Përurohet memoriali i Aktorit e Regjizorit Kujtim Spahivogli

Memoriali i Kujtim Spahivoglit

Memoriali i Kujtim Spahivoglit

Përurohet memoriali

i Aktorit dhe Regjizorit Kujtim Spahivogli

nga Pëllumb Kulla

“Në këtë buzëlumi
një artist i shquar
jetoi dhe u pa me dinjitet
në dramën më të madhe
të jetës së tij
pa lule dhe pa duartrokitje
Kujtim Spahivogli
e quanin…
Nderim atij

Kulla, Zeqaj, Dhrami dhe Ndrenika

Kulla, Zeqaj, Dhrami dhe Ndrenika

Në të hyrë të Fierit nga Tirana, aty ku mbaron ura që shërben për të kapërcyer Semanin, me propozimin e një grupi studentësh, Bashkia e qytetit të Fierit, u miratoi dhe u kujdes që të ngrihej një memorial për pedagogun e tyre, artistin e madh Kujtim Spahivoglin.
Monumenti përkujtimor u ngrit bash aty ku artisti martir, plot 40 vite më parë, u dërgua për ndëshkim në një kantier të vështirë bonifikimi. Pedagogu ynë i paharruar kaloi nëpër një kalvar mundimesh që i kushtuan jetën, në një moshë të re. Një rast, ndër të shumtit e asaj kohe…
Por për ta parë Spahivoglin në memorial, ajo qëlloi një ditë e bukur plot diell. Ngjante sikur pranvera ia kishte huajtur dhjetorit nga ditët e saj.
Me një fjale të shkurtër unë e çela atë ceremoni dhe ftova Artistin Robert Ndrenika për të shpjeguar më mirë vlerat e njeriut që do të perkujtonim, ne për herë te parë, dhe gjithë të tjerët që do të kalojnë aty pari.
Me mjaft emocion u ndoq fjalan e Ndrenikës nga të pranishmit, midis të cilëve ishte kryebashkiaku Baftjar Zeqaj, skulptori Mumtaz Dhrami, autor i memorialit, artistët veteranë, Aishe Stari, Skëndër dhe Vitore Sallaku, regjisorët Vladimir Prifti, Mihal Luarasi, Alfred Bualoti, Ilir Harxhi, Skënder Cala, aktorët Mirush Kabashi, Xhemil Tagani, Guljelm Radoja, Fitim Makashi, Arqile Lici, muzikantet Françesk Radi, Lida Radoja, Jani Tase, e plot të tjerë, politikanë, përfaqsues të pushtetit lokal, artistë dhe qytetarë…  
Pronari i lokalit “L’Amour” ngjitur me memorialin ofroi bujarisht për pjesëmarrësit një kokteil në oborrin e madh.

Ndrenika zbulon Memorialin e Spahivoglit

Ndrenika zbulon Memorialin e Spahivoglit

Fjala e Zotit Robert Ndrenikës

Zonja dhe zotërinj!
Miq artdashës, artistë të skenës, kolegë të hershëm dhe të rinj, bashkënxënës dhe studentë të artit skenik!
Të nderuar parlamentarë dhe miq të fushës së politikës.
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së qytetit të Fierit.
Plot 40 vjet më parë, ne ndoqëm me dhimbje të heshtur dërgimin në këto vise, e bash në këtë vend, për të shlyer një dënim, për faje të pabëra, një artist të madh, një idealist të rrallë, një pedagog të shkëlqyer, Kujtim Spahivoglin. U dërgua të mundohej në një kantier ndërtimi, në një punë rraskapitëse, një njeri me veti të rralla artistike, që ish gjithaq edhe një qenie delikate. Atë e detyruan të strehoej diku këtu, në një qoshe të një barrake dërrasash dhe të fillonte një kalvar mundimesh nën vëzhgimin e autoriteteve lokale që siguronin eprorët në kryeqytet se ky ishte një dënim mjaftueshëm i rëndë, sipas porosive të ardhura në dosjen që ndiqte viktimën.
Ky dënim ishte vërtet i ashpër për një artist që largohej nga fusha e tij e dashur e teatrit, largohej nga klasat dhe nxënësit e tij që e admironin aq shumë. Familja e tij, deri atëherë e ngrohtë, u shpërbë, sipas normave çnjerëzore të kohës. Kujtimi vinte nga një familje patriotike me një të kaluar të shquar. Vetë artisti, falë talentit dhe konsideratave të shkëlqyera që gëzonte familja, qe dërguar dhe pat kryer studimet në Moskë në një shkollë prestigjoze të artit skenik, ku u shqua si një nga studentët më shpresëdhënës. Dhe ato shpresa u panë të realizuara plotësisht në praktikën e tij pranë Teatrit Kombëtar dhe gjatë mësimdhënies në shkollën, nga patëm fatin të kalonim ne.

