back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Poezi lirike nga Fatos Arapi

Gazeta

Poeti Fatos Arapi
Poeti Fatos Arapi

Poezi lirike

nga Fatos Arapi

Lamtumirë

Marr me vete
djegie perëndimesh nëpër muzgje të qeta,
silueta qiparisash nëpër sfonde të murrme
ullinjsh.
Dhe blloqet e hijeve të Çikës,
që përkunden netëve
mbi konstelacione yjesh Jonit përposhtë.
.
Lamtumirë!
Kudo që shkoj
jam një copëz peisazh nga vendi im.
.

Ti do t’më dashurosh patjetër.

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? –
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër...
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër…

S’i s’e desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër, –
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.

Ti do vish

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
…e ti të vish…

Më duhet një gjysëm ëndrre, e paëndërrta ime...
Më duhet një gjysëm ëndrre, e paëndërrta ime…

E paëndërrta ime

Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.

Shpirtra, jo shpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjimi të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

Duke shkelur nëpër guaca të detit

Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të celë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine…
Fëshfërinte e gjelbër…. e gjelbër.
Dhe mendova:
nesër,
këto gurëza do t’i shoh ndryshe,
këto brigje të kohës së bardhë;
nesër,
fjoll’ e dridhshme, inkandeshente
e orbitave, që sapo feksën
nëpër qiej të virgjër të njerëzve,
do të lidhë ditët e mia,
porsi sot… edhe pakëz më ndryshe;
nesër,
dashurinë që drejt meje po vjen,
do ta puthë në buzë, në ballë;
nëpër zëra të flokëve të saj
gishtërinjtë do përshkoj, do t’i them:
hyrë tek unë, pa frikë se një ditë
mund të vdesën (si të tjerat?) edhe ti.
Dhe e vdekur atje, dashuri,
përjetësisht do të mbetesh e gjallë;
nesër,
ndryshe pyetjen e jetës: “Cili je?”
do dëgjoj edhe ndryshe pastaj
zërin tim: Unë jam…
Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të çelë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine.

Mos eja në ëndërr

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime
Nuk je Safua me zemër të brishtë.-
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.

Mos eja në ënderr, e paënderrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.
Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?

Poetet Petro Marko dhe Fatos Arapi
Poetet Petro Marko dhe Fatos Arapi

Fatos Arapi fitues i “Kurorës së Artë”

në Mbrëmjet Strugane 2008

Poeti shqiptar Fatos Arapi është fitues i “Kurorës së Artë” të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë.
Fatos Arapi është një nga poetët e mëdhenj të poezisë bashkëkohore shqiptare dhe ka publikuar mbi njëzet libra poetike.
“Ai paraqet figurë botërore në sferën e krijimit poetik, poet elit shqiptar dhe një nga poetët e lartë të gjallë të ditëve të sotme”, ka shkruar Koçevski.
Kjo mirënjohje e lartë i ndahet si një autori, poeti, i cili në angazhimet e tij krijuese ndaj njerëzimit dhe kulturave në botë kontribuoi për përhapjen e respektit dhe i cili tërë jetën ia ka kushtuar poezisë.
Në solemnitet është lexuar mesazhi i Arapit, i cili nuk ka mundur të jetë i pranishëm personalisht në shpallje.
“Me këtë çmim ndjehem i qetë dhe i lumtur dhe e ndaj këtë me ju, me të gjithë miqtë e mi. Do të doja që festivali të bëhet simbol i rrezatimit. Ju falemnderit nga zemra për lumturinë që ma dhatë dhe ky manifestim poetik le të hyjë në ditarin e ndriçimit”, thuhet në mesazhin e tij.
Fatos Arapi ka lindur në vitin 1929 në Vlore. Ka studiuar për ekonomi në Sofje, ndërsa një kohë ka punuar si gazetar dhe lektor i literaturës bashkëkohore shqiptare. Librin e tij të parë “Shtigjet poetike” e ka publikuar në vitin 1962. Ai është autor i shumë zhanreve letrare, teksteve dramatike, romaneve, librave-përralla dhe të disa antologjive poetike…(INA)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Cuditërisht e kam pëlqyer poezinë e Fatos Arapit dhe të Mitrush Kutelit…
    e ndërsa sot marr më shumë informacione mbi biografinë e tyre, fale kjo edhe sitit tuaj Jozef, më duket e pashpjegueshme bashkëjetesa e numrave me vargjet… Ata janë edhe ekonomistë dhe poetë!!
    Nuk e di ç’më lidh më shumë me këta poetë, profesioni… apo pasioni për poezinë…?!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.