Për pak mbushet një shekull histori… nga Niko Kotherja

Shpallja e Republikes Vetqeveritare te Korçes (10 dhjetor 1916)

Shpallja e Republikes Vetqeveritare te Korçes
(10 dhjetor 1916)

Për pak mbushet një shekull histori…

nga Niko Kotherja

I përjetshëm qoftë
kujtimi i atdhetarit të paepur,
Themistokli Gërmenji,
që me 10 dhjetor 1916,
e shkëputi Korçën
nga thonjtë e shovinistëve grekë…

Në minutat e para menjëherë pas ngritjes së Flamurit shqiptar më një kravatë në trengjyrëshin e Francës, Themistokliu u foli gjithë qytetarëve dhe patriotëve që ishin të pranishëm poshtë ballkonit të Prefekturës shqiptare, se deri dje ishte e grekëve dhe pas tyre e francezve.
Disa momente nga kjo ceremoni, një fotograf i fiksoi në xhamin negativ, sepse e dinte që pas shumë kohësh, edhe në këtë pragshekulli, ne do i kërkonim këto pamje. Ndërkohë, në ballkon gjendeshin edhe koloneli Descoins, i cili pohonte me kokë dhe i qeshur fjalët që thoshte Themistokliu. Ai nuk dinte shqip, por Ndrio Katundi, perkthyesi personal i Themistokliut, po i kthente në frëngjisht me finesë kolonelit fjalimin e Prefektit të Policisë së Korçës, i cili për respektin e pjesëmarrësve hoqi nga koka edhe republikën që mbante atë mëngjes të ftohtë dhjetori. Pjesa tjetër e delegatëve të popullit të Korçës ishin brenda në dhomën nga e cila kishte dalje në ballkon. Mbi tavolinë, procesverbalit të asaj dite ende nuk i ishte tharë boja e nënshkrimit të kolonelit francez dhe 14 delegatëve të Korçës, të caktuar gjysmë nga myslimanët e gjysmë nga të krishterët.
Ai dokument do të ishte i pari në numrin e protokollit të akteve që do të regjistronte administrata shqiptare në pothuaj dy vite të zhvillimit të aktivitetit të saj. Rreth e rrotull godinës, brenda dhe në shesh kishte luftetarë vullnetarë, anëtarë të çetave patriotike që bënin roje nderi të përmalluar poshtë hijes së flamurit me shkabën dykrenore. Fëmijë të vegjël, duke parë mallëngjimin e prindërve të tyre dhe harenë e jashtëzakonshme që po përjetonte qyteti atë mëngjes dhjetori, gëzonin duke mos e ditur se po bëheshin dëshmitarë të një ngjarjeje historike me rëndësi të veçantë. Duke u mbajtur fort pas kangjellave rrethuese të kishës së madhe Katedrale të Shën Gjergjit, ata shtyheshin kush e kush të shihte pa pengesë atë çka po ngjiste. Dhe më vonë, këta fëmijë rrëfenin me krenari se ishin ata që kishin parë Themistokliun e të tjerë që valëviten gjithë krenari flamurin kuqezi në ballkonin e shtëpisë së Sugarëve, godinë që kishte hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës së saj.
Prej këtu, delegatët dhe Prefekti iu drejtuan Bashkisë së qytetit, ku krahëhapur dhe me lot në sy i priti kryetari, Belul efendi Çiçko, ish profesori i vjetër i Mësonjtorës së Parë Shqipe dhe avokati i kushedi sa figurave patriotësh, kur ata arrestoheshin nga osmanët dhe viheshin në bangën e të akuzuarve, ngaqë donin lirinë dhe gjuhën. Megjithatë, këto kishin kaluar. Kishte rrjedhur shumë ujë që nga ato kohë të vështira, të cilat jo pa emocione këta burra i kujtuan në ato pak minuta të takimit mes tyre. Veçse me një ndryshim të madh: tani nuk kishin pushtues dhe kërcenues të integritetit kombëtar, nuk kishin të bënin më me banda rebelësh dhe andartësh. Ata menduan se shkatërrimet e vrasjet u mbyllën me kryengritjen e prillit 1914, që për hidhërimet e lëna pas edhe në ato momente feste, Korça mbante zi. “Nuk u ndodh një fotograf në atë moment aty, – shkuan dr. Haki Mborja, – që të tregonte shëmbëllimin e fytyrës dhe syve të Themistokliut, gëzimin e shpirtit të tij.”

Administrata e qytetit te Korçes dhe Kolonel Descoins 10 dhjetor 1916

Administrata e qytetit te Korçes dhe Kolonel Descoins
10 dhjetor 1916

I vënë në krye të grumbullit të njerëzve, Themistokliu dhe delegatët u kthyen në kopshtoren e kishës katedrale të Shën Gjergjit, ku të gjithë, myslimanë e të krishterë, iu falën atij shenjti, për të cilin ruanin trashëgim fjalën se ai ishte shenjti mbrojtës i shqiptarëve, sepse ishte shenjti i heroit kombëtar, Kastriot Skendërbeut. Prej këtu, me veneracion, patriotët kaluan para shtëpisë se plakut të vjetër nacionalist Jovan Kosturi si dhe pak metra më lart, në portën e vjetër të drurit të asaj shtëpie karakteristike korçare, e cila u hap faqebardhë para rreth 30 vitesh të shkuara me 7 mars të vitit të shënuar 1887! “Pas shtëpisë sime, ku kam parë dritën e diellit për herë të parë, në këtë godinë kam njohur rrezen e dytë të diellit. Kjo shtëpi-vatër patriotësh, ka njohur shumë peripeci, vuajtje, bastisje, shkatërrime.
Të dashur vëllezër, nga vendimet e para që duhet të marrim si administratë shqiptare është që në këtë godinë të mësonjtores sonë ta riçelim përsëri shkollën shqipe, që me anë të dhunës, pushkës dhe helmit e mbyllën zaptuesit dhe propaganda obskurantiste. – iu tha Themistokliu te pranishmeve para portës së drunjtë të shkollës së parë shqipe. Pothuajse gjithë ata burra e gra që përbënin grupin, i njihnin mirë muret dhe dërrasat e asaj godine, pasi aty kishin filluar të mësonin të shkuanin e të lexonin shqip. Kishin lexuar sesa bukur i këndonte bilbili Naim gjuhës shqipe dhe u tret si qiriri për emancipimin shoqëror, politik e arsimor të Shqipërisë së vuajtur. Pas këtij momenti, Themistokliu e prishi heshtjen dhe u tha: “Gjithë jetën time, sipas fuqisë e mundësisë që pata, e kam kaluar në luftë për Shqipërinë. Të gjithë i dimë përpjekjet tona të përbashkëta që me komitetet e fshehta kombëtare, me lirinë që vallah na dhanë turqit e rinj, me luftrat për pavarësinë. E di që çdokush nga ju i ka hapur dyert e shtëpive sot më shumë se çdo ditë tjetër. Por, dëshiroj që sot të gjithë të bëni jatak në shtëpinë time për të festuar dhe kënduar shqiptarisht për këtë akt madhor që nënshkruam sot. Sot të hyjmë në atë shtëpi pa frikë e ndrojtje, ashtu sikundër kemi bërë të gjithë prej shumë vitesh, kur takoheshim për mbledhje kombëtare të fshehta për të mos na diktuar turku dhe greku. Sot jemi të lirë, kemi flamurin tonë!”
Koha kishte kaluar, dita kishte filluar të thyhej. Fotografit, duke mos pasur dritë natyrale, iu thye zemra që nuk mundte të fiksonte me aparatin e tij këto momente historike, për të cilat ishte i vetëdijshem që do ta gjykonte historia. Ama, e rëndësishme ishte që ato momente mbeten si balsam në sytë dhe mendjet e të pranishmëve, të cilët ia treguan ato edhe brezave që lanë pas. Nuk u stampua si imazh, por u ruajt si gjurmë e pashlyeshme në zemrat e të gjithëve, sa që edhe ata që nuk e jetuan atë kohë, nga emocioni i rrëfimeve iu duk sikur ishin prezente aty, me ata burra që i dhanë frymë flamurit kombëtar.
Që atë natë, shoferi i parë i Korçës, Llambi Andrea, i cili banonte një rrugë më larg se godina e flamurit, filloi montimin e një makinerie të madhe, nga e cila dilnin tela të trashë e të lidhur me vidha të mëdha. Ajo makineri pas pak kohe filloi të punonte dhe ishte centrali i parë elektrik që ka pasur Korça. Për të krijuar kushte sa me të mira të vetëqeverimit të krahinës, Llambi e lidhi godinën e Prefekturës së Korçës me korrent e dritë elektrike të prodhuar nga ky central. Sallat dhe zyrat e godinës ndriçoheshin nga disa llampa të mëdha, të cilat për arsye të punës së ngarkuar që kishin anëtarët e administratës qëndronin ndezur edhe deri pas mesit të natës. U ngrit zyra e sekretarit të prefektit, u vu baza e të dhënave për të ngritur sistemin e gjendjes civile apo çertifikatave të nofusit, siç quheshin atëhere. U ngrit zyra e financës, për të cilën shtypi botëror do të shkruante: “Në ka një administratë shtetërore që është model në mbajtjen e financave dhe që nuk ka humbje, kjo padyshim që është Republika Shqiptare në Korçë.”
Mbase, përgjegjësi i kësaj pune, drejtori i zyrës së financës se Republikës Shqiptare Vetqeveritare të Korçës, Nikollaq Zoi po i jepte leksione finance administratave të tjera? Normalisht që po, derisa shtypi prestigjioz botëror, pa i pasur ndonjë borxh Zoit, i bëente këtë vlerësim punës së tij.
“Pas vetadministrimit që po bëjnë shqiptarët në krahinën e Korçës, një qetësi e madhe po mbizotëron në atë vend.” – shkruanin gazetat franceze të kohës, duke i bërë jehonë mbarëvajtjes së punëve të shqiptarëve në atë copë tokë që njihej si i vetmi truall juridikisht me emertimin “Shqipëri”, pasi pjesa tjetër e dheut të shqiptarëve ishte e pushtuar dhe qe shesh beteje në atë të Parë Luftë Botërore.
(marrë nga muri i fb. I Niko Kotherja)

Administrata e qytetit te Korçes dhe Kolonel Descoins 10 dhjetor 1916

Administrata e qytetit te Korçes dhe Kolonel Descoins
10 dhjetor 1916

Në këtë foto, që duhet të jetë e datës 9 dhjetor 1916, në qendër (i pesti nga e majta në të djathtë, me duart përpara, është dr. Haki Mborja, shoku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Themistokliut, i cili mbërriti një ditë më pas në Korçë dhe në këtë seli.) Sot kjo shtëpi është e shembur dhe bulevardit i është vënë emri: “Kryepiskopi Anastas”.
(nga muri i fb. Ilir Mborjas)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook