back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Poezia e ndërmjetme e Fran Ukcamës Sh. S. – Noé

Gazeta

Shpend Sallaku - Noé
Shpend Sallaku – Noé

Poezia e ndërmjetme e Fran Ukcamës nga Shpend Sollaku-Noé

ose Rreth marrdhënieve të gegnishtes me gjuhën letrare shqipe.

***
Me Shpendin jemi miq t’kahershëm…
Kemi kalue çaste mjaft interesante mes nesh në t’shkuemen e largët, po edhe sot në t’përditshmen e së tashmes ndajmë opinione të ndryshme, i shprehim haptas problemet, duke ruejtë gjithnji ndaj njeni tjetrit vlersime dhe stimë reciproke… Bashkë kemi diskutue çeshtje të vshtira, në kohna tejet të vshtira… e sot kur gjithçka asht ma e lehtë, edhe në çeshtje të mprehta si kjo i përdorimit të gegnishtes dhe gjetjes së nji mënyrë ma komunikuese të saj, mbas asaj çka ndodhi për ma shumë së nji gjysë shekulli, s’besoj se përban nji tabu mes nesh… mjafton shpirti i mirkuptimit ndaj problemit… dhe mbrrihet pak nga pak e përditë te e vërteta… gjehet edhe ai afrimitet përbashkues midis Standartit dhe gegnishtes që mbetet nji ndër pasunitë ma të vyeme dhe nji monument ende në kambë i gjuhës shqipe… jozef radi

Fran Ukcama në nji dedikim...
Fran Ukcama në nji dedikim…

Kur, kohë më parë, më ra në dorë një libër i një mikut tim jo pa talent, më habiti që ishte shkruar në një gegërishte të mirëfilltë. Leximi i librit m’u duk i vështirë, të paktën për mua, që kam limitet e mia në njohjen e dialekteve, edhe pse kam studiuar për letërsi e gjuhë shqipe dhe kam dhënë mësim për një kohë jo indiferente në këto lëndë. Kisha lexuar edhe ndonjë libër të mëparshëm të autorit në fjalë. Të shkruar në shqipen letrare. Por kësaj here origjina e tij veriore e kish nënshtruar përvojën.
I shkruajta që, pavarësisht nga vlerat artistike të librit, a nuk kish menduar se do të humbte pjesën tjetër të lexuesve të tij, atë pjesë që nuk e kupton një gegërishte kaq gjinore?
Nuk pata një përgjigje prej tij.
Kam asistuar e marrë pjesë në diskutime të ndezura, shpesh edhe nervoze, ndonjëherë edhe me miq të shtrenjtë – autorë me origjinë nga Veriu i shtetit amë – ithtarë të idesë që gegërishtja është marrë nëpër këmbë, duke i veshur nervozizmit të tyre edhe nuanca të drejtpërdrejta politike. Në ato diskutime është arritur deri në opcionin ekstrem të përmbysjes drastike të raporteve midis dy dialekteve tona që përbëjnë bazën e gjuhës letrare shqipe, është pretenduar madje deri në imponimin e gegërishtes, me dekret zyrtar, si gjuhë për të gjithë popullin shqiptar.
Personalisht këtë ide e konsiderova një utopi dhe të rrezikshme, nënë konfliktesh ndërshqiptare, pra që nuk meritonte të merrej në konsideratë.
Këto fakte më erdhën ndërmend krejt rastësisht, kur, pas disa vitesh, më bie në dorë një tufë poezish të Fran Ukcamës, poet i ardhur nga Veriu i Thellë. Gjurmët e gegërishtes në poezinë e tij janë aq të dukshme saqë, pasi i ke lexuar strofën e parë, kupton menjëherë se prej cilës trevë vjen autori. Por tek Ukcama nuk pata vështirësinë e kuptimit të vargut, ashtu siç më kishte ndodhur me autorin tjetër të sipërpërmendur. Dhe ja arsyet: dukuria e parë që më bie në sy tek poezia e Ukcamës është pozicionimi i saj në një ambient lirik të ndërmjetëm: atë midis epikës plot nerv të Veriut, ku autori ka lindur, dhe urtësisë së Myzeqesë në të cilën sot jeton dhe vazhdon të shkruajë. Ukcama dallohet nga autorët e tjerë me origjine veriore edhe për ndërthurjen e detajeve të Malësisë me ato të ambienteve të fushës, apo të qytetit të Fierit ku banon. Leksiku i përdorur prej tij është ai i bazës së gjuhës letrare, i gërshetuar me terma të gegërishtes që futen në vargje në masën e duhur, deri atje sa nuk ndërpritet komunikimi me lexuesin e gjërë jo verior. Lirshmëria në të shkruar i bashkangjitet veçorive të mësipërme të poezisë së Ukcamës duke e bëre atë origjinale, me adresë pëlqimin gjithkombëtar.
Miqve të shtrenjtë nga Veriu, që kërkojnë revizionimin e gjuhës letrare në favor të gegërishtes, dukuria Ukcama u flet: Gëlon edhe një rrugë e ndërmjetme me të cilën dialekti i tyre mund t’i imponohet gjuhës letrare shqipe – këtë rrugë e kanë hapur tashmë ato vepra të autorëve veriorë që arrijnë të injektojnë e të ngrejnë në nivel kombëtar fjalë, togfjalësha, forma gramatikore apo mënyra të shprehuri të reja, që i kuptojnë mirë edhe ata lexues që nuk njohin gegërishten. Shembuj të tillë ka patur qyshkur, prej shumë autorësh të lindur në Veri. Fran Ukcama është njëri prej shembujve të sotëm se si mund t’i arrihet kësaj mrekullie.
Këto shënime nuk kanë pretendimin të rihapin një tjetër diskutim për ligjshmërinë apo natyrshmërine e gjuhës letrare shqipe. Këtë ia lë kohës dhe, sidomos, specialistëve.
Gjithkush mund të shprehet në dialektin e preferuar. Problemi i vërtetë është sa shkon krijimi yt tek lexuesi – i vetmi që i vë vulën çdo suksesi. Personalisht shtegu i ndjekur nga Fran Ukcama më duket mënyra më e natyrshme se si gegërishtja mund të “hakmerret” ndaj simotrës së saj toske: duke iu imponuar në një mënyrë më pak të dhimbshme se imponimi me ligj. Ashtu siç bën, dhe në mënyrë krejt spontane, poezia e ndërmjetme e Ukcamës.
(Marrë nga “Fenix” 26, 27 korrik 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.