Poeti “rrebel”, Pano Taçi – nga Reshat Kripa – Me rastin e 90 vjetorit të lindjes

Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)

Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)

Poeti “rrebel”, Pano Taçi

nga Reshat Kripa

Me rastin e 90 vjetorit të lindjes

Rrebeli Pano Taçi ishte dhe mbetet “Shtërgu” ynë i fundit,
një poet sui generis, i papërsëritshën në llojin e vet,
dhe nuk ishte “dikushi” por ishte “çdokushi”,
i dashur me ne miqtë e burgjeve
dhe i papajtueshëm me çdo pushtetar,
që në biseda private i quante “pushta”.
Për Panon mund dhe duhet të shkruhen volume të tërë,
por edhe kaq ia vlen në një përkujtimore.
Shkëlqim Abazi.
Reshat Kripa

Reshat Kripa

Sipas mitologjisë Feniksi ishte një shpend përrallor që kur mbushte moshën 500 vjeçare, bënte çerdhen, e shtronte me bimë aromatike dhe vdiste mbi të. Nga hiri i tij ai rilindte përsëri dhe ushqehej po me bimë aromatike. Ndaj sot, me përurimin që i bëjmë librit me poezi “Muzgu vjen papritur” të Pano Taçit, e kemi atë përsëri midis nesh, të rilindur si Feniksi, pasi poetët nuk vdesin kurrë. Ata rrojnë nëpërmjet vargjeve të tyre… Dhe poeti shkruan:
Tërë jetën ç’jam përpjekur,/ si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,/ them se vargjet më ringjallin.
 
Për ç’jap shpirtin zemërmekur,/ N’atë varr ku do më kallin,
për ç’këndova duke vdekur,/ them se këngët më ringjallin.
 
Ndaj sot, e kemi përsëri të ringjallur bohemin e fundit apo poetin rebel, siç e kanë quajtur miqtë e tij. Pano Taçi i përket atyre poetëve që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një epokë të gabuar. Jetonin në një epokë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një epokë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte, që në më të shumtën e rasteve, nuk kishin asnjë vlerë.
Megjithatë talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, përmes alegorive apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Këto vepra autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shumë besnik. Ato ishin shkruar nëpër qelitë e errëta të burgjeve apo kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori“. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servilë dhe hipokritë, nuk u bënë lakej oborri. E njëri nga këta ishte padyshim edhe Pano Taçi. Ai i përket atij grupi poetësh që kishte dëshirë të mësonte, por nuk e linin për të mësuar, pasi ai qysh në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare do të provonte prangat e rënda të burgut për gati njëzetepesë vjet. Kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin për të punuar, pasi për të lejohej vetëm puna në bujqësi apo ndërtim. Kishte dëshirë të jetonte, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanve të regjimit.
Kujt i mohoheshin këto? Atij, që qysh në moshën fëminore rrëmbeu armën për lirinë e vendit. Atij që ëndërronte për një Shqipëri të lirë, pa ferra dhe gjëmba? Dhe poeti shkruan:
.
Poeti Pano Taçi 2006

Poeti Pano Taçi 2006

Të rinj, naivë si partizanë,/ dolëm malit për vatan
për çlirim të Shqipërisë/ nga zinxhiri robërisë.
Dhe me ç’di ne bëmë mirë,/ që morëm plagë për liri
e kur ne u bëmë të lirë/ për duart tona, për çudi,
nuk kujtoheshin, o Perëndi!/ Në terr ne po farkëtonim
ca zinxhirë të rinj zezona/ për plagët, për duart tona
me hallka kyçur në qeli.
 
Fundi i viteve ’80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të shembeshin. I fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë. Dhe Panua shpërtheu. Nxorri nga arkivi i burgut poezitë e krijuara nëpër qelitë apo vitet e “vetmisë së madhe” dhe për një periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare, nga viti 1994 deri më 2009 botoi pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi dhe drama.
Përse është quajtur poet rebel Pano Taçi? Sepse kishte shpirt rebel, një shpirt që në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohej me padrejtësinë ndaj ngrihej kundra saj. Që fëmi u ngrit kundër robërisë. U rrebelua kur pa se idealet për të cilat kishte luftuar ishin tradhëtuar nga klasa sunduese. U rrebelua edhe pas përmbysjes së regjimit totalitar, kur pa se një pjesë e klasës politike të vendit i kish transformuar idealet e Dhjetorit 1990, në interesa personale duke mos përfillur shtresat e tjera të popullsisë dhe u shua me zemër të plasur. Pano Taçi ishte edhe një poet lirik, Ai i këndoi dashurisë. Dashuria, së cilës ai i këndoi, ishte platonike. Vetëm kjo i lejohej. Atij ia prenë që herët ëndrrën e dashurisë. Regjimi nuk e lejonte as të dashuronte. E ku do të dashuronte ai, mos vallë në qelitë e errëta ku e kishin përplasur?
Hyri në burg në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe doli prej tij në atë dyzetetre vjeçare. A mund të dashuronte ai kur gati gjysmën e jetës e kishte kaluar në skëterrë? Megjithatë, çuditërisht, dashuroi. Dashuroi nëpërmjet vargjeve të tij. Por edhe këtu ndihet dhimbja, një dhimbje që plekset me dashurinë. Poeti shkruan:
 
Kur mbi varr me ngashërim,/ Do më qash tek rri në gju,
Sytë e tu mbi varrin tim,/ Varri im mbi sytë e tu.
 
Ky ishte Pano Taçi. Ky ishte poeti ynë rrebel, poeti i dhimbjes dhe dashurisë, poeti i revoltës dhe kundërshtimit, një Omar Khajam i letërsisë shqipe. Tërë jetën luftoi për të krijuar figurën e tij. Shumë u munduan ta pengojnë; shumë u munduan ta lenë në hije. Por nuk ia arritën qëllimit. Ai triumfoi mbi të gjithë. Dhe vargjet e tij gjëmojnë fuqishëm:
 
Hieja ime del nga varri,/ Më thotë: – Pse s’vjen të bësh gjumë?
I them: – S’vij unë qyqari,/ Pa i lënë jetës një gjurmë.
 
Ndjenjat bëj t’i lë mbi letër,/ që të thonë se jam dikushi.
Kur të vij te bota tjetër,/ Si mik do më presë Lasgushi

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook