back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Piramida e kufirit shqiptar – Prek Pjetër Cali (1872-1945)

Gazeta

Legjenda e Malsise Prek Cali (1872-1945)Piramida e kufirit shqiptar –

Prek Pjetër Cali – Hasanaj (1878 – 1945)

Klajd Kapinova, Nju Jork (ShBA)

“I lumi ti o zogu i malit,
që s’e dron Memin e Smajlit”  – shprehje malaziase

Kanë kaluar 60 vjet nga dita e pushkatimit të trimit të Kelmendit Prenkë Calit, piramidës së kufirit shqiptar. Ai ishte dhe mbeti krenaria e të gjithë malsorëve shqiptarë, por që për 60 vjet ai u la në heshtje dhe u përbalt nga ideologjia komuniste.

Në afërsi të Lezhës (jo larg Shkodrës), në katundin Kukël (Mali i Jushit), në një shtëpi të thjeshtë malësore më 29 korrik të vitit 1878, babait Pjetër e nënës kreshnike Rudes, u lindi fëmija i parë “familjari bujar, piramida e kufirit shqiptar, krenarie e Kelmendit dhe e Malësisë së Madhe, atdhetari i zjarrtë, Martiri i Demokracisë: Prekë Pjetri (Cali) Hasanaj.” (Pjetër Kola Lajçaj, “Kumtesë mbi monografinë e Prekë Calit”, Revista “Kuvendi”, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 65-73). Këtu u lind tribuni i Malësisë, një nga udhëheqësit më të shquar të mbrojtjes së trojeve stërgjyshore.

Kulla e Prek Calit sot...
Kulla e Prek Calit sot…

S’ia luen kush kufijt Prekë Calit!

Bash ku rrinë shqipet e malit/ Ka pas ken kulla e Prekë Calit
Ka pas ken nji kullë e bardhë/ S’thonë kot malet derë e parë
Derë kreshniksh ku knohet lahuta/ Hije i ka pas sofra dhe pushka
Mhyri i gishtit o prej trimnive/ I pat shtat vulat e kralnive
Kur Kongresi o i Berlinit/ Ne na i dau o foshnjet prej gjinit
Trupin tonë o e ndau me mur/ Qysh se na ndau o shqipen flamur
Njaj Prekë Cali u del përballë/ Nuk t’i lshoj kto bjeshkë për t’gjallë
Ky Kelmend kreu i Malësisë/ Kurr nuk ndahet prej Shqipnisë
Za po i lshueka o mali malit/ Çilja i herë shtegun Prekë Calit
Paskan ardhë krajlat e vjetër/ Duen me vu nji kufi tjetër
Shtyjnë, me pllamë shtyjnë me përçikë/ Duen me e çue n’Veleçikë
Krahun shqipes o mos m’ja ngré/ Flak do të marrin të tane ky dhé
Gjeth e bar për jetë le të thahet/ Gjallë pa dek Shqipnia s’ndahet!
Ka nxanë ven mali me pyje/ Ka nxanë ven qielli me yje
N’bjeshkt e nalta kanë zan ven gurrat/ Po nigiojnë se ç’po thonë burrat
Za po i lshueka o mali malit/ O s’ia luen kush o kufijtë Prekë Calit!!!

Lepusha - Vermosh
Lepusha – Vermosh

Familja e re Cali (Hasanaj – Selmanaj), në kullën tre katëshe të ndërtuar në Vermosh vitin 1920, kishin pasur një vajzë e tre djem. I pari ishte Preka, Toma, që nuk e pati jetën e gjatë, mbasi si fëmijë u mbyt tek po lahej në ujërat e ëmbla të lumit fushor Buna. Një tjetër fatkeqësi, rëndon familjen Cali, në moshën 21-vjeçare, djali i tretë, me armë zjarri aksidentalisht humbet jetën.
Motra e vetme e Prenkës, Lula, u martua kur u rrit në Rapsh të Hotit me Syn (Gjelosh) Mashin. Formimi i tij fillon natyrshëm në rrjedhen e jetës, nëpërmjet njohjes dhe respektimit të tabuve, të kodit moral të pashkruar të paraardhësve, që kishin krijuar atë traditë të mrekullueshme, në odat e burrave mes bjeshkëve të Malësisë.
Dr. Luigj Martini, në monografinë “Prek Cali, Kelmendi dhe kelmendasit” (Shkodër, 2005), ndër të tjera vlerëson: “Padyshim, ndikimi i odave të burrave qe vendimtare. Aty pleqnoheshin ngjarjet, gjykoheshin njerëzit, glorifikohej nderi, besa, burrnia, atdhedashuria, feja, fisnikëria dhe dënoheshin me shpërfillje të kundërtat.
Aty, në prehërin e atyre burrave fisnikë, Prek Cali, krijoi në vetvete një mendim të prerë për fenë si një e pandarë e jetës së malësorëve, e do të vinte duke e kristalizuar dhe përforcuar akoma më tepër gjatë jetës, sa në raste të veçanta do t’i përkushtohej. Qysh herët, u miqësua me normat e kanunit të maleve.
Në mënyrë intuitive, dalloi që ato përmbajnë në vetvete, njëfarë paanësie dhe ishin të domosdoshme, për të patur një rregull relativ në mes të malësorëve. Dalloi, që ky kod i pashkruar, është në harmoni të përkryer me ekzistencën e vetë malësorëve. E ndoshta nga kjo, më vonë spikati si një nga mbrojtësit më të flaktë të tij.” (Dr. Martini, f. 67)

Prek Cali me shokë 25 vjetori i Pavarsisë
Prek Cali me shokë 25 vjetori i Pavarsisë

Prekë Cali, ka qenë fis i parë vojvodë në Selcë nga 12 lagjet e këtij vendi, duke pasur edhe kryet e vendit në Kelmend. Bjeshkët e fisit, duke qenë e kufizuar me Kuçin (trevë ilire) sot si pjesë e Malit të Zi, përherë u takonte barra më e rëndë në mbrojtje të tokave të të parëve.
Kësisoj, të parët e fisit, sikurse ishin trimat e anashkaluar në histori, si: Memi i Smajlit, Turk Isufi, Ujk Isufi, axha (ungji) i Prekë Calit Ucë Turku (vojvodë i Selcës), Dedë Shabani, Dul Doshi e djali i tij i pashëm Kir Duli, Nikë Turku, Gjokë Nikë Selmani, Marash Mark Selmani etj., gjithnjë janë përleshur flakë për flakë në istikame, kundër synimeve shoviniste të kuçasve malazias, duke qenë në vijën e parë të frontit në luftimet mbrojtëse. Shovinistët grabiqarë malazias, me përkrahjen e këlyshëve (kryesisht diplomacisë franceze) të ukonjës së Perandorisë Ruse, kërkonin të gllabëronin tokat arbërore Vermoshin, Vuklin e Nikçin, sëbashku me bjeshkët e tyre të përmendura…
Me sa kujtojnë të moçmit malësorë të Kelmendit, Memi i Smajlit, ka qenë një trim i vërtetë, i cili, ka arritur t’u kallë tmerrin shkjeve, sepse çdo veprim a plaçkitje, që ata bënin në trojet tona, ai u kundërpërgjigjej, duke i dëmtuar edhe më shumë. Kur shkjetë guxonin të punonin në tokat tona, të pushtuar nga ata kishin vërtetë një frikë të madhe.
Në një rast të tillë, Memi i Smajlit, kishte marrë me pushkën e vet në shenjë shkjaun dhe sipër tij këndonte një zog. Në moment shkjau i thotë: “I lumi ti o zogu i malit, që s’e dron Memin e Smajlit.” Në atë çast, Memi, del nga vendi (pozicioni), ku kishte marrë shenjë e i thotë shkjaut: “Kjosh falë për sot, por mos m’shkel ma n’tokë shqiptare.” Ky epitaf në varg, që ruan në vetvete një histori të vërtetë, është mësuar e përcjellë gojë më gojë në oda e kuvende burrash, në malet e Krahinës së Kelmendit e gjetkë.
Prenka nga shtati ishte shumë i gjatë e i pashëm. Ata që e kanë njohur nga afër thonë, se kishte shpatulla shumë të gjëra, kraharor të zhvilluar, trup vigan plot energji, fisnik në shpirt, i matur në fjalë e veprime, gojëtar i pashoq ndër kuvende e oda burrash. Pushkën e kishte një shok të pandarë, që nuk e hiqte asnjëherë nga dora. I pëlqente të vishej me rrobat tradicionale të malësorit: çakshirë, xhamadan, jelek e kapic të bardhë mbi flokë, alltinë turke dhjetëshe të veshur me argjend në brez e një grumbull vargjesh me material argjendi.
Tek ai spikatën virtytet pozitive tradicionale të malësorëve, të cilat, i reflektoi në marrëdhëniet e përditshme me miq e shokë. Deri në moshën 30  vjeçare, i urti kelmendas Cali, asnjëherë nuk synonte të dilte përpara vojvodëve e krerëve të tjerë, që ishin më të moshuar se ai. Kjo ishte një edukatë dhe vlerë fisnike e malësorëve tanë, e transmetuar brez mbas brezi në oda e kuvende burrash.
Ishte zemërbutë e i afërt për miq e dashmirë të vet dhe të atdheut dhe luan i vërtetë në fushën e betejës. Gjithmonë i pari, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku derdhej gjaku i flamurit e trojeve të shenjta. Flamuri kombtar, liria e trojet arbërore ishin qëllimi i jetës së tij.

Prek Cali dhe familja e tij
Prek Cali dhe familja e tij

Ishin kohë të vështira mbijetese për Atdheun. Grabiqarët e shteteve të Europës, me harta ndër duar, vështronin të pangopshëm trupin e rrudhosur të vendit të shqiponjave. Mes bjeshkëve të thepisura, përpara u doli piramida e kufirit Prenkë Cali.
-Se kemi kufirin këtu me Malin e Zi, – foli rreptë ai.
-Këtu, këtu – çirrej para Komisionit përfaqësuesi i Malit të Zi.
-Këtu janë Bjeshkët e Kuçit, – këmbëngulte malaziasi.
-Jooooo Bjeshkët e Kuçit, – ushtoi zëri i trimit të pamposhtur Prenkë Calit. Ata janë Bjeshkët e Kuqe dhe duhet ta dini të gjithë, se emnin e morën nga gjaku ynë në luftrat mbrojtëse të malësorëve shqiptarë.
Për të shuar tonet e nxehta të bisedës, ndërhyri me ironi njëri nga antarët e Komisionit Ndërnacional.
-Lëvizni ju gurin, vendoseni atje ku mbaron toka e juaj – iu drejtua me gishtin tregues përfaqsuesi i huaj.
Prenkë Cali, vuri pushkën krahëqafë, u përkul pak para truallit të vet, rroku gurin e larë ndër shekuj me gjak trimash, dhe me duart e forta të një ariu, e ngjeshi pranë gjoksit e me një lëvizje rrufe e kaloi mbi shpatullat e gjëra. Si një dragua, Prenka si një piramidë e gjallë e kufijve të Shqipërisë, nisi të ecë përgjatë kufirit, si ushtar besnik i atdheut të vet. Në ecjen e atij trimi arbëror, zgjerohej frymarrja e malësive tona, të plagosur rëndë nga padrejtësisë e Europës.
Tokat shqiptare në Malësi, sërisht folën gjuhën e arbërit, falë bijve të denjë të herojve mitikë… Prenkë Cali, ishte kundër copëtimit të trojeve, ai nuk pranoi të shitet për para në dëm të trojeve shqiptare siç bënë disa të tjerë. Me këmnguljen e tij të padiskutueshme në mbrojtje të kufijve shqiptarë, ndikoi mjaft, që Shqipëria të mbetet në kufijt e sotëm. Pas këtij vendimi, Serbia mbeti pa dalje në bregdet, kurse Krajl Nikolla i detyruar iku në Itali.

Prek Cali i ri
Prek Cali i ri

Bashkëkohësi Marash Mali, kujton: “Ucë Turku, bisedonte shumë herësh në veçanti me Prenkën. Ai kishte krijuar përshtypjen se ai kishte shumë cilësi, pothuaj të rralla, që e naltësonin dhe nderonin personin e tij në të ardhmen, sidomos për çashtjet patriotike, por asnjiherë nuk ia thonte këto.”
Ai ishte i martuar dy herë, me gruan e parë Dranen jetoj shumë pak, sepse ajo vdiq e re, nga sëmundja më e përhapur e kohës në Malësi, që ishte tuberkolozi, duke i lënë një vajzë të vetme Agen në moshën 4 vjeç. Kurse nga martesa e dytë me Pashke Prekën, nuk pati fëmijë. Pashka, vinte nga dera e patriotit e luftëtarit të shquar Gjekë Selcës.
Mbas pushkatimit të kryetrimit kelmendas, u detyrua të braktisë kullën në Vermosh, të cilën e përvetësoi pa të drejtë regjimi, për nevoja të veta ushtarake. Pashka, mundi të gjente strehim në shtëpinë e malësorit Dak Lucit, gruaja e të cilit, Gjystja, ishte mbesa e Prenkë Calit, ku, qëndroj për shumë vite deri sa mbylli sytë në vitet ’60.
Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Europës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Mali i Zi (Malësia) e Serbisë (Dardania).
Marash Mali (1921), i moshuar me banim në Florida (USA), sërisht kujton vendosmërinë e Prenkës për çështjen e kufijve, duke iu drejtuar Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, na i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër verifikimin jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim…
Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të na i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe… Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë!
Njeni nga të Komisionit tha: – “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.”
Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve malazias (jugosllavë), vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prenkës, duke i folur:
-Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni mbas me fqinjët.
Mjerisht Brada e Vezirit mbeti jashtë kufijve, se ishte tepër në thellësi të territorit jugosllav. Ajo ishte pronë e shkrelasit Gjon Nikë Sykut, njeni nga familjet e njohuna shkrelase me banim në Breg të Matës. Ai çdo verë dilte në atë bjeshkë me kopenë e madhe të bagëtive, me autorizim të autoriteteve malazeze.”
Emri me veprën e tij mbushur me atdhedashuni, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën dhe e deshtën me gjithë zemër. Popullariteti i Prenkë Calit, ishte i padiskutueshëm. Ja disa pasazhe përshkrimi, të kryetrimit azgan:
“Bile, ai qe i vetmi malësor, që u bë i njohur deri në selitë e krajlive europiane. Ndue Gjon Smajli, një plak shumë i vjetër kelmendas, i cili, në vitet shtatëdhjetë ishte akoma i gjallë, kishte qenë njeriu më i afërt i Prenkë Calit në veprimtarinë e tij për çështjen e kufijve veriorë.

