back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Për nji bashkëpunim shkrimtarësh nga Lazër Radi (1938)

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi 1942

Për nji bashkëpunim shkrimtarësh nga Lazër Radi (1938)

75 vite ma parë, në gazetën Drita të Zoi Xoxes, Lazër Radi hedh idenë e nji klubi shkrimtarësh (Shoqni Letrare) dhe nji bashkpunimi midis krejt forcave letrare dhe artistike, gjà e cila ma pas do të nxiste krahas zhvillimit të letërsisë dhe arteve të tjera edhe zhvillimin e kritikës… Ideja e Radit… që rreth krejt atyne që konsideroheshin kulmet e letërsisë shqipe, të punonin e të vepronin edhe ma të rinjtë, në mënyrë që me kalimin e kohës të krijoheshin vlera letrare dhe artistike ma të qëndrueshme… Mbas tri javësh, në të njejtën gazetë, Drita, shfaqet nji replikë e dikujt me  pseudonim (BuJe), për të cilin s’kemi as informacionin ma të vogël se kush mund të jetë… Megjithatë edhe pse autori në linja të përgjithëshme mbështet idenë e z.Radi, ai ban edhe tri vërejtje, kryesisht sa i përket letërsisë së huej, leximit, imitimit dhe pasjes si shembull të saj… Polemika mund të quhet mjaft interesante edhe për faktin se prej asaj kohe kanë kalue tashma 75 vite… dhe krejt pak polemika të kësaj natyre e kanë shetitë shtypin shqiptar…
Lexojeni qetsisht këto dy shkrime  dhe gjykojini vetë idetë e hedhuna, po edhe frymën e këtij debati mjaft të qytetnuem...jr
20 gusht 2013

Lazër Radi maturant 1938
Lazër Radi maturant 1938

Nji seri artikujsh të nënshkruem prej G.GJ. dhe S.S. mbi “Shkrimtarët dhe kritiku Shqiptar”– më dhanë rastin që edhe unë të lëshoj disa refleksa mbi kët temë fort të randsishme. E nënvizoj kët fjalë “randsishme”, sepse letërsia (në nji kuptim ma të gjanë arti), asht metri i naltësisë shpirtnore të nji kombi, asht grada ekzakte e zhvillimit kulturuer të tij si edhe mjeti ma i fuqishëm që lidh spontaneisht shpirtna e kombe.
Kujdesi dhe randsija e posaçme që gazeta “Drita” i ka dhanë këtij problemi meriton lëvdata. Në fillim u dhanë mejtime të kritikës letrare.
Neve na ka mungue nji kritikë “e fortë”, nji kritikë “serioze” pothuejse në çdo kohë: si kah fundi i shekullit të kaluem ashtu edhe në fillim të shekullit t’onë, megjithëse n’at epokë ndeshim në poetën e prozatorë të çmueshëm: Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, Gjergj Fishta, Asdreni, Vinçenc Prennushi, Faik Konica, Fan Noli, etj. Këta i dhanë shpirt Kombit, këta e trajtuen ndërgjegjen kombtare.
Megjithatë, këta – atëherë e sot – kaluen e po kalojnë në heshtje. Bibliografia mbi këta kolosa asht fare e vogël në krahasim me shërbimin e me prodhimin letrar të tyne. Shi për kët arsye njifen fare pak edhe prej klasës intelektuale (gadi i quejta pseudo-intelektualë). Krejt e përkundërta ngjan me kombet e tjera. Atje, gjenitë e racës e të kombit çmohen e adhurohen gadi si gjysëm-perëndi. Poetët e shkrimtarët njifen prej të gjithëve. Vargjet e tyne foshnja i belbëzon, fëmija i deklamon, i riu i shqypton, plaku i thotë me adhurim. E na? As nuk i njofim, ose i njofim fare pak! Mëkat, mos me i njoftë ata shpirtna bujar që i falën Kombit çastet ma të bukurat të jetës së tyne.
Disa marrin guximin me i gjykue veprat e shkrimtarve t’onë si “Anakronistike”! Demek si vepra të daluna modet! Por, mos u besoni. Ata nuk kanë haber as nga arti e as nga evolucioni artistik, ata nuk i njofin as letrarët e as letërsinë t’onë. Janë dhanë mbas leximeve të disa romanxave “mashinistike” alla sovjet dhe pandehin se aty asht fundi. Të marrun mendsh prej tymit që del prej fabrikave të shteteve perendimore (prej tymit të romanxave që lexojnë desha me thanë) – përbuzin prodhimin ma bujar të kombit t’onë. Këta kujtojnë se aty gjindet “drejtimi” e tendenca që na duhet! Gabohen! Gabohen randë! Ata duhet të sjellen kah postulati i popullit t’onë, kah traditat e kah shpirti i racës s’onë. Qe “drejtimi” e çdo përpjekje jashtë këtij (drejtimi) s’asht tjetër veçse nji aventurë donkishoteske.
Gadi të njajtin fat asht tue pasë edhe gjenerata e shkrimtarve t’onë të ri.
Sot ndër ne po shifen filizat e nji letërsie mjaft të mirë. Po shifen nji tubë emnash që nënshkruejnë lulet ma të freskëtat të lulishtes s’onë letrare. Ndër këta po ndeshim “drejtime” e “shkolla” të ndryshme, – po gjejmë pjesë me vlerë artistike e shoqnore. Mirëpo këta fragmenta janë të shpërndamë ndër revista e të përkohshme të ndryshme, kështu që kritiku i ynë gjindet në nji pamundësi për të pasë të tanë prodhimin letrar të personit që ka zgjedhë për komentim. Pos kësaj për nji kritik asht shumë e zorshme që të mund të formojë nji mendim të drejtë mbi nji autor tue pasë në dorë vetëm pesë a gjashtë fragmente, e ndoshta edhe ma pak.
Po ankohemi për mungesën e nji kritike letrare. Mirëpo efekti asht mungesa e shkakut. Botimet sporadike nuk janë të zojat për me shkaktue nji evolucion, nji përtrimje shpirtnore e nji interesim të përgjithshëm letrar; zhurma e madhe e të cilit të zgjojë rrethin e të hapi horizonte të reja e të ndritçme. Natyrisht atëherë si pasojë do të vinte dhe kritika. Letërsia nuk i shkon mbrapa kritikës, por kritika e ndjek hap mbas hapi prodhimin letrar. Jeta e kritikës dipendon vetëm prej prodhimit artistik dhe na paraqitet mandej ndër forma të ndryshme: “pozitive” ose “negative”, – “dogmatike” ose “impresioniste”, etj.
Nji epokë lulzimi letrar lind talente të çdo drejtimi. Këtë e ka për detyrë t’a qesi në shesh kritika. Pra, deri sa asht fjala për shterpësi letrare asht krejt i arsyeshëm fakti i mungesës së kritikës.
S’kemi letërsi, s’kemi kritikë! Atëherë ç’na mbetet me ba? Mund të bajmë shumë.
Thamë ma nalt se kemi nji numër të mirë shkrimtarësh të rinj. Këta ndjekin “shkolla letrare” të ndryshme, kanë simpatina personale për nji ose për nji tjetër autor, – kështu kanë edhe drejtime të ndryshme. Neve kemi respektin ma të madh për gjithë këta të rij, mjafton që vepra e tyne të jetë rezultat i sinqeritetit si edhe vepra të jetë e ndieme fellësisht.
Kryet e letërsisë së re shqiptare e formon Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Et’hem Haxhiademi, Vangjel Koça, Stefan Shundi, Stavro Skëndi, Kudret Kokoshi, Dhimitër Shuteriqi, Thanas Konomi, Sterjo Spase, Sotir Caci, etj. Ky grup po të dojë mund t’i sjelli nji shërbim të madh vendit. Këta mund të mblidhen e të formojnë nji “Shoqni letrare”. Shoqni e cila do të përshijë në gjinin e vet të gjithë ata që kanë dhanë prova se kanë njifarë talenti letrar. Pse të mos mblidhen e të njifen njeni me tjetrin? A nuk po ndihet nevoja e nji bashkpunimi intim e t’organizuem në veprimtari letrare? Kjo mund të përpiqet për zgjimin e shijes artistike në popull. Me anë të nji së përkohshmeje, kjo Shoqni, mund të kontrollojë, të dirigjojë, të harmonizojë e t’i udhëheqi letrarët e rij. Mund të bajë sa e sa sende të tjera.
Besoj se tashma ka ardhë koha që të kuptohet vlera e letërsisë e t’i jepet vendi që meriton. E përsëris: Letërsia asht metri kulturuer i një kombi, si dhe mjeti ma i fuqishmi që bashkon shpirtna e kombe…
(Drita, viti II, Nr. 567, Tiranë, e djelë 2 tetor 1938, F.5, drejtor Zoi Xoxa)
Shënim (Mbas faqes së dorëshkrimit janë shënue edhe emnat: Nexhat Hakiu, Shefqet Musaraj, M. Krishna, Vedat Kokona, Petro Marko, Platonicus, Jusuf Luzaj, Haki Stërmilli etj.,) si duket këta emna i kanë mbetë jashtë listës që ai ka cilësue ma sipër…)

Gazeta Drita viti 1937
Gazeta Drita viti 1937

Replikë: Për një bashkëpunim shkrimtarësh nga BuJe (1938)

Nuk dua aspak që në këtë artikull të atakoj z. Lazër Radi pse ato që ka shkruar ai s’janë gjë tjetër veçse gjykime dhe reflekse si i quan edhe ai vetë – mbi përparimin e letërsisë sonë.
Pra një prej atyre që i shikon të arsyeshme – vetëm disa prej mendimeve të tij – jam edhe unë. Vihem që të shkruaj jo nga kompetenca që kam, por vetëm nga zjarri që ndjej për këtë realizëm. As kritik nuk dua të bëhem si Boileane, Herder e si Lesing, që mos të më zërë gjumi për të gjetur të vërtetë, por po marr guximin që të shkruaj përmbi disa pika të artikullit të z. Lazër Radi, të cilat nuk më duken të udhës:
Sëpari, e pohoj se Naimi, Fishta, Noli, Mjeda etj. janë apostujt e ndjenjave kombëtare dhe prodhimeve letrare të vendit tonë dhe se shkrimet e tyre, në poezi a në prozë, janë me të vërtetë klasike shqiptare; dhe krah me z. Lazër Radi ngrihemi kundër atyre që kujtojnë se këta shkrimtarë janë anakronikë. Jo, s’është e vërtetë. Ata, me shkrimet e tyre nuk kënduan kurrë as shijen e verës dhe as lavditë e bukurisë, por gjithmonë u përpoqën për të ringjallur e për të çuar lart ndjenjat kombëtare të çdo shqiptari të hutuar e të marrur mendsh qoftë nga dredhitë e shteteve të mëdhenj, qoftë nga injoranca e naivitetit të tyre.
Veç kësaj, më duket e arsyeshme, në mos gabohem, se në pikën e dytë “Si vepra, demek të daluna modet”, jam i mendimit me atë, prej të cilit z. Lazër Radi ka dëgjuar këto fjalë: “Nuk duhet aspak dhe nuk më thotë shpirti e ndërgjegja që t’i çojmë në shkollën e “demodesë” shkrimet e tyre të përjetëshme (të amshueme), por, sipas mendimit tim, them se ato u kënduan dhe u rikënduan dhe tani u vunë mënjanë në vendin e tyre të caktuar dhe të vyer. Rinia lexuese shqiptare i këndoi me entuziazëm shkrimet e tyre, u impresionua shumë dhe, në fund, bashkë me pleqtë dëgjues i mësoi dhe përmendësh. Mirëpo tani, me ndryshimin e kohës, brezi i ri u hodh nga shkrimtarët e rinj, shikimet e të cilëve janë të lehta e të përshtatshme simbas ambientit dhe kohës; kështu, këta të fundit u bënë preferuesit e rinisë. E përsëris prap, se çdo shkrim i tyre kuptohet lehtësisht prej çdo rradhe intelekti. Ky pra, është shkaku që rinia është larguar pak nga pak nga gjiri i klasikëve tanë dje, dhe është futur një poezie të Lasgushit, Koliqit dhe të N.Hakiut. Flas vetëm për lëmin e poezisë, pse shumica e tyre janë poetë dhe se prozatorët janë munduar shumë, por… gjer tashti… Megjithatë, mos të na duket çudi ky ndryshim, sepse çdo shtet e vend i ka këto: ku zmbrapsen pak të vjetrit dhe preferohen të rinjtë. Si p.sh. në Francë, sot duan një Andrè Gide, Frisaan Bernard etj. më tepër se Kornelie, Rasin etj. Të parët që përmenda u futën pa dashur në shpirtin e popullit, sepse ata shkruajnë vetëm për ta.
Së dyti, një pikë tjetër është ajo e romancave “mashinistike” për të cilat z. Radi është ngritur me shumë zemërim kundër lexuesve të këtyre librave. Unë jam prap i mendimit se ata që i lexojnë këto kanë të drejtë sepse literatura jonë është shumë e kufizuar në çdo lloj shkrimesh, prandaj lexuesi shqiptar s’ka se çfarë të lexojë tjetër përveç tyre. Sot, për më tepër, nuk është aspak keq që të lexohen edhe romanet policore dhe aventureske, të cilat janë të modës dhe shumë dëfryese dhe edukative.
Mos të harrojmë se në Angli një pjesë e madhe e shkrimtarëve të mëdhenj bëjnë veprat të tilla dhe që prej kohësh në këtë shtet është formuar “Literatura policore” e këtij vendi.
Kështu pra, romanet “mashiniste” nuk janë çoroditëse të mendjes dhe për më tepër shkaktare për largimin nga prodhimet tona, siç ka frikë Lazër Radi.
Së treti, kuptohet vetvetiu se z. Lazër Radi urren edhe ata që lexojnë libra të huaja, të përkthyera ose jo, (kuptohet kur flet për romanet “mashinistike” se ato, natyrisht, janë përkthime ose origjinale nga gjuha e huaj). Por gabohet, sepse siç e thashë, jemi të shtrënguar të lexojmë të huajt. Desha të dinja, vallë kaq të shumta paskan qenë poezitë, romancat, novelat e të tjera shkrime në letërsinë tonë, sa ende të mos jenë mbaruar së lexuari? Jam i sigurt se kanë qenë dhe janë me numër të vogël dhe se askush nuk do t’i ketë lënë pa i lexuar, por fatkeqësisht meqë janë mbaruar, të gjithë janë, kthyer nga të huajat (me atë pesë para gjuhë që zotrojnë).
Besoj (nuk jam profet) se edhe vetë z. Lazër Radi do të ketë bërë një gjynah të tillë. Prap desha të dija, se jashtë a predikojnë në këtë mënyrë? D.m.th. të përbuzen të huajat dhe të përkrahen me rigorozitet ato të vendit?
