back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Poetët mbesin… kujtesë e amshueme e jetës… nga Jozef Radi – In memoriam – poetit martir Trifon Xhagjika

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Poetët mbesin… kujtesë e amshueme e jetës

nga Jozef Radi

In memoriam – poetit martir Trifon Xhagjika…

Trifon Xhagjika (1932-1963)
Trifon Xhagjika (1932-1963)

Rekanati asht nji qytet i vogël dhe i bukur, vendosun nji majëkodre, prej kah mund të soditet  me nji solemnitet hijerandë Adriatiku, po edhe ne thellesi te Apeninit… Po, mbi të gjitha gjithkund e prej kujdo Rekanati njihet si qyteti i lindjes së poetit Xhakomo Leopardi,  ose “Qyteti i Leopardit”!
Sa herë kam shkue në qytetin e Rekanatit, ajo çka m’ka ba ma shumë përshtypje, asht si jeta e këtij qyteti, edhe sot e kësaj dite, asht aq shumë e lidhun me jetën dhe veprën e poetit Leopardi… Nëse ti shetit rrugicave të kalldramta qytetit të vogël mesjetar atje majëkodre, e ndalesh në baret dhe piazzetat e tija të mrekullueshme, sodit pamjet fantastike në 360 gradë në pranverë o vjeshtë, ke me pà se gjithkund qyteti të flet me vargjet e poetit, dhe të duket sikur edhe sot e gjithë ditën, ai ka nji dhe të vetme: jetën dhe veprën e poetit të madh italian të shekullit të XVIII… Xhakomo Leopardi…
Dhe unë habitem e mahnitem… ndër ato rrugica të ngushta janë të ruejtuna me kujdes poezitë e tij. Vargje të shkrueme gjithkund, i gjen nëpër tavolinat e bareve, nëpër faqet e mureve të shtëpive apo kishës, ndër rrugica e porta, po edhe te muzeu i tij, që asht ndër ma të pasunit… me gjithçka që i përket Poetit… Gjithkund, duke ecë e sodite mund të takosh e të lexosh poezitë e tij të famshme si: “E shtuna e fshatit”, “Silvias”, “Gardhi” “Nerinës”, “Pafundësia”, e plot të tjera. Vargje mbi detin, qiellin, tokën, dashninë e dhimbjen… bile diku majekodre mbi të cilën ngrihet edhe qyteti, gjendet i shkrueme me germa super të mëdha vargu i famshëm leopardian: “Sempre mi fu caro questo ermo colle”, (Gjithnji m’qe e dashtun kjo kodër vetmitare…) nji prej vargjeve ma të thella, ku shpirti i poetit dhe shpirti i qytetit bashkjetojnë n’nji përjetsi të harmonishme, dhe ato vargje me gërma të stërmëdha mund të lexohen edhe prej dhjetë kilometrash larg…

Giacomo Leopardi (1798-1937)
Giacomo Leopardi (1798-1837)

Kët paralelizëm me Xhakomo Leopardin… mendoja ndërsa po shkrueja për jetën, veprën dhe martirizimin e poetit Trifon Xhagjika… (për çudi emnat e të dy poetëve më krijonin nji lloj asocacioni kumbues)
Trifon Xhagjika, u lind në nji fshat shqiptar të Jugut, në Peshtan, edhe ma mbas u rrit dhe u kultivue në kryeqytet. Në nji kohë të shkurtë, ai mbrriti me u dallue si djalosh me kurajo të epërme, në nji kohë që sa vinte e po bahesh ma e përbindshme. Çka asht e dhimbshme e vazhdon me mbetë e tillë, asht fakti se ne, asnjiherë s’kemi pasë respekt për poetët… asnjiherë s’na ka shqetsue as guximi i epërm dhe as fati tragjik i tyne… Me dhimbje e them se: nji popull që s’i nderon dhe respekton poetët, asht popull që meriton nji konsideratë të mefshët e të ndërdyshtë…
Gjithnji mendoj, që edhe sikur vetëm fshati i lindjes së Poetit Trifon Xhagjika, ai Peshtan i fundosun atje mes blerimit të pyjeve dhe maleve, diku midis Tepelenës dhe Përmetit, të fliste në emën të poezisë dhe të jetës heroike së këtij poeti martir… do të mjaftonte! Ai fshat sigurisht do të mund të jetonte në amshim edhe vetëm përmes jehonës së vargjeve të poetit, sepse Trifon Xhagjika do të mbetet prej atyne poetëve, poezia e të cilëve edhe dje, edhe sot, edhe nesër, edhe në tana kohnat, në tana vendet, mbetet aktuale… Kur ai, mes sallës së atij gjyqi, që kishte vendosë kahera me e dënue me vdekje, pa u trishtue hiç dhe pa u ligshtue asnji grimë për fatin e jetës së e vet, thirri: “Më jepni një top, ta godas regjimin tuaj…!” Me e pà sot në pikëpamjen e guximit qytetar, ky asht nji akt i pashembullt heroizmi… në krejt letërsinë botnore, asht pothuej e pabesueshme që nji poet i vetëm me u përballë me nji regjimi gjakatar dhe me vdekjen e deklarueme ndër sy… kërkoj nji top (qoftë figurativ), me goditë të Keqen që po shkatrronte nji popull… Duket e pabesueshme! Por ja që ka gjithnji njerëz po edhe poetë guximtarë, që kësisoj qeverish që vijnë dhe largohen prej pushtetit pa sjellë asgja pozitive në jetën e  popullit të tyne veç së Keqes… meritojnë me u goditë me top, në mos si ai i Trifon Xhagjikës…  disi t√ ngjajshëm me të…
Qe vargu i tij antologjik, poezia e tij heroike që e çoi drejt pushkatimit: “Njerëz, e pashë atdheun lakuriq…” asht poezi e gjitha kohnave, dhe e gjithë vendeve… – sepse ku ka diktatura, kur ka regjime shtypse dhe shfrytzuese që shkatrrojnë çdo vlerë kulture po edhe personalitetin e njeriut, sigurisht duhet të ketë edhe poetë me shpirt përgjegjsie, që kur e ndjejnë të keqen që avitet, të japin ulërimën, edhe në mënyrë metaforike klithin se po “shohin Atdheun lakuriq…”
Ajo çka unë kambëngul e kërkoj me theksue në kët paralelizëm midis Rekanatit të Leopradit dhe Peshtanit të Xhagjikës, asht respekti që civilizues ndaj poetit e ban ma të ndjeshme shoqninë, e ban edhe poetin pjesë të së përditshmes njerzore… Ndaj e theksoj se nji popull që s’trishtohet për fatin e poetëve, nji popull që s’mendon për vargjet që duhet t’i ketë si kredo të jetës së vet, që s’i bashkohet jetës dhe veprës heroike të poetit, që s’ngre në qiell statuja e piedestale poetësh si Xhagjika, e që nuk bashkohet edhe me guximin e tyne “të çmendun”… asht nji popull që shterret e shuhet pak nga pak, së bashku me kujtesën e vet historike.
Sigurisht, Trifon Xhagjika, asht sot nji poet pa nji qytet të vetin, pa nji fshat të vetin, pa një bashkësi dashamirësish, pa një nderim kolektiv, pa nji muze kujtese, pa nji përmendore të naltësimit të veprës së tij… Po ajo çka e ban ma të thellë e ma të skajme dhimbjen ndaj tij, asht fakti se Trifon Xhagjika sot e kësaj dite mbetet nji poet pa varr… e ndoshta vrasësit e tij janë gjallë e na ftojnë edhe për kafe!!! Sepse diktaturat luftën ma të madhe e kanë me poetët, pse ato u friken vargjeve që mund të shërbejnë si frymëzime kolektive… si sllogane të rebelimit masiv të njerzve të lirë kundra padrejtësive… prandaj diktatura shqiptare rekrutoi mjaft poetë në shërbim të saj, dhe ende sot flet për lavdinë e tyre… (sepse mendonte lavdinë e saj të përjetshme…!!)
Imagjinoni, 50 vjetorin e vrasjes makabre të nji poeti… Ai s’ka nji varr ku t’i vendoset nji tufë lulesh, apo t’i derdhet nji pikë loti, qoftë edhe prej atyne të paktëve që e njohin, që e duan dhe e adhurojnë!! Pse…??? E megjithëse pa varr, ai mund të kishte nji përmendore, nji bust, nji emër shkolle, a instituti… Por asgja…!!
Për me pasë nji ide ma të plotë rreth portretit dhe figurës së këtij njeriu dhe poeti guximtar të papërsëritshëm… u shtyva me kërkue pak ma shumë dhe vuna re se… se veç nji fotografie të vogël që qarkullonte në internet, s’kishte asgja tjetër…
Sigurisht në kët 50 vjetor të heshtun të vrasjes dhe martirizimit të poetit Xhagjika, po edhe mjaft prej sivllazënve të tij poetë… mospasja e nji varri e nji statuje, e nji manifestimi përkujtimor për të gjithë ne si qytetarë, për cilindo individ që ndjehet në naltësitë e ndërgjegjes qytetare, duhet të çoheshim në kambë, që në kët 50 vjetor të Poetit Martir Trifon Xhagjika, ai të kishte nji varr, nji përmendore… nji përkujtim ma shumë se të dinjitetshëm…

Shteti i sotëm, i cili mban përgjegjsi morale të vrasjen e Poetit, mund dhe duhej të sillej pak ma ndryshe… nëse ka ndërmend me u quejtë ndonjiherë shtet!!!
dhjetor, 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.