Prek Cali
Prek Cali

Ai më pati folur edhe për një dokument identiteti të Prekë Calit, të firmosur dhe vulosur nga shtatë krajla. Sipas dokumentit, Prenkë Cali konsiderohej njeriu i paprekshëm nga shtatë krajlitë. Një lloj imuniteti i veçantë, që zor ta ketë pasur ndonjë shqiptar tjetër. Mbase ishte pikërisht ky imunitet, tek i cili, besonte Prenkë Cali, që e shtyu të dorëzohej i gjallë, pas dështimit të Kryengritjes së Kelmendit.” (Spathari, f. 93).
E Preka, lëshoi kushtrimin ndër malësorë, se “gjallë a vdekun” tokat shqiptare si amanet brezash, do t’i ruaj përmes tytës së ngrohtë të pushkës. Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari nacionale. “Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur tabe, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder – Atdhe – Besë e Fe”.
“Lidhja e Shkodrës”, e organizuar mes maleve më 13 maj 1944, erdhi si imperativ i kohës, kundërpesh e çerdheve me gretha të frontit komunist, që ishin krijuar (si kërpudhat mbas shiut), për të ardhur në pushtet me krime e mashtrime ideologjike. E gjithë programi konkret nga fraza e parë dhe deri tek e fundit, përshkruante vendosmërinë luftës deri në fund ndaj komunizmit si terror i zi, nami i së cilës, kishte marrë dhenë si epidemi, e po synonte të trokiste drejt Veriut të Shqipërisë.
Pjetër Smajlaj, sjellë nga kujtesa episode me detaje interesante, që i ka rrëfyer babai Kolë P. Smajlaj me miq, që kanë bujtur shpesh në familjen e tyre bujare. Prenka, gjithnjë ishte i veshur me kostumin popullor tradicional të Kelmendit, me ornamentet të qendisura me kujdes nga vendasit. Ai, asnjëherë nuk e ndante nga brezi koburen e argjentë, që ia kishte dhuruar Mbreti Ahmet Zogu I. E pinte shumë duhanin e fortë të Sheldisë me çibuk. Mendimi i tij visar, përparimtarë e i guximshëm, dallohet për mprehtësi e logjikë të shëndoshë në bashkëbisedimet me të huajt e bashkëatdhetarët e çdo krahine të Shqipërisë.
Ai me Malësi, ka zbatuar me ndërgjegje normat ligjore kanunore, që buronin mirëfilli nga kanuni i Lekë Dukagjinit (1446-1481). Kanuni, mori emrin e Lekës si Princ i Veriut të Shqipërisë. Ai ishte mik i Gjergj Kastriotit, rival dhe zot i zonave të kufizuara me Kryetrimin e Krujës, që mbas vdekjes së Gjergjit, për 10 vjet (1467-1477), rifilloj luftën kundër ushtrisë së Perandorisë turke. Ky ligj (kanun), është një kompleks parimesh, ligjesh, normash, zakonesh, me të cilat, rajoni malor, është vetëqeverisur gjatë, në epokën kur turqit zotëronin drejpërdrejt pjesën tjetër të Shqipërisë. Për zbatimin e tyre, ka vendosur populli i krahinës…
Prenka, ishte e mbeti më i dëgjuari e i respektuari në kohën e vet në viset e Veriut. Për fat të mirë, sot flitet e shkruhet me respekt nga autorët e rinj, që me dokumente autentike po venisin helmin e historisë deformuesve të kohës së absurdit totalitar. Kjo për më tepër, duket në stimën e lartë, që shfaqin kelmendasit dhe në tërësi e gjithë Veriu i Shqipërisë, shqiptarët në Mal të Zi e Dardania martire, etj. Ai interesohej për ekonominë familjare të luftëtarëve të vet, i ndihmonte me gjithçka, ushqime, veshje, kafshë për të punuar tokën, duke patur një zemër të madhe, për ata njerëz në nevojë dhe shpirt të pastër fisniku për malësorët e pambrojtur.

Statuja e Prek Calit Shkoder
Statuja e Prek Calit Shkoder

***

Kelmendi, shkruan studiuesi e publicisti malësor Ndue Bacaj, në gazetën nacionale “Shqipëria etnike” (Shkodër, 2004), nuk është shkelur nga asnjë këmbë italiani apo gjermani. Treva e lavdishme, nuk ka arritur të pushtohet asnjëherë nga ushtritë e huaja.
“Prenkë Cali, ka kundërshtuar vendimet e qeverive të mëdha, që kanë qenë në dëm të Shqipërisë e trojeve tona. Ishte Prenkë Cali, që në vazhdën e personaliteteve parandëse të shquara të Atdheut, siç ishin: Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Don Ndre Mjedja, që kishin apeluar zyrtarisht në Lidhjen e Kombeve, duke kundërshtuar vendimin e marrë prej tyre, që kufiri i vendosur nga Bishti i Krajës, Ura e Përroit të Thatë, Qafa e Grishajve, Thana Binoke në Shkrel, Qafa e Tërthores të zhvendoset dhe fitoi kufirin e sotëm ekzistues me Malin e Zi. Prandaj, 820 partizanë sllavo-serb, sulmuan kështjellën e tij në Vermosh, tre muaj para se të “çlirohej” Shqipëria.
Ai u tërhoq nga Vermoshi e u vendos me shtabin e tij në Vukël. Serbo-sllavët, u larguan pa kryet e Prenkë Calit, por të fituar nga ana e tjetër, sepse dy brigada shqiptare të shtetit amë luftonin gjoja për “çlirimin” e Kosovës.” (Bacaj, f. 4)

