back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pothuaj letargji në Durrësin e pastërmetit – Shënime disaditore nga Shpend Sollaku Noé

Gazeta

Shpend Sollaku Noe - Durrës, Dhjetor 2019
Shpend Sollaku Noe – Durrës, Dhjetor 2019

Pothuaj letargji në Durrësin e pastërmetit

Shënime disaditore nga Shpend Sollaku Noé

Pa zbritur ende nga trageti, sikur të mos kisha parë lajmet tronditëse për tërmetin e 26 Nëntorit, Durrësi do të më shfaqej me normalitetin e dikurshmëm të sezonit të ulët.
Deri në lënien pas të nënkalimit tek Ura e Dajlanit, asgjë nuk më jepte një input të hyrjes në thellësinё e tragjedisë.
Më mjaftuan pak qindra metra drejt plazhit, sidoqoftë, për të ndërruar mendim. Së pari prej sipërfaqeve bosh anës rrugës, në të majtë e në të djathtë, atje ku dikur ishin ato hotele që morën edhe shumë jetë njerëzish, apo që pas sizmës së madhe mbetën shembullime të shëmtuara të Kullës së Pizës. Në vend të gërmadhave te tyre – sheshe të pastruara nga çfarëdolloj mbeturinash të rrënimit. Duken si terrene të pёrgatitura për lulishte. Ku shkuan gjithë ato copëza tullash, betoni, hidrosanitaresh, druri? Si iu arrit të zhvendoseshin në një kohë të tillë rekord? Bie në sy shpejtësia spastrimit, kur dihet se si zvarrisen gjërat në Shqipёri. Pyetjet tronditëse që lindin vetiu: A u morën ekspertёt aq sa duhet me shkaqet e vërteta të rrëzimit të këtyre objekteve? A u bënë siç duhet ekspertizat? A nuk duheshin izoluar gërmadhat derisa magjistratura të kish aq elementë sa mjaftojnë për të përballuar një proces të gjatë për vrasje me dashje? A nuk do të ketë më nevojë prokuroria për vendgjarjet e krimit? Sikur avokatët të kërkojnë që të thellohen hetimet, ku do të gjenden provat për t’u thelluar? Janë kaq të pёrpikta dëshmitë e mbledhura deri tani për një gjyq që parashikohet të jetë mjaft kompleks? Ku janë tashmë mbeturinat e gërmadhave? A janë të ruajtura?
Shpallja mbret e dyshimit është më se normale, sidomos për ne që vijmë nga vende në të cilat, të paktën fillimi i hetimeve, bëhet me shumë më tepër skrupull.
.
Pas këtij gardhi të gjelbërt gjendej Hotel Miramare
Pas këtij gardhi të gjelbërt gjendej Hotel Miramare

ATT-Agjensia telegrafike e taksisteve: V. D. jashtë shtetit

Në katër ditët që u ndodha në Durrës, u përpoqa ta bredh më këmbë atë qytet dhe periferitë e tij. Atje ku distancat për t’u arritur ishin të pamundura, mora taksi. Për të kursyer kohën por edhe makinën time, me të cilën më është e vështirë të endem nëpër trafikun kaotik shqiptar, që i bindet vetëm ligjit të imponimit me forcë. Përparësinë atje nuk e ka ai që respkton kodin rrugor, por ai që futet me dhunë, sidomos tek rrethoret. Megjithatë nga të gjithë taksistët (të rregullt, apo kontrabandë që m’u desh të ndërroj) mësova diçka të re. Pasi ata dinë gjithmonë, pothuaj gjithçka ndodh në një qytet të rrëmujshëm në të cilin je i detyruat t’i thërresësh, sidomos nëse po ia mbath larg atdheut në të cilin të ndjekin.
Ai taxi driver, i datës 29 dhjetor, që më bëri xhiron e fundit sidomos deri tek Kulla e çarë e kalasë së Durrësit, betohej se një ditё më parë kish pikasur në aeroportin e Rinasit ish kryebashkiakun e Durrёsit, – Dako – që po çante ferrën me avion. Jo, i thashë taksistit, nuk mund të jetë e mundur, pasi ai duhet të jetë në dispozicion të prokurorisë, si dhënës i lejeve të dyshuara të ndërtimit në Durrës. Eee, unë e pashë me sytë e mi, nguli këmbë taksisti. Dhe unë: Në kësi rastesh tërhiqet pasaporta për të mos i dhënë mundësinë të dyshuarit për krim të rëndë tё “arratiset”. E mirë e, ma pret ai, si për të më mbyllur gojën. Unë ngul këmbё: Ai vetë, Dako, duhej të kish ndejtur në Durrës, për të sqaruar rolin e tij në organet ligjore, apo për t’u mbrojtur më mirë. Mbase kthehet, i jap fund argumentit me gjemba unë. Mbase kthehet. Duke uruar vërtet me vete që të mos ketë ikur!
Vetvetiu më shkon mendja tek ata që deri tani nuk janё marrë në pyetje. Ata nëntë të pandehur që i kanë i kaluar gjyqit duken tek-tuk peshq të vegjël, jo gjithmonë përgjegjës të spikatur të spekullimit. V. D. duhet të ish marrë në pyetje të paktën si person që ka dijeni të plota për ndërtimet, pasi shumë e kanë pohuar që pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij nuk mund të jepej asnjë leje ndërtimi.
Shumё persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndër ta edhe ndërtues pallatesh tashmë të pabanueshëm. Nuk qe e mundur më parë t’u tërhiqej pasaporta, për të mos patur mundësinë të largohen në mënyrë legale?
Unë vij vërdallë nëpër Durrës dhe përpiqem të kuptoj, në mes anktheve të shumta, pse taksisti ma la takimin te fillimi i rrugës Kristaq Rama. Më provokon nervat? Apo është fis me të dhimbsurin Havzi Nela? E kam nga anët e mija, më pohon. Nga të mijat nuk besoj të ketë ndonjë me emër rruge, i them. Ah, më thumbon. Shih pak më tej: rruga Iljaz Reka. E pastaj, Iljazi nuk ka qenë lushnjar. Po, e vërtetë, po vdiq si sekretar i parë i Lushnjes. Çfarë heroizmi të ketë bërë andej nga ju, më thotë. Asnjë, i them, me sa di vdiq nga infarkti. Pse ai K. Rama ka qenë hero? Jo, ç’ne, më thotë taksisti. Por ka qenë babi i kryeministrit. Këtë e dija, i thashë, dhe ky emër, K. R., nuk ka lidhje me tërmetin. Ka ore ka, se përndryshe pse do t’i shkonte pas kryeministrit Dakua ynë? Thua nuk ka qenë ai qё i ka venë emrin asaj rruge? E pastaj, e ndërpres. Pastaj ndoshta kërkon pak mirënjohje ishi i shkretë, më përgjigjet.
Merru me tёrmetin, i them vetes, pasi, nëse i hyn emrave të rrugëve, të institucioneve e të tjera mbroçkullash si këto, do të të duhet një punë disavjeçare për t’i ndryshuar. Sidoqoftë nuk më rrihet pa supozuar se një farë lidhjeje të Dakos (apo të të barasvlershmëve) me “dashurinë” e pamasë të kryeministrit për Durrësin, duhet ta gjej edhe në emrin e të atit. Ç’thua more, i them vetes, prandaj i shkonte prapa Edvinit edhe në vizitat e pastërmetit ky Dakoja? Çfarё i kanë premtuar kësaj radhe autoritetet durrsake, nëse dalin pa lagur: një stadium të ri me emrin e surrelasit?
.
Po riparohej nga pronari...
Po riparohej nga pronari…

Dredharakët e zakonshëm në veprim

Si në të gjitha tragjeditë apo luftërat, dikush nxiton gjithmonë të përfitojë. Leku në kësi rastesh është sheshit, mjafton të zgjatësh dorën. Ndërsa qeveri, shoqata e individë ulërasin për gjetje ndihmash, ata, dredharakët e suksesshëm, rrëmbejnë ç’të mundin. Nuk e kam fjalën pёr ata të fëlliqur që duhet t’i adresonin ato ndihma drejt më nevojtarëve, por që i devijojnë drejt sepeteve të tyre. Të tjerë më ranë në sy kësaj here, por që nuk janë më pak të fëlliqur se të parët. Duke përfituar nga mundësia që ofron qeveria për t’u paguar qeranë nëse gjejnë vetë ndonjë sistemim, në pritje të riparimit të shtëpisë së tyre të dëmtuar, apo të ndërtimit të banesave të reja, këta zvarranikë, pasi kanë marre lekët për qeranë, rikthehen të banojnë në shtepitë e rrezikuara prej tёrmetit, pa kërkuar fare një apartament tjetër për të cilën kanë marrë ndihmën për qeranë. Këta tipa janë popull, jo ndërtues, jo inxhinierë apo arkitektë e dhënës lejesh ndërtimi.
Popull janë edhe ata që, për të riparuar shtëpitë të financuara nga shteti, morën në dorë një çekiç apo varè dhe nisën të thyejnë tulla e parmakë në pallatet e tyre. Dhe nuk ishin pak. Djemtë e papunë që vinin vërdallë nëpër pallatet e plazhit mund të të shoqëronin në shumë pallate, në të cilët kuptohej qartë që thyerja nuk ishte vepër e dhunës së tërmetit.
Të tjerë dinakë – ndërtuesit – i fshinë menjëherë pas lëkundjes së madhe gjurmët e plasaritjeve. Mbulimi i atyre krisjeve më gëlqere ose pak allçi apo llaç ishte gjeja më pak e kushtueshme. Këtë e bënë jo vetëm ata që kishin pallate të mbaruar së ndërtuari dhe gati për shitje, por edhe të tjerë që, të trembur prej kërcёnimeve me burg të kryeministrit, nxituan të fshijnë gjurmët e krimit.
Në këtë grup dredharakësh të rrezikshëm bëjnë pjesë edhe ata ndërtues apo pronarë pallatesh që nuk mundën t’i fshihnin shkatërrimet, pasi shumë të dukshme dhe e pamundur të zhdukeshin më një retushim. Pallatet e tyre, sidomos brenda, ishin bërë fërtele-fërtele. Ose u kishin mbetur në këmbë vetёm kollonat, ose duhet të pastronin muret e krisura pa mundësi riparimi. Ndonjë prej tyre kish nisur të riparonte (rindërtonte) me paratë e veta. I trëmbur prej burgut?
.
Edhe ky me rreth blu... por banorët e përzënë
Edhe ky me rreth blu… por banorët e përzënë

Rrathët vlerësues të shpresës a ankthit dhe përgjumja e ambientit

M’u desh t’i bredh më këmbë lagjet e Durrësit, për të krijuar një ide sa më të plotë të dëmit të pësuar nga tërmeti.
Ajo që më ra më shumë në sy ishte se pakkush ose askush ishte duke punuar për riparimet.
Dikush – sipas dëshmitarëve duhet të kenë qenë specialistë vendas e të huaj – fatin e ndërtesave e kish përcaktuar me vizatimin e ca rrathëve në një vend të dukshëm, zakonisht tek hyrjet e pallateve.
Ata me rrethin e kuq (që duheshin shembur) nuk munda t’i shoh, pavarësisht se thoshin që bëheshin të paktën shtatëmbëdhjetё. Kush e di se ku i ishin fshehur syrit tonë. Ata me rreth të gjelbër (të paprekur prej tërmetit) ishin pothuaj të pagjendshëm ose kishin “harruar” t’ua shënonin statusin. Pjesës më të madhe që munda të vërej i ishin vënë rrathë blu pranë dyerve të poshtme, që do të thoshte se kishin nevojë për riparime, por që nuk ishin në rrezik shembjeje, pra mund edhe të banoheshin.
Çfarë më çuditi më shumë ishte se mjaft pallate të damkosur me rrathë blu m’u dukën të rrezikshëm. Banorët e tyre i kishin përzënë? Apo kishin ikur vetë, pasi nuk ishin në favor të rrethit blu? Sa i saktë është kriteri i zbatuar pёr klasifikimin me ato rrathë?
Pavarsisht prej rrathëve, kur do të fillojnë punimet për riparimet? Kush do të jetë pika e referimit për riparuesit? Pasi shumica e pronarëve të parë, dmth ndërtuesit, apo edhe administratorët e caktuar po prej tyre, kanë çarë ferrën.
.
Kulla e shqyer në mëshirën e fatit
Kulla e shqyer në mëshirën e fatit

Kulla antike në mëshirën e fatit

Ndërsa fotografoja kullën e kalasë të shqyer prej tërmetit, i pari shqetësim që më përcëlloi mendimin ish: Si është e mundur që nuk e kanë rrethuar zonën edhe pas kaq ditёsh? Si nuk kanë vënë një roje? Një pjesë e mirë e materialit të rrëzuar kish rënë mbi rrugën e asfaltuar dhe asgjë nuk i pengonte makinat të kalonin mbi rrënojat. Në të gjithë botën e qytetëruar jo vetëm që vendngjarja duhej të ishte izoluar, por do të kish nisur klasifikimi edhe i një cope tulle apo guri, për të filluar restaurimin me vetë materialet e kullës – e vetmja mënyrë e pranueshme për të mos i prishur origjinalitetin. Sa do të rezistojnë ato rrënoja të gjendura përdhe?
.
Përgatitja nga personeli i Adriatik Hotel i vaktit në Manastirin e Shënvlashit
Përgatitja nga personeli i Adriatik Hotel i vaktit në Manastirin e Shënvlashit

“Adriaktik”- hoteli qe përpiqet t’i ngjajë detit që i ka emrin.