Te Memoriali i Kujtim Spahivoglit...

Te Memoriali i Kujtim Spahivoglit…

Sot mblidhemi të zbulojmë një memorial, që mund të ngrihej në çdo teatër, ku ai pat punuar me frymëzim, në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkup… Mund të ngrihej në sfondin e Shkollës së Lartë Teatrale që ai themeloi. Por nevoja e kësaj pike meditimi që u përqafua me aq zell nga ne, nxënësit e tij, dhe u mirëprit me aq dashuri e mirëkuptim nga autoritetet e këtij qyteti, nuk lindi ngaqë Spahivogli ishte një nga regjisorët më të mirë. Jo ngaqë ai ishte një pedagog i shkëlqyer dhe aktor me hir… Ajo lindi që ne të kujtojmë bash këtu, ku qëllon të ketë ngricë dhe shi, diell të ashpër dhe vërshime të Semanit… Të kujtojmë dimensionin e tij njerëzor në provën e madhe, në ndeshjen krejt të pabarabartë me dhunën e përbindëshme. Ne jemi këtu ta përkujtojmë Kujtimin tonë të dashur për dyluftimin e tij shëmbullor, ku humbi fiziku i tij, por jo krenaria e tij, jo karakteri, jo frymëzimi, jo humori dhe zemërbardhësia e tij. Ai kaloi nëpër ferrin e ndëshkimit e të përbuzjes së padrejtë, jo si nëpër një mizansenë-lojë, jo si nëpër një situatë-dyorëshe-loje, ku artisti-hero vuan njëqind e ca minuta dhe gëzon shportën e luleve, por vite të tëra pa pauza, drejt asgjësimit të tij fizik. Nga kjo shfaqje e madhe dramatike ku dominoi, ai nuk fitoi asgjë. Ne fituam Kujtim Spahivoglin në një sprovë karakteri dhe do të jemi krenarë që ishim nxënësit, shokët dhe miqtë e tij.
Ftuam këtu dhe falenderojmë publikisht artistin duarartë, Skulptorin e Popullit Mumtaz Dhrami, shok dhe koleg i Kujtimit dhe ai na realizoi këtë vepër që do të shohim pas pak. Ne falenderojmë Këshillin Bashkiak nëpërmjet kryetarit, zotit Baftjar Zeqaj, i cili përqafoi me dashuri dhe emocion propozimin tonë. Falenderojmë nga zemra zotin Çiljota që ofroi truallin, dhe mjetet teknike e financiare për realizimin e kësaj ëndrre. Shpresojmë që ky memorial të rrezatojë dashurinë e qytetit, dhe të artistëve të tij. Na e do zemra që kjo vepër të zgjojë dhe gjenerojë mirënjohjen e qindra ish studentëve të tij, kolegëve artistë, tej e mbanë Shqipërisë për qytetin tuaj të mrekulleshëm që shfaq aq shumë shëmbuj për t’u ndjekur në ruajtjen e vlerave kulturore dhe historike. Memoriali do të jetë një këmbanë e ëmbël kujtese për udhëtarët e panumërt që do të udhëtojnë para tij, do të ndalen e do të sjellin në mend kohëra të vështira, njerëz që vuajtën me dinjitet dhe pastaj, vetvetiu, do të kenë rast të vlerësojnë edhe vetë qytetin e Fierit, tashmë mjaft të mirënjohur për dashurinë ndaj artit dhe kulturës.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Spahivoglit!
(Marrë nga muri i fb. i Pëllumb Kullës  21 janar 2014)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook