back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Petullat n’ujë – rrëfim nga Xhabir Tabaku

Gazeta

Xhabir Tabaku
Xhabir Tabaku

Petullat n’ujë

rrefim nga Xhabir Tabaku

Më bjen ndër mend si njitash, n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’Bunës me zanë peshk e mandej kadalë-kadalë merrnim rrugën për Shirokë. Gjyshi bante sikur shkonim për hatrin tim, por un e vëreja se ai ma shum shkonte me takue nji mikun e tij të vjetër, Tomen.
Toma ishte plak, a ndoshta plak më dukej mue, ngase isha fëmi. E kishte shtëpinë në mes të Shirokës, sa kalojshe nji klub n’qoshe të rrugës së vetme e merrshe rrugën përpjete për kah Kampi i Fmijëve, dikur Vila Zogut.
Gjyshi e gjuante penxheren e shtëpisë me guralec: -Erdha me vrep, ndihej zani i Tomës. Toma kishte za të pakët… përherë me nji xhaketë bojkafe, dimën-verë, e n’krye nji kaskete doku. Gjyslykët me skelet të trashë, të zi, i jepnin pamje prej intelektuali. Fliste ngadalë e me buzen në gaz krejt kohës. E donte fort gjyshin, e vëreja se i ndrinin sytë kur takoheshin. Mos t’ishte për gurabijat pesë lekëshe që më blinte, nuk do e kisha kujtue me kaq hollësi Tomën…
.
Pamje e Shirokës - Shkodër
Pamje e Shirokës – Shkodër
Mandej zbrisnim të tre drejt bregut të liqenit. Toma e gjyshi mblidhnin do gur petashuqa e m’i jepnin mue me ba petulla n’uj. Kur ta çojsh në dhjetë petulla me i gurë, ke i gurabi tjeter më thonin.
Me binte krahu n’tokë tue dashte me mbërri dhjetën. Oh! Po për Zotën… thirrte Toma e qeshte me za. Fiks dhjetë. Qe artist, e ma zgjaste nji pesë lekësh tjetër për gurabinë e premtueme, ani se edhe ai edhe un e dinim se as gjasht petulla nuk kisha ba.
Më bante përshtypje pse gjyshi e Toma përherë flisnin me za të ulët.
Isha kureshtar me i ndigju, por me petulla uji, e gurabija klubi me mbanin gjithmonë larg. Vetëm pak vite ma vonë, kur Toma pat vdek në spitalin senatorium nga tuberkulozi, e pata kuptue se Toma kishte qenë prift…
E ndigjova gjyshin kur i tha nji burri thatuk që erdhi te ne me marr vesht si ishte puna. “Nesër mbrama, – i tha gjyshi lehtë, – dom Lorenci ka me çu meshë për Tomën, diku në shtëpin e nji miku të tyre në Shkodër!” Gjyshi me Tomën kishin pas jetue për vite me radhë në nji odë burgu dhe e kishin nda kafshatën e bukës me njeni-tjetrin. Me pat marrë edhe mue me vedi gjyshi kur shkoi te vorrimi i Tomës.
Ata kishin vorret e tyne në mal, atje mbi liqen. Vorret e tyne më patën shti friken… Ishin do qiparisa të naltë e kumritë zinin vend ndër ta… nuk kishte shum njerëz në vorrimin e tij. Kah u kthyem në shtëpi, gjyshi heshti e un nuk bzana hiç. Ma mori mendja që po përcillte ndërmend të kaluemen me mikun e tij. Vetëm kur mbrritem në Tophane, mori frym thellë e tha duke me fërkue qafën e duke iu dridhë gusha: “E kam pasë si vlla!” Lotët që i rrodhën për faqe nuk i fshiu fare. Vetëm rrudhi vetullat e shikimin diku larg.
Prej aty e deri te shtëpija, gjyshi nuk çeli gojë. Atbotë e mbrapa, kurr s’më pat marrë ma për shetitje nga liqeni.
Kur shkoj në Shirokë, përherë më kujtohen ata dy burra të mirë… herë kthej kryet poshtë kah bregu i liqenit ku uleshin mbi gurë e përshpërisnin lehtë-lehtë, e herë kthej kryet kah qiparisat mbi të cilat kukujnë pa prà kumritë.
.
Marrë nga Muri i Fb. i Xhabir Tabakut, 17 tetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.