back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Piktura dhe etnosi i piktorit dhe etnografit Simon Rrota nga Besi Bekteshi

Gazeta

Piktori Simon Rrota (1887-1961)
Piktori Simon Rrota (1887-1961)

Piktori Simon Rrota

Jeta dhe vepra e nji Piktori Mësues

Simon Rrota lindi në Shkodër më 23 tetor 1887. I jati, Gjush Rrota, i kushtoi vëmendje shkollimit të fëmijëve. Nga djemtë, i pari, Kola punoi si profesor në Katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës, ndërsa Justini, prift dhe gjuhëtar i shquar solli në Shqipëri fotokopjen e Mesharit të Gjon Buzukut.
Simoni mësimet e para i mori në filloren e françeskanëve e më pas në shkollën italiane të artizanatit me mësues Saverio Polarolin, duke ndjekur ndërkohë edhe rrethin e pikturës së Kolë Idromenos. Punësohet si çirak tek Ndrek Mini deri sa thirret nën armë nga ushtria turke, së cilës i shmanget duke u hedhur në Mal të Zi prej nga gjen strehim si refugjat politik në Bari të Italisë. Me ndihmën e Polarolit regjistrohet në Akademinë e Breras të Milanos të cilën e përfundon nën udhëheqjen e mjeshtrit Kampestrini. Gjatë studimeve lidh miqësi me piktorin Mario Karminatin, kunatin e tij të ardhshëm. Pas studimeve viziton Francën dhe Austrinë, dhe më 1914, kthehet në Shqipëri. Fillimisht punon në Lushnjë si fotograf, më pas si dekorator në shoqëritë kulturore të Shkodrës. Më 1922 emërohet mësues i vizatimit në Gjimnazin Shtetëror prej nga shkëputet vetëm pas 40 vjetëve. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë në të gjitha ekspozitat e vendit si dhe në disa aktivitete ndërkombëtare.

Pikture nga Simon Rrota
Pikture nga Simon Rrota

Piktura dhe etnosi i piktorit dhe etnografit Simon Rrota

nga Besi Bekteshi

Një nga piktorët më të shquar të qytetit verior, i cili ka nxjerrë në vazhdim breza piktorësh dhe që është marrë shumë me etnosin, është Simon Rrota. Profesor Simon Rrota ka jetuar në dy periudha të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit 20-të dhe normalisht ka bërë të mundur ruajtjen në pikturë të karakterit etnik dhe kulturor sidomos të trevës së Shkodrës, por edhe të veriut në përgjithësi. Për Simon Rrotën, vazhdimi në pikturë kryesisht për etnosin, ka shërbyer për të ruajtur jo vetëm origjinalitetin në pikturën e tij të frymëzuar nga ajo e rilindjes italiane, por edhe për të mos rënë në skematizmin ideologjik të kohës në periudhën e parë të realizimit socialist. Në arkivin e pasur të pinakotekës në Muzeun e Shkodrës, janë disa punë të shkëlqyera të prof Simon Rrotës. Ato janë punë që një pjesë janë përmëndur dhe dy prej tyre kopjuar nga shumë piktorë në Shqipëri, por eventualisht ato janë punë të papara në Shqipëri në mënyrë të saktë, të drejtpërdrejtë, dhe normalisht të pa studiuara ekzaktësisht, sidomos në fokusin e sotëm të mbas viteve ’90.

Simon Rrota - Zadrimorja ne are
Simon Rrota – Zadrimorja ne are

Simon Rrota ka lindur në Shkodër në 23 tetor të vitit 1887 dhe mësimet e para i mori në shkollën fillore të Françeskanëve, ku u zbulua dhe kultivua prirja për pikturë. Ai ka qëndruar edhe në studion e Idromenos, ku normalisht është influencuar nga dijenitë tepër universale të mjeshtrit të madh. Më vonë ka shkuar në Itali në “Akademinë e Arteve të Bukura” të Brerës, dhe më vonë shkoi në Francë duke kultivuar edhe aty mjeshtërinë e artit në përgjithësi. Mbas vitit 1922, hapet “Gymnazi” në Shkodër, dhe normalisht ai ka qenë profesori i parë i vizatimit për katër dekada. Prej dorës së tij, kanë dalë shumë breza të talentuar jo vetëm piktorësh, por edhe artistësh dhe inxhinierësh në përgjithësi. Respekti dhe morali i mësimdhënies nga Simon Rrota, është legjendar si profesor i vizatimit në qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi brezat kanë vlerësuar shumë punën e tij të jashtëzakonshme. Ai ka vazhduar deri sa vdiq, më 27 janar 1961, të kontribuojë edhe në Muzeun e Shkodrës, dhe aty ai ka edhe shumë punime për trevën e Shkodrës, zejtarinë dhe veprimtarinë njerzore. Në Tiranë janë disa punë të tij të rëndësishme si “Një shtëpi e vjetër shkodrane”, “Derë e vjetër shkodrane”, “Një grua shkodrane” dhe “Shiroka”, por ama në Shkodër, janë disa kryevepra të cilat kanë brenda edhe etnosin, por edhe cilësinë e pikturës dhe stilit të prof. Simon Rrotës. Në qoftë se Idromeno ka si kryevepër dy vepra si “Motra Tone” dhe padyshim “Dasma Shkodrane”, pa përmëndur kryeveprën folklorike dhe kostumografike “Dy rrugët”, Simon Rrota ka “Një grua e vejë” dhe “Një grua e re” të kryera në vitin 1928. Të dy këto kryevepra artistike, kanë të bëjnë me artin e madh të cilësisë së aspektit etnos dhe të shprehjes në humanizmin shprehës. Simon Rrota në dy këto piktura ka dashur të qëndisë femrën shkodrane në bukurinë dhe krenarinë e saj, veshjen e jashtëzakonshme qytetare shkodrane në një kompaktësi dhe art pa asnjë lëshim në cilësi. Vizatimi rigoroz i prof. Rrotës dhe ngjyrat besnike bashkohen edhe me shprehjen femërore në një unitet të madh artistik. Por është edhe piktura “Një malësor nga Dukagjini” e cila është bërë në vitin 1935, por edhe kryevepra etnos “Në Pazarin e Shkodrës” një nga pikturat më të arritura dhe akoma jo e vlersuar në cilësinë dhe modernitetin e saj të kohës. Kjo kryevepër është bërë në vitin 1947, por ama ka parasysh një kohë më përpara. Aty kostumografia dhe modeli jetësor marrin jo vetëm ngjyrat, por edhe detajet e një arti që kalon nga detajimi i përpiktë në një sistem perspektiv njerëzor që të bën të ndalesh gjatë. Simon Rrota edhe në rrugë të Idromenos arrin të jetë një etnograf jo vetëm në pikturë, por edhe në punimet e shkruara të tij. Nga më të pëlqyerat dhe që nuk është vlersuar në mënyrë të duhur nga kritika gjithmonë e munguar në Shqipëri është dhe një nga kryeveprat etnos dhe ideore të Simon Rrotës. “Malsori tue numrue paret” është një nga pikturat e forta që të përball me një çast të jashtëzakonshëm etnosi të vërtetë të trevës dhe malësisë së Shkodrës. Porsa ka dalë nga pazari i madh i qytetit, malësori paraqitet në një mjedis të qytetit, me kalin e tij dhe duke mbështetur njërën këmbë në një gurë numëron parat e fituara. Çasti dhe raporti i ngjyrës, e cila është një ndezje midis të portokallisë në të errët të mbasdites janë një mrekulli urbane e përzier me etnos pafund. Kjo kryevepër është mbaruar nga Simon Rrota në vitin 1947. Por edhe në vitin 1950, vazhdon etnosi me anën e pikturës së titulluar “Një terzi i vjetër në dyqanin e tij”, ku paraqitet një rrobaqepës shkodran i veshur rregullisht në kostumografi etnike dhe qytetare rreth pesëdhjetëtë vite më përpara. Piktura është vërtetë një foto e realitetit, por forca qëndron te ekspresioni i terziut shkodran tipik në atë kohë. Simon Rrota edhe pse ishte një person që kuptonte realitetin nuk u ngatërrua shumë me të. Ai qëndroi në etnosin e tij të jashtëzakonshëm dhe nuk arriti të “sëmuret” nga “duart e trasha dhe kostumografia socialiste e asaj kohe”. Simon Rrota nuk u “qëllua” nga regjimi, përkundrazi është nderuar prej tij, por një arsye është se ai vdiq më përpara se sa dikush të kujtohej se kishte qënë i edukuar nga françeskanët dhe kishte bërë shkollë jashtë shtetit.

Simon Rrota - Gjushi
Simon Rrota – Gjushi

Një nga gjërat interesante të Simon Rrotës dhe që nuk njihet shumë jashtë Shkodrës është se ai ka bërë punime dhe studime të cilat janë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës mbi Punimin e “Mëndafshin dhe Leshin” në Shkodër. Ai bën historikun e këtyre lëndëve të rëndësishme të trevës dhe ka përmëndur edhe personat që kanë bërë kultivimin dhe punimin e tyre në Shkodrës si qyteti parësor në këtë drejtim në trevat shqiptare. Ai ka shpjeguar qartë se kjo industri ka qenë e zhvilluar dhe nuk ka dyshim që ka lënë një trashëgim në këtë dejtim. Por edhe për “linin dhe shqemën” tashmë të harruara, prof. Simon Rrota ka bërë historikun dhe ka lënë edhe në këtë lloj veprimtarie një trashëgimi të pasur. Një nga punimet e rëndësishme të prof Simon Rrotës është edhe “Shkollat e Vjetra të Shkodrës” dhe aty ai hedh dritë mbi zhvillimin e shkollës në qytetin kulturor në vitet 1850 me mësuesit e parë Gjon Shkrumi, Gegë Bushiqi, Jak Speci, Shor Markja, etj etj. Simon Rrota tregon edhe për shkollat e hapura nga Kushe Micës për femra dhe sidomos për Tina e Nik Gjergjit. Pastaj ai përmënd edhe shkollar e klerit katolik dhe mejtepet e myslimanëve duke treguar realitetin shkollor tepër të zhvilluar në Shkodër.

Akoma më shumë ka rëndësi punimi i prof Simon Rrotës mbi “Pikturën dhe piktorët shkodranë të hershëm”. Ai përmënd Idromenon ose Arsenin, Ndoc Martinin si profesionistë dhe vazhdon me Kosto Harapin, Gjon Kurtin, Shuk Çota, por përmënd edhe Gjergj Fishtën si një piktor jo profesionist dhe ky ka qënë një guxim i tepruar i tij duke pasur parasysh “konsideratën” që regjimi kishte për klerikun dhe epikun e madh shqiptar. Ai përmend edhe Gjok Picin dhe Zef Pukën, por edhe Anton Xanonin dhe Ludovik Kiçin. Normalisht Rrota ka përmëndur edhe një nga ish nxënësit e tij që vdiq në luftë Jordan Misja, por edhe Zef Kolombi si një piktor i famshëm dhe i madh shkodran.
Simon Rrota ka edhe një vizatim tashmë të jashtëzakonshëm në karbon që është portreti i “Skënderbeut” një nga më sinjikativët i bërë një vepër që qindra nxënësit e tij e rivizatonin. Ai ka qënë një edukator i jashtëzakohshëm e ndjenjës kombëtare dhe mbetet së bashku me Kol Idromenon një nga piktorët që përbëjnë krenari kombëtare për etnosin dhe pikturën e jashtëzakonshme që përbën edhe “Rilindjen” e artit shqiptar. Të gjitha pikturat e tij kanë zgjimin e kombit dhe lartësimin e ndjenjës si pikërisht kombit dhe kulturës shqiptare. Simon Rrota natyrisht është një nga piktorët më të lartë të Shqipërisë dhe punët e tij janë edhe në shumë shtëpi dhe zemra jo vetëm të shkodranëve dhe shqiptarëve, por edhe në botë.
http://www.shkodradaily.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.