Prek Cali në Burgun e Gjirokastrës
Prek Cali në Burgun e Gjirokastrës

***
Me ardhjen në pushtet të monarkistëve të Mbretit Ahmet Zogu, ai herë mbas here bënte kërkesa dhe proteston pranë qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin, pranë organizatave ndërnacionale. Në këtë situatë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe.
Mbas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste selektoi kundërshtarët politikë, Prekën me disa të tjerë, i internuan për 4 vjet në burgun e kalasë së Gjirokastrës.
“Lirimi i Prekës, nuk ishte i rëndomtë. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e përgëzuan me urime e ngrohtësi njerëzore, si të parakalonte një mbret. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderon për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin fashist dhe prej ditëve të para të pushtimit u vu në anën e forcave nacionaliste. Ishte kundërshtar dinjitoz edhe i komunizmit.” (Lajçaj, f. 70)
Kur situata u qetësua dhe gjakrat e urretjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu I (1895-1961), rishikoj përsonalisht me kujdes vendimin e dënimit ndaj figurës së shquar të Prekë Calit.
Ndonëse me vonesë, Mbreti e kuptoj, se nuk ishte ashtu sikurse i kishin thënë, mbasi kelmendasi me trima, kishte luftuar për çështjen nacionale të trojeve të Veriut.
Mbreti u tregua fisnik, tek e liroi dhe ftoi në rezidencën e tij në Tiranë, për t’u takuar miqësisht.
Qysh kur dy burrat e njohur i shtrënguan dorën njeri tjetrit, Mbreti Zogu I, i kërkoi ndjesë, duke i thënë se: “Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marrë me politikë dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo?”
-Jo, iu përgjigj Prenka, vetëm me politikë as nuk jam marrë as nuk merrem!
-Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I.
-Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam kenë kundër shqiptarëve. Unë kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta.
Mbas bisedës së përzemërt e me sinqeritet, në shej patriotizmi e miqësie të re, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, e bëri Prekë Calin Kapiten Rezervë. Kreu i fronit mbretëror, i dhuroi heroit kelmendas nagantin me dorezë të bardhë me nënshkrimin: “Ahmet Zogu I”.
Preka me kelmendas, kishin një motiv më shumë e arsye, pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin, që tokat e tyre, të ishin pjesë e Perandorisë Sllave; nuk donin, që fëmijët të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit; nuk donin, që të harronin varret e të parëve të larë me lumenj gjaku trimash.
Gjithsesi, shqiptarët etnikë nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllavë. Personaliteti i tij imponues, ndikonte tek bashkëluftëtarët e tij dhe tek të gjithë malsorët e Kelmendit. Ai me zgjuarësi, arriti të kombinojë programin e Besëlidhjes së Malësisë me detyrën e tij shtetërore si komandant i vullnetarëve të Plavës, Gucisë dhe Kelmendit.
Edhe kur këta erdhën në pushtet, ai, nuk e ndërpret luftën në të mirë të popullit, duke iu kundërvu me armë në dorë satanait pa fe, atdhe, ide e shthurje morale, sa që shpesh thuhej, se gratë partizane ishin në përdorim kolektiv…

Prek Cali (1872-1945)
Buzqeshja fisnike e Prek Calit (1872-1945)

***
Prof. Sami Repishti, në librin “Nën hijen e Rozafës” (Narrativë e jetueme), Tiranë, 2004), mbasi përshkruan ekzekutimet kolektive në qytetin e Shkodrës, vijon: “Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetënor, i mbështetun mbi forcën e hekurt të zjarrit, ashtu sikurse kisha dyshue dy vjetët e fundit. Fjalime pambarim, parulla të përsërituna, arrestime masive, “djallëzimi” i kundërshtarit, që paraqitej dhe trajtohej si “anmik” e, kërkesa revolucionare për luftë pa mëshirë. Ekzekutimi publik ishte përfundimi logjik!
Nuk ishte vetëm akti i ekzekutimit të “bashkëpunëtorëve”, që tronditi qytetin. Ishte mënyra e këtij ekzekutimi, që tregonte nji mospërfillje për shtetin ligjor e që praktikisht, ishte edhe nji mospërfillje për ndjenjat e qytetarëve. Gjithçka ishte e llogaritun me krijue atmosferën e frikës, e me përgatit terrenin psikologjik për terrorin masiv që planifikohej.
Kundërshtimet e vazhdueshme që ballafaqoi “pushteti i ri”, sidomos zonat malore, sëbashku me nji ftohje të popullsisë qytetare nga manifestimet publike e të organizueme prej qeveritarëve të rij, mjaftuen me bind udhëheqjen qendrore në Tiranë, që të deklarohet “gjendja e jashtëzakonshme” për qytetin e rrethet e Shkodrës. Çdo ditë, në shtyllat telefonike e ditoret e dyqaneve, vendoseshin lista të gjata burgu për “bashkëpunim” me “armiqtë e popullit”…
Çdo ditë përgatitej nji “shfaqje” publike, për diskreditimin e “anmiqve të popullit”. Nji ditë janari, kaloi me zhurmë, nji grup malsorësh të lidhun me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyne, grupe të rijsh e gra histerike, përsëritshin në kor: “Plumbin ballit! Plumbin ballit! Vdekje trathtarëve! Vdekje trathtarëve!”
Të arrestuemt, burra të gjatë, përfaqsues të denjë të racës ilire, që u ruejt për shekuj në naltsin e Alpave të Veriut, shikojshin me çudi këtë komendi funebre, turmat e mbledhuna në të dy anët e bulevardit, të heshtuna, të habituna, të frikësueme. Frika e ushtrueme nga partizanët, po jepte frytet e saj të para: nji popullsi e tanë zhvishej nga guximi qytetar tradicional!
Sereniteti i fytyrës së viktimave, të lidhuna e të përbuzuna, që drejtoheshin kah vdekja e sigurt, nuk mund të ishte pasqyra e nji ndërgjegjje të keqe…Përkundrazi! Në zemër të tyne, ata duhet të kenë ndie vetën, si viktima të nji ndëshkimi të padrejtë. Vetëm ideja e viktizimit, e pafajnisë, lejon nji serinitet të këtillë.
Gjatë gjithë ekzistencës së tyne, këta malësorë të Kelmendit, kishin pranue si qëllim të jetës, ashtu si të parët e tyne, rolin e ruejtjes së kufijve të Vermoshit nga sulmet malazeze, për shekuj me radhë. Historia ishte dëshmitare! Çdo lëvizje e veprimtari politike, ishte shikue e përcaktue, në termat e këtij qëndrimi atdhetar të padiskutueshëm.” (Prof. Repishti, f. 103-104)
Studiuesi malësor Marash Kolë Mali, ish-burgosur politik në kohën e diktaturës në Shqipëri (një familje e njohur vojvod në Dedaj të Shkrelit, shënimi im K.K.), në librin e fundit shkruar në Florida: “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”, rikujton: “U ba nji Mbledhje e madhe me krenet e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Kolonel Mul Bajraktarit, i cili, ishte komandant i vullnetarëve të Malësisë asokohe edhe për malet andej kufinit. I deleguem i ardhun prej Shkodre ishte Ndoc Çoba, ish politikan dhe n/Kryetar i parlamentit Shqiptar. I ftum ishte edhe i deleguemi i partizanve i quajtun Ramadan Reçi, të cilët, qendrën e tyne e kishin në Reç, mbi Koplik të Sipërm, (shën. im K.K.).
Çun Junuzi (bashkëthemelues i organizatës terroriste PKSh më 8 nëntor 1941, shën. im K.K.), asokohe si komunist punonte ilegalisht, e me qendër ishte në Aliaj të Kastratit. Mbasi folën Mul Deli Bajraktari e i deleguemi i Shkodrës Ndoc Çoba (Ministër i Financave më 1920, Delegat në Kongresin e Durrësit, më 1918, të Lushnjës më 1920, shën.im K.K.), fjalën e mori Ramadan Reçi: “Ju po e shifni se dy okupatorët italo-gjerman, pra Boshti (Berlin-Tokio-Romë, shënimi im K.K.) po e humb luftën.
Ne nuk duhet të kemi tjetër mbështetje e as lidhje me ta, për arsye, se fituesit e tjerë aleatë, nuk duhet të na gjejnë të mbështetun me të humbunit, mbasi vetëm pasoja të këqija do të kemi. A nuk do të ishte ma mirë që ne, për hirë të vendit e popullit tonë t’u mbështetemi që tani fituesve? Unë them se po!”.
Ndërsa Çun Jonuzi, tha: “Malësia e Madhe ka nji Besëlidhje, që asnji parti dhe as aktivitet politik të mos zhvillohet në këtë krahinë. E pse atëherë bahet kjo mbledhje këtu në territorin e Kastratit, për të na lanë ne sherrin tek dera e shtëpisë?!” Mul Delija, e kapi për krahu dhe e largoi Çunin nga mbledhja, e cila, po përfundonte pa asnji vendim.
I fundi, që e mori fjalën ishte Preka, i cili me nji za të naltë e të shqerrun tha: “Ai djaloshi i Reçit, foli e deshti me na tregue, se kush e humbi dhe kush e fitoi luftën. Ky tjetri kastratas, u ankue se me këtë mbledhje, i paskena prue sherrin te dera e shtëpisë. Kjo nuk asht e vërtet, mbasi sherri i popullit tonë janë vetëm komunistët, që kanë zanë vend këtu afër.
Mua më duket, se sikur po rrimë duarkryq ose në gjumë, pa marrë asnji vendim. Prandaj, po u baj thirrje të bashkohemi dhe të dëbojmë këta, sa nuk asht vonë prej andej, e nëqoftse ndonjenit nuk i pëlqen kështu, vetë me djemtë e Kelmendit, do t’ia tres farën, e do t’i dëboj prej Rranxave të Malësisë!…” (Mali, f. 340).

Prek  Cali
Legjenda e Kelmendit – Prek Cali

Preka, sëbashku me trimat, në të cilin bënte pjesë i riu 27 – vjeçar, Mirash Fran Rrukaj, kur morën vesh, se një batalion me ushtarë partizanë, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, kishte kaluar Rapshën e Hotit, e po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit, kryetrimi me parinë e vendit e luftëtarët, kishte zënë pritat në grykat e dy luginave mbi Urë të Tamarës.
Ai më parë, u çoi fjalë partizanëve, se: “Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej.” Mirëpo komandanti nuk mori asgjë parasysh dhe filloi ofensivën. Për shumë kohë gjamët e pushkëve ushtonin. Kelmendasit me armë thyen ofensivën e madhe partizane. Komandanti, që kishte disa spiuna vendali, u mundue me çdo mjet trathtie t’i binde malsorët të dorzoheshin, por ata ishin në shtëpinë e tyne dhe kështu luftimet vijuan pandërpremje.
Partizanët, në panik filluen me pa, se Kelmendi nuk u dorëzonte pa vdekë të gjithë. Atëherë, ai kërcnonte partizanët, se kushdo që do të tërhiqet asht dezertor e dihej se çfarë e priste…”, kujton i arratisuri nga burgu i Tiranës (1952), shkodrani me banim në Florida Kolec Pikolini, në librin me kujtime: “Rregjimi i hienave” (Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2001, f. 51)
Kryepatrioti ose Robin Hudi shqiptar, ishte informuar me saktësi nga rojet besnike të Major Llesh Marashit, të cilët kishin zbuluar batalionin partizan, duke marshuar nga Lugina e Shkrelit me armë e municion drejt Kelmendit. Atdhetari trim Major Llesh Marashi, urdhëron Kolë Nikë Prelën (Marçinaj) t’i bie kumbonëve të Kishës.
Sipas urdhërit (të firmosur nga vrasësi profesionist “hero i popullit” Shefqet Peçi), që mori Komanda e Brigadës së I-rë (nga Shtabi i Korparatës së III-të), Batalioni i I-rë u nis në drejtim të Kelmendit. Batalioni, vendoset në formacion luftarak e vazhdon të tërhiqet në drejtim tjetër nga rruga, që të çonte në Vermosh, përmes Kishës së Kastratit. Qendrestarët vendas kundërkomunistë sulmuan batalionin, e arritën ta shpartallonin për disa orë, duke e çarmatosur. Armët dhe municionin e kapur i dërguan në shtabin e Prekë Calit. Komunistët shumë të alarmuar nisin drejt Malësisë njësi të tjera partizane, duke bërë rrethimin e të gjithë krahinës.
Ndërkohë në Vermosh, kish hyrë si në tokën e vet “Ozna Brigada”, e cila edhe më parë shquhej për shovinizmin e pashoq, ndaj viseve shqiptare nën administrimin jugosllav. Qëllimi i saj kryesor, ishte të ngjallte armiqësi, përçarje e konflikte mes malësorëve. Në veprimtarinë e saj, spikat propaganda e egër ndaj Prekë Calit, i cili, kishte fituar autoritetin e padiskutushëm të prijësit popullor, legjendar, patriot e të respektuar dhe të deklaruar si antisllav. (Dr. Martini, f. 212)
Prekë Cali, bashkë me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme të katundit Vukël. Sigurisht, mbas prijësit të tyre shkuan shumë luftëtarë malësorë dhe trima, që nuk e njihnin frikën dhe vdekje, e, kur, bëhej fjalë për mbrojtje të vatrave të tyre, vdekja iu duk si me le. Ata burra, ndonëse me diversitet mendimesh, dhanë fjalën për të luftuar për ruajtjen e trojeve të tyre të pastra nga idetë komuniste, që me atë intuitën e tyre të hollë i konsideronin të papranueshme për moralin e tyre.
Ata nuk ishin të vetëm, mbasi mbrojtja e nderit të Kelmendit, ishte dhe në gjakun e bijave të tij, se jo më të burrave, që nuk u tutej syri. Prita e Calit, e kishte treguar vetën, se ishte e pathyeshme dhe e pamposhtun para trathtarëve partizanë, që luftonin për “ideale” boshe proletare të ideologjisë komuniste në Shqipëri dhe interesat e sllavëve megallomanë. Për partizanët, qëndresa e fortë e Prekës me shokë ishte e paramenduar.
Si gjithmonë nga komunistët, duhej kërkuar rruga e trathtisë. Dhe ajo u gjet. Askush nga drejtuesit e brigadave partizane, nuk e njihte rrugën e hyrjes në Kelmend nga tokat tona të Gusisë, ku, ishin përforcuar me forcat komuniste të Titos, i cili, me disa shovinistë sllav e malazias, që drejtonin disa brigada partizane të tyre.
Ato kishin mundur të hyjnë para partizanëve shqiptarë, për të siguruar pushtimin e tyre menjëherë mbas ikjes së forcave gjermane, mbasi gjatë gjithë asaj kohe, që nga viti 1941, ata shqiptarë, kishin fituar të drejtën të quhen “tokë shqiptare”, një diçka e papranushme nga Jugosllavia komuniste. Kjo rrugë e panjohur nga Mehmet Shehu, u tregua me përpikmëri asokohe nga ndonjë trathtar shqiptar, që koha do t’a zbuloj emrin dhe veprën e tij.
Forcat e Batalionit të Ndjekjes, bashkë me forcat e Poskomandës së Bajzës, që e kishin marrë informacionin, donin ta shtypnin kryengritjen pa filluar ajo, ndaj mësyne drejt Grishës, më 23 janar 1945, për të arrestuar Luket Marashin dhe krerët e tjerë të kryengritjes.
Malësorët, u sulmuan befasisht mbas shpine e u ndodhën papritmas para plumbit të forcave, që hynë nga Ura e Tamarës. U vranë shumë burra, u dogjën kulla, u plaçkitën bagëti e mall i pafarë nga partizanët e uritun për gjak e pasuni dhe, shumë djelm të rinjë u mbajtën peng, të lidhur këmbësh e duarsh, për të mos u bashkuar me forcat e Prekë Calit.
Gjoja për të shuar gjakderdhjen dhe vëllavrasjen, u kërkua ndihma e priftit At David Pici, që të ndërmerrte një takim me Prekë Calin, në shpellën, ku, ishte i ngujuar me trimat e tij. Kjo bëhej mbas shtatë ditë përpjekjeje pa rezultat nga forcat partizane, për të thye trimërinë e Kelmendit. Prifti shkoj tek Prenka dhe i pritun si burrat i parashtroi kërkesat e komunistëve për dorëzim…
Prifti i tregoi Prekës për reprezaljet, që brigadat partizane po kryenin në popullsinë e pambrojtur të Kelmendit, por për Prenkën fjala “dorëzim në duart e Serbit”, nuk zinte vend. Kur Prenka kuptoj, se rruga e vetme me dalë nga shpella është “vdekja e të gjithëve” me armë në dorë, ai kërkoj nxjerrjen e një djali të ri 15 – vjeçar Maç Luca, që me vrasjen e tij (për Prekën) ishte shfarosja e atij fisi.
Ky kusht nuk u pranua nga komunistët. Prenka pranoi “dorëzimin”, edhe pse e dinte se e pret vdekja, mbasi ai e njihte “besën e serbit”, por për bajraktarin shuarja e një fisi për shkakun e tij, i dukej paburrëri dhe poshtërsi. Kjo dhe vetëm kjo e detyroi Prekë Calin me ra në dorën e trathtarëve të atdheut, Atdhe, për të cilin luftoi për dekada të tëra.
Vetësakrifikimi për hirë të mikut, malësori e ka pasë gjithmonë për nder. Pafajsia e 15 pasuesve të tij besnikë, i jepte një shpresë të vogël edhe për shpëtimin e ndonjerit prej atyre djemve të nënave kreshnike, që ishin të ngujuar me të dhe për të.
Nuk duhet harruar, se kjo nodhte, kur gjysma e Europës vazhdonte luftën kundër nazizmit. Pra, për Veriun e Shqipërisë, ky ishte ballafaqimi i parë me “çlirimtarët komunistë”, mbasi Jugu, kishte kohë që e kishte provuar “besën e tyre”.
Rasti i Prekë Calit, u bë një mësim edhe për klerikët e tjerë, të cilët, me stoicizëm pranuan vdekjen me nder më parë se trathtinë me turp, si: Don Nikollë Gazulli (1894-1946), Don Luigj Pici (1907-1946), Don Mark Xhani (1909-1945) etj. Një rrugë kësisoj Mehmet Shehu e kërkoj edhe për Don Zef Oroshin, por, për fat të mirë Don Zefi kishte kaluar kufirin tre ditë më parë, se të arrinte për t’u prerë në besë nga të shiturit tek komunistët…
Pseudoshkrimtarët e studiuesit shqiptarë të kohës komuniste dhe sot në gazetat “Zë(h)ri i Popullit” (Sh. Tomorri, “Vrasësit mizorë të popullit Prek Cali dhe Llesh Marashi, TV PD i paraqet si patriotë”, 286, dt. 12.10.1995, N. Mazini, “Prengë Cali ka vrarë 53 partizanë”, Tiranë, 9.12.1995), “Kushtrim Brezash” (Një grup ish-partizanësh të Brigadës Parë Sulmuese, Tiranë, dt. 23.2.1994, f. 6., po atje Y. Partizani, “Prek Cali dhe Llesh Marashi janë kriminelë me damkë, O Uran Butka!”, dt.12.10.1995, f.4), duke ecur mbas idhullit të përbindshëm kriminelit mostër Enver Hoxha, janë përpjekur gjithnjë të përulin dinjitetin e dëshmorit të trojeve etnike shqiptare dhe vlerave të pastra të demokracisë perëndimore.
Ndër më të zellshmit, është vetë Enver Hoxha, i cili, në librin e tij “Vitet e Vegjelisë” (Tiranë, 1983, f. 120), shkarkon fjalorin e tij me të pavërteta për Prenk Calin: “Në atë kohë në Gjirokastër, Zogu kishte internuar një bajraktar, që quhej Prek Cali, një burrë i dukur, i gjatë që rrinte kurdoherë i veshur me rroba kombëtare malësore të qëndisura, me kobure të argjenta me zinxhir të varur në qafë, me çibukë prej sermi etj. Këtë bajraktar reaksionar, që u lidh me fashizmin dhe ngriti pushkën në Kelmend kundër partizanëve, ne e kapëm dhe e pushkatuam. Kështu pra nga ky feudal trathtar s’ngelën veçse portretet e profesor Marshandit.”
Përfaqësuesi e historishkruesi komunist, ushtaraku Ndreçi Plasari, në librin: “Shpresë për popullin, tmerr për armikun” (Tiranë, 1971), kushtuar luftës vëllavrasëse të Brigadës I-rë Sulmuese, duke i ndjekur luftimet nga shtëpia e vet, pranon rezistencën e fortë të malësorëve dhe dështimin e forcave “popullore”, kur shkruan: “… Kolona i kishte kthyer shpinën Brojës dhe pararoja porsa kishte shkelur mbi Urën e Tamarës, kur plasi pushka dhe çfarë pushke. Qëllonin nga kodra mbi urë, qëllonin nga Broja, qëllonin edhe nga Bardhaj. Batalioni kishte hyrë në një kazan të zjarrtë.
Armiqtë qenë njoftuar për ardhjen e një reparti partizan në Kelmend, kishin llogaritur forcën e tij prej afro 300 vetësh, kishin llogaritur edhe rrethnat e tjera në dobi të tyre dhe qysh herët, në mëngjesin e 15 janarit kishin zënë pritë këndej dhe andej përroit, me qëllim të caktuar, ta godisnin dhe ta asgjësonin batalionin tonë.
Një goditje e tillë partizanëve u ra krejt papritur. U krijua një gjendje kaq e vështirë sa më s’bëhet. S’kishte tjetër rrugëdalje, veçse të qëndrohej me çdo mënyrë në vend, duke kundërvepruar me të gjitha forcat. Ndihmë e shpejtë s’mund të pritej as nga një anë. Forcat e tjera të brigadës ndodheshin dy ditë larg, në Shkodër. Batalioni s’kishte ndërlidhje me radio.
Reaksionarët kishin zënë vend nëpër shkëmbinjtë dhe që andej villnin zjarr kundër luftëtarëve tonë të rrethuar plotësisht. Partizanët përdornin për mbrojtje çdo send të rastit, shkëmb, gropë dru. Që andej qëllonin në drejtim të çerdheve të zjarrit armik. Sulmi për të çarë rrethimin ditën ishte i pamundur.
Edhe lëvizja më e vogël kontrollohej nga reaksionarët… Ishin vrarë komandanti i batalionit, Fejzi Micoli, dhe një numër luftëtarësh…
Në të vërtetë bajraktarët trathtarë Prek Cali e Llesh Marashi me shokë kishin grumbulluar rreth vetes 300-400 burra të armatosur dhe përpiqeshin të shtonin gjithnjë e më shumë forcat e tyre. Ata kishin marrë lidhje me misionin ushtarak anglez në Shqipëri, i cili qe treguar i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë dhe përkrahje. Aeroplanët anglezë i kishin furnizuar mbeturinat e reaksionit me armë, municione dhe veshmbathje.
Me ndihmën e anglezëve trathtarët kishin hartuar planin e një kryengritjeje kundërrevolucionare. Do të sulmonin dhe të merrnin Shkodrën me Koplikun…” (Plasari, f. 566-567)
Në këto rrethana, plasi kushtrimi në Grishaj. Vullkan u bë shtëpia e Luket Marashit, që ishte një potencial i madh besë e burrërie në Malësinë e Madhe. Forcat kryengritëse, u gjenden përballë forcave ndëshkimore të Sigurimit të Shtetit e të ushtrisë, që sulmonin në ballë të gjerë.
Praktikisht, lufta kishte filluar para kohe, pra, në mëngjesin e datës 24 janar. Në këto përpjekje u vra Pjetër Gjoka, i cili, në krye të 40 burrave të Shkrelit, zbriti si ortek bore në poskomandën e Dedajt, e mori atë dhe, duke kaluar nëpër Zagore, i drejtohet vërtik Bajzës. Grishajt e kishin zmbrapsur sulmin dhe ishin hedhur në kundërsulm.
Në ballë printe oficeri i ri Zef Toma, që ra duke luftuar trimërisht. Atë natë luftimesh, do të binte edhe Lulash Cuku. Gjaku i tij do të shenjtëronte besën e do të nxirrte kushtrimin. U plagosën Pjetër Gjokë Hoti, që vdiq mbas disa ditësh. U plagos nga forcat komuniste toger Gjosh Nikaj.
Luftëtarët e rezistencës kundërkomuniste, me në krye Major Llesh Marashin, u mblodhën në oborrin e Kishës së Bajzës, ku, frati At Ciril Cani (1875-1953) rreh kumbonën e Kishës e i lutet Zotit, që bijtë e Malësisë, të fitojnë kundër pjellës së djallit bolshevik. Kryengritësit sulmuan drejt Koplikut, nën drejtimin e Llesh Marashit. Mbas luftimesh të ashpra, ata morën postkomandën dhe spitalin dhe më mbas krejt qytetin. Kontribut të veçantë dha familja e Shaban Binakut. Mësymja vazhdoi deri në Hanin e Dedë Zefit. Të ndaluarit, u liruan të gjithë, mbasi iu morën armët. (Butka, f. 19)

Malsorë në Shkodër
Malsorë në Shkodër

“Po në të njajtën kohë edhe me bekimin e famullitarit të Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marçinaj (Çekdedaj – Bzhetë), u bien kumbonve për me mobilizue Shkrelin për në luftë. Kështu burrat e Shkrelit, u nisën për t’u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik.” (Franz Llesh Grishaj, “Shkreli dhe roli i tij në Kryengritjen Antikomuniste e Malësisë së Madhe të vitit 1945”, Revista “Kuvendi”, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 24-49)
Partizanët nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë. Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta.
Nuk vonoi shumë, e në drejtim të Malësisë së Madhe, filluan veprimet ushtarake. Brigada e Parë Sulmuese, mori urdhërin luftarak, t’a spastronte atë nga reaksionarët e brendshëm. Të tillë konsideroheshin të gjithë ata, që kishin bindje të kundërta me komunistët. Në mëngjesin e datës 12 janar 1945, Komanda e Brigadës së Parë Sulmuese, nisi në drejtim të Kelmendit Batalionin e Parë. Një batalion i sprovuar në përpjekje, i përbërë pothuajse tërësisht nga partizanë të ardhur nga jugu i Shqipërisë, që kësaj here nuk dinin ku shkonin. Nuk njihnin terrenin. Nuk njihnin psikologjinë evendasve dhe, as me kë do të luftonin, sepse në Kelmend, nuk kishte pasur, as nuk kishte pushtues. (Dr. Martini, f. 224)
Malësorët, kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari, bënin një luftë mbrojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë.
“Prekë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prekë Calit, Mark Luka dëshmon: “Na, këtë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek për së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave.
Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorëzuem me një kusht, që të mos dhunoheshim. Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen në shtabin e Batalionit në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prekën:
-E, Prekë Cali, – i tha Mehmeti, – të pat ardhur dita t’a mbyllësh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu?
-Zotni, – iu përgjigj Prekë Cali, – faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.” (Butka, f. 16)
Ky ishte shpjegimi i vetëm i kundërshtimit të tyne (malësorëve) me armë, të “brigadave partizane” shqiptaro-malaziase, në vjetin 1944-1945. Ky ishte shpiegimi i vetëm, që ata iu “dorëzuen vllazënve tanë”, autoriteteve ushtarake shqiptare, si dhe naiviteti i përgjegjeve të tyne para Gjykatës Ushtarake, që nuk kuptonte, e si rrjedhim, i trajtonte si “trathtarë”!
Pse nuk kishin ndihmue “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare?” Sepse ishte e lidhun me serbët e malaziasit, anmiqt tonë shekullorë. Pse kishin rrokë armët kundër “brigadave tona?” Sepse bashkëpunojshin me brigadat serbe e malaziase, e nuk u kishim besën. Pse i nënshtroheshin influencës së klerit katolik? Sepse ata kanë qenë gjithmonë me ne, në të mirë e në të keq…! Madhështia e malsorit të çiltër shqiptar, ngrihej para Gjykatës, si monument, që dëshmonte vogëlsinë e mendjemëdhenjve komunistë, në pozitën e gjykatësit. Epërsia morale e qëndrimit të viktimës, ishte i qartë edhe para tragjedisë, që përgatitej pa turp, nga nji udhëheqje servile e interesave të huaja, nji udhëheqje e degjenerueme nga epshi për pushtet të pakufi.
E gjithë seanca e gjyqit, sidomos me ata të moshës së kalueme, u përshkue nga nji vijë kombëtare, parimore, e drejtë, e malsorëve të thjeshtë, në përleshje me vijën politike të lëvizjes internacionale, që imponohej me gjak mbi popullsinë që e përbuzte. Pyetjet e egra kërcënuese merrshin përgjegjen e thjeshtë e të njerëzishme të malësorëve, të bindun në drejtësinë e kauzës së tyne. Edhe kur u dha dënimi me vdekje, ata nuk u tronditën, megjithëse nuk arrijshin me kuptue, si mund të dënohet nga shqiptari, nji shqiptar, që ka mbrojt tokën shqiptare brez mbas brezi.
Shikojshin rreth e rrotull, sikur pritshin që “populli i Shkodrës” të thonte diçka për ata, për të kaluemen e tyne, për pafajsinë e tyne. Shkodranët, që njihshin mirë historinë e tyne, u befasuen nga britmat histerike në sallë, të publikut të zgjedhun, që shpërthyen, si me urdhën, kundër “kriminelëve”, tue kërkue me kambëngulje ekzekutimin e tyne, sa ma parë. Populli i Shkodrës ishte përçudnue… ose strukë në shtëpi, i frikësuem deri në palcë. “Shkodrës i kishte vdekë ora!” Ishte pasqyra e nji përmbysjeje të plotë politike, si rrjedhim i ngurtsimit të ngadalshëm moral, që kishte pësue shoqnia shqiptare, sidomos gjatë vjetve të luftës…!
Ekzekutimet, me gjyq e pa gjyq, bashkë me viktimën, vritshin edhe vetë idenë e “revolucionit çlirimtar”, idenë e lirisë dhe premtimin për nji botë ma të mirë, që do të sillte revolucioni. Ekzekutimet, e njollosën “revolucionin”, e nxinë imazhin e tij, e asgjesuen atë. Sepse, zemrat dhe shpirtet e shumicës së heshtun, filluen të kalbëzohen, bashkë me kufomat që shtriheshin pa jetë nëpër rrugët e katundit, në sheshet e qytetit, në poligonët e qitjes ushtarake e të ekzekutimit. Kudo të shihte syni kufoma, të mbulueme e të pambulueme, gjithëherë aty para syve të të gjithëve, si përmendore kokëforta, për ata që ende jetojshin, e tregojshin sa i randë ishte çmimi i krimit e sa i boshatisun ishte koncepti i nji revolucioni pa mëshirë e pa zemërgjanësi! (Prof. Repishti, f. 105)
Prometeu i çështjes nacionale Prekë Cali dhe besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj, e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Hotit dhe Kelmendi, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve siamezë sllavë. Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komuniste, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinë.
Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndëshkuese të inkuizicionit kundërmalësor e kundërkatolik, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Malësorët, prisnin gjëmën e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati.
Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu, si bir kleriku muhamedan, e përgjaku Kelmendin. Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i paramenduar prej hienave ishte i befasishëm. Nga Gryka e Grabomit dy toga me ushtarë “druzhe Tito” (shoku J.B.Tito) sllavoserbo – malazias (në kohën kur u vendos komunizmi në Mal të Zi, president ishte miku i Enver Hoxhës malaziasi Blazho Jovanoviq, shënimi im K.K.), marshuan drejt Kelmendit. Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë.

Vermoshi... sot
Vermoshi… sot

Brigadat e Ndjekjes, të drejtuar nga kriminelët Mehmet Shehu e Fejzi Micoli, e forcat e Sigurimit të stacionuar në 26 kampet e burgjeve, hetuesisë, torturave etj., në Qarkun e Shkodrës, të mbështetur nga Ushtria Jugosllave, më 15 janar 1945, përfundimisht pushtojnë Vuklin.
Sikurse pritej, menjëherë bishat partizane, iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta. Si në kohën e skllevërve, i lidhën me konop njëri mbas tjetrit, duke i shtyrë. Ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë. Më mbas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër. Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, mbasi pjesa më e madhe qëndruan aty, për të filluar terrorin në Kelmend.
Ata që janë dëshmitarë të kësaj mizorie të pashembullt, e kanë parë me sy e provuar mbi shpinën e vuajtur torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut. Të gjithë të plagosurit e arrestuar, i lidhën mbas kalit dhe ashtu nën torturë, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurtë.
Prekë Cali, me 15 trima kelmendas kapen rob, duke i kaluar formalisht gjyqit ushtarak, i cili, i dënoi menjëherë me pushkatim. Brigadat e Ndjekjes bënë kërdi, duke derdhur gjak të pastër malësori shqiptar. Partizanët të uritur vranë e shkatërruan, dogjën dhe prenë, e sëfundi pushtuan Kelmendin e papushtuar në shekuj.
“Ishte mbasdite e unë po qëndroja me nji shok përbri zyrës së Posttelegrafës. Diku u dëgjuan të shtëna armësh. Njerëzit kishin marrë lajmin, se Preka asht dorëzu e pritet ta binin para Postës. U shihnin grupe individësh. Dikush në heshtje, e të tjerë shakllabana që banin komente. Mbas disa kohe, u panë kamionat. Ato lëviznin ngadalë, saqë u afruan pak nga pak aty, ku, populli mund t’i shihte shumë mirë “reaksionarët”, që s’mundën t’i përballonin ushtrisë.
Ishin pikërisht këto komente, që banin njerëzit servila e katila, që asnjiherë nuk u ngopën me gjakun e stërnipave ilirë. Binte në sy shtati i tyne si lisat e bjeshkëve të Kelmendit, ku, mes tyne dallohej trupi vigan i martirit Prek Cali. Disa fundrrina komunistë, filluan t’i pështynin e t’i përbuznin…

Autori i shkrimit Klajd Kapinova
Autori i shkrimit Klajd Kapinova

Skeda e autorit Klajd Kapinova

Klajd Kapinova, ka kryer Universitetin e Tiranës, dega Gjeografi më 1987. Ka bërë specializime pasuniversitare për mjedisin dhe si metodist i gjeografisë. Kapinova ka studime e botime në fushën e gjeografisë, sidomos asaj fizike, urbane e turizmit. Ka punuar si mësues në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja në Shkodër deri në prill 2002. Dallohet për botimit cilësorë të veprave me karakter njohës dhe publicistikë, për problemet e klerit, të ndihmesës së tij në procesin demokratizues të vendit dhe njëkohsisht pasqyron edhe vuajtjet që ai ka përjetuar në kohën e monizmit në Shqipëri. Publicistika është hobi i tij, aq sa në këtë fushë, njihet jo vetëm në Shqipëri, por në Kosovë, Mal të Zi, Zvicër e ShBA. Artikujt kanë prirje enciklopedike, kulturor, shoqëror, historik dhe të traditës. Eshtë antar ose i zgjedhur në forumet “The World Forum of Professionals in the Secular and Religious Media” në Geneva të Zvicrës, i Bashkimit të Publicistëve të Rinj Katolikë në Shkodër (UCIP) dhe ish antar i stafit të disa redaksive të gazetave e revistave në Shkodër. Studiuesi ka qenë kryeredaktor i revistës kulturore-fetare “Rrezja e jonë”, “Illyricum” dhe redaktor i revistës “Kumbona e së diellës”, “Rreze drite”, “Mbas Teje”, etj. Ishte z/kryeredaktor i revistës kulturore-rinore “Vagues” (Valët) në katër gjuhë të huaja në qytetin e Shkodrës. Eshtë bashkëautor i librit “Kualida” për Gjeografinë, projekt i financuar nga Fondacioni “SOROS” (Tiranë, 1997), autor i librave: “Me Kryq dhe Pendë” (Shkodër, 1997), “Mes Kryqit e Atdheut” (Shkodër, 2000), monografinë kushtuar Nënë Terezës “Engjëll vuajtje dhe shprese” (Shkodër, 2002) dhe bashkëautor në monografitë “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut” (Shkodër, 2002), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (1962-2002), themeluesi e udhëheqësi Ismet Berisha” (New York, 2002). Është redaktor i shumë librave me poezi, monografi e kujtime dhe ka shkruar parathënien e tyre. Autori prej shumë vitesh është editor i revistës “Jeta Katolike” (1966), që botohet në New York. Jeton dhe punon në New York U.S.A. Wikipedia

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.