Jam i sigurt se jo, se sado që ata kanë literaturën e tyre të plotësuar dhe se prapë kthehen nga përkthimet, vetëm e vetëm që të kenë një kulturë të hapët dhe jo ne që akoma s’e kemi formuar tonën e megjithatë të mos lexojmë literaturën e huaj. Nuk duhet të jemi fanatikë të prodhimeve tona sepse kemi shumë nevojë për horizont mendimesh. Gjithë evolucionet letrare të popujve të ndryshëm kanë ardhur duke imituar dhe duke lexuar të huajat, çfarëdo lloji. Kështu, nuk duhet të ngrihemi më kot kundër lexuesit të varfër shqiptar. Sytë e të cilit janë kthyer nga ata që kanë talent në të shkruar ose nga ata që zotërojnë gjuhë të huaj e që marrin mundimin të përkthejnë.
Është tjetër gjë se ata që shkruajnë përmbi këto gjëra duan të simpatizohen prej popullit e injorantëve si përkrahës të prodhimeve tona e të tregohen si ëndërronjës për një bashkëpunim shkrimtarësh.
Me kaq përfundoj mbi pikat që kisha për të diskutuar mbi artikullin e z. Lazër Radi, por prap vazhdoj duke bërë edhe unë disa vërejtje.
Z. Lazër Radi është i mendimit për një bashkëpunim shkrimtarësh kjo gjë është shumë e mirë, por duhet të dimë nëse kemi vërtetë udhëheqës të mirë për këtë mision. Z. Lazër Radi ka vënë shumë në grupin e shkrimtarëve të rinj, por edhe ka harruar, por megjithatë sikur t’i ekzaminojmë, nuk do bënim keq; jo një nga një se më mungon kompetenca, veç po jap disa gjykime sipërfaqësore më tepër për poetët e rinj.
Shumica e poetëve tanë të rinj kanë shkruar ndër fletore e revista të ndryshme e kështu që lexuesit s’ka se ku t’i gjejë dhe t’u çmojë vlerën e tyre poetike. Mirëpo, a janë për t’u lexuar të gjitha këto poezi në mënyrë që të largohemi nga të huajat? Unë them se shumica e tyre nuk kanë as vlerë poetike dhe as vlerë subjektive. Këta poetë të rinj që i shkruajnë këto poezi duken sikur i shkruajnë me vështirësi ose nga papunësia. Vlerë kanë ato vargje që iu kanë dalë pa dashur nga shpirti i tyre ashtu si është e natyrshme për një poet të lirë. Mirëpo këto poezi kanë qenë të pakta sepse të pakta kanë qenë rastet e tilla; një pamje prekëse, një vuajtje shpirtërore, një gëzim, një fatkeqësi etj. të cilat u kanë dhënë shkak poetëve të rinj.
Veç duhet ditur se ka qenë një periudhë e shkurtër frymëzimi për ta se pastaj dalëngadalë imagjinata e tyre shterpoi, qoftë nga nevoja… dekadenca letrare e intelektit dhe e shpirtit të tyre. Sikur t’i hidhnin një sy disave prej poetëve tanë të rinj (duke përjashtuar ata që kam përmendur) do ta shihni këtë të metë: fillimi i tyre shumë entuziast dhe pa mbrojtur aspak nga kulmi i lavdisë ranë nga vlera, por jo nga puna, se ata gjithmonë shkruajnë duke mbushur faqe të tëra; por duhet të dijnë se nuk janë ata të parët që shkruanin me frymëzim të zjarrtë, por janë ata që shkruajnë o për t’u dalë emri i tyre ose me që kanë mani të vjetër të shkruarit.
Pra, për të drejtuar të tjerët të jenë të denjë për barrën e rëndë, që kemi dëshirë, duhet të gjejmë elementë shumë të mirë… Një shkak tjetër i mospërparimit tonë letrar është edhe mungesa e kritikës, si thotë edhe z. Lazër Radi. Kritika është ajo që rregullon të metat e që inkurajon duke përparuar gradualisht. Mirëpo këtu s’kemi kritikë; jo me kuptimin e vërtetë të fjalës, por nuk kemi fare. Edhe ata që çohen si nga një gjumë i rëndë janë pothuaj të gjithