Për unjisimin i gjuhës letrare shqipe – shënim nga Dr. Lazër Radi

Lazer Radi gjate punes...

Lazer Radi gjate punes…

Ky shënim i Lazër Radit asht në arkivin e tij.
Nuk dihet nëse ai e ka botue ndokund kët shkrim,
apo asht pjesë e ndonji studimi që mendonte me e zgjanue ma vonë!
Ajo çka të bjen në sy në këto pak rreshta asht se ai
e quan nji fitore të randsishme ungjisimin e gjuhës shqipe,
çka nënkupton Standartin, po në krahun tjetër
ai e ka shkrue krejt tekstin e vet në gegnisht,
çka lejon me kuptue, se nëse asht fitore arritja e nji Standarti,
po aq duhet me qenë fitore bile edhe ma e madhe,
që bashkë me të me jetue edhe gegnishtja
si nji energji e madhe dhe krejt e natyrshme e gjuhës shqipe…
jozef radi, nantor 2017
.
Lazer Radi - fragment nga dorshkrimet e tij - Saver 1986

Lazer Radi – fragment nga dorshkrimet e tij – Saver 1986

Për unjisimin i gjuhës letrare shqipe

shënim nga Dr. Lazër Radi

Për mue, unjisimi i gjuhës letrare shqipe, asht nji fitore e vërtet e madhe e popullit tonë. Për të qenë nji komb i vetëm, asht e domosdoshme të kemi edhe nji gjuhë të vetme. Asnjeni nuk mundet me dyshue, pse gjuha asht nji ndër tre simbolet ma kryesore të nji kombi: nji komb, nji gjuhë, nji flamur. Pra, elementi “gjuhë” asht nji kriterizim tepër i randsishëm nacionaliteti, asht shenja ma karakteristike dalluese e nji kombsie reale; gjuha asht elementi ma i randsishëm sepse simbolizon unitetin kombtar.
Ernat që po fryjnë e që tregojnë nji kahje të kundërt me kët unjisimin e sotëm gjuhësor, nuk më duken punë fort e mençur. Duhet të jemi realist dhe të qartë. Tjetër gja asht gjuha e nji kombi, e tjetër janë dialektet, pra, tjetër gja asht gjuha shqipe e tjetër gja janë dialektet, që janë aq të larmishme e aq të shumta në vendin tonë, kaq të vogël.
Na duhet të përmendim vetëm dy dialektet themelore: kryesisht at tosk e at geg. Ju doni me dijtë nëse ka pasë gisht politika, në kriterin e përcaktimit të dialektit toskë si bazë të unifikimit të gjuhës shqipe.
Po sigurisht ka pasë politizim!
Dhe, diktatori, duke dashtë me shtue nji diademë në kunorën e tij tiranike, në mënyrë të pavetëdijshme i bani edhe nji shërbim të madh kombit. Sot gjendemi para nji realiteti, para nji vepre madhore, dhe s’ka asnji arsye që dikush për superpatriotizëm me ngrejtë zanin kundra këtij realiteti duke e konsiderue padrejtësisht “rrezik kombëtar”.
Po t’i analizojmë letërsitë e të dyja dialekteve kemi me pa se ai i veriut ka tradita fort të lashta edhe nga pikpamja gjuhësore primare, asht ma epik e ma i bollshëm, dhe dialekti i jugut asht ma i bukur po kur asht fjala për estetikë dhe art, vetë gjuha – si nji vajzë e bukur në të folun e zgjedh djalit për qejfin të vet, – kështu lashtësia dhe begatia leksike kalojnë në plan të dytë.
Tash kur e kemi fjalën për politizim, midis gjuhës dhe politikës, hyn nji edhe element i tretë, hyn “albanologu”, pra hyn albanologjia. Për ne shqiptarët, unjisimi i gjuhës ka nji randësi të madhe pse lidh individët dhe subjektet në nji unitet kombëtar, aq të nevojshëm për ne, për albanologun e huej faktori “unitet” mbetet, si të thuesh, pika ma pak e randsishme, “ma e mbramja birë e kavallit…”. Megjithatë, siç thotë edhe gjuhtari i shquem Selman Riza: “…duhet shkruar me nji mënyrë më botërisht të kuptuar, duke hequr dorë nga lokusionet lokaliste, nga konstruksionet e koklavitura, duke e qëruar gjuhën nga snobizmat e përmbysura dhe nga ai lloj “malokllëku” tepër i dukshëm. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë, edhe gjuhën e kombit e kemi me dy dialekte…”.
 
 
 
 
 
 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj 1991-1998, Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook