back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Praq Rado: Nga Thethi në Hollywood… një film për jetën time Fatmira Nikolli

Gazeta

Aktori Praq Rado
Aktori Praq Rado

Në studion e TV Alba Life në Staten Island – New York,
i ftuar aktori i Hollivudit, shqiptari nga Thethi i Dukagjinit Praq Rado.
Qe një bashkëbisedim i ngrohtë, i sinqertë, i dhimbshëm dhe frymëzues për shumë shqiptarë.
Shumë prej nesh gjejnë vehten në rrëfimin e tij.
Filmi “Dreaming American”, me aktor kryesor Praq Radon do të shfaqet në kinemanë Tribeca Manhattan,
me 6 nëntor, me producent Barbet Schroder dhe regjisorin e mirënjohur Lee Percy.
Krenare me arritjet e tij!
(Marrë nga Muri i Fb. i Kozeta Zylo, 30 shtator, 2014)

Praq Rado & Kozeta Zylo në Alba Life TV
Praq Rado & Kozeta Zylo në Alba Life TV

Kush është aktori hollywood-ian Praq Rado?

Praq Rado – Nga Thethi në Hollywood,

Një film për jetën time!

nga Fatmira Nikolli (gsh)

Praq Rado! Duket se ky emër, ende i panjohur ndër ne do të na bëjë për vete. Emri i tij po bën “zhurmë” në Hollywood, e ky i fundit jetës së tij po i kushton një film me titullin kuptimplotë “Ëndrra amerikane”. Filmi që i ka mbaruar xhirimet, pasqyron jetën e djalit nga Thethi i Shkodrës, Praq Rada. Jeta e tij nis diku mes maleve të larta plot borë, me ditë të vështira e net të ftohta. Varfëria qe ulur këmbëkryq në familjen e tij prej 8 vetash, prindërit, dy motrat e tre vëllezërit e Praqit. Në atë kohë, kur pasuria me e madhe e radoinajve të Thethit ishte një sahan me tetë lugë, Praqit nuk i shkonte mendja tek Hollywood. As për një çast të vetëm nuk e pati atë ëndërr, sepse ëndrra e tij qe një vetëm një jetë më pak e mirë. As kur ai do të shkonte në shkollë me këpucë si të Lulit të vocërr, nuk i shkoi mendja tek Hollywood-i, sepse donte vetëm këpucë e rroba të reja. Ka parë televizor për herë të parë në moshën 16-vjeçare. Atë ditë qëlloi të transmetohej një humor shkodran. Po atë vit, ai nisi rrugën drejt një jete tjetër fillimisht në Greqi e më pas në Amerikë, ku fati më në fund i buzëqeshi…

Praq Rado në nji rol të tijin
Praq Rado – në nji rol të tijin

Ju do të prezantoheni në mars me filmin “Dreaming American” të Barbet Schroeder dhe Lee Percy. A mund të na tregoni se si karriera e juaj si aktor? Unë fillova shkollën për aktrim në Westchester Community College në New York ku u lidha me shumë regjisorë që më morën në qejf si aktor. Kam marrë pjesë në disa shfaqje teatrale dhe më vonë në roje kryesore dhe ‘support’ nëpër filma të ndryshme. Kam pas fatin të punoj me regjisorë të famshëm të Hollywoodit që më hapën rrugën time të suksesit në Amerikë.
Kur erdha në Amerikë fillova të marr klasa për anglisht. Pasi mësova gjuhën, kisha dëshirë të vazhdoja shkollimin e të mesmes dhe të lartën për ‘Radiologji’ për t’u bërë dikushi meqë në Shqipëri nuk i kisha mundësitë. Kam studiuar shumë dhe lexuar shumë libra në librari dhe aty njerëzit me mbanin mend sepse kaloja orë të tëra. Kam takuar shumë njerëz të mirë që më kanë trajtuar si fëmijën e tyre.
Në teatër, më morën shumë qejf dhe kam marrë pjesë në disa shfaqje që më nxorën emrin në dukje si aktor. Besoj se aty m’u zbulua talenti tim dhe populli amerikan më donte shumë. U shpërngula nga shkolla e lartë që isha për radiologji dhe shkova në Manhattan, New York, të merrja klasa për aktrim. Në Manhattan, më janë dhënë më shumë mundësi në këtë drejtim të karrierës time.
Jeni larguar nga Thethi vetëm 16 vjeç. Si shkuat në Amerikë? Jam me origjinë nga Thethi në rrethin e Shkodrës. Prindërit e mi quhen Nikollë dhe Marie Radoina. Kam dy motra, Liza dhe Luçija si dhe tre vëllezër Gjini, Gjoka dhe Rroku. Kur isha fëmijë në Theth mbaj mend që familja ime kishte shumë vështirësi të na rriste. Nuk i kishim shumë kushte si familje, më të madhen gjë kishim, qe një sahan dhe tetë lugë që të hanim gjellën në darkë në qoftë se kishim gatuar ndonjë gjë. Por si familje, ishim shumë të afërt me njëri-tjetrin edhe pse nuk kishim asgjë mas shpirtit. Kam kaluar një fëmijëri shumë të vështirë. Kur shkoja në shkollë me motrat dhe vëllezërit, të gjithë na dallonin sepse nuk kishim rroba të reja ose këpucë të reja. Rrobat që kishim, ishin me arna, dhe na dilnin jashtë gishtat e këmbës nga opingat. Në shkollë na tallnin për këtë dhe nuk kisha shumë shokë klase.
Jam larguar nga Thethi 16 vjeç për në Greqi tek motra ime, Luçija. Në Amerikë kam ardhur në vitin 2001.

Thethi Malesia ku u end At Bernardin Palaj
Thethi – vendlindja e Praq Rados

Cilat qenë ëndrrat tuaja në adoleshencë? Ëndrra ime kur isha adoleshent ishte të kisha kushte si familje që të mos vuanim kaq shumë dhe për t’u trajtuar normal si gjithë fëmijët e tjerë.
Çfarë mbani mend nga Thethi? Kur isha i vogël, e mbaj mend dimrin e ftohtë të Thethit. Sidomos kur binte borë shumë dhe kishte stuhi. Bëhej bardh prej borës dhe çatia nuk e mbante dot peshën. Të nesërmen në mëngjes, porsa çoheshim nga gjumi, gjëja e parë që duhet bërë bashkë me motrat dhe vëllezërit, ishte pastrimi i borës.
Çfarë lidhjesh ruani me vendlindjen? I mbaj mend shumë vuajtjet që familja ime ka hasur vetëm për të na rritur. Dhe kjo më bën të fortë dhe më jep motivim në jetë. Gjithmonë mendoj që të eci lart e më lart që të bëj familjen time të gëzuar.
A e keni menduar se si një shqiptar nga Thethi një ditë do të bëheni një aktor i madh në Amerikë? Jo, është me të vërtetë një ëndërr që arrita ta realizoj. Gjithmonë kam pas synim të luftoj të bëhem dikushi në jetë. Depërtimi në Hollywood dhe në publikun amerikan është e vështirë. Për mua ndodhi në momentin e duhur dhe me njerëzit e duhur. Producenti ekzekutiv Barbet Schroeder, fitues i çmimit Oscar është vlerësuar për filmat e tij të njohur si: ‘Reversal of Fortune’ me Glenn Close dhe Jeremy Irons, ‘Single White Female’ me Bridget Fonda, Jennifer Jason Leigh, Steven Weber si dhe filmi ‘Murder by Numbers’ me Sandra Bullock, Ben Chaplin and Ryan Gosling. Ndërsa regjizori fitues, Lee Percy, është i njohur për filmat, ‘Boys Don’t Cry’ me Hilary Swank, ‘Grey Gardens’ me Drew Barrymore, Jessica Lange dhe filmin ‘Salt’ me Angelina Jolie.

Praq Rado - çast suksesi
Praq Rado – çast suksesi

“Dreaming American” është një film ku do të aktroni edhe ju. Cila është historia që trajton dhe ku do të shfaqet? Filmi ‘Dreaming American’ bën fjalë për jetën time dhe unë luaj rolin kryesor të personazhit, Zef Noja. Filmi tregon vështirësitë e mija si emigrant në Amerikë, vështirësi që të realizoj ëndrrat e mia. Premiera e filmit do jetë në New York dhe do të shfaqet në festivalin e filmave në New York, Los Angeles dhe do të kualifikohet për Oscar 2012.
Me cilët emra të njohur të industrisë amerikane të filmit njiheni apo keni bashkëpunuar? Jam i njohur për rolet në filmin “Leaving my Country”, “Let Us Reveal”, “Englishman in New York” dhe “Village of Paradise Grove.” Po “Dreaming American” besoj që është projekti që më ka bërë më të njohur si aktor, sepse po punoj nën drejtimin e regjisorëve më të mirë të Hollywoodit. Natyra dhe skenari i filmit janë shumë emocionuese dhe më lejojnë të shfaq ndjenjat e mia si aktor.
Sot në Hollywood rrugët i keni të hapura, por a mund të na thoni kur keni parë televizor për herë të parë dhe çfarë keni parë? Kam pa televizor për herë të parë kur isha 16 vjeç. Kishim një televizor bardhë e zi që duhej t’i bije me grusht anash që të punonte mirë. Për herë të parë kam parë humorin shkodran që është humor klasik për shqiptarët.
A mendon të vish ndonjëherë në Shqipëri për të xhiruar filma apo thjeshtë për të parë vendin e tuaj? Patjetër, kam qejf të marr pjesë në një film shqiptar ose në ndonjë reklamë për Shqipërinë. Patjetër kam qejf të vij në Shqipëri për vizitë. Atje kam familjen time të dashur dhe jam rritur.
Shqipëria gjithmonë do mbetet vendi im.

Praq Rado - mshehun mbas flamurit
Praq Rado – mshehun mbas flamuri

Marrë nga “Gazeta Shqiptare” shkurt 2011

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.