back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Poetry in Motion” – (Poezi në Lëvizje) nga Ilir Seci

Gazeta

Poetri in Motion - Poezi ne Levizje
Poetri in Motion – Poezi ne Levizje

“Poetry in Motion” – (Poezi në Lëvizje)

nga Ilir Seci

Ato na shoqnojnë çdo ditë n’udhëtimin tonë.
Ato janë me ne,
në të njejtin tren që marrim përditë.
Nuk ka randësi se cilën linjë a cilin vagon të trenit,
ato janë aty, por s’janë gjithherë të lehta
me u pa e me ra në sy.
Nganjiherë s’mund shihen
pse i mbulon trupi i ndonji njeriu të bashëm
o hija lëvizëse e ndonji grupi të zhurmshëm studentësh
që gazmojnë tanë shend.
Në këso rastesh ato zhduken,
e mshehen ndrojtun mbas trupash të tyne.
Porse, me t’i gjetë ato,
kurrë ma s’largohen prej teje,
ose ma mirë m’e thanë,
ti gjithherë ke me kqyrë përmbas tyne,
e sa herë ke me marrë metronë…
ke me folë me to!
Ato kanë me qenë msheftësia jote,
lutja jote ma intime, dashnija jote.
Ato janë të shkurta,
aq sa munden me u lexu
sa kohë zgjat udhëtimi yt deri në mbrritje,
prej nji stacioni në tjetrin.
Gjithherë mundohesh me i mësu edhe përmendësh ato vargje.
Por me të dalë në sipërfaqe,
me të dalë në dritë të diellit,
ato harrohen, treten, si të ishin avuj.
E kur ti e rimerr metronë,
kqyr prap për to,
kqyr kahmos, shpesh tanë dëshprim.
kqyr si për ftyrën e nji femne të bukur,
që e ke pa regëtimthi në metro,
ndërsa nxitoje me ndrru trenin e rradhës,
për të cilën përherë kishe dashë me dijtë diçka ma shumë.
Pse ato ndryshojnë… sa herë kundrohen,
sa herë lexohen,  kanë me dhanë tjera kumte.
Pse ato kurrë s’janë të njejtat.
E s’dihet, në ke ndryshue ti, a kanë ndryshue ato!?

Poetry in Motion
Poetry in Motion

Në rutinën e përditshmënisë
ato janë të vetmet që flasin me ty
ndër trena të hekurt e kuisës,
mes nji turme të ngjeshun udhëtarësh
që shtyhet e nxiton për gjithkah.
Mes nji turme të përthithun
ndër pajisje elektronike që mbajnë në duer…
midis tanë asaj zhurme përhumbun,
ato janë të vetmet që flasin me ty: “Poezitë në Lëvizje”.
Do vargje të afishueme
ndër trena të metrosë në New York…
aty ku jeta s’gjen kurrë paqe me u ndalë e me fjetë…

Ato na shoqnojnë çdo ditë në udhëtimin tonë...
Ato na shoqnojnë çdo ditë në udhëtimin tonë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.