back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Persiatje rreth letrares dhe vlerësimit të saj… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Persiatje rreth letrares dhe vlerësimit të saj…*

nga Artan Kafexhiu

Epoka e internetit, i ka dhënë lexuesit të çfarëdo niveli e inteligjence, kulture, profesioni, të postojë kritikën e vet, e ta bëjë të njohur për të gjithë ata që ia lexojnë. Po si i bëhet në rastin e leximit të letërsisë artistike siç e quajmë ne shqiptarët, ose siç njihet në botën anglishtfolëse, si “fiction” ose imagjinativë?
Në ndryshim nga çfarëdo lloj leximi, leximi i letërsisë të fiksionit, para së gjithash është për të na sjellë kënaqësi, se sa të na mësoje diçka rreth botës faktuale. Pikërisht këtu qëndron edhe “kleçka”.
Ndërkohë, që është më e kollajtë të na kënaqë, se të na mësojë diçka, ngjan që të jetë tepër e vështirë të gjesh arsyet përse dikush kënaqet, e dikush tjetër jo dhe aq, ose qoftë edhe aspak, pikërisht duke lexuar të njëjtën gjë. Kjo ka të bëjë me një mekanizëm të tërë, që është ndërtuar me kohë brenda secilit, e që mund ta quajmë pa bërë ndonjë gabim: mekanizmi i vlerësimit e shijimit (a)estetik.
Kjo ka të bëjë me diçka më intime, se si çdonjëri nga ne e percepton botën nëpërmjet shqisave dhe imagjinatës. Ka një ndryshim esencial midis të lexuarit të prozës dhe poezisë. Kur lexojmë prozë, ne mund ta shijojmë atë vetëm kur kemi hyrë brenda saj, bëhemi pjesë e saj, e përjetojmë realitetin e karaktereve, sikur të ishim ne ata, të futur nën lëkurën e tyre. Pra proza, na mban të lidhur në realitetin që ka krijuar autori, e ne gjatë leximit në mendje, bëhemi si pjesë aktive e atij realiteti. Poezia ndërkohë, na bën më imagjinativë, veçse besnike të asaj imagjinate që është e mundur dhe individuale për secilin prej nesh, e që duke e lexuar, mund të na transportojë në vende e situata të ndryshme unike për secilin.
.
Muzat e Paqeta (The Disquieting Muses) - Giorgio De Chirico
Muzat e Paqeta (The Disquieting Muses) – Giorgio De Chirico
Megjithatë, për të dyja rastet këshilla është të mos bëhesh kritik i asaj që lexon, pa e vlerësuar, kapur, ndjerë, atë çka autori është përpjekur të na përcjellë neve si lexues, dhe eksperiencën që ai ka synuar të përjetojmë nëpërmjet leximit të veprës. Lexuesi, nuk duhet të vejë në pikëpyetje botën fiksionale që autori ka sjellë për ne, e që ne si lexues, e rikrijojmë brenda vetes.
Henri James shkruan te ‘Arti i të treguarit’: “Ne duhet ta konsiderojmë si të dhënë temën, idenë, ambjentin e artistit (shkrimtarit); kritika mund të jetë vetëm se çfarë ka krijuar ai me to.”
Siç kuptohet, pra nuk është ideja të biem apo të mos biem dakord me mënyrën e shtjellimit të subjektit. Por, a na pëlqen apo jo estetikisht, a mund të shijojmë bukurinë e artit në mënyrën e të shkruarit? Kjo nënkupton se e bukura në një narrativë, nuk ka të bëjë thjesht me zbulimin e së vërtetës, çfarëdo qoftë ajo, por me kënaqësinë që ajo na zgjon brenda vetes. Kënaqësia ka të bëjë me emocionet estetike dhe imagjinatën që vepra të krijon dhe kjo duhet të jetë gjithçka që pritet prej leximit. Kaq.
Pëlqimi ose mospëlqimi i një vepre artistike, ka të bëjë me preferencat artistike dhe paragjykimet tona. E në rastin, kur nuk na pëlqën një vepër, kjo jo domosdoshmërisht e bën një libër të keq. Sa më shumë i largohesh të pohuarit të thjeshtë, se çfarë të pëlqen ose s’të pëlqen rreth një vepre letrare, por mbetesh krejt i hapur ndaj përpjekjeve për të gjetur se çfarë është e keqe apo e mirë rreth një libri, aq më shumë zbulon virtytet artistike të një vepre arti.
© AK
* Titulli redaksional, nga Radiandradi.com
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.