomë, flenë me ta dhe me ta zgjohen. Mandej, me ta marrin çka kanë brenda shtëpisë së tyre dhe i shesin në pazar. Me ta marrin ushqimet në tregje të huaja dhe me ta përqafojnë paratë e huaja. Njerëzit shesin, shesin rrobat e trupit, shesin fëmijët e tyre, shesin vajzat e tyre, shesin, në fund dhe shtëpinë, kur s’kanë çka të shesin. Pas vetes, këta kuaj, tërheqin nga një karroce në formë të konteinierëve për mbeturina a kanta për bërllok…

2.
Barku i këtyre kuajve është i zbrazët: luftëtarët e drunjtë antikë kanë dalë moti për fushe: së pari i kanë sulmuar këngët dhe ato u shitën në pazar. Thanë: “Le të shitet himni!” Pas himnit u shitën edhe betimet e përbetimet. I shitën edhe Fjalët e Hyjit dhe me do bënë leverdi e luks të rrethuar me mbeturina të bukura kutërbuese.

3.
Në to hidhnin çka nuk hidhet dhe linin çka nuk lihet.
Aty i futën, bie fjala, flamujt me do figura shpezësh a sorrash. “S’ka se çka na duhet lecka me sorrë…”, thanë.
Jashtëqitjet, mbeturinat e papastra, gjërat e pista, krejt mbeturinat e darkave e drekave solemne, që kutërbonin, i lanë jashtë. “Kjo është aromë e tokës sonë, më e mrekullueshmja, sepse të kësaj toke jemi…”, thoshin.
Kutërbimet vinin nga ndërtesat e administruesve, nga ambientet arsimore e shëndetësore, tutje nëpër fusha e ara.
Kuajt e Drunjtë u nisën prapë në veprim.
Hodhën brenda çka nuk hidhet dhe lanë jashtë çka nuk lihet.
Bie fjala, në konteinierë futën libra historie, gjeografie dhe filozofie. “Për to nuk kemi nevojë, sepse janë të kohëve të kaluara. E kaluara nuk na duhet…”, thanë.
Jashtë lanë lecka për leckamanë, letra të grisura, baltë për të baltosur. “Jemi njerëz nga balta. Balta na duhet për t’i lyer përmendoret, për t’i bërë me sa më shumë baltë. Letrat e grisura dhe leckat na duhen për t’i stolisur sheshet, sepse ato janë simbole të jetës sonë modeste…”

4.
Mbasi më nuk kishin se çka të shesin (shpirtin e kishin shitur moti), atëherë thanë: “Më së miri është që të fillojmë ta hamë vetveten. Është gjëja më fisnike që nuk është parë më parë: që tokat tona përplot mbeturina e të pakultivuara, të mbesin pa njerëz. Një shkretëtirë, mrekulli mbi mrekulli, do të qëndronte krenare, si stolia më e bukur midis tokave të bleruara (“Jam krenar që jam mbeturinë!”… “Jam krenar që jam Kalë i Drunjtë”, ishte moto e tyre).
(17 prill 2014)

Kali i Trojes...

Kali i Trojes…

Kënga, kujtesa…
Një këngëtar amerikan, Stevie Wonder do të thoshte: “Muzika, në thelbin e vet, është ajo që na dhuron kujtime. Dhe sa më shumë këngë që ekzistojnë në jetën tonë, aq më shumë kujtime kemi prej tyre…”
Kurse Platoni i moçëm do të thoshte: “Çdo zemër e këndon një këngë, jo të plotë, deri sa një tjetër zemër pëshpërit prapa. Ata që duan të këndojnë, gjithmonë do ta gjejnë një këngë. Në prekjen e një dashurie, të gjithë bëhemi poetë…”

Tregime të Shenjta (Etydë e gjithëkohshme)

(Çast Lirik II, 19)

Një mik mësimdhënës (i burgosur politik dikur), në prag të Festës së Pashkëve, më tha:
Nuk e di pse Udha e Mësuesit të Munduar, e Mësuesit Hyjnor, m’i përkujton udhët e mësuesve arbërorë e shqiptarë nëpër mileniume e shekuj, gjithë sakrifica përballë pilatëve të deridjeshëm modernë, aty ku egërsia e gjykatësve të dikurshëm zbriste edhe në kohën tonë…
Një mikeshë: Do të thotë se këtë Mësues Hyjnor që shtegtonte rrugës së kalvarit, tani në Ditën e tij të Ringjalljes, nuk e përfytyron dot në shoqëri me politikanë të lartë, me të pasur a me VIP-a të medieve, poltikës, filmit a muzikës?…
Ai i Pari: Jo, pra. Madje, as duke u endur me vetura të kushtueshme. As nëpër vila luksoze. Por edhe andej ai endet dhe troket nëpër dyer… s’e shoh as me akte zyrtare, as me zyra komode…
I Treti: më fanitet në ëndrra e sikur po na lë pa gjumë qe 600 vjet… po na qorton për emrin e humbur të Arbërit… Nuk e di pse më tha që Kosovën e gozhduar në pamjet e përgjakshme të historisë e njihte para nesh…
Miku i fundit: I kemi të gjithë ata emra… jemi bashkë!
Unë vetëm heshta! E dija se kjo Histori ishte e dëgjuar (dhe e përsëritur me mija herë…) për ta dëgjuar Zërin e Dashurisë: aty ku i fiton të drejtat e plota…
Dhe ngrita gotën e u thashë:
Me sh’net pashkët!
Gëzuar të gjithë!
(E rikënduar: 19 prill 2014)

Prend Buzhala (Tirane)

Prend Buzhala (Tirane)

Në Lojën e Jetës

(Çast Lirik II, 21)

1.
Kur kalon rrugës, i përshëndet të tjerët dhe, në të vërtetë, e përshëndet vetveten. E heton veten tënde. Dhe tek një përshëndetje i shtron vetes pyetje, dilema…

2.
Për Një Çast të Vetëm, ti bashkëbisedon me gjithçka brenda vetes:
edhe kur ec rrugës, është rruga ajo që të merr me vete. Aq i bën rrugës a ekziston ti apo jo. Prandaj edhe në aso çastesh të duhet t’i drejtosh rrugët tua në Një Çast e në Krejt Jetën,
edhe kur jeta të përgjaket e të përplaset nëpër brigjet e kohës, si një anije e shkallmuar, dhe ti mbetesh diku në një ishull, i ishulluar,
dhe të vjen mirë përse nuk ke udhëtuar, bie fjala, me veturat më luksoze të kohës, a me aeroplanë nëpër të gjithë meridianët e botës; duke u përpjekur që t’i drejtosh krejt udhëtimet dhe caqet, e ato të rrëshqasin e të shemben përpara, sepse askund nuk përfundojnë, si ajo rruga që shkon e nuk kthen askund,
edhe kur mendon se e njeh Tjetrin, e njeh Qyetin, e njeh Vendlindjen a Atdheun, Universin a Hyjin, të duket sikur vetëm i kujton, sikur njëherë ke kaluar nëpër to, sikur je takuar me të gjitha e me gjithçka, si një Déjà vu,
të duket sikur ke shumë jetë, sikur ke kaluar nëpër shumë jetë, sikur Një Hirushe të kërkon dhe ti e kërkon atë e asnjëherë asgjë nuk zbulon…

3.
Kështu luan ti me jetën e kështu jeta luan me ty…
(21 prill 2014)

Prend Buzhala

Prend Buzhala

Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951, në Çabiq të Klinës. Filloren e kreu në Ujëmirë; Gjimnazin në Klinë; Fakultetin filologjik (gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. Ndjek edhe studimet postdiplomike, po për shkak të burgosjes politike më 1982, iu ndërpre nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve dhe e drejta e punësimit. Shkrime letrare botoi prej vitit 1967. Shkruan poezi, prozë, kritika e studime letrare, publicistikë. Gjatë tri dekadave të fundit ishte i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, kështu që gjatë viteve ’90 të shekullit që e lamë pas, u arrestua e u keqtrajtua dhjetëra e dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbianë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportonte nga zonat e luftës për disa media.
Punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës (1976-1982, 1992-1996), drejtues i arsimit komunal të Klinës (1995-1999), redaktor në gazetat “Fjala” (1990) e “Bashkimi” (1991) të Prishtinës, korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” (1995-shkurt 2002), pastaj te “Epoka e re”, Radio Rilindja, “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturë në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës (2006-2008). Punoi edhe zyrtar arsimi (2001-2003). Tash është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Ka qenë ndër themeluesit dhe themelues i disa revistave lokale të Klinës, si “Jehona e Dukagjinit “(vitet ’70 e këndej), “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna”, “Profili” etj. Është redaktor dhe recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.

Related Images:

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook