back to top
22.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Podgoriçaj dhe boshnjakë – nga Sait Saiti

Gazeta

 

Sait Saiti - 2018
Sait Saiti – 2018

Podgoriçaj dhe boshnjakë

nga Sait Saiti

Ndoqa me kërshëri shqetësimin dhe kushtimin e znj. Fatmira Allmuça për kushëririn e së amës, Izet Bebeziqin, sidomos hymja që cekte përmendjen se i paskan ba “muhaxhirë boshnjakë” në Wikipedian shqip. 
Së pari e falënderoj për vëmendjen dhe e bashkëndaj shqetësimin e saj sepse e kam përpilue vetë atë copëz biografike, por të interesuemt e tjerë duhet të kuptojnë që të dhanat e radhituna aty kanë ma poshtë bazën e referimit. Burimet janë ato që janë, saktësia e tyne asht debat i hapun, por rasti në fjalë ndoshta e meriton ndopak zgjanim.
Në Shkodër, ende sot ka familje me mbiemra që mund të duken gjuhësisht joshqiptar (tekembramja edhe mbiemna shumëshqiptarë nuk duken sikur kanë ndonjë shpjegim shterrues e bindës), dhe ngaqë u asht hekë mbaresa karakteristike (-iq ose – ov+iq) prej politikave demografike nacionaliste si të Zogut ashtu edhe të Enverit identifikimi mundet me ardhë prej përvojës, intuitës ose thjesht tue pyetë. Referenca ma e përhapun (dhe ajo ma e keqpërdorun për diskutime të një lloji tjetër) asht vëllimi i dytë i monografisë së Hamdi Bushatit, “Shkodra dhe motet” botue më 1999. Bushati si i lemë në zaman osman, në një familje me tradita, por edhe i begenisshëm për mexhliset e vaktit, ka mbledhë konak m’konak prejardhjet e familjeve shkodrane dhe kësodore prej tij kena sot një pasqyrë të indit social të para një shekulli. Për rastin në fjalë materiali, jorrallë i abuzuem, që mundet me hedhë dritë për shqetësimin e zonjës Allmuça qarkullon online me titullin “Familjet shkodrane me prejardhje të huej” ku te nënparagrafi “Podgoriçajt të ardhur nga Mali i Zi” jo vetëm asht ndër të parët radhitës të kësaj lëvizjeje demografike, por edhe na mundëson një periodizim për valët e ardhjes. Podgoriçajt siç u thuhet shkodrançe, i cilëson sllav musliman nga Podgorica, Nikshiqi, Shpuza dhe Malit të Zi në përgjithësi. Ndër mbiemnat e radhitun asht edhe Bebeziqi, fakti që e përmend domethanë – për mendimin tem – se ka qenë ndër familjet e takamit.

Hamdi Bushati "Shkodra dhe Motet"
Hamdi Bushati “Shkodra dhe Motet

Ndër gjanat që dihen po nga Bushati për podgoriçajt asht se gati pushtuen zanatin e kasapllëkut (si struganët prodhimin e bukës, e dibranët e qeserit – ndërtimtarinë). Sa i përket emërtimit që u asht dhanë, kuptohet që podgoriçaj asht një term përgjithësues, që si duket mundet me ardhë ngaqë Podgorica ishte qendër kazaje (njësi administrative osmane) dhe/ose ngaqë Podgorica perceptohej si pragu i botës sllave prej shkodranëve që i vunë vulën si emërtim. Përveç zetasve – banorëve të fushës së Moraçës përreth Podgoricës që i hyjnë natyrshëm të dyja këto hamendje të mijat, – argumenti që mundet me i dhanë shpjegim hamendjes së dytë janë historitë familjare dhe gojëdhanat e disa familjeve që truellin e prejardhjes e dijnë se ka kenë në trevën e Sanxhakut (Sanxhaku i Novi Pazarit vaktit) dhe Bosnja. Tjetër element i emërtimit asht “sllav musliman” por meqë sllavë ishin edhe ortodoksët atëherë motivacioni fetar duket se ka qenë vendimtar për shpërnguljet kur këta kanë qenë prej hallit. Pjesa tjetër e gjanave që dihet për këtë bashkësi mbijeton vetëm si narrativa, ndër narrativat ma të hasuna asht gjuha, ende qëllon me pasë njerëz që kanë ndigjue njerëzit e shtëpisë dhe sidomos gjyshat tuj u folë nashke (sllavisht “gjuha jonë”, n’e tonën). Ka narrativa që kumtojnë se muslimanët e Shkodrës nuk kanë ba krushqi me to deri mbas Luftës së Dytë, pavarësisht se të një feje, se mes muslimanëve e katolikëve kjo jo e jo që nuk ndodhte. Por ka edhe narrativa për rastin përjashtues: që kumtojnë se Hoxhiqt, boshnjakë me prejardhje, paskan pasë një nuse prej Muzhanëve, familje e kenun katolike shehërlie. Prej hamendjes teme, dhe njëfarë “connecting the dots” me intuitë tham mund t’u atribuohet pasurimi i kangëve e ndoshta edhe kuzhinës qytetare shkodrane.
Sa i përket gjuhës me aq analogji sa mund të ndërtohet me raste tjera, një pjesë e kësaj bashkësie mund të kenë qenë bilingë apo dygjuhësh. Ato njësi administrative osmane nga erdhën ishin të tilla dhe kanë pasë një haber minimal me komunikue me tjetrin si horizontalisht në përditshmëni ashtu edhe vertikalisht në administratë, tjetër që për ta mund të rastiste ma të shumtën e herëve me qenë shqiptari. Një e dhanë që më ndihmon me e perceptue këtë përmasë asht punimi i një hulumtuesi turk që ka ba për Tahir Pashën, që ne ia kena llagapin Krajani, por turqit e njofin si Shkodrani. Në të dhanat e tij njoftohet se dinte serbisht, si një nga gjuhët e sanxhakut të Shkodrës; si duket meraku i komunikimit me tjetrin ka qenë i dyanshëm. Në rastin e podgoriçajve, gjuha e komunikimit me tjetrin që kishin në vendin e prejardhjes u ba e vetmja gjuhë publike, pazari dhe shkolle kur lëvizën në Shkodër, ndërsa nashkja mbeti gjuhë votre për aq sa zgjati dhe pati inerci. Sidomos arsimimi kombëtar mbas pavarësisë ndoshta prej pandjeshmërisë, por edhe prej frikës së spekulimit te shteteve fqinje, e fashiti në masë, me ndonjë përjashtim.
Në laminë e muzikës, prej Kolë Gurashit dijmë që ahengxhiu Marku i Kranjanes e lëmoi merakun e vet kur shkoi në Sarajevë dhe ra në kontakt me sevdalinkat e atjeshme, pak a shumë si Tonin Tërshana kur ra në kontakt me Safet Isoviç. Po t’i vejmë re emërtimet e kangëve të dashtnisë, jaret shkodrane dhe sevdalinkat sarajevalie janë në thelb e njëjta fjalë në dy gjuhë të ndryshme: jare (jaran, jaraní, jaraneshë) nga persishtja dhe sevda nga arabishtja të dyja përmes turqishtes osmane shënjojnë ashikninë, miqësinë, dashamirësinë apo dashtninë.

Izet Bebeziqi - Mësues i Popullit
Izet Bebeziqi – Mësues i Popullit

Sa i përket rastit të Izetit, përveç mbiemrit me mbaresën -iq, përcjellet se ka dijtë serbo-kroatisht, por kjo a ka kenë peshqesh i erudicionit të tij apo edhe prejse ishte gjuhë votre, mbetem në nivelin e aludimit. Përtej vetë mbiemrit, narrativën e prejardhjes boshnjake e ka kumtue Hysniu i Hafiz begut, djalë axhe i Izetit, dhe mbajtës i emrit të të gjyshit. Gojëdhanat kur nuk komunikohen me tanë të afërmit njëlloj asht e lehtë që arsimi me mbjellë vetëdije kombëtare jo të asaj gojëdhane dhe me mbjellë sentimente refuzuese. Ama familja dihet se kanë ardhë prej Podgorice, llogariten nga Hamdi Bushati si sllavë muslimanë, por një detaj tjetër që mundet me ndjellë kureshtje asht që vetë Izeti edhe u martue me zonjën Bedrije Shpuza në Durrës. Një familje me këtë mbiemër në Shkodër e ka mbiemrin parak Mećikukić, kushedi nëse bahet fjalë për të njëjtën familje apo së paku të njëjtën prejardhje… Megjithatë, prejardhje nuk privon pasardhësit me marrë rrugëtim tjetër vetëidentifikues, por për një memorie të shëndoshë as vetidentifikimi nuk duhet me refuzue gojëdhanat e prejardhjes. Te tanë si jena duhet të kena pasë ndonjë paraardhës që ka ardhë nga diku dhe të afërm që shkojnë diku, kështu që te tanë kena hisen tonë te fjala muhaxhir. Fjalë e cila kur kanë ndodhë së paku dy nga lëvizjet e podgoriçajve, ka qenë term politikisht korrekt.
Uroj që me këto rreshta të kem dhanë ndonjëfarë ndihmese dhe shpjegimi mbi pse-në e atyne të dhanave, por secili prej nesh ka kutin e vet se sa me qenë ose jo pranues i të huejës. Secili nga të rahmetlijtë e ka dijtë të vërtetën e vet ashtu si ua kanë thanë dhe tashma e kanë marrë me vedi. Por përmbi tanë, tekembramja, të Vërtetën e din vetëm Zoti. 

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.