back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Pikëllimi i Paskaj i nji Poeti – Jozef Radi bisedon me Poetin Gëzim Hajdarin 2004

Gazeta

Ars - Numri - 25
Ars – Numri – 25

Pikëllimi i paskaj i nji Poeti

Bisede e Jozef Radit

me poetin Gëzim Hajdari

mbi Librin “Gjëmba të Zinj” (Spine nere) 2004

Kronikë dhe intervistë e kahershme (2004) me Poetin Gëzim Hajdari

Mbrëmja e 8 marsit, në teatrin e Eksperimental “Il Piccolo” të Milanos do të kujtohet jo vetëm për pjesmarrjen e poetit Hajdari në një arenë të nderuar të kulture si ajo e njerit prej metropoleve ma të rëndësishme të kulturës europiane, por edhe si prezantimi i veprës ma të fundit tv tij: “Gjëmba të Zinj” (Spine Nere) hedhur në treg nga shtëpia Botuese “Besa”. Libri i Dytë mbas “Vragë (Stigmate) që kjo shtëpi botuese i ofron lexuesit në dy anët e Adriatikut.
Nën kujdesin e nji prej poetëve ma të njohur të kohës, Giovanni Raboni-t, prej muajit shkurt deri në maj të këtij viti, organizohen edicioni i Njëmbëdhjetë, me poetë të huaj që shkruajnë në gjuhën italiane, takim i titulluar “Gjuha e Mikpritjes” (Lingua del’Ospitalita). Ku shtatë poetë bashkëkohorë, përzgjedhin shtatë poetë më për zemër të nëntëqindës. Në një takim prej një ore ata vetë prezantojnë poezinë e tyre, ndërkohë që poeti i zgjedhur prej tyre, recitohet nga nji artist i njohur i teatrit të dramës.
Nji spektakël i jashtëzakonshëm në nji sallë të jashtëzakonëshme si “Il Piccolo”, nën praninë e nji auditori që e ndjek poezinë në të gjitha shfaqjet e saj…
Në takimin e fillimmarsit të këtij viti, i ftuar radhe qe poeti shqiptar, Gëzim Hajdari, i cili kishte zgjedhur si poet alternativ Dino Campanën, nën recitimin e Massimo Popolizio-s.

Mantova 2006 Qirxidhi, Lubonja, Radi, Hajdari
Mantova 2006 Qirxidhi, Lubonja, Radi, Hajdari

Il Piccolo, me gjithë nofkën e tij, shfaqej magjepsës…
Nji sallë me nji lartësi të frikshme në formë kubeje, nji skenë e shkrirë me platenë në formë patkoi, tri kate të ngritura pingulthi, ku spektatori duket sikur lëshohet në pikiatë mbi skenën; nji sallë e nji akustikë të rrallë ku edhe pëshpërima më e lehtë mund të futet drithshëm në shpirt, e në veçanti kur kjo gjë të vjen prej nji poeti.
Mbas prezantimit të takimit nga Giovanni Raboni, fjala i kaloi poetit Hajdari. Tridhjetë minuta për të lexuar pjesë nga vepra e tij. Tridhjetë minuta përballë nji auditori që i kapërcen të treqind vetët! Pesë poezitë e fundit autori do t’i lexonte në shqip, ndërsa në ekran do të shfaqeshin drejtpërsëdrejti vargjet në italisht.
“E para herë që ndodhesha përballë nji auditori të tillë. Il Piccolo nuk është nji vend i zakonshëm. Aty nuk e ke fort të lehtë ta thuash fjalën tënde!” Kështu do ta vlerësonte kët skenë i emocionuar poeti Hajdari, pak çaste para fillimit, kur mbi sallë do të vendosej nji terr i plotë dhe vetëm nji kon drite do të lëshohej mbi poetin.
Poezitë kalonin njëra mbas tjetrës duke e mbushë at sallë me drithërimin e atij shpirti të ndjeshëm, i cili në momente rezonance bënte që salla të shpërthente në duartrokitje të stuhishme. Do të kishte duartrokitje edhe në mbyllje të ciklit të poezive në italisht, edhe në përfundim të recitimit të poezive në gjuhën shqipe. Nji sukses i jashtëzakonshëm, sukses i nji poeti të vërtetë, që e ka ndërtuar piramidën e lavdisë pothuaj nga asgjëja, e që gjithnji e me tepër vlerësohet: si nji ndër zërat ma interesantë të kohës së integrimeve të mëdha.
Pastaj Ai do të humbiste mes përgëzimeve dhe autografeve të shumtë të atyre që blinin librin e tij të fundit…
Ndërsa shetisnim rrugëve dhe shesheve të Milanos, poeti Hajdari vazhdonte të jetonte emocionet e asaj mbrëmje të rrallë. At paraqitje që Raboni i Argjendtë i kish bërë duke recituar pasazhe nga vepra e tij.

Në nji moment u ndalëm dhe i thashë se gjithçka kishte shkuar për mrekulli, dhe i tregova edhe atë skenën me poetin iranian që mbasi i dhuroi nji revistë në gjithë gjuhët e Orientit, mori librin “Gjëmbat e Zinj” e puthi në kopertinë. Po ajo që më kish bërë të ndjehesha keq ishte fakt se nga: “Nga treqind vetë që ishin të pranishëm në sallë as pamë e as dëgjuam nji shqiptar. Më dukej e pabesueshme!” “E pra, i kisha lajmëruar, dhe kisha marra miratimin e tyre… po si duket hallet e tyre janë më të mëdha se sa mundësia për të ndjekur nga afër nji sukses të bashkatdhetarit të tyre…
Milano 13, mars, 2004

Gezim Hajdari - Gjembat e Zinj - Spine Nere - 2004
Gezim Hajdari – Gjembat e Zinj – Spine Nere – 2004

Gezim Hajdari: “…Shqipëria, në të gjitha epokat,

nuk ka patur kurrë shtet dhe qeveri të denjë për popullin e saj…”

Libri “Gjembat e zinj” posa u është prezantuar lexuesve ne Milano. Eshtë libri juaj i shtatë që botoni në Itali. Në pak rreshta si do ta vlerësonit veprën tuaj? “Gjëmba të zinj” del dy vjet pas botimit Vragë; vitin që shkoi doli në treg botimi i dytë i tij. Është një gjë jo e zakonshme për një libër poetik, në Perëndim. Kërkesat e lexuesve të mi janë të shumta; Vëllimet Barihidhur, Antologjia e Shiut, Hije Qeni, Gurë Kundërerës dhe Trup i Pranishëm nuk gjenden nëpër libraritë italiane, janë ezauruar.
Ka mëse tre vjet që poesia ime studjohet në Universitet më në zë të botës, për diplomat universitare si dhe në kurset postuniversitare për doktorate, në Universitetin e Harvardit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetet e Sidneit në Australi, në Universitet angleze, në Universitetin “La Sapienza” e ne Universitetin 3 të Romës, në atë të Bolonjës, dhe Milanos, por jo ne Universitete shqiptare.
Për të përmbushur dëshirat e lexuesve vendosa të botoj Gjëmba të zinj, vëllim të cilin e kam shkruar në italisht dhe përkthyer prej meje në gjuhen amtare. Është një përmbledhje që ia kam shkulur, siç ke shkruar dhe ti në parathënie, unit qendror; është vazhdim i përshkimit dhe sfidës që unë vazhdoj t’i bëj ekzistencës. Ndryshe nga vëllimet e mëparshëm, këtu shfaqen dy poemtha që marrin spunto nga epika shqiptare dhe ajo ballkanase. Eposi shqiptar dhe ai ballkanas më kanë mahnitur gjithmonë dhe mbeten linfat e mia të frymëzimit. Eposi ballkanas ka tërhequr shpesh vëmendjen e poetëve të mëdhenj të shekujve të shkuar, nga Homeri tek Gëtja. Është shfrytëzuar paksa nga prozatorët shqiptarë, por jo nga poetët.
I dashur mik, ti je poet, dhe e di se me çfarë ankthi e pret një autor daljen e libri të tij të ri; kam qenë tepër i shqetësuar për ditë të tëra, “è una brutta malattia”. Mendoja si do të reagonin lexuesit dhe studiuesit e mi. Të shkruash do të thotë të tejkalosh gjithmonë vetveten, rreziku më i madh që i kanoset një krijuesi.
Për fat, Gjëmba të zinj është pritur jashtëzakonisht mirë nga qarqet letrare italiane. Libraritë e Romës, Milanos, Bolonjës, etje., kanë nisur prenotimet e para. Departamenti i Letërsive Krahasuese të Universitetit La Sapienza e ka vënë në dispozicion të studentëve dhe studiuesve. Prezantimi i veprës sime në tempullin e Fjalës, siç është Teatri “Piccolo” i Milanos, nga poeti i madh italian Giovanni Raboni, është një dëshmi e gjallë e këtij realiteti.
Në këtë vëllim lexuesi gjen një cikël më vete me poezi dashurie, gjë që nuk vihet re në përmbledhjet e mëparshme, dhe jo pa shkak: dashuria si përjetesi, rinia e përhershme e poetit, është shpirti i jetës që s’mplaket. Italia nuk ka poetë bashkëkohorë dashurie, siç ka Franca Aragonin e Preverin, siç ka Kili Neruden, Turqia Hikmetin. Italia ka këngëtarë-autorë. Katulo, Ovidio, Dante, Kavalkanti e Petrarka nuk kanë lënë trashëgimtarë të denjë.
Gjëmba të zinj është një vëllim më intim, që mahnit e shmagjeps njëkohësisht. Falenderoj botuesin tim “Besa” si dhe drejtorin e saj Livio Muçi, i cili ma kërkoi me ngut botimin e këtij libri, duke e shtypur brenda pesëmbedhjetë ditëve; siç veproi edhe para dy vjetësh edhe me vëllimin Vragë.

Gezim Hajdari - Frosinone 2007
Gezim Hajdari – Frosinone 2007

Si lind një libër në dy gjuhë? Mos vallë njera është gjuha e ndërgjegjes dhe tjetra e komunikimit, apo të dyja gjuhët shërbejnë si një çelës i artë për afrimin midis dy kulturave mesdhetare? Bilinguizmi ose dygjuhësia është një traditë e madhe perëndimore, nis me dygjuhësinë greko-latine gjer në Mesjetë, nga Mesjeta tek humanistët e Tetëqindës, nga Tetëqinda gjer më sot. Në kohën e perandorit August, kultura u bë dygjuhëse. Shkencëtarë dhe filozofë grekë shkruanin si në greqisht për publikun grek ashtu dhe latinisht; Roma bëhej gjithnji e më shumë greke dhe Greqia gjithnji e më shumë romane. Bota ishte greko-romane. Seneka ish me origjinë spanjolle dhe shkruante në latinisht. Kjo tradite vazhdon edhe në kohët moderne; Nabokov qe me origjinë ruse dhe shkruante në anglisht, Konradi qe polak dhe shkruante ne anglisht, Beketi qe irlandez dhe shkruante në frëngjisht, përkundër Kafkës që dëshironte të ishte i huaj në gjuhën e tij: duke shkruar, në gjermanisht. Nga shkrimtarët e sotëm mund të përmend Kunderën, i cili shkruan në frëngjisht ose poetët apo shkrimtarët indianë që shkruajnë në gjuhën e ish kolonizatorëve, në anglisht; ose poetët e shkrimtarët magrebinë, të cilët shkruajnë në frëngjisht. Nobelisti nigerian Soynka, për t’i shpëtuar gardianëve të burgut shkruante në spanjisht. Këta shkrimtarë migrantë dhe ezilantë, gjatë perkorseve historike, kanë krijuar vlera të mëdha letrare dhe universale, që i përkasin njerëzimit.
Edhe në shqiptarët kemi një traditë të shkëlqyer në këtë drejtim; Naimi Frasheri jetonte ne Stamboll dhe shkruante, veç shqipes, në turqisht dhe persisht. Samiu, traktatin e tij të famshëm filozofik, politik e shoqëror: Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet e ka shkruar në frëngjisht. Në frëngjisht shkroi dhe Pashko Vasa romanin e parë shqiptar: Bardha e Temalit. Kjo traditë e madhe shqiptare s’është studiuar asnjëherë nga Universitetet shqiptare, përkundrazi konsiderohet një herezi për nacionalistët patetikë e të rrezikshëm. Madje autori i këtyre rreshtave, para disa vitesh, nga një ish kryetar Lidhjeje (ah Lidhjet), është akuzuar si “tradhëtar”, pse shkruan në italisht për t’u pëlqyer të huajve!?!
Unë shkruaj në italisht dhe cfilitem në shqip, cfilitem në italisht dhe shkruaj në shqip. Të shkruash me gjuhën e vendit mikpritës krijon një sens çlirimi; është një shtytje përfundimtare për krijimtarinë. Është pikërisht kjo cfilitje që bëhet linfë e frymezimit dhe shpëtim për poetin në një kontekst të ri. Unë punoj me gjuhët. Nuk do të thotë mohim identiteti, përkundrazi, tejkalim i tij dhe synim për një jointegrim, por si ndërveprim në identitetin e ri botëror, për t’u bërë sa shqiptar aq dhe qytetar i botës, ose më mirë një mysafir i kësaj bote, që ëndërron Atlantidën. Shkrimtarët migrantë janë ambasadorë idealë që afrojnë brigjet, popujt dhe kulturat, në kundërshtim me politikanët, të cilët kanë bërë e bëjnë çmos për t’i ndarë ato gjatë gjithë historisë njerëzore. Qytetërimi i Mesdheut s’është veçse ndërveprim: hyrje e dalje nga një gjuhë tek tjetra, shkëmbim midis popujve dhe kulturave të tyre.
Të dyja gjuhët shërbejnë si dy atdhe. Gjuha shqipe është atdheu im i parë, gjuha italiane atdheu im i dytë. Tash e tutje unë kam të bëj vetëm me gjuhën shqipe dhe atë italiane. Të dyja gjuhët gjenden në ezil: gjuha shqipe ezilante në gjuhën italiane dhe ajo italiane ezilante në gjuhën shqipe. Dhe poezia bëhet migrim gjuhësor ose “un linguaggio” që tranziton dhe emigron nga njëra gjuhë tek tjetra. Poezia nuk është veçse eksperiencë origjinore e “linguaxhit”. Shqipëria, në dimensioni e ri, është pjesë e imagjinatës, e kujtimit, e ëndrrave nëpërmjet gjuhës. Cioran thotë: “Ne jetojme jo në një atdhe, por në një gjuhë”. Gëzim është identiteti im, dhe trupi im është atdheu, përkundrazi, çdo ditë unë krijoj një atdhe të ri, ku vdes dhe ringjallem sërish.
Kjo çeshtje është trajtuar prej meje më gjerë në një esè që unë mbajta, vitin që shkoi, në Universitetin e Bolonjës, ku isha ftuar në një takim ndërkombëtar me profesorë të Universiteteve më të njohura të botës…

Jeni nga poetët më në zë të frymës së integrimeve të reja. A e ndjeni mungesën e lexuesit shqiptar dhe dëshirën e komunukimit me të, apo ju mjaftojnë takimet e shumta dhe jehona në shtypin italian e më gjerë? Mungesën e lexuesit shqiptar e ndjej së tepërmi; por mendoj se e kam gjetur një zgjidhje: kam krijuar lexuesin shqiptar imagjinar, i cili banon në imagjinatën time, dhe komunikoj me të çdo ditë. Unë jam një poet që është injoruar, në mënyrën më cinike, nga mafia politike dhe letrare shqiptare. Në Shqipëri ështe rrëzuar diktatura Enver Hoxhës, por jo kultura komuniste e tij.
Shqipëria lind poetë! Më pas i poshtëron ata, i burgos, e dhunon shpirtin e tyre, i dënon me heshtje, i torturon, i pushkaton, i var në litar, i lë pa varr, për ta shpëtuar më pas kujtimin e tyre… Shqipëria është si Medea që shqyen bijtë e saj.
Historikisht historine e letrave shqipe e kane bërë disidentët, të dënuarit, ezilantët, migrantët dhe idealistët, që më të shumtën e herëve kanë jetuar jashtë kufijve të vendit. Poetët e Tiranës u kanë kënduar vetëm tiranëve.
Ndoshta nuk kam lexues, por kjo s’ka asnjë rëndësi. Lexuesi im do të vijë pas mijëra vitesh. Safo më shumë se për kohën e vet ndoshta ka shkruar për ne. Një poet i vërtetë shkruan për përjetësinë. Një tentativë të tillë kam nisur edhe unë. Sa herë shkruaj, pyes veten: “Do t’i qëndrojë viteve, shekujve, kohrave ç’ka po shkruaj?”.

Si mund ta përshkruani ditën e një poeti të ezilit? Kush e mban gjallë brenda teje frymën e të kënduarit…? Zgjohem rreth orës tetë të mëngjesit. Ngrihem. Hap dritaren e dhomës, ku studioj dhe fle. Marr mullirin e kafesë dhe tres vështrimin poshtë në luginë, ndërsa bluaj kafen e zeze. Pi kafe turke. Mulliri dhe xhezvja janë një kujtim i nënës nga Pazari i Dikurshëm i Lushnjes. Kafen e shijoj gjithnji aty në dritaren time, ku qëndroj rreth gjysëm ore pothuaj çdo mëngjes. Ballë dritares shtrihet panorama e një lugine me kodra të valëzuara, që aq shumë më kujton peisazhet e Darsise. Nganjëherë më duket sikur ndodhem në Hajdaraj, dhe përballë meje fshati Balaj, ku jeton poeti dhe miku ynë i përbashkët, Sherif Bali. Janë imazhe që më ngushëllojnë. Ndërkohë postieri ka sjellë letrat dhe pakot që më mbrrijnë nga anë të ndryshme të botës. Pasi i kam hedhur një sygjithçkaje që më kanë shkruar, përgatis letrat që duhet të postoj dhe dal. Tek Marcella, gazetashitsja e qendrës se qytetit, shfletoj gazetat kryesore italiane. Marcella është një zonjë simpatike dhe tepër e sjellshme me mua; më ve në dispozicion shtypin, falas. Pastaj shkoj tek posta për të nisur korrispondencen. Paradreke bëj një numër të konsiderueshëm telefonatash. Drekoj shpesh ne Mirabar, ku Gerardo, pronari i tratorisë, i shënon në një bllok konsumet e mia të pakta, të cilat i shlyej çdo fundmuaji. Kështu edhe nëna ime, dikur paguante bukën e përditshme, tek shitësi i fshatit. Pasditeve lexoj, shkruaj, përkthej, mbaj shënime ose përgatis letërkëmbimin. Darkën shpesh e bëj vetë në shtëpi. Zakonisht ha ndonjë frut ose djathë. Nga ora dhjetë deri në tre të mëngjesit rinis përsëri studimin dhe shkruaj. Kohët e fundit më janë shpeshtuar edhe takimet e shkëmbimet me miq e dashamirë të artit të poezisë.
Ezili për mua është bërë një kusht ekzistencial. Jam një ezilant që i mëson të jenë ezilantë të gjithëve. Nëpërmjet poezisë sime kërkoj t’u mësoj të tjerëve artin e dialogut. Për të ardhmen po përgatis për botim një poemë të gjatë, ku lexuesi do të njihet më nga afër me motivet që më detyruan të zgjedh ezilin. Jetoj me idenë se një ditë do të kthehem, edhe pse, brenda meje, forcohet bindja se kurrë s’do të kthehem. Sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë forcohet në mua bindja, që të kthyerit është i kotë. Vazhdoj të jetoj pezull, në udhëkryq të çdo ekuilibri, pa i përkitur asnjë vendqëndrimi. Përkitja është gozhdim, vdekje. Kudo që ndodhem jam në shtëpinë time; përkundrazi ndjehem në Shqipëri, vetëm kur jam jashtë saj. Do të duket çudi, por vendin tim e kam njohur më mirë kur jam gjendur larg tij.
Frymën time të të kënduarit e mban gjallë Zëri i Brendshëm dhe dashuria e të ekzistuarit në një cep të humbur të hapsirës dhe Kohës. Në letërsi hyhet si dashnor.

A e mendoni se institucionet e shtetit shqiptar duhet të reagojne ndaj lartësive të arritura nga artistët shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, apo kjo heshtje do të vazhdojë të thellohet më tej? Shqipëria, në të gjitha epokat, nuk ka patur kurre shtet dhe qeveri të denjë për popullin e vet. Shteti shqiptar ka qenë gjithnji shteti më diabolik dhe më pervers ndaj shtetasve të vet, që historia e Europës ka njohur.
Institucionet e sotme shqiptare janë përplot me njerez mediokër, cinikë, të korruptuar, dallkaukë, servilë, injorantë dhe hajdutë që dhunojnë gjakun, punën dhe djersën e të ndershmëve. Janë pikërisht këta që vazhdojnë ta izolojnë akoma më shumë, Shqipërinë nga Europa dhe Bota e Qytetëruar. Ata që deri dje ishin shërbëtorët më të zellshëm të dikaturës, sot janë demokratët më ekstremistë! Por ç’ka më tronditur së tepërmi është qëndrimi retorik dhe i rrezikshëm, i disa miqve tanë intelektualë dhe njerëz të letrave, mbi çështjen shqiptare. Ata ispirojnë dhe propagandojnë me të madhe Shqipërinë e Madhe! Mendime të tilla, si: “Më parë ne duhet të bëhemi komb, pastaj të integrohemi në Europë”, janë me të vërtetë gjykime histerike dhe të llahtarshme; në prag të mijëvjeçarit të tretë kërkojnë të ngrenë mure të rinj, etnike! Shqipërinë do ta shpëtojnë vetëm njerëzit e kulturës dhe shkencës që me shumicë studiojnë dhe punojnë, jashtë kufijve të sajë. Jemi i vetmi vend në botë që s’kemi Institute Kulture jashtë vendit, ndërkohë që Italia ka rreth 100 të tillë. Dhe nëse një ditë, në Romë, do të ngrihet një Institut i Kulturës shqiptare, jam i sigurt që drejtor i saj do të jetë ndonjë agronom fshati; dhe për më tepër nip a mbesë e ndonjërit prej qeveritarëve shqiptarë.
Shqiptarët nuk e meritojnë një fat të tillë! Jemi ndër popujt më të lashtë, më fisnikë, më mikpritës e më të besës në Ballkan.

Botuar ne Revisten Ars 25  te vitit 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.