back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Poezia e Vinicius de Moraes, si ushqim shpirti me dashninë… – nga Jozef Radi

Gazeta

Vinicius de Moraes - 55 Poezi në shqip nga Jozef Radi
Vinicius de Moraes – 55 Poezi në shqip nga Jozef Radi

Poezia e Vinicius de Moraes,

si ushqim shpirti me dashninë…

nga Jozef Radi

Viniciue de Moraes asht pjesë e atyne poetëve delikatë e të tejmbushun me lirikë shpirtnore, sa asht thuejse e pamundun mos të bahet pjesë e gjithkujt që merr përsipër me e shfletue edhe me e lexue… Kështu m’ka ndodhë edhe mue, nji ditë vere, ndër bankarela t’librave të përdorun… ku tue shfletue faqe mbas faqeje nji emën tejt të panjoftun, me kopertinë nji fetë shalqini n’të, u harrova njaq shumë mbas tij, sa harrova edhe detyrën pse kisha dalë në qendër të qytetit… Edhe sot, që po sjell ndër ju kët vepër, jam thuejse i harruem ndër vargje tija, si dikur, njizet vite të shkueme, kur po e lexoja n’mahnitje s’pari…
Tue qenë se n’poezinë e tij asht shartue poeti, muzikanti, dipllomati, eseisti e kantautori – të gjitha këto sëbashku bajnë nji nyje të fuqishme me e admirue në vazhdimësi e thellsi poezinë e tij. Asht bash kjo shumsi e ndërthurun vlerash e tij, që ka shërbye edhe pikënisja jemje me e sjellë në shqip kët poet brazilian, thuejse të panjoftun për lexuesin shqiptar, e me mbrritë me e dimensionue në shqip n’at përmasën e lirikut të rafinuem, çka ai përfaqson… Mardhania me të m’ka kërkue nji elaborim gjithnji e ma të përsosun të fjalës, mendimit po ma së shumti ndjesive, të cilat ashtu të kapërthyeme sëbashku edukojnë muzikën e tij lirike, e mandej t’lejojnë m’u futë fillimisht në botën e tij, e mandej me guxue me e përkthye për me iu avitë sa ma afër përmasës që tij, kështu që sjellja e tij në gjuhë tande, aq sa ka qenë e vshtirë e të ka grabitë kohë po aq mundet me u konsiderue knaqsi personale po edhe ngjarje jo fort e zakonshme…
Vinicius de Moraes, përfaqëson për mue nji raport të shtrimë në kohë dhe herëmbashere ka shndrrue n’objekt të randsisë së veçantë, ndër përkthimet e mia. Disa cikle të tij kam botuem në faqet e radiandradi.com, nji tubë me rreth dhjetë poezi asht pjesë e antologjie teme: “Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je” me 20 poetë lirikë, dhe tash ky libër me ma shumë se 60 poezi, mendoj se e legalizojnë dashamirsisht kët poet klasik e modern brazilian edhe në gjuhë shqipe…
Pra, ai ka pasë nji vend të veçantë në përkthimet e mia kahera dhe ky privilegj emocional i këtij libri, asht mbrritë pikërisht prej atij impakti shpirtnor mes nesh, të cilin un kam mujtë me e realizue përmes poezisë dhe këtyne përkthimeve të shtrime në kohë e ku besoj se edhe gegnishtja ka qenë në vetvedi “kali i betejës” me e sjellë në mënyrën sa ma dinjitoze e sa ma ambël shpirtin e tij lirik, përplot trishtime t’ambla edhe në gjuhë shqipe.

55 Poezi Vinicius de Moraes - shqipëroi Jozef Radi
55 Poezi Vinicius de Moraes – shqipëroi Jozef Radi

Ma parë se me iu futë betejës për transferimin figurën poetike të de Moraesit në gjuhë shqipe, jam përpjekë s’parit me u familjarizue e u aklimatizue me poezinë dhe vargun e tij, me mënyrën si ai e ndërton shpirtin e saj ndër kafazat e hekurta të soneteve të shumta që e përbajnë këtë libër, për me kuptue hap mbas hapit ato zbritjet e tij aq t’ambla, ku ma s’pari u përsillet objekteve e mandej i përthith e përthithet prej tyne me nji delikatesë të pashoqe, e ku gjithkund n’epiqendër të përkushtesës së tij asht figura e femnore në gjitha shpalosjet e magjisë poetike. Me kohë, kjo poezi nis e bahet edhe e jotja, bahet pjesë e nji relievi sentimental që të josh e të zhyt thellë e ma thellë në centrifugën e tij shpirtnore!
Raporti me de Moraesin s’ka qenë i lehtë, por asht ba intensiv e ma i ngroftë derisa m’u ba pjesë serioze e punës sime, gjithnji i shtrimë në kohë, mbasi ma së shumti e kam konsiderue nji argëtim të kohës së lirë dhe jo ndonji detyrë me ia shfaqë publikut. Pikërisht, kjo lojë argëtuese me de Moraesin mund t’jetë edhe arsyeja pse u përpoqa me u futë në shpirtin e tij, e pse prej njatij shpirti u përpoqa me asimilue e me nxjerrë at çka asht ma e vyeme për lexuesin shqiptar të poezisë, e ndoshta kjo asht edhe arsyeja pse besoj si ai, njashtu si mbetet tejet familjar me mua, besoj dhe shpresoj se i tillë ka me u shfaqë edhe për lexuesit e thjeshtë…
Tash që e kam lshue dore si t’ishte nji pulbardhë, besoj se ardhja e këtij libri n’nji gjuhë të veçantë s’ka n’vetvedi asnji sforco, përkundrazi asht kunorzim i qindra knaqësive të vogla në përkushtim, i rishikimeve t’imta e të pafundme që u kam ba poezive të tij, dhe nji çlirim prej nji peshe shpirtnore të ndryme e që sot vjen nji formën ma të plotë…
Ajo çka due të nënvizoj te shpirti lirik i de Moraesit, para se ju t’i zhyteni leximit, asht hapsina e pakufi me të cilën ai e pret dhe përcjell femnën, të dashtunën o miken e tij. E gjitha kjo poezi asht nji dialog në heshtje me të dashtunën, e në gjitha rrafshet ajo ka ngjyrosjet e veta individuale, por gjithnji mbetet si nji lloj tempulli, në të cilin ai falet pafundësishtm tue iu mrekullue çdo çasti që i asht dhurue e ka dhurue magjishëm, përmes vargjeve të veta…

De Moraes dhe Toquinho
De Moraes dhe Toquinho

Edhe nji herë besoj e shpresoj që ardhja e de Moraesit në shqip edhe pse paksa e tërthortë, mos t’jetë nji ngjarje e paverejtme e aq ma pak e shpërfillun. Ne jemi nji popull i edukuem për nji kohë të gjatë me urrejtje, bile e kemi çue urrejtjen në shkallën ma të epërme të saj, aq sa mundem me thanë se po i vuejmë edhe sot konceptet e pastra dashurore, e s’po dimë as me dashtë e as me u dashtë, s’po arrijmë me i dallue sfumaturat ma të vuejtshme të dashnisë në përmasat ma të prekshme të saj.
Besoj të kam ba gjithçka, që de Moraes të jetë i mirseardhun në gjuhë shqipe, si nji shpërfillës “par exellance” i urrejtjes, si nji edukator i thukët i sentimenteve humane në gjithë pozitivetin e tyne, si nji dipllomat i madh i dashnisë mes popujve si nji muzikant që e ka lejue Lyrën e tij me vazhdue në frymën e pavdekshme të dashnisë…
jozef radi, qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.