Pjetër Bogdani, Shenjtori i pakurorëzuar… nga Ndue Bacaj

Pjetër Bogdani (1630-1689)

Pjetër Bogdani (1630-1689)

Pjetër Bogdani, Shenjtori i pakurorëzuar

që me “dritën” e tij sfidoi errësirën Turko-Osmane

nga Ndue Bacaj

Në përkujtim të 325 vjetorit të vdekjes

(5 dhjetor 1689 – 05 dhjetor 2014)

Shqiptarët gjatë historisë tyre mijëravjeçare në trojet e tyre etnike, kanë kaluar përmes një “deti” të pashtershëm valësh e dallgësh që kërkonin t’i përpinin duke mos lënë as nam as nishan në hartat e hershme e më të vonshme të njerëzimit, ku ju shtua edhe errësira e frikshme dhe gati e pambarimtë turko-osmane pas shekullit të XV-të. Ndonëse errësira shtohej e frika e zhdukjes sa vinte e rritej, si me frymën e vetë Zotit, në horizontin e kombit tonë lindin gjeni të shpirtit e të mendjes që lëshonin dritën e tyre e paralajmëronin shpresën, ndihmonin mbijetesën dhe rrisnin qëndresën. E këta gjeni padyshim janë shenjtorë të lindur nga kombi ynë, madje nga drita apo hiri i tyre kanë përfituar jo pak popuj të Europës e Botës, të cilët shpesh si për “ironi” të fatit tonë këta shenjtorë të “kurorëzuar” apo jo, më shumë i nderojnë e kujtojnë popuj tjerë të Europës e botës se ne, të cilët i lindëm dhe janë pjesë e “trupit” tonë, shpirtit tonë dhe shenjtërisë sonë, më shumë të ëndërruar se sa jetuar ndër shekujt që kaluan… Por me shpresë për shekujt e ardhshëm…
Gjithsesi Shenjtorët e lindur nga kombi jonë janë të shumtë, po kaq sa edhe vështirësitë e stuhitë që kaluan në mbijetesën tonë, madje për këto është shkruar mjaft, duke përfshirë edhe shkrimet e mija modeste. Por në këtë shkrim duam të kujtojmë sadopak Shenjtorin e pa “kurorëzuar”, i cili me dritën e tij gati hyjnore arriti të ndriçojë një nga periudhat më të vështira të popullit shqiptar, e pikërisht ato të shekullit 17-të, kur pas një lavdie disa vjeçare në shekullin e 15-të, me në krye heroin legjendar shqiptar e europian Gjergj Kastriotin, Shqipërinë u gjend e pushtuar nga perandoritë më mizore të shfaqura mbi tokë prej qindra vjetësh, Perandoria aziatike Turko-Osmane, e cila me “qytetërimin” e saj të dajakut e të shajakut vendin e shqipeve e kishte mbështjellë me vellon e territ dhe tmerrit. Por atëherë kur kjo perandori e së keqes mendonte se një ndër kombet më të vjetër të Europës po e fshinte nga harta, (të pakten nga ajo e qytetërimit të lashtë euro-kristian) në horizontin e errësuar shqiptar filloi të duket një dritë që vinte nga fetari e atdhetari shqiptar Pjetër Bogdani, i cili sfidoi jo vetëm errësirën e kohës, por “drita” e tij dallohet edhe sot në shekullin e 21-të…
Po përpara se të kalojmë në një “revistë” të shkurtër veprat toksore e hyjnore të shenjtorit të pakurorëzuar, Meshtarit, Ipeshkëvit e Arqipeshkëvit të Shkodrës, Tivarit, Ohrit, Shkupit e tërë Shqipërisë (Etnike) po japim diçka për të njohur fillimisht nga ajo që mund të quhet fillesa e Curriculumit të Pjetër Bogdanit.
Ai lindi në familjen e njohur të Bogdanëve nga Guri i Hasit, një fshat në afërsi të Prizrenit, pra ishte bir i Dardanisë historike dhe i Kosovës martire. Mjerisht datëlindja e tij nuk dihet e saktë, por mendohet se ajo mund të jenë rreth viteve 1620-1628. Nga familja Bogdani në atë kohë njihej Andrea Bogdani, Kryeipeshkëv i Ohrit (1652) dhe i Shkupit (1655), por nga ky gjak rridhte edhe paraardhësi tjetër Pjetër Mazreku, i cili ishte primat i Servisë, dhe Kryeipeshkëv i Tivarit (1630), gjithsesi nuk duhet të harrohet se ishte mjaft e vështirë qëndresa në besimin katolik, madje të bëheshe edhe udhëheqës shpirtëror i katoliçizmit, i cili në atë kohë ishte nën efektin e dënimit me “vdekje” nga Osmanllinjtë.

Pjetër Bogdani - Ceta e Profetëve

Pjetër Bogdani – Ceta e Profetëve

Natyrisht me ndihmën e axhës së tij, Ipeshkëvit Andrea Bogdani, Pjetri shkon të shkollohet në Itali (Romë), ku kryen shkëlqyer studimet teologjike, madje sapo i kryen studimet e shkallës së dytë në kolegjin e “Propagandës fide”, ai kërkon të ndjekë studimet e mjeksisë që të ndihmojë bashkatdhetarët e tij (shqiptarë) më mirë për të shëruar trupin e shpirtin shpesh të helmuar nga jevgjit e ciganët që me bestytnitë e tyre po helmonin gjithçka nga populli shqiptar si rezultat i padijes. E kjo kërkesë është shkruar në letrën e parë që Bogdani i dërgon sekretarit të Kongregatës shenjtë në vitin 1647. Natyrisht që kjo kërkesë i miratohet dhe ai studion përveç teologjisë dhe moralit kristian edhe për mjeksi, duke u bërë një nga studentët më në zë të kohës. Por gjatë kësaj kohe Bogdani mban korrespondencë me Kongregatën e Shenjtë (Romë) ku në letrën e tretë, rrëfen gjithçka po ndodh në vendin e tij, dhe i lutet Kardinalit t’u bashkohet lutjeve të tija që të çlirohen “delet e shkreta të Krishtit nga goja e këtij ujku të tërbuar” (Turkut N.B.).
Në vitin 1651, P. Bogdani shugurohet prift dhe mbron doktoratën, ku misioni i tij fillon në Gash që gjindej në Ipeshkëvinë e Pultit. Ku përsëri vazhdon korrespondencn me Kongregatën e shenjtë, duke paraqitur gjendjen reale të krishterëve nën sundimin turk si dhe gjendjen e mjeruar të objekteve të kultit të krishterë, dhe mungesën e theksuar të barinjve shpirtërorë në këto vise malore ku ruhej me fanatizëm “fara” katolike. Madje në letrat e Bogdanit kërkohet të mposhtet Errësira e Injorancës, të ndriçohen njerëzit me anë të diturisë etjera që vërtetojnë shqetësimin e këtij misionari fetar e atdhetar, pasi ai e dinte mirë se është pikërisht padija, errësira e vërtetë ku “notojnë” holldupët e “pafe” otomanë. Në letrën nr. 16 të vitit 1656, vërtetohet se Pjetër Bogdani shpallet Ipeshkëv i Shkodrës, si dhe tregohen vështirësitë e mëdha që i sjellin turqit për të ushtruar detyrën, ku vlen të theksohet ajo çfarë shkruan kur ndodhet në Kotorr në atë kohë tërësisht shqiptare e me shumicë katolike… Në një letër të Bogdanit sqarohet se sapo është kthyer në kishën e tij në Shkodër ai është ballafaquar me të birin e Pashës, i cili e burgosi për një muaj, dhe u lirua vetëm pasi pagoi një shumë të hollash në dorë, madje thekson se edhe tani ndodhet në një bodrum ku shkruan me një kandil në dorë. (Letra 19 më 25.XI.1656). Në letrën e tij nr. 24 të datës 22.X.1657 ai shkruan nga Prizreni se si rrugës u takua me jeniçerë të cilët donin ta sulmonin, por në sajë të kalit të tij të shpejtë arrin që me një vrap të tmerrshëm nëpër shkëmbinj të shpëtojë. Në letrën me nr. 29 të shkruar nga Shkodra më 20.X.1658 ai tregon se nga mungesa e priftërinjve janë kthyer shumë shqiptarë në fenë muslimane, por pasi ai vetë po predikon me gjithë shpirt doktrinën e Krishtit, shumë të “Turqizuar” po rikthehen në fenë e tyre të vërtetë (kristiane), madje Bogdani uron që një ditë të lindë një prijës i mirë me vepra e me ndjenja sikur Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Në këtë letër kërkohet që të rritet numri i priftërinjve në Malin e Kelmendit, i cili përfshin dymijë shpirtëra të etur për fe e dije… Si dhe vazhdon me emra priftërinjsh që punojnë e kërkon të emërohen në famulli të ndryshme, duke bërë që të rigjallërohet jeta fetare e zbehur nga regjimi i territ dhe i tmerrit të pushtuesve osmanë…
Në vitin 1660, Pjetër Bogdani emërohet edhe administrator i Ipeshkëvisë së Tivarit. Edhe me këtë rast Bogdani i kërkon Kongregatës së Shenjtë t’i jepet administrimi i Budvës, ku kanë qëndruar paraardhësit e tij me titullin e administratorit (pasi në atë kohë Budva ishte me shumicë katolike e shqiptare, N.B.). Në letrën 44, të datës 24.V.1660, Ipeshkëvi i Shkodrës, P. Bogdani i shkruan Kongregatës vështirësitë që rrjedhin nga mungesa e rezidencës së tij, ku ai detyrohet të banojë herë në një shtëpi e herë në një tjetër, pasi turqit ja kanë marrë rezidencën, e njëjta gjë ndodhet edhe në Tivar, dhe përsëri ai kërkon Budvën ku ka qëndruar paraardhësi i tij Administrator, si dhe shpreh nevojat financiare për të mbijetuar. Në letrën me numër 48, të datës 28.6.1660, ai u paraqet Eminencave gjendjen e kishës së tij, ku thotë se turqit rrënuan Katedralen me shtëpinë Ipeshkëvnore, dhe ai tashmë mbeti jashtë si një lypës derë më derë… në Shkodër.
Në letrën 73, me datën 09.V.1662, nga Shkodra njofton kongregatën për vështirësitë e krijuara nga turku, por edhe pështjellimin që ka sjellë tek të krishterët braktisja e fesë Katolike dhe kthimi fisërisht në Musliman të Priftit të Jubicës Don Nikë Lekës, ku pas kësaj strehohet në Stamboll, (Kostandinopojë). Në letrën tjetër që mban numrin 79 të datës 25.II.1663, ndër të tjera tregon se si në Shkodër erdhi Bejlerbeu i Sofjes, që ishte edhe Prefekti i tërë Greqisë dhe i dërgoi Bogdanit një kryetar të tij me 15 oborrtarë të cilët e kërcënuan se me aktivitetin e tij po pengon këtë vend të bëhet “turk”, dhe për këtë do të coptonin me shpatë, madje njëri prej tyre u mat të godiste. Pas kësaj Bogdani dhe të gjitha kishat mbetën të mbyllura për tri ditë, e për t’u hapur u paguan 70 skude. Ndërsa në letrën e datës 02.IV.1663 Bogdani tregon se Don Nikë Grubesa, një prift 45 vjeçar persekutohet e torturohet nga turqit, ku i ngarkuar me një hu mbi supe, shetit nëpër tërë rrugët e qytetit (Shkodër) për t’u martirizuar…