Zbrita në Durrës në paraditen e datë 26 dhjetor, prej një trageti të nisur nga Ancona.
Të gjeja një hotel për të qenë edhe jashtë rrezikut m’u bë e vështirë.
Je i marrë, më tha dikush. E kush zë hotel tani, të gjithë kanë frikë!
Mosfrekuentimi i hoteleve të mëshiruar nga tërmeti ishte vetëm njëri prej aspekteve të rrënimit ekonomik në vazhdim të Durrësit, kapitulli më i dhimbsur pas humbjes së jetëve.
Përzgjedhja ime ra mbi njërin prej tyre vetëm sepse ishte afër shtëpisë që kam në plazh. Quhet “Adriatik Hotel”. Por nuk u pendova aspak.
Një qetësi e pazakontë ndër koridore më konfirmonte lajmin e anullimit të mjaft prenotimeve për shkak të tërmetit. Unë isha i lodhur dhe vetëm ditën tjetër fillova të mendoj se mund edhe të ndieja ndonjë lëkundje tjetër. Asgjë nuk ndodhi, të paktën nga ato sizma që i përceptojnë shqisat tona. Ta kem patur këmbën kaq të mbarë?
Për t’u ndodhur mirë në një ambient aq afër shtëpisë më dhanë një dorë edhe personeli i këtij hoteli me një arkitekture si ato që mua më pëlqejnë. Ua kisha vënë re njerëzillëkun në ndërmejtësinë e prenotimit që kur kërkova për herë të parë kontakt virtual me ta. Atje i bashkangjita përshtypjet e para me ato reale dhe i përforcova drejt pozitives. Me një imazh të qetë e jelekët popullorë, në reception të priste buzëqeshja dhe korrektesa e Eneidës dhe Anjezes. Në banak – Sara dhe Erta dhe në sallë Dajana, Envi dhe Arditi me një buzagaz prej zotërinjsh të krijonin një atmosferë “si në shtëpinë tënde”. Kjo përshtypje përforcohej edhe nga pjatat me përmbajtje lokale. Vetëm pak orë para check out-it mund të vihem në kontakt edhe me drejtuesen kryesore të resortit, general manager Nevila Dudaj. Kërkova të di prej saj diçka rreth pasojave të tërmetit në aktivitetin e tyre. Ajo më konfirmoi anullimet menjëherë pas ngjarjes së rëndë kombëtare. Por edhe rifillimin e prenotimeve në ditët që frekuentoja atë hotel. Nuk dëshironte ta thoshte, por unë e mësova nga të tjerë që, pas sizmës së madhe Adriatik Hotel kish strehuar dhe ushqyer 50 nevojtarë, qysh prej 28 nëntorit deri më 25 dhjetor. “Adriatiku” kish asistuar me ushqim pothuaj të përditshëm fillimisht të 240 personat e strehuar në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit. 80 prej tyre, të mbetur akoma në atë manastir, vazhdojnë të mbahen me ushqim po prej “Adriatikut”. Edhe tavolina e Vitit të Ri atyre iu afrua bujarisht prej këtij rezorti. Asistenca për ta do të vazhdojë deri sa edhe personi i fundit i strehuar atje të ketë gjetur një sistemim tjetër. Të pavarur prej “Adriatikut”, që m’u duk se i ngjante shumë emrit me të cilin e kishin pagëzuar.
.
Shpend Sollaku Noé,
apartamenti i të cilit ishte shënuar me një rreth blu, por që nuk kish dëmtime serioze, siç i kishin shumë blu të tjera.
Foto janë të tijat.
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Njё muaj mbas tёrmetit tё 26 nёntorit 2019, Shpend Sollaku – Noè, shkrimtar e gazetar, ka udhёtuar pёr katёr ditё nёpёr qytetin e Durrёsit duke sjellё njё prej atyre kronikave tё rralla, qё i mungojnё shtypit shqiptar, e qё vendosin gishtin nё plagё…
    E falenderoj Shpendin qё kur u nis ma premtoi kёndshikimin e tij tё mprehtё, dhe ma besoj paraqitjen e shkrimit nё faqen time…
    5 janar 2020

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.