back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Poeti Giovanni Raboni – vepra – poezia – dhe një esse dhe përkthime nga Jozef Radi

Gazeta

Poeti Giovanni Raboni (1932-2004)
Poeti Giovanni Raboni (1932-2004)

Xhovani Raboni (22 janar 1932 – 16 shtator 2004)

Ka lindur në Milano me 22 janar të 1932
Vepra e tij poetike përmblidhet në vëllimet:
 
Gesta romanorum – 1951 – ‘54
Shtëpitë e Vetra-s – 1955 – ‘65
Rënie në mashtrim – 1957 – ‘74
Në ëndërrim të thellë – 1965 – ‘81
Këngë të vdekshme -1981 – ‘83
Me kaq gjak të shtrenjtë – 1956 – ‘87
Vargje luftarake dhe dashurore – 1984 – ‘89
Çdo të tretin mendim – 1989 – ‘93
Quare tristis – 1998
Antologjia – Gjithë Poezia – 2000
 
Është vlerësuar: me çmimin e Karrierës Giovani Pascoli
me çmimin Moravia për veprën e plotë dhe
me çmimin Librex Montale për veprën “Shkëndija të historisë”
Ka përkthyer nga frëngjishtja: Moliere, Racine, Apollinaire, Baudelaire, Prevert, Proust.
Vdiq në Parma me 16 shtator 2004

Poetet - Alda Merini, Giovanni Raboni, Patrizia Valduga
Poetët – Alda Merini, Giovanni Raboni, Patrizia Valduga

Kanë shkruar për Rabonin

***
“Raboni ka shkruar ndër poezitë më të bukurat të dashurisë së këtyre viteve!” (Attilio Bertolucci)
 
***
“Topografia, tek Raboni, bëhet histori, arsye personale dhe shoqërore në të njejtën kohë: Në fytyrën e Milanos, mbi muret lebroze apo në lagjet “e shëruara” ai gjen projektet e jetës së tij” (Luigi Baldacci)
***
“Milano është një qytet i pasur me poetë. Edhe me poezi gjithashtu. Mund të duket disi e çuditëshme, atij që nuk e njeh siç duhet këtë qytet, për ta gjykuar atë përmes vendesh të zakonshme dhe disi streotipe. E megjithatë është e tillë! Milano ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë mjaft poetë dhe poezi të shumtë. Pp përpiqem t’u shmangem emrave për të mos bërë gabime. Prandaj, humbja e Giovani Raboni-t, na privon nga ajo pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme të trashëgimisë së mrekullueshme milaneze.
Kush e ka lexuar qoftë edhe rastësisht Rabonin e di sa e fortë dhe e fuqishme ishin lidhjet e tij me qytetin. Nuk e di nëse mund të jetë e tepruar të them se Milano me larminë e saj dhe në ndryshim të vazhdueshëm, Milano e konceptuar si manifestim i modernizmit, në të mirë a në të keq, do të ishte protagonistja e vërtetë e veprës së Rabonit…
Kështu me humbjen e Giovani Raboni-t, Milano humb një poet të madh dhe një fisnik të mrekullueshëm…” (Gabriele Albertini) Kryebashkiak i Milanos.
Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Raboni ose poeti i së përditshmes ekzistenciale