Pjetër Bogdani - Këngët e Sibilave

Pjetër Bogdani – Këngët e Sibilave

Në letrën 87 të datës 20.IV.1665 Ipeshkëvi i Shkodrës (P. Bogdani) tregon se si shkatërrojnë turqit objektet e kultit të besimit katolik, madje ai tregon se si u uzurpuan pronat e kishës dhe u prishën konaqet Ipeshkvnore në Shkodër e Tivar. Letra 100 e Bogdanit paraqet se si Mehmet Pasha prej Vlore, një shqiptar i pabesë sulmon Kotorrin duke shkatërruar gjithçka, tuj përfshi edhe kishat katolike, vetëm për të marrë titullin Pasha i Shkodrës, letra shkruhet nga Barbullushi më 19.X.1666. Ndërsa letra 110 tregon për vizitën e P. Bogdanit në Malet e Kelmendit dhe mban datën 14.VIII.1667. Letra 132 e datës 03.V.1669 tregon se si Bogdani është duke pritur një vizitues të dërguar nga Kongregata e Shenjtë, si dhe tregon se Tre Malet: Hoti, Kastrati dhe Shkreli, ku jetojnë shumë të krishterë kanë mbetur pa asnjë prift, duke bërë që njerëzit të vdesin dhe varrosen pa shërbesat e nevojshme fetare, si dhe pa u kryer shërbimet e shenjta ditët e festave të Pashkëve e tjerë, e këto si rezultat i shkatërrimeve nga turqit, dhe këta malësorë të mirë i drejtohen atij, por e ka të pamundur t’i ndihmojë e veç t’i ngushëllojë. Ndërsa në vijim të letrave të Ipeshkëvit, të bën përshtypje letra 136, e datës 10.IX.1669 e cila përshkruan se si vetë Zoti bëri emër që persekutuesit e Ipeshkëvit të Shkodrës dhe Administratorit të Tivarit të vdesin në mënyrë të shëmtuar, e pikërisht Pashai u godit nga kolera ku për 15 ditë e mbyti, ndërsa Ali Begu, kushëriri i pashës, i cili kërcënonte çdo ditë Ipeshkëvin se do ta coptonte, vdiq i coptuar vetë nga dora e të vëllait të vet, edhe një turk tjetër që kërkonte të tallte Ipeshkëvin dhe fenë kristiane, u rrëzua nga një dru që hipte dhe përfundoi pashpirt, ndërsa dy hajdutët e paguar nga Turqia që kishin vjedhur Ipeshkëvin në Mirditë u vranë nga shokët e tyre dhe u varrosën në Borë. Madje dhe dy priftërinjtë të bashkuar me turqit gjetën vdekjen pa shkuar shumë mote. Gjithsesi Bogdani i lutet mirësisë së Zotit t’u falë mëkatet dhe paqen e amshuar…
Letra 137, përshkruan gjendjen e mjeruar që kishte kapluar Arqipeshkëvinë e Tivarit në vitin 1665, kur Bogdani e vizitoi dhe konstaton se si rezultat i mungesës së priftërinjve popullsia e krishterë kishte filluar të kthehej nga katolike në ritin ortodoks (grek) “Bizantin”, e në atë kohë Tivari kishte 8 fshatra me 2400 katolikë shqiptarë. Letra me numrin 142, e datës 06.XII.1670 është mjaft tronditëse pasi tregon fatin e priftit katolik Pjetër Mazreku (kushëri nga nëna e Bogdanit), i cili u vra nga një turk që shoqërohej nga pesë të tjerë në truallin e Prizrenit afër Drinit. E Vikari Apostolik i Pultit (Pjetër Mazreku) u godit me shpatë duke i prerë krejt njërin sup dhe varur kokën mbi damar të qafës, ku duke dhënë shpirt thirri tri herë Jezu, Jezu, Jezu… pas kësaj, të vdekur e çveshënm dhe trupin duket se e hodhën në Dri. Në letrën 147, të datës 15.IV.1671, tregohet qartë tmerri i shkatërrimeve që mbodhën turqit në Lezhë dhe Dukagjin. Ndërsa në vijim të letrave në atë me numër 153, Bogdani tregon brengosjen e tij për popullsinë e Rrjollit, e cila është tepër e varfër ekonomikisht, dhe ka nevojë për një mësues që të shërbejë në shkollën e Rrjollit, ku propozon me këtë mision Don Mark Xhustrin; kjo letër mban datën 20.XI.1671. Përsëri në një letër të vitit 1672, Bogdani njofton Eminencat në Romë se Hoti, Kastrati, Triepshi dhe Trushi (Trumshi) i Poshtëm me shumicë katolike janë pa priftërinj. Pas një pune të madhe shpirtërore të Ipeshkëvit dhe priftërinjve të tjerë u arrit që në disa fshatra që ishin kthyer në ortodoksë edhe me dhunë të rikthehen në fenë e të parëve atë katolike, e pikërisht për këtë bën fjalë letra nr. 166, e datës 10.IV.1674, që përmend fshatrat Gradishkë edhe Jubicë. Në një letër të datës 15.IV.1674 njoftohet për murtajën që kishte rënë në Shkodër që para dy vjetëve. Po në vijim të letrave, në atë me numër 171, të datës 16.IX.1674 njoftohet se 9 fshatra të Rrjollit me 136 shtëpi e 946 banorë janë pa prift, 6 fshatra me 89 shtëpi e 730 banorë të Shkrelit janë pa prift, gjithashtu edhe në famullinë e Kastratit janë pa prift 220 shtëpi me 1910 banorë, të gjithë katolikë. Në letrën 180, shënohet ndihma që jepet me misionarë për shkollën e Rrjollit, si dhe në letrën 182, të datës 29.XII.1675 ku kërkohet ndihmë për krahinat e Kastratit dhe Hotit, si dhe nevojat për shkollë, si nevoja të ngutshme të 200 shtëpive katolike. Përsëri në letrën 185, të datës 03.I.1676, Ipeshkëvi shpreh gjendjen e mjeruar të 200 shtëpive Hot e Kastrat që ndodhen pa prift e pa pagëzim, pasi është e pamundur që një prift i vetëm (Don Pere Dajçi) të arrijë të kryejë shërbesat e nevojshme. Në letrën 187, të datës 03.I.1676 Pjetër Bogdani tregon për kujdesin e tij për ribotimin e Doktrinës së Vogël të Krishterë të autorit Frençesko Bernardo nga Verona, e përkthyer në Shqip nga Bogdani. Në letrën 189, të datës 06.V.1676 tregohet se Bogdani po merret me meremetimin e kishës dhe rezidencës së tij në Rrjoll. Në vitin 1677, Bogdani emërohet Arqipeshkëv i Shkupit. E sapo u mor vesh ky transferim një grup turqish së bashku me disa serbë sulmuan vendqëndrimin e Bogdanit në Rrjoll, duke sjellë shkatërrim e plaçkitje, e kjo shënohet në letrën 205 të datës 07.XII.1677. Letra 213, e datës 24.IX.1678 tregon se si Partiarku i Pejës (ortodoks) u ka shpallë luftë klerikëve dhe popullsisë katolike, e kjo me ndihmën e turqve. Ndërsa në një letër më nr. 264, e datës 03.III.1685, shkruan për persekucionin e pashoq së heq vetë Bogdani dhe gjithë kleri katolik dhe kjo popullsi nga pushtuesit turq, si dhe tregon se disa herë arrestohet e lirohet, madje kjo duke përfituar se ishte i regjistruar si qytetar i Raguzës, ku për këto lirime paguhej edhe të holla. Në letrat 274, dhe 275, të datës 15.XII.1685, Bogdani i drejtohet Papa Inoçenti XI ku e njofton se kishte hartuar në shqip dhe italisht një libër ku dëshmon Doktrinën e Krishtit si nga ana teologjike, por edhe shkencore të bazuara mbi dukuritë e natyrës dhe në astronomi me titull “Cuneus Prophetarum de Cristo Salvatore Mundi” që tashmë kjo vepër njihet nga ne si “Çeta e Profetëve”.

Pjetër Bogdani - (Arqipeshkëv i Shkupit)

Pjetër Bogdani – (Arqipeshkëv i Shkupit)

Kjo vepër e rëndësishme e gjuhës shqipe është botuar për herë të parë në Padova në vitin 1685, dhe dy herë të tjera në vitn 1691 dhe 1702. Gjithsesi një letër me numër 276, e datës 17 dhjetor 1685, sqaron veç të tjerave për një shkollë për katolikët në Prokopi dhe për katolikët e Leskovcit që ishin shumicë dhe shqiptare. Një letër e tmerrshme që mban numrin 292, e datës 05.IV.1687 tregon për një ngjarje tragjike në ekzekutimin e priftit të Gjakovës nga turqit, e ku shkruhet Don Andre Kalamashi, që kundërshtonte fenë Islamike dhe u thoshte besimtarëve të duan besimin e vërtetë kristian e muarën turqit ta vrasin, duke e torturuar të lidhur. Kur ata menduan se vdiq e zgjidhën këmbësh e duarsh dhe e lanë në shesh të varur për një javë. Ky prift i mjerë pas një kohe u çua në këmbë, e largoi litarin nga fyti dhe bërtiti: “Qëndresë, qëndresë të krishterë, se Jezu Krishti është më i fuqishmi”. E porsa i tha këto fjalë ra i vdekur përpara turmës së turullosur e tmerruar. Tiranët Osmanë ia prenë dorën e së bashku me lëkurën e kokës ja dërguan Vezirit të Madh, ndërsa Bogdani kërkohej të pësonte fatin e këtij prifti… E një fat të dhimbshëm e pësoi Ipeshkëvi e mbajtësi gjallë i doktrinës së Jezu Krishtit ndër këto vise shqiptare Pjetër Bogdani, ku kjo tregohet në letrën 302, të datës 15.V.1689, ku Bogdani arrestohet dhe pasi torturohet e nuk mohon fenë e Krishtit, por e dëshmon atë, çfarë shton forcën shpirtërore të vetë katolikëve të tjerë, e për këtë turkoshakët e zhveshin lakuriq dhe e shëtisin nëpër qytetin e Prizrenit, e në këto tortura i thejnë edhe njërin krah, madje e kujtojnë të vdekur, çfarë në fakt nuk ndodhi pasi vdekja i erdhi me 5 dhjetor 1689, e shkaktuar nga epidemia e murtajës dhe pasojave të torturave të bishave turke. Dëshmia autentike e vuajtjeve dhe persekutimeve të këtij meshtari të pashoq e japin dy nipat e tij priftërinjtë Gjon e Gjergj Bogdani.

Monedha 1000 Lek me figurën e Pjetër Bogdanit

Monedha 1000 Lek me figurën e Pjetër Bogdanit

Vlen të theksohet se gjithë korrespondenca e Pjetër Bogdanit me Selinë e Shenjtë, përmban rreth 308 letra, të cilat përshkruajnë saktë e me nota vërtetë të mjerueshme vuajtjet e popullsisë së Shqipërisë së Veriut e më gjerë nga çizmja turke, e cila kërkonte t’u merrte përnjëherësh besimin, qytetërimin, pasurinë e në fund edhe jetën. Gjithsesi këto letra sensibilizuan jo pak edhe Selinë e Shenjtë, por edhe fuqitë europiane të kohës që sadopak ndaluan stuhinë kobndjellëse që binte mbi shpinën e popullit më të lashtë të Europës. Duhet theksuar se letërkëmbimi është shkruar dhe konceptuar vazhdimisht në shqip dhe është përkthyer në Italisht për t’u dërguar në Selinë e Shenjtë. Duke lexuar disa letra të Pjetër Bogdanit mësojmë se pranë famullive ka pasur shkolla në Rrjoll, Kastrat, Grudë, Hot etjerë, ku në këto shkolla nxenësit kanë mësuar edhe gjuhën shqipe të kohës, pasi këto shkolla i drejtonte vetë Ipeshkëvi që përkthente, fliste dhe shkruante shqip… Pas këtyre letrave ja vlen të studiohet se në veri të Shqipërisë janë kenë të hapura shkolla shqipe shumë më herët se data që e festojmë (1887… Por edhe duke përmendur treva shqiptare tashmë të grabitura e asimiluara nga Serbia e Mali i Zi, si Budva, Kotorri, Tivari, Novobërda e tjerë që të gjitha figurojnë katolike e shqiptare deri nga fundi i shekullit 17-të na orienton mbi vërtetësinë e autoktonisë së këtyre trojeve. Nga shfletimi i letrave e dokumenteve vërtetohet se Pjetër Bogdani ka qenë një luftëtar i denjë i doktrinës atdhetar e kristiane, ku gjatë viteve të tij të fundit (1683-1689), ai shpesh gjindet pranë gjeneralit (austriak) Pikolomini që kryesonte Aleancën e shenjtë kundër turqve. Bogdani gjatë jetës së tij u mundua gjithnjë që të dërgojë misionarët dhe mësuesit që të shmangin “Mbytjen shpirtërore të popullatës”, madje ai shpesh i veshur si fshatar brodhi rrugëve dhe gjente strehim në shpella duke shkruar me qiri në dorë dhe larg syrit të pafeve, siç i quante ai turqit. Dashuria e Bogdanit për Jezu Krishtin e doktrinën e tij, bëri që të dëshirojnë martirizimin e tij qysh në vitin 1663, ku shkruan se është i gatshëm ta derdhë gjakun e vet për Jezu Krishtin. E për këto ka dëshmi edhe në fshatin e sotëm Rrjoll, ku afër qytezes-kështjellë të Ballezës gjinden emërtime si Shpella e Bogdanit, Vatra e Bogdanit, Shtroja e Bogdanit e tjerë. E padyshim përkushtimi i Pjetër Bogdanit shpëtoi jo pak treva veriore e verilindore të Shqipërisë pa humbur në vorbullat e qytetërimit turko-aziatik…
Në testamentin e tij të lënë para vdekjes nipave të vet… Bogdani tha: “Shpirtin po ia kthej Zotit, ndërsa Trupin po ia lë dheut”… Në fakt shpirti i shkoi në qiell ku shpresojmë të lutet për ne, ndërsa trupin ja çvarrosën turqit, madje edhe jua hodhën qenve, duke dëshmuar dobësinë e doktrinës së tyre “sunduese”, por edhe frikën e këtij shenjtori që i mallkoi paprerë derisa erdhi një ditë qenëve ju hodhë edhe vet perandoria turko-osmane e mjerimit… zhelet e të ciles jo pak na kanë mbetur varur, e ku shpesh kërkohet të na “serviren” si rroba të reja…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook