back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Piramida e përmbysur e përfaqësimit dhe zgjidhja për krizat nga Afrim Krasniqi

Gazeta

Afrim Krasniqi
Afrim Krasniqi

Piramida e përmbysur e përfaqësimit dhe zgjidhja për krizat

nga Afrim Krasniqi

Krizat politike të viteve të fundit nuk janë kriza mosbesimi midis palëve politike dhe as çështje parimesh, – por në thelb janë kriza të përfaqësimit dhe të deformimit në sistemin politik. Baza e tyre janë dy faktorë:
a)personalizimi i partive politike duke i kaluar ato nga parti me bazë vendimmarrëse në parti – lider në funksion të agjendës së kryetarëve të tyre, si dhe
b)ndryshimet kushtetuese 2008 që krijuan edhe de juro një sistem vertikal vendimmarrës dhe përfaqësues.
 
Analizat e Institutit të Studimeve Politike provojnë se ndryshimet kushtetuese 2008 pamundësojnë mocionet e mosbesimit funksional ndaj kryeministrave dhe cënojnë rëndë parimin e ndarjes dhe balancës së pushteteve. Ato krijojnë sistem të mbyllur konkurrimi, – përcaktim të deputetëve dhe të këshilltarëve nga listat partiake, pra nga titulli politik i partisë, – dhe për pasojë, kufizim të ndjeshëm të konkurrencës dhe vertikalizim të vendimmarrjeve në parlament në zgjedhjen e institucioneve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese 2008 dobësuan rolin e Presidentit e të parlamentit, si dhe forcuan ndjeshëm rolin e Kryeministrit, i cili vijon të jetë njëherësh kryetar partie, kryetar mazhorancë, kryetar qeverie dhe burimi kryesor i vendimmarrjes politike në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.
Në të njëjtën logjikë edhe ndryshimet kushtetuese 2016 si dhe ndryshimet ligjore në organet e ndryshme që burojnë nga Kuvendi, u bënë në atë formë të tilla sa të sigurojnë vendimmarrje finale me 71 vota, pra 50+1% të përbërjes së Kuvendit. Aktualisht, i vetmi post që kërkon 84 vota, pra shumicë të kualifikuar, është Avokati i Popullit.
Të dhënat e ISP tregojnë se edhe në dhjetor 2018 u bë një ndryshim tjetër i heshtur, ku edhe Inspektorit të ILDKPI iu ndryshua formula e zgjedhjes, – nga votë e cilësuar në 71 vota në raundin e dytë dhe nga një në dy mandate. Vendi vijon prej më shumë se një viti të mos ketë Prokuror të Përgjithshëm me mandat të plotë, dhe prej tre muajsh të mos ketë Kryetar të KLSH funksional. Simbolika? Partitë dhe ata që kanë kontrollin, nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet dhe dështimet e sistemit të personalizuar, përkundrazi, e duan atë aq shumë sa duan ta forcojnë akoma më shumë, mundësisht pa asnjë mundësi kontrolli, transparence dhe llogaridhënie.
Zgjidhja? Historia politike e demokracisë na mëson se ka vetëm një zgjidhje: reformim i plotë i sistemit përfaqësues (ndryshim të sistemit zgjedhor, hapësira ligjore stimuluese për kandidatë të pavarura dhe prurje të reja, krijim baze për referendume lokale e kombëtare, zgjedhje të Presidentit nga populli, shkurtim të numrit të deputetëve, heqjen e plotë të koncepteve të imunitetit parlamentar, reformim i plotë i ligjit të partive, detyrim për demokraci të brendshme reale partiake, reformim të financimit elektoral). Pra, zgjedhje është jetësimi real i nenit 1 (zgjedhjet), neni 2 (sovraniteti i popullit) dhe neni 9 (partitë demokratike e transparente) të Kushtetutës së Shqipërisë. Gjithçka tjetër, – fjalë apo fjalime, protesta apo marrëveshje, pakte apo raund tjetër me “lojë shahu” kanë vetëm vlerë simbolike e të përkohshme, por në thelb dhe në sjellje strategjike janë humbje kohe, ikje nga përgjegjësitë, bashkëfajësi dhe deja vu pa zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
.
(Instituti i Studimeve Politike – ISP)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.