back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Poeti Erotik Klito Fundo – 75 vjetori i lindjes Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Poeti Erotik – Klito Fundo – në 75 vjetorin e lindjes

nga Klodi Stralla (fb)

Nëse të shtunave mbasdite do të gjendeshit në platformën e stacionit të trenit në Tiranën e viteve ‘70, nuk mund t’mos u binte në sy, të zbriste nga treni, një burrë i ri, me shtatmesatar, me flokë kaçurela, simpatik, i veshur shik dhe me një ecje të shpenguar atleti. Ishte mësuesi korçar i gjuhë – letërsisë të qytetit të Librazhdit: Klito Fundo, që çdo të shtunë vinte në kryeqytet për të kaluar fundjavën. Megjithse nuk ishim moshatarë, si korçarë prej gjyshërish, përshëndeteshim me njëri tjetrin, shkëmbenim edhe ndonjë bisedë të shkurtër. Unë në ato vite isha student në Tiranë dhe më bënte shumë përshtypje ajo dashuri për jetën, ajo kërkesë për të renë, ai shpirt liberal që i jepte forcë atij njeriu të përshkonte gjithë ato kilometra rrugë, me shumë vështirësi, për të thithur, vetëm për disa orë, “ajrin” e kryeqytetit, të kulturës të tij, të takohej me miq e shokë, të informohej për çdo gjë të re e të bukur dhe pse jo të shijonte edhe “diçka” nga ato që Librazhdi i tij nuk mund t’ia lejonte. Ishin fillimet e viteve ’70 dhe frynte era e liberalizmit; në kinematë e kryeqytetit luheshin filma të kohës, në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Akademinë e Arteve viheshin në skenë pjesë teatrale apo muzikore klasike, por edhe moderne. Në hollin e katit të parë të Pallatit të Kulturës mësohej falas një kërcim i ri, “Alba”. Klito ishte aty, çdo fundjavë, si ajo bleta që ndjek lulet e çdo stine.
Jemi parë pothuaj çdo vit, sa herë shkoj me pushime në Korçe; jemi ulur diku në ndonjë klub veror dhe kemi këmbyer kujtime, në shoqërimin edhe të ndonjë pije, nga ato që Klito preferon më shumë. Por këtë herë nuk e pashë më të bënte atë shëtitjen e tij karakteristike bulevardit të Korçës; mësova se nuk para del, ndonse të 75 vitet e tij nuk janë aq shumë sa ta burgosin atë shpirt rebel. Si nip i Zai Fundos, pushkatuar nga komunistët, ende pa erdhur mirë në pushtet, ai vuajti kalvarin e odiseve të një mësuesi që kurrë nuk iu dha mundësia të jepte, një herë të vetme, mësim për fëmijet e qytetit te tij, ndonse ishte i talentuar në letërsi. Vetëm në vitin 1997, në vitet e demokracisë, me ndihmën e miqve dhe shokëve, mundi të nxjerë në dritën e botimit vëllimin “Poezi erotike”, me poezi shumë prej të cilave i kishte shkruar ndër vite.
Duhet të kesh jo vetëm talent, po edhe kurajo civile të hapësh në letërsinë shqipe shtigje të reja, t’i thurrësh erosit dhe seksit, këtyre tabuve të shoqërisë shqiptare, vargje nga thellësia e shpirtit, me sinqeritet, pa komplekse, duke i parë ato si lëngun gurgullues të jetës. Klito e ka këtë talent dhe këtë kurajo; ja pse ai mbetet një artist novator dhe original, një mik dhe shok i dashur për gjithkënd që ka pasur fatin ta njohë. Në këtë 75 vjetor të tij i uroj me gjithë zemër, shëndet dhe shumë vite të tjerë krijimtari artistike!

Klito Fundo
Klito Fundo

Nga vëllimi me poezi erotike, që e ruaj me dedikimin e tij, e që m’u desh ta shfletoj kur vendosa të bëj këtë shkrim, e pata të vështirë të përzgjedh atë që mund ta sintetizonte talentin, shpirtin dhe karakterin e këtij artisti original. Janë mbi 100 poezi, disa të shkruara që në vitet studentore, mbresa nga miq e shokë të tij, skena të ndodhura dhe rebelime fantazie. Të rinjtë e atyre viteve tashmë janë thinjur, por në një cep të zemrës ruajnë me përmallim kujtimet e pashlyera të pranverës: të djalërisë apo vajzërisë të tyre.

Virgjëreshës

Ç’më vështron moj vogëlushe e virgjër
Sa pi ujë ti, un’ pi konjak
Dhe në xhepa mbaj vetëm një libër,
“Rubairat” e Khajamit plak.

Ç’më vështron moj kryevepër seksi
Dhe si mjellmë rrugës më rrëshqet
Jam gjahtar i pamëshirshëm zoçkash
Në lakun tim ke për të rënë shpejt.

Ç’më vështron moj virgjëreshë e bukur
Dhe më qesh ashtu me ironi,
Prit, kur të të kem në shtrat të shtrirë
Si të tjerat do të më qash dhe Ti.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.