back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pesha e emnit… tregim nga Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)

Pesha e emnit…

tregim nga Lek Pervizi

(shkëputun nga libri me tregime “Rrathët e Ferrit” që botohet së shpejti)

Poterja metalike e çangës së madhe të kampit u vërsul e papërmbajtun në gjithë skutat e barakave, vrapoi mes korridorëve të skelave të krevatëve dykatshe, ku të flenin të burgosunit stivosun bri njeni-tjetrit si sardele, mbi do shtresa të pista e të palame, qysh prej ditës që edhe ato ishin ba pjestarë të burgjeve…
Ajo krismë shurdhuese hyni nën batanijet duke ngacmue egërsisht veshët e të dënuemve deri në thellësi të trunit. Shpërthyen shamje e mallkime nga ma të ndryshmet… As për të fjetun nuk kishin ma të drejtë!
Gjumi ishte i vetmi shpëtim nga mundimet e përditshme.
Po ç’kishte ndodhun? “Mos i hiqnin që andej? Kontroll?!” Mos ishte arratisun kush?
Më kot kërkonin t’i jepnin shpjegim ramjes së parakohshme të çangës, aq herët dhe aq stërzgjatun. Zakonisht ajo binte për zgjimin dhe apelin, për lugicën e gjellës dhe racionin e bukës, si dhe për nisjen në punë. Çdo mëngjes në ora katër. Por kësaj radhe nuk ishte si zakonisht. Patjetër diçka kishte ngja. Kur pushuen rropamat e çangës, nisën britmat kërcënuese të policëve, që i nxitnin të dilnin përjashta sa ma shpejt. Kishte fillue të agonte. Malet nga lindja spikasnin blu-mavi mbi sfondin e qiellit që po merrte nji ngjyrë rozë prej rrezeve akoma të largëta të diellit, që orvatej të rikthehej po aty ku kishte qenë nji ditë ma parë, në të njejtën orë.
Askush prej të burgosunve, nuk mundi me e vu re njat shfaqje bukurie të natyrës. Ishin të tanë të zhytun ndër hallet e tyne të trishta.
A do të mund t’i shpëtonin atyne rraskapitjeve pa fund e pa krye? – ishte pyetja e ngulun në sytë e krejt atyne…
Tremijë veta u rreshtuen simbas kompanive përkatëse në sheshin midis kapanonëve, duke përshpëritë rreth pse-së së atij tubimi të jashtëzakonshëm. Sendet kishin fillue të dalloheshin gjithnji e ma mirë. Para tyne qëndronte vetë komandanti i kampit me disa oficerë e plot policë të armatosun. Dhjetë metra ma tej dukej nji shtyllë, e mbi at shtyllë i lidhun suxhuk me tel korrenti, nji njeri.
Ata të rreshtave të parë u tronditën.
Genci! Emni tij kaloi gojë më gojë dhe mbrriti deri te rradhët e fundit, sa hap e mbyll sytë. Genci? Cili Genc? Genz Pervizi. Genc Pervizi? Pse? Qysh?
Natën para e kishin rrasë në tendën e izolimit. E kishin zhdepë në dru. Ç’kishte ndodhë?! Mërmëritjet pushuen në çast, kur u ndigjue zani i fortë e i vrazhdë i komandantit:
“Mbani qetësi!… qetësi!”
Ra nji heshtje e randë, që u thye nga po ai za i ashpër, i çjerrun dhe i trashë.
“A e dini pse ju kemi ngritur kaq herët sot? – heshtja sundoj tej e tej ato trimije koka te mbledhuna… -Ja, për shkak të këtij shokut tuaj, Genc Pervizit, të birit të gjeneral Prenk Pervizit. Të këtij armiku të betuar të popullit e të partisë, i arratisur në Greqi, ku edhe kërkon të veprojë kundër nesh bashkë me të arratisur të tjerë të mbledhur rreth tij. Ky e ka ndihmuar të jatin për t’u arratisur dhe tani kërkon të na e hedhë edhe ne, duke u fshehur pas një mbiemëri tjetër. Tani ta shohë ky bir armiku se sa i vlen lëkura! Aty të ngordhë pas shtyllës, qeni i bir qenit!”
Të burgosunve të shkretë iu fut frika mos vallë e vrisnin Gencin aty para syve të tyne. Kushedi ç’u shpikte truni atyne katilëve.
“Ju vetë duhet të ia jepni dënimin e merituar! – vazhdoi komandanti –  Do të kaloni pranë tij dhe ta pështyni! Kuptuat? Ai që nuk e bën, do të ndëshkohet edhe më keq se ky! Hajt, filloni. Pështyjeni!!”
Rojet u hapën e zunë pozicione me automatikë ndër duer. Të burgosunit u detyruen të kalojnë pranë të lidhunit në shtyllë duke u orvatë që pështyma të mos arrinte në trupin e tij. Ec e mos e zbato urdhnin e atij komandanti fodull e gjakatar!
“Në surrat ta pështyni! Morët vesh?! Në surrat! – gërthiste me sa fuqi kishte oficeri i rojës, i gatshëm me e dëshmue servilizmin barbar të tij. Ndërkaq drejtori, oficerët e policët gajaseshin mes tyne. Talleshin e zgërdhiheshin me kënaqësi sadiste, mbasi për ta qe vërtet nji shfaqje zbavitëse.
Genci i kishte ngulë sytë përtokë mos me i venë në pozitë të vështirë shokët, që zemërthyem e të trishtuem ishin të detyruem të kryenin at gjest neveritës. Ma në fund sheshi u boshatis. Të dënuemit mbasi hangrën racionin e gjellës së mëngjesit morën rrugën për te kanali i Vloçishtit. Rojet rrinin anash, para e mbrapa si hijena të tërbueme.
Komandanti me suitën u mbyllën në zyrat e tyne dhe në shesh mbeti veç shtylla, dhe mbas shtyllës i lidhun Genci, si në filmat me indianë. Komunistët nuk ndryshonin shumë prej tyne. Ai iI kishte provue të gjitha llojet e torturave, por s’do t’u kishte shkue ndërmend kurrë se nji ditë do të gjendesh edhe ai i mbërthyem njashtu mbas nji huni dhe se do ta pësonte at trajtim të poshtër sa ta pështynin edhe vetë shokët e vuejtjeve dhe të mundimeve! Por mendja e xhelatëve kishte aftësi me shpikë tortura nga ma të stërholluemet e ma barbaret. Kjo ishte nji veçori e spikatun e komunistëve të lindjes, që ua kishin mësue e imponue Leninat e Stalinat, sipas metodave të asaj GPU-je, që kishte ba kërdinë në popullin e vet, duke sakatue e shfarosë jo me mija, por me miliona viktima të pafajshme. E komunistët shqiptarë kërkonin t’ua kalonin padronëve të tyne, duke u tregue ma të zellshëm e ma katila në zbatimin e torturave dhe të krimeve. Në kundërshtim me traditat e karakterin fisnik të shqiptarit, që kurrë nuk e kishte ulë veten në të tilla veprime shtazarake e sadiste. Shqiptari vriste për hakmarrje… por ama e respektonte armikun e vdekun, tue ia kthye trupin mbarë e tue ia vendosun pushkën pranë. Nuk e përmbante tradita që mbi anmikun të ushtroheshin tortura shtazarake!
Heshtja e madhe e solli në vete Gencin, që sikur kishte kalue në nji gjendje kllapie. At’here i ndieu dhimbjet e trupit e lodhjen rraskapitëse. Iu shfaq parasysh përsëri skena e pështymjes kolektive… dhe fytyrat e trishtueme të burgosunve që kalonin para tij. E pushtoi nji dëshpërim i madh që mund ta gremiste në nji pesimizëm depresiv pa rrugëdalje. Nuk arrinte të përqendrohej në asnji mendim… aq i çoroditun kishte mbetë nga shpirtligësia e xhelatëve. Si t’ia punonte ashtu njeriu njeriut dhe aq ma keq, shqiptari shqiptarit!?
Në kët gjendje të dëshperueme, pa e ditun as vetë se si, iu dha me shfry me za të naltë:
“O Zot mos më braktis!! Më shpëto ose ma merr jetën!!” – Iu kujtue ajo thirrja e Krishtit të gozhduem në kryq atje mbi Golgotë, e sikur ndjeu nji lehtësim dhe nji parandjenjë të çuditshme shpëtimi.
Roja që sillej aty vërdallë u ndal dhe iu hakërrue:
“Ore!… Kujt i flet ti? …Mbylle gojën apo kërkon të hash dru. Nuk të mjafton që je i lidhur pas atij huri dhe i bërë tërë jarg pështyme për ibret?”

Portret i Genc Pervizit (nga Lek Pervizi)
Portret i Genc Pervizit (nga Lek Pervizi)

Dielli kish arritë të dalë mbas maleve dhe rrezet e tij po nisnin të baheshin përvëluese. Gencit po i dukej sikur i kishin vendosë nji saç me prush mbi kokë, por kishte dhe ma keq. Nisen t’i vërshojnë mbi trupin e tij mizat, nga të katër anët, me mija e miliona. I kishin braktis barakat dhe WC-të, të joshuna nga ushqimi i kandshëm dhe i shijshëm i pështymës jargore me të cilën ishte përlye krejt trupi i tij. Ato shetisnin pa teklif mbi të gjitha miset e shtatit të tij. Ma e keqja ishte kur i suleshin mbi fytyrë. Mbi buzët, mbi sytë, ndër vrimat e hundës e të veshëve, ku gjenin pjesë të zbulueme të trupit. Tortura që po i shkatonin mizat, ua kalonte shumë të tjerave.
Insektet e fëlliquna kishin gjetë parajsën n’at ferr që përjetonte i burgosuni. Mundimet e tij ishin të papërfillshme ndaj kënaqësisë së tyne. Aty, i lidhun mbas shtylle Genci po zbulonte nji filozofi jetësore të çuditshme. Vuejtjet i kishin mbrritë kulmin, e kulm për kulm, edhe mizat kishin mbrritë kulmin e lumtunisë! Nji kondradiktë e madhe parimesh. Kjo i përshtatej gjendjes politike të shekullit Njizetë. Komunizmi me zbatimet e parimeve të veta, kishte krijue at filozofi, ku shtresa ose klasa e tyne kishte të drejtë të sundonte e të përfitonte privilegje, në kurriz të shtresave ose klasave të tjera të mposhtuna, të cilat ishin caktue që të zhdukeshin nga faqja e dheut, për t’iu lanë fushë të lirë veprimi vetëm komunistëve. Kështu që persekutimet, torturat dhe krimet ishin për ta nji kenaqësi e tillë që nuk ndryshonte në thelb nga ajo e mizave mbi trupin e sakatuem të Gencit të shkretë! Ai nuk mundi të duronte ma gjatë ato tortura njerëzore e natyrore, pse veç njerëzve e mizave, dielli po ia piqte trupin nga jashtë e nga mbrenda, deri në palcë të kocit e në thellësi të trunit. Pak nga pak ai po e humbte vetëdijen. N’ato çaste aq mizore, ndërsa i përfytyroheshin si n’andërr familjarët: gjyshja, nana, baba, vllaznit… ai humbi ndjenjat.

Rrethanat që e kishin çue Gencin n’at shtyllë u krijuen rastësisht. Thjesht nji incident. Ai ndoshta mund t’i kishte shpëtue paq atij lloj dënimi, por jo masave edhe ma të këqia e ma të randa, po t’ishte se ai do të kishte qenë i njohun që në fillim se i biri i kujt ishte. Kur e sollën në kampin e Maliqit, në pranverën e vitit 1949, dhe bahej apeli simbas listave përkatëse, mbiemni i tij u shqyptue me nji deformim, Pervaza në vend të Pervizi, nga kapterri lexues, që s’kishte asnji klasë shkollë. Genci nuk i vuni randësi asaj pune, sepse shpesh ndodhte që emnat të thirreshin me gabime. Në fund të fundit ma mirë të mos i dilte mbiemni i saktë. Si Genc Pervizi, i biri i gjeneralit Prenk Pervizi, mund ta merrnin nëpër kambë e ta pësonte edhe ma keq, n’at kamp shfarosjeje, ku për ma të voglin pretekst të shkonte dhe jeta. Siç kishte ndodhë me mjaft të tjerë.
Ai rrinte në grup me disa mirditas, ilaka, miq e dashamirë si Mark Doçi, dajë i nanës; Dod Bardhoku e Preng Paçuku, kushërij të nanës e daja të tij; Ded Gjomarkaj, kushëri e nip, etj. Marku, oficer akademist, kapiten i gardës mbretnore dhe adjutant i babës tij, ishte nji ushtarak i rrebtë dhe i përpiktë, i mësuem me disiplinë, e parimor në kulm.
“More Genc, – i kishte thanë disa herë – Si e pranon kët ndryshim të mbiemnit? A e din ti se i kujt burri dhe i kujt fisi je? Duhet të jeshë krenar për mbiemnin tand!!”
“Po pse nuk thue, or Mark, shyqyr që ai kapteri nuk di me lexue. A po do që të më rrjepin për së gjalli!” – ia ktheu Genci.
“Lene or rehat djalin! – kishte ndërhye Dod Bardhoku – I gjithë kampi e di se kush asht dhe i kujt asht. E sa për komandën, punë e madhe. Aq ma mirë që ia kanë ngatërrue emnin. Mirë e ka Genci. Mund ta venë në shënjestër e ta gjejë ndonji rrezik!!”

Kishte mbrritë gjysa e Korrikut. Po afrohej kthimi në burg. Burgu i dukej parajsë karshi mundimeve e torturave të këtij kampi mizor të punës. Kanali i Vloçishtit ishte nji skëterrë e vërtetë. Të burgosunit ishin katandisun në hije të vetvetes. Shumë kishin lanë jetën nga vuejtjet, mundimet e dhuna e përditshme. Disa kishin mbetë të vramë nga plumbat e rojeve kriminelë. Të tjerë kishin përfundue të mbuluem nga balta e atij kanalit përbindësh. Piramidat e faraonëve të lashtë ishin kthye në kanale vigane të faraonëve të modernë, ku me mija qenje njerzore trajtoheshin ma keq se kafshët. Ndërsa ata të vjetrit besonin në idhuj prej druni, guri e metali, ose në lopë, viça, cjepën, çakaj, shpendë e gjarpij, këta bolshevikët modernë nuk besonin në gjaprejgjaje. Feja e tyne ishte filozofia e profetit të madh, Karl Marx, marksizmi; pastaj ajo e psikopatit të Uraleve Leninit, leninizmi; së fundi shtohej dhe filozofia i gjakatarit kaukazian, Stalinit, stalinizmi, i cili kishte mbrritë të vriste edhe babën e vet. Ky, tue pasë studiue në Bibël, si Zoti kishte krijue njeriun (u nis për prift e doli djall), i vuni kapak gjithkasë, tue sajue, sipas shembëlltyrës së vet, edhe disa Stalina xhuxhmaxhuxhë, për hapësinën e vogël shtetnore ku sundonin, por njisoj përbindsha për krimet që kryenin! Po të ringjallej Marksi do të vinte duert mbi kokë e do të shpallte shpejt e shpejt nji manifest tjetër “Manifestin Kapitalist”, për ta kthye rrotën e historisë në vend, së cilës i kishte dhanë nji përshpejtim të mbrapshtë. Fatkeqësisht manifesti i parë komunist qe kthye ne bibël, ku asgjesoheshin të gjitha vlerat njerëzore, shpirtnore, morale e materiale, e njeriun shëndrrohej në nji qenje frymëmarrëse amorfe, kafshë a vegël pune, deri edhe fije bari (tue qenë se kosa ose drapni e kishin ma lehtë të korrnin bar).
Marks, Marks, ku i pate mendt e kresë! Hodhe gurin e mshehe dorën! Me siguri se ke përfundue në ferr. T’ishte Dantja gjallë do ta kishte gjetë vendin e përshtatun. Por Luciferit nuk u hyjnë në punë, as mjekrra as truni yt. Mjekrën ai e ka si të cjapit e trunin të përsosun me dije kozmike. Të mbrapshta… por praktike. Vetë Perëndia e kishte pasë krahun e djathtë të tij. Mund të duket paradoksale, por ai del si nji shërbëtor i kujdesshëm i vetë Zotit, pavarsisht nga dënimi që mori prej tij. Pse? Po ja, kush asht kundër Zotit, i keq e kriminel, mëkatar, katil e gjakatar, fap cfurkun, e drejt e në flakën e skëterrës, për t’u përcëllue mirë e mirë për jetë të jetës. Drejt e në shoqninë pa klasa, apoteoza e komunizmit. Marksat, Engelsat, Leninat e Stalinat e pasardhësit e tyne xhuxha, si ai Enver kasapi, s’kanë pse mërziten, sepse atë që trumbetuen e gjetën. Ç’nuk realizuen në këtë jetë e kanë gjetë në tjetrën. Rreshken pak në flakën përcëlluese, por ma mirë pak i skuqun e i pjekun se i ngrimë akull kallkan! Megjithatë, gjithçka asht relative, dikujt i pëlqen zjarri, dikujt suferima polare. Dikuj vapa e madhe, e dikujt Dimni i Madh. De gustibus… non disputandum est!

Po le të kthehemi ma mirë në tregimin tonë.
Genci e dinte mirë se ç’e priste po ta vinin në shenjëstër, dhe kjo shenjestër ishte pikërisht mbajtja e mbiemrit Pervizi.
Edhe sepse e dielë, e ditë pushimi, të burgosunit u zgjuen në po at orë të herët mëngjesi, nga rropama e çangës, që i thirrte për apel e me marrë racionin e bukës dhe lugicën e çorbës së nxime të kazanave prej zinku. Mbas kësaj cerimonie torturuese u kthyen në barakat tue u shtri mbi shtresat e tyne për të pushue kockat e dërmueme. Dielli përjashta përvelonte letër-katramatë e çative. Mbrenda vapa bahej e padurueshme, por nabare qëndronin nën hije. Diellin nuk e duronin dot. Ylli i flakët jetëdhanës ishte për ta torturë e vdekje. Ai u rrinte gjithë ditën pingul mbi krye dhe ua kishte rreshkë e regjë lëkurën si shollë opinge. Dikush thoshte se trutë tashma ishin pjekun për lezet e meze ma të mirë nuk kishe ku me gjetë! Humori nuk u mungonte të burgosunve edhe n’at gjendje të pashpresë. Kapanoni gumëzhinte nga bisedat e shakatë. Midis asaj gjurulldie, papritun u ndigjue zani i fortë dhe i kumbueshëm i tellallit të kampit. Ky përhapte poshtë e lart urdhnat e komandës dhe thirrjet për takim, që zakonisht lejoheshin vetëm të dielave.
“Genc… Genc Pervaza… në takim! Genc Pervaza, në takim!”
Të burgosunit e thirrnin Gencin me mbiemnin e saktë dhe talleshin me transformimin që i bante kapterr Hazbiu në apel. Njeni nga të burgosunit i kishte ba vërejtje kapterrit se ai emën mund të ishte shkrue gabimisht Pervaza në vend të Pervizi. Kapteri ishte inatosë:
“E ç’më kujton ti mua… një analfabet?!” – i qe përgjigjun ai kërcënueshëm.
Ec e fol po deshe. Ai që i bani vrejtjen ishte nji i ish profesor i njohun i gjuhës shqipe.
Genci nuk kishte luejtë nga vendi, me mendimin se mos qe fjala për dikë tjetër. Por në fakt me mbiemnin Pervaza nuk kishte…
“E po pra, do të jetë për Genc Pervizin! – e shpotisnin shokët – Po ty ç’të duhet për derisa të thërrasin me emnin… zyrtar… të kapter Hazbiut?… Ai s’asht analfabet. Gja s’humbet… mund të jetë ndonji njeri i yti… ndodhin dhe mrekullitë!”
Genci u nis mendueshëm. Kush mund t’ishte? Thue prap Rika Argjendari nga Korça? Ai kishte pasë guximin t’i vinte në takim me një thes plot me ushqime, nga fillimi i prillit kur i sollën n’at kamp. Po ashtu, me atë emën e kishin thirrë dhe atëhere. Po t’ishte Rika, vinte në kohën ma kritike e ma të domosdoshme. Ishin katandisun të gjithë si mos ma keq, nji grumbull njerëzish të epokës se gurit. Kockë e lëkurë. Lecka pecka. Të palamë e të parruem. Gjithë baltë e zdralë. Të uritun si kafshët e shkretinave. Me iu dhimbtë gurit e drunit!
Kur u gjet te rrethimi i telave me gjemba dhe pa matanë, dhjetë metra ma tej, nji familje prej tre vetash, burrë, grue dhe nji vajzë të panjohun, e kuptoj se ishte ba gabim. Ah tellall, tellall! Si me ia ba tash? Nënoficeri i rojës, nji kapter fodull nga Kurveleshi, po e shikonte me inat dhe zuni të gërthasë:
“Ore ju… ç’prisni? He dè, thoni ç’keni për të thënë. Pesë minuta keni afat!”
Gruaja nga matanë i foli:
“Po ky nuk asht djali ynë!”
“Ç’thua moj shoqe? Genc Pervazën kërkuat, Genc Përvazën ju solla!”
“Ne kërkuam Genc Prezën e jo Pervazën…” – vazhdoi grueja.
“Genc Prevaza, Genc Preza, po e njetja gjë janë moj shoqe! – ia ktheu kapterri, nji lab fytyrë vrazhdë me dy gishta ballë. Por kur e pa Gencin që kishte mbetë si hu gardhi nga që s’dinte si t’ja bante, iu hakërrua:
“Po ti ç’kërkon këtu, kur s’qenke i tyri? A po do të hash ndonjë dru!?!”
Genci desh të largohej dhe hapi krahët si me thanë, e po gjana që ngjasin. Pastaj iu drejtue kapterrit:
“Po shkoj ta thërras Genc Prezën në barakën numër gjashtë!” – e ndëkaq u u kërkoi ndjesë vizitorve – “Më falni. Siç e shifni më kanë thirrë gabimisht. Po shkoj të lajmëroj djalin tuej, që e kam edhe shok…!” – dhe bani të nisej.
“Kush të tha të dërdëllisish? Ku nisesh? Kujt do t’ja hedhësh ti, mua? Ec përpara! – dhe e shtyni Gencin me grykën e automatikut.
“Ç’faj kam unë në këtë mes? …Më thirrët pa erdha!” – desh të mbrohej Genci.
Balli i kapterrit qe rrudhosun e ngushtue edhe ma tepër, nga inati. E vuni Gencin përpara dhe e çoi fill e në komandë.
Ndërveti turfullonte: “Ia rregulloj unë samarin atij tellallit!”
E ndiente veten tepër të ofenduem dhe kjo e mori në qafë Gencin, i cili u gjet para turinit të vrejtun të drejtorit të kampit, që mbante uniformën e nënkolonelit të policisë. Ai rrinte i ulun mbas nji tavoline, mbi të cilën ishte vendosë nji xham makinash. Pas tij, varun në dërrasat e barakës, nji fotografi e Stalinit, me ato musteqet e krehuna e të përdredhuna, që vështronte nga fotografia me nji buzëqeshje satanike, e dukej sikur kënaqej dhe i përgëzonte për veprat kriminale që kryenin ata militantë komunistë.
“Si qëndron puna?” – foli komandanti hijerandë.
Kapterri i tregoi se si ky i burgosun batakçi ishte paraqitun tjetër për tjetër në takim me njerëz që nuk e njihnin.
“Ashtu?!” – tha, tue ngritun vetullat e trasha drejtori.
“Më lajmëruen se më kërkonin në takim e shkova. Ç’faj kam unë në këtë mes në qoftë se më thirrën gabimisht. Unë e mora përsipër ta njoftoj atë që kërkonin, sepse e njoh.” – u mbrojt Genci.
“Po, po, gjëra që ndodhin… si duket të kanë thirrë tjetër për tjetër. Po vallë ty si të quejnë? – pyeti drejtori me kurreshtje. Gencit iu dridh zemra.
“Genc…”
“Genc kush?”
“Genc Pervizi.”
“Genc Pervizi?… I biri i gjeneral Prenk Pervizit?”
“Si urdhno!” – foli Genci me nji gjysë zani.
“Po ne po të kërkojmë në qiell e ti na qenke në tokë!… Hajde, Hajde!.. Ta rregulloi unë samarin mor anmik e delenxhi! Merreni e zhdëpeni në dru këtë maskara!” – Gërthiti me të madhe komandanti, krejt i skuqun në fytyrë nga zemërimi.
Genci i kishte provue të gjitha llojet e rrahjeve nëpër birucat. Por kësaj rradhe e katandisën për shkalc. E përplasën në barakën e izolimit dhe e lanë aty deri në mëngjes, të shtrimë përdhè, pa bukë, pa ujë e pa shtresa. I kishte humbë ndjenjat. Kur erdh në vete u gjet i lidhun mbas asaj shtylle midis sheshit të barakave dhe përjetoi at cerimoninë neveritëse të pështyemjes….
Por tortura që po i shkatonin tani mizat që ia kishin mbulue krejt trupin e që lëvrinin pa pushim mbi të, i tejkalonte të gjitha përmasat. Nuk arriti kurrë me kuptue se si mundi me përballue at gjendje. Ashtu pa kurrfarë shprese shpëtimi Genci arriti në përfundimin se cikli i jetës tij po mbyllej. Aty mbas atij huni e në mëshirë të mizave. Ndoshta do të kishte fat në jetën e përtejme. Si besimtar katolik, nuk e jepte veten, por kalonte nëpër mend ndonji lutje që kishte mësue që në fëmini. Zoti ta mëshironte e të ia falte gabimet që mund të kishte ba në jetë e ta shpëtonte prej atyne mundimeve. Ta merrte në mbretninë e tij.
Ç’lojë e fatit!
Tue pasë kalue gjithë fëmininë e rininë, që nga fillorja e deri në përfundimin e shkollës së aviacionit në Itali, plot 13 vjet, u përfshi papritun në rrjetin e merimagës komuniste, pa rrugëdalje e shpëtim. Djalë i përgatitun dhe me katakter të fortë e trim, i kishte çuditë ato bisha të hetuesisë për vendosmëninë e tij të pathyeshme. E kishin dënue dhjetë vjet, bashkë me tre shokë të tjerë. Tani, i mbërthyem mbas asaj shtylle, donin ta mposhtnin e ta poshtnonin e nuk dinin se po poshtnonin vetveten si kriminelë e xhelatë antishqiptarë dhe antinjerzorë. Me gjithë dhimbjet e mëdha që ia dërmonin trupin dhe torturën neveritëse që i jepnin ushtritë e mizave, që suleshin mbi të nga të gjitha anët, ai nuk jepej, dhe me shpirt ndër dhambë me nji stoicizëm të theksuem, priste përfundimin e mundimeve, që mund t’i vinte vetëm nga vdekja.
Ato ditë kishte ardhë si oficer roje nji nëntoger tjetër: nji jevgjit, tmerr i kampit. Nji skërfyll i gjatë e kockë madh, me mollzat e daluna, mongolike. Flokëzi, sy zi, vetull zi, mustak zi, fytyrë zi e shpirt zi, me nji fjalë nji bishë e vërtete xhungle, që s’e dallonte njeriun nga nji bezhdile kashte. Për të flitej llahtar. Mbante në dorë nji shkop të trashë druni.
“Tani m’erdhi fundi!” – tha me vedi Genci.
Nëntogeri, pasi kishte asistue në cerimoninë e pështymjes dhe i kishte përcjellë të burgosunit në punë, ishte ndalë para shtyllës tue e soditun fatziun e lidhun mbas saj. Ishte sjellë poshtë e lart kampit për disa punë të tjera, tue kontrollue barakat dhe rojet. Tue sha ndonji të burgosun të sëmunë, e tue dhanë urdhna policëve të kampit. Kur ma vonë u kthye te sheshi ku ishte lidhë Genci mbas shtylle, i dha urdhën rojës për me krye nji punë tjetër dhe e largoi prej aty. Mes fushës mbetën, shtylla, Genci, mizat dhe oficeri hardall. Ky filloi të bërtasë e të çirret me za të naltë, me epitete poshtnuese: “Reaksionar e bir i reaksionarit… Kriminel e bir i kriminelit. Tradhëtar e bir i tradhëtarit. E mban veten bir i gjeneralit, i atij armiku numër një të popullit, të partisë e të qeverrisë sonë. Pse, nuk e dimë ne, se si ti me shokë e ndihmuat që u arratis? Qen bir qeni! Këtu do t’i lësh kockat! Aty në atë shtyllë do të ngordhësh!” Dhe ndërsa i sillej përreth, fap ja ngjeshi me shkop… shtyllës afër këmbëve të Gencit. Mizat që e kishin mbulue u çuen për hava tue lëshue nji zhurmë gumëzhitëse, dhe menjiherë u rikthyen tuj e veshë përsëri me çarçafin e tyne të zi.
“Bërtit! – se herë që të godas shtyllën. More vesh?”
Genci kishte mbetë i befasuem dhe i shastisun. Ç’ishte ajo sjellje. Mos vallë nji provokim?
Nëntogeri atëhere i foli përsëri:
“Dëgjo, mos kij frikë. E di se më ka dalë nami i keq. Por unë dua të të shpëtoj ty. Të mirat e babait tënd nuk i harroj kurrë, kur ishte komandant në Korçë. Ashtu ishte puna. Lëre se ç’bërtas, çirrem e shaj. Ai ka qenë burrë i burrave! Bëj ashtu si të them unë. More vesh? Kam një borxh ndaj prindit tënd e do ta shlyej!” – Mbasi tha këto fjalë, rifilloi të shajë e të çirret, e duke gërthitë kërcënueshëm, fap, i dha nji goditje tjetër trungut. Genci ndjeu përsëri se shkopi nuk ia kishte prekë aspak trupin. Përsëri mizat u përzien e u sollën pak kohë rreth tij dhe u ulën prapë aty ku ishin: “U baftë si t’jetë shkrue, i mbaruem se i mbaruem!” – tha me veti, dhe lëshoj nji britmë sikur po e thernin. Po t’ishte provokim, punë e madhe, le ta vrisnin! Ma mirë i vdekun, se i gjallë për seri! Disa të burgosun të sëmunë, që rrinin të mbështetun rrazë barakave u tmerruen dhe u futën brenda me vrap. I ziu Genc, ç’po hiqte prej atij pis jevgjiti! Në derë të komandës ishte dukë vetë drejtori e pas tij disa oficerë e policë. Ja, tani po! Tani e kemi gjetë njeriu që do t’i vijë hakut atij bastardi. Ndërkaq nji goditje tjetër mbi shtyllë e bani Gencin që të ulurinte ma tepër. E bukura ishte, që sa herë që goditej shtylla, mizat ngriheshin për hava si re e zezë e mbasi vinin vërdallë pakëz, riktheheshin të gjitha bashkë në trupin e përlyem të të dënuemit. Të dalë ku të dalë, do t’i përshtatem kësaj loje, tha me vetvete. Si duket ai hardall e kishte përnjimend. Po Pse? A thue i vinte shpëtimi nga nuk mund ta priste? Ndërkaq sharjet e oficerit dhe ulurimat e të burgosunit, kumbonin përkëdhelëse në veshët e kolektivit të komandës dhe të policëve e rojeve deri te majat e karakolleve. Ja, të tillë njerëz duheshin për këta armiq e reaksionarë të mallkuar, që t’u vinin hakut e t’ua merrnin shpirtin me gazep! Drejtori u kthye në zyrën e tij i pasuem nga të tjerët. Kishte kush me u marrë me të burgosunit.
Nëntogeri u largue e roja erdhi prapë aty. Kur të burgosunit u kthyen nga puna, morën vesh se ç’po ngjante me shokun e tyne. Ata u llahtarisën, kur skena u përsërit disa herë para syve e veshëve të tyne. Tashma Genci s’kishte shpëtim. Kishte ra në dorë të nji krimineli. Bindja e të gjithëve ishte e plotë.
Ishte caktue për t’u flijue, i shkreti djalë!

Genc Prenk Pervizi (1923-1989)
Genc Prenk Pervizi (1923-1989)

Të nesërmen kur u grumbulluen në sheshin për apel, e panë shtyllën bosh. U ngriu zemra. Ç’do të kishte ndodhë me Gencin? Mos vallë… dikush arriti të marrë vesh se e kishin mbyllë në barakën e izolimit, në gradën e fundit. S’ja vlente ma të mbahej mbas hunit. Këto ishin veprime barbare të atij oficeri xhelat. I mallkuemi!
Gencin e kishin heqë nga shtylla, natën, mbasi të burgosunit kishin ra me fjetë, dhe e kishin hjedhë si të vdekun përdhé në barakën e dënimit. N’ato kushte ai mendonte se do ta lidhnin përsëri të nesërmen në shtyllë, për ta pështye përsëri. Por ai jevgjiti, se ç’kishte folë e ba në komandë, ku i ecte fjala, e ajo punë nuk ndodhi ma.
Gencin nuk e lidhën ma mbas shtylle. Si duket oficeri i rojës kishte theksue se tashma ai kishte mbarue, dhe s’kishte kuptim të lidhej mbas shtyllës, ashtu i vdekun. Po në të vërtetë ç’kishte ndodhë kur Gencin e hoqën nga shtylla? Natën vonë, togeri ishte kthye në barakë me nji pagure me qumësht e dy racione buke. Genci e kishte pi njiherësh gjithë pagurën dhe kishte përla dy racionet e bukës në vend, aq e kishte zanë uria. Kishte marrë pak forcë e kishte fjetë gjithë natën pa e trazue kush. Loja doli punë e vërtetë, ose ma mirë me thanë ndodhi nji mrekulli!! Aq ma e mistershme u ba ajo ngjarje, kur ky oficer i kishte pasë thanë:
“Sa të jem unë, mos çaj kokën. Po ama kyçe gojën. Kjo mbetet midis nesh. Unë e ti dhe askush tjetër! Ndryshe merr në qafë veten dhe mua!”
Genci rrinte tue thartue trutë, se si kishte ndodhë ajo mrekulli, që t’i vinte shpëtimi nga dora e nji xhelati!
Para se të bante dorëzimet, si oficer roje që ishte, jevgjiti e nxori Gencin nga biruca. Atij i shkonte fjala… si për mirë edhe për keq. Sigurisht gjithmonë për keq. Kjo që ndodhi ishte nji përjashtim i pabesueshëm. Por si thonë, përjashtimi ban rregullën. Ai njeri i të nantëdhjetenandave, e solli puna që të kryente nji të mirë të vetme, siç thuhet në tregimet popullore…
Kjo çeshtje mbeti mister i pashpjegueshëm. Me at njeri Genci nuk u pa ma kurrë, bilé asnji i burgosun tjetër nuk arriti ma ta shohë diku, në burgje apo kampe. Ma vonë u hap fjala se, pas provokacioneve greke të gushtit, ai paskej qenë arratisë në Greqi. Medet! kishte thanë Genci, tash po i bie në qafë babës sim, se të kam shpëtue djalin! Ndoshta nji gja e tillë mund edhe të ngjante.
Ç’e kishte shty at njeri aq mizor për të burgosunit e tjerë për t’u ba shpëtimtar i tij? Mirënjohje ndaj gjeneralit që i paska ba nji ose disa të mira? Ç’mirënjohje? Vallë ndonji arsye tjetër…? Cila?… Mos vallë kishte qenë nji kurdisje për ta dërgue si agjent e spiun mes të arratisunve të Greqisë? Veç Zoti mund t’i dinte gjithë këto punë dhe Sigurimi i Shtetit komunist!
Ndërkohë plasën provokacionet greke të gushtit 1949. Kampi u trasferue urgjentisht. Të burgosunit u kthyen në burgjet e tyne respektive, ku do ta merrnin veten. Ku do t’i degdsinin vitin e ardhshëm? Në ç’kënete a minierë? Në kushtet e burgut të dënuemin, që qëndronin së bashku në dhoma të mëdha të veçanta, mund të bisedonin me njeni tjetrin. Shokët donin ta ndigjonin at histori të çuditshme, pothuej të pabesueshme. Ishte edhe për me kalue kohën. Të burgosunin kishin fitue nji veti të çoroditshme. Tregonin torturat e mundimet e tyne me nji humor tragjikomik. Qeshnim për skenat e rënqetheshme që kishin përjetue. Genci nga ana e tij, e bluente ndër vedi gjithë at ngjarje. Shyqyr që Zoti ia kishte ndritë mendjen atij katili. Përndryshe jeta e tij do të kishte marrë fund, i lidhun pas atij huni, i përlym me jargë dhe i mbuluem nga hordhitë e mizave. Atij i kujtohej, kur i pushtuem nga nji dëshpërim i madh, kishte thirrë:
“O Zot mos më braktis!”
N’at çast sikur kishte ndie në shpirtin e tij se diçka e jashtëzakonshme do të ndodhte, nji mrekulli që do ta shpëtonte…
Dhe ashtu ndodhi. Kjo qe e gjitha.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.