esse nga Jozef Radi

Nga mesi i marsit të këtij viti (ishte viti 2004), isha i ftuar në “Il Piccolo” të Milanos për të marrë pjesë në edicionin e Njëmbëdhjetë të Takimit të titulluar: “Gjuha e Mikpritjes” (Lingua del’Ospitalita), një takim me poetë të huaj që shkruajnë në gjuhën italiane. Ndër shtatë poetët bashkëkohorë të përzgjedhur kësaj here ishte miku im, poeti Gëzim Hajdari. Takimi organizohej nën kujdesin e Xhovani Rabonit, një poet për të cilin kisha lexuar dhe dëgjuar, por kurreshtja e njohjes së drejtpërdrejtë me një nga personalitetet e poezisë bashkëkohëse, mbetesh një kënaqësi jo e pakët e imja.
Në “Il Piccolo” mbrritëm rreth një orë para fillimit, dhe ajo çka më bëri përshtypje qe fakti se Raboni kishte kohë që ishte aty. Me atë bardhësinë magjike të portretit, si i zbritur prej një reje apo i dalë prej një ëndrre. U përshëndetëm dhe u prezantuam. Një qetësi solemne, pothuaj olimpike. I ngadaltë, i shtruar si një patriark që kujdesej për të gjithë imtësitë e shfaqjes, të cilën prej njëmbëdhjetë vitesh e ndiqte me një skrupolozitet nordiku. Komunikimi midis Rabonit, Hajdarit dhe artistit që do të interpretonte Dino Campanën u bë mbi të gjithë detajet teknike. I kishte lexuar me shumë vëmendje gjitha pjesët që ai kishte zgjedhur për t’u prezantuar përballë publikut milanez që njihet si dashamir dhe ndjekës i poezisë. Unë ndiqja me një vëmendje obsesive, herë fytyrën e tij të bardhë të fisnikëruar nga një mjekërr e shkurtër, flokët e bardhë që i derdheshin mbi ballin e menduar dhe buzët që i lëviznin me një ritëm melodioz, e herë Hajdarin me atë ballin e rrudhosur prej seriozitetit! Gjithçka dilte nga fryma e tij bëhej shpirt dhe endej. I veshur me një kostum bezhë, i cili në terrin e plotë të sallës e bënte qenien e tij pothuaj të tejpashme.
Pasi përcaktoi me kujdes gjithë itinerarin e asaj mbrëmje, u ulëm bashkë në rreshtin e parë. Në krah ishte edhe poetja e re, Patrizia Valduga, me të cilin prej vitesh ndanin bashkë gjithçka. Me fjalë të ngadalta, që zinin vend si gurë të rëndë, shprehu kënaqësinë që edhe një poet shqiptar kishte mundësi të paraqiste vlerat e poezisë së vendit të vet. Sinqeriteti i tij ishte i lexueshëm, i natyrshmëm, dhe i një mirësie çarmatosëse. Në fjalët e të pakta dhe tonalitetin e kadifenjtë gjeje krejt bardhësinë e tij prej filozofi.
Atë mbrëmje m’u dhurua prej tij një kopje e plotë e veprës së Rabonit, botuar nga Garzanti. E ndërsa flitesh për gjithë anën teknike të shfaqjes, aty në rreshtin e parë nisa të shfletoja veprën e atij poeti fisnikërisht të bardhë, kumti i të cilit dukej sikur vinte prej një tjetër bote dhe futesh në shpirtrat e atij qyteti që vrullonte nga të gjitha anët. Dukej sikur natyra e tij kontrastonte me dinamizmin e metropolit milanez, por nuk ishte pothuaj ashtu.
Salla fantastike e “Il Piccolo-s” në formë nji amfiteatri të vogël qe mbushur përplot. Befas, gjithkah ra terri dhe heshtja. Një heshtje surreale ku një kon drite ndriçonte veç qendrën e skenës ku ishte mikrofoni. Nën at kon drite që binte nga një kulm lartësie u fut edhe figura dritdhënëse e Rabonit. Bardhësia e tij u bë lëbyrëse, magjike. Për një çast s’po dëgjoja se çka thoshte poeti, veç ndiqja i hutuar atë siluetë që nuk di: po i ikte asaj kësaj bote, a po i kthehej prej një tjetër bote.
Il Piccolo Teatro di Milano
Il Piccolo Teatro di Milano

E lashë atë at fantazmagori që më kish rrëmbyer dhe u përqëndrova me rrjedhën gurgulluese të prezantimit të poetit shqiptar. Korniza që Raboni i bëri poetit Hajdari qe tejet e dinjitetshme dhe vlerësuese. Foli pak gjatë dhe dy tri herë e ilustroi mendimin e tij me vargje e Hajdarit. Kur përfundoi fjalën e ftoi poetin të komunikonte me të ftuarit dhe u ul aty bri meje. E falenderova dhe ai më dhuroi një masë të bukur buzëqeshje në të cilën ndjeva butësinë e një njeriu të vërtetë.

Mbas asaj mbrëmje dhe kafes së përbashkët, Giovani Raboni mbeti fisnikërisht brenda meje jo vetëm me atë praninë e tij në “Il Piccolo”, por edhe me atë libër të vëllimshëm ku ishin nëntë përmbledhjet e tij poetike.
Me kohë e lexova vëmendshëm veprën e tij, dhe ndjeva se s’mund të dilja ashtu lehtë prej saj. Brenda meje kishte nisur të thurej dëshira e përkthimit qoftë edhe cikli si fillim. Këtë ide ia transmetova mikut tim, Hajdarit, me shpresë që paraqitjen e Rabonit para lexuesit shqiptar ta bënim sa më të plotë. Nuk do të qe keq, të përgatisnim edhe një intervistë nëse koha dhe angazhimet e tij ia premtonin një gjë të tillë. Mbas pak ditësh Hajdari, më telefonoi dhe më tha se Rabonit i qe bërë mjaft qejfi për një projekt të tillë. E lamë të bënim diçka të përbashkët, secili të bënte zgjedhjet e veta nga vepra e plotë e tij, kështu që nën emrin e Rabonit në shqip do të ishim edhe ne miqtë e tij.
Ajo çka ndodhi mbas këtij projekti është e dhimbshme.
Me 12 prill, pra mbas një muaji, Raboni u godit nga një atak i rëndë kardiak duke kaluar një periudhë të gjatë në koma. Më pas kur u duk se ai po e merrte veten dhe ishim në pritje të ndonjë lajmi pozitiv mbi shëndetin e tij, mbasditen e 16 shtatorit 2004, më erdhi njoftimi se lamtumira e tij kishte qenë e fundit.
Isha duke përgatitur për të mbyllur një materialin mbi poetin Luigi Manzi për Arsin, e papritmas m’u desh të shkruaja këto radhë për Giovani Rabonin.
Ajo mbasdite e trishte më dëshmoi se sa e shkurtër është rruga e gjithë ne vdekatarëve të kësaj bote, dhe se boshllëku që lë një poet në jetën e një qyteti si Milano, s’mund ta mbushë asgjë aq bukur sa fryma e një poeti.
Botuar në – Ars Nr. 10 (32) tetor 2004
Raboni - “Tutte le poesie” Garzanti Editore - 2000
Raboni – “Tutte le poesie” Garzanti Editore – 2000

Nga përmbledhja e plotë e veprës “Tutte le poesie”

Giovanni Raboni – Garzanti Editore – 2000

të sjella në shqip nga Jozef Radi

***

Eh prej sa gënjeshtrash na çliron
vdekja e një miku…
 

***

Përse, vërtet kaq e vështirë qenka
ta imagjinojmë parajsën? A s’mjafton
veç t’i mbyllim sytë e ta shohim, aty mbas
është, aty mbas qepallash e duket sikur
 
po na pret ne, ne dhe askënd tjetër, festë
mëngjesore, lavdi e vakët muzgu
mbi qytetin e paprekshëm, mbi detin
më para diasporës – vallë nuk e ndjen
 
që tash po zgjohet? atë zë të largët,
të largët, po edhe krejt të afërt sikur
të mos drithërinte brenda veshit e
 
një tjetër labirinthi, një membrane
sekrete, tendosur përgjysëm në terr
midis asgjësë dhe zemrës, midis heshtjes dhe emrit…

***

Gjithnji e më tepër njerëzit që ishin largohen
ose fshihen diku e gjithnji e më pak kuptim ka
ta braktisësh për së gjalli këtë qytet
të pajetë. Vazhdimisht kët gjë mendoj
fantazoj një tjetër qiell, një temjan
më pak të athët, po kush vallë ma jep
fëshfërimën, pëshpërimën, heshtjen
e pafund gumëzhitëse të atij që nuk ka
 
shtëpi, veçse në kujtesën time? Për aq sa
janë të gjallët që dua s’do të jenë
kurrë aq shumë sa ata të pastrehët
 
e kohës, klandestinët, abonentët
jashtë numratorit telefonik e që kanë
veç numra me pesë shifra.
 

***

E keqja ime, e mira ime kaq pranë jeni
sa shpesh ju ngatërroj me njëra-tjetër,
eh ç’gallatë bënit atëherë kur bota
ishte përplot me drita dhe teatrinot
 
e zemrës nuk shkruanin hije
por engjuj dhe demonë të vërtetë
dhe nga të gjitha anët, në gropën
e atij që ankohet, në kuintat e mbushura
 
më gërmadha, në halet, në hollet
e sterrosura prej flakësh gëlonte
jetë e shkujdesur… Sigurisht ende
vazhdon të ngrihet sipari, çdo mbrëmje ka
 
shfaqje, por pa fitimtarë dhe
pa të mundur, pa gjak dhe pa lule.
Poeti dhe Muza - pikture nga Milo Manara
Poeti dhe Muza – pikture nga Milo Manara

Macja

 
Kur dremit nëse e thërret
veç një vesh të vetëm luan.
 
Thëthin qumësht nëpër ëndrra
prej një nëne tashmë të vdekur.
 
Ha biskota. Po sa s’bëhet
pëlqen llumin e fundit të kafeve
 
Majëkthetrash u merr erë
shalleve dhe bluzave
 
Fle diku sipër gjethesh.
e si nënkrejsë mban një libër
 
Mbi të gjitha ndjehet mirë
ndër kutia, dollapesh diku n’qoshe…
 
Me ca sy thellsisht të gjelbërt, duke u dridhur
përgjon ecejake pëllumbash
 
E mustaqet i lëpin mendjengulur
n’nji mizë që i vërdallet n’fluturim.

 

Apartamenti

 
1
Thonë, se i shtyn ditët
futur brenda pizhamash, a një robdëshambri. Dhe kujdo
që e këshillon të dalë, e të lëvizë pak ndryshe
për moshën që ka, se muskujt i atrofizohen e nyjet
i bllokohen, u përgjigjet
me një buzëqeshje sa të lehtë e aq të ëmbël.
 
2
Shpellë, bunker, mukozë,
libra të pluhurosur që askush
s’i lexon dhe as i bën rrëmujë,
ekrani i madh i milimetruar prej përqëndrimi,
dhe prej të ardhurave – vallë do të duhej
të shuhesh, të vishesh, të rrezikonte eshtrat
në atmosferën e rrëmujshme, mbytur prej poleni?
 
3
Shtyhet lehtë lehtë tek dritarja
të shohë nëse ende bie borë, nëse
vazhdon në errësirën vezulluese, atje jashtë
shkatërrimi foshnjarak i kësaj bote.

 

Serenatë

 
1
Mbrriti, gjysëm laraskë dhe gjysëm vajzë,
me atë xhaketën e saj prej kllouni,
këmishën tre numra më të madhe
dhe përkundet e gjitha, duke krijuar
në vetvete një lloji flauti a fyelli
me katër – pesë fjali serenate korale…
 
2
(Bisedat e bëra mes nesh
gjatë dhe mbas humbjes së mundësisë për t’i folur
gjithë gjërat e thëna e të pathëna
midis teje dhe personit që unë jam
midis meje dhe personit që ti je
mund të jenë të pakta o të shumta, e pyes veten,
për udhëtimet në ndjekjen tënde
që të ndryshoj apo të vrapoj me ty
n’aeroplan, anije, ndyshim ore, moshe?)
 
3
Të jap një dorë, të ndihmoj
që të biesh në gjunjë, mbi dy thundra. Frikem
se asgjë më s’të mban përballë kësaj ëndrre
korridoresh të ulët, të heshtur, me kaq shumë porta
të mjegulluara amoniaku dhe rafteve
përplot me protokolle, ilaçe, shqiponja n’ballsam.
Në këtë skenar ti
duhej të thyheshe prej ndriçimit, fitimtare –
pa mundur të shihte ndokush. Ti zgjohesh
duke fërkuar sytë e duke shtriqur gjymtyrët e njoma
si ishe një mace shëndetplotë
apo motra e Gregorio Samsës,
bën sikur asgjë s’të intereson veç
kacabunjve të tu dhe pasioneve tua…
Poeti Giovanni Raboni (1932-2004)
Poeti Giovanni Raboni (1932-2004)

***

Me të tjerët shtirem sikur luaj
por dita është e gjatë dhe më ngjan një funeral.
Oh sa e ndyrë është pritja për të dashuruarit!
O diell, o hënë do të doja më shpesh
t’ju mungonte drita.
 

***

Për çka ndryj në zemër
flas pak, më frenon frika.
Dhe dëshiroj dhe vuaj, e më shtyn drej vdekjes
ajo çka gjuha s’di si ta thotë.

 

***

Kur i ftohti ashpërson gjithçka
e të qelqtë e bën lëvozhgën e lajthisë
shoh në këngët e ëmbla të zhbëhen kopshtije:
por dikush jeton me Dashurinë
e atij që mbetet e dikush me t’atij që shkon e s’kujdeset kush.

***

Asgjë s’të ngrin po unë s’e vuaj ngricën
pse Dashuria më mbulon,
Dashuria bëhet shtëpia ime,
Dashuria e ngroh dhe e ushqen vlerën time.
 

***

Dhe kërkon të mos jetë si vjollca
dashuria që unë i përcjell
dëshiron më shumë t’i ngjante gjineshtrës e dafinës.
 

***

Kështu nuk ndodhi në at’ zgjedhje nguti
po ari i kulluar më pëlqente më shumë se bakri,
i thashë të putheshim
e n’at pelerinën e tij të bukur gjeta mbroje
sepse shpirtkeqi me gjuhë kobre
s’e sheh të mirën, e veç për të folur keq shtyhet.
 

***

Sikur t’i gjendesha pranë në depo
apo kopshtije, unë me të do të isha
si mishi me thoin, si thupra me lëkurën.

 

***

Dridhem si një fëmijë
gjer në majat e thonjve, kaq e madhe është frika
e të qenit në shpirtin e saj, të largët.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.