back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Pranvera” e parakohëshme e një epoke… Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla - Tiranë 2010
Klodi Stralla – Tiranë 2010

“Pranvera” e parakohëshme e një epoke…

…do të vinte 30 vite më vonë.

nga Klodi Stralla

Me rastin e 50 vjetorit të vrasjes të presidentit John F. Kennedy

Këtë 22 nëntor mbushen plot 50 vjet nga vrasja e presidentit të 35-të të SH.B.A. John F. Kennedy në Dallas të shtetit Teksas si dhe, disa muaj më vonë, e largimit të imponuar, nga posti i udhëheqësit partiak dhe shtetëror të Bashkimit Sovjetik, të Nikita S. Hrushov. Dy largime jo të zakonta në lidershipin e dy superfuqive më të mëdha të kohës. Ndonse mund të duken pa ndonjë lidhje me njëra tjetrën, unë ruaj bindjen se ato shënuan ndërprerjen e beftë të një “pranvere” të parakohëshme, që do t’i jepte fund Luftës së Ftohtë, e që u bë realitet vetëm 30 vjet më vonë, me ngjarjet që ndodhën në Europën Lindore dhe juglindore në muajt e fundit të vitit 1989.
Aty nga fundvitet ’50-të të dy superfuqitë, SH.B.A. dhe B.S. ndryshuan lidershipin e tyre politik. Me largimin nga Shtëpia e Bardhë e presidentit Ajzenhauer, ish kryekomandanti  i forcave aleate në luftën e dytë botërore, u largua njëkohësisht një gjeneratë dhe me Kennedy-in erdhi në pushtet një gjenerate e re.
Në Moskë, me Nikita Hrushovin, ju hap era ndryshimeve të thella antistaliniste të filluara me Kongresin e XX-të të PKBS, me largimet e buta të gardës të vjeter staliniane si Molotov, Zhukov, Kaganovic, Voroshillov, Beria, Malenkov, etj.
Të dy shoqëritë, ajo amerikane dhe sovjetike, kishin nevojë për ndryshime të thella. Ballafaqimi armiqësor kish shpënë si pa kuptuar në mundësinë e një lufte të tretë botërore me ngjarjet në Kubë, me të ashtuquajturën “kriza e raketave”.
Amerikanët, megjithse me kushtetutë kishin pranuar barazinë e gjithë qytetarëve të tyre përpara ligjit, faktikisht dallimet racore ishin kudo prezente në jetën amerikane, biles aq të thella sa zezakët jo vetëm nuk gëzonin të drejtën e votës, nuk punësoheshin në administratë, nuk arsimoheshin, por edhe vendbanimet e tyre ishin të veçuara nga pjesa tjetër e popullsisë të qyteteve ku ata jetonin. Lëvizja për të drejtat civile në vitet ’60, shënoi një nivel të ri në SHBA, duke u shndërruar në një lëvizje masive, që po trondiste shoqërinë.

John F. Kennedy (1917-1943)
John F. Kennedy (1917-1963)

Po ashtu edhe Sovjetikët e ndjenin se burokracia e madhe partiake dhe ushtarake, sistemi i përqëndruar i ekonomisë, gara e shfrenuar e armatimit dhe për më tepër terrori stalinian e kishin topitur njeriun sovjetik dhe e kishin bërë ekonominë sovjetike jo konkuruese në tregjet botërore, ndonse ai vend ishte më i pasuri në botë nga resurset, mbi dhe nëntokësore. Ndihej nevoja e lirive më të mëdha njerëzore, e lirive më të mëdha vendimmarrse në fabrikat dhe kolkozet shtetërore dhe një frymë më pacifiste në mardhëniet ndërkombëtare.
Në këtë logjikë zunë fill reformat e thella në të dy vendet, që njerëzimit të viteve ’60 ju servirën si një erë e re në mardhëniet ndërkombëtare, si era e bashkëkzistencës dhe garës paqësore midis dy sistemeve, atij kapitalist dhe atij socialist, si dhe era e lirive dhe të drejtave më të mëdha njerëzore në planin e brendshëm. Kjo frymë e re kishte mbështetje mbarëpopullore në të dy vendet dhe udhëheqësit e tyre karizmatikë John F. Kennedy dhe Nikita Hrushov ishin personazhet më të admiruar dhe më popullorët, jo vetëm të popujve të tyre, po në mbarë botën.
Mirpo establishmentet më të thella të shoqërisë amerikane (kapitali financiar) dhe sovjetike (kompleksi ushtarako-industrial dhe KGB) mendonin ndryshe. Amerikanët kishin frikë se lëvizja raciste mund të dilte nga kontrolli dhe mund të instrumentalizohej nga kundërshtari, superfuqia tjetër. E njejta logjikë vlente edhe për sovjetikët, të cilët shihnin tek fryma liberale hrushoviane mundësinë që populli të kërkonte edhe rishikimin e sistemit. Prandaj për ta frenuar këtë prirje, për t’i ulur sadopak ritmin, në Amerikë u vranë rradhazi disa njerëz: Martin Luter Kingu, udhëheqësi me ngjyrë i të drejtave të njeriut; John Kennedy, presidenti karizimatik në detyrë dhe vëllai i tij, senatori Robert Kennedy. Ndërsa sovjetikët, në linjën e tyre kuazistaliniane, u mjaftuan vetëm me largimin e Hrushovit nga skena politike, me një largim të imponuar. Në Bashkimin Sovjetik erdhën në fuqi elita e mareshallëve, me Brezhnjevin në krye, kompleksi industrialo-ushtarak dhe KGB, ndërsa në Amerikë u zgjodhën presidentë të dobët dhe jo karizmatikë, si Xhonson, Ford apo Karter, që bënë një politikë rutinë.
Kur filloi të fryjë era e ndryshimeve, në skenë dolën Regani, Thacheri dhe Gorbaçovi, të cilët realizuan shumë nga ato që synuan në kohën e tyre Kennedy dhe Hrushovi. Me sa duket ndryshimet e fillim viteve ’60 ishin të parakohëshme për të dy shoqëritë, atë amerikane dhe sovjetike, dhe do të duheshin edhe 30 vite të tjera që Lufta e Ftohtë të mbaronte, kur shumë prej protagonistëve të sajë të kishin vdekur dhe një gjeneratë e re të merte frenat e pushtetit dhe të përqafonte ndryshimet…
(Marrë nga Dashamirët e mendimit, 21 nëntor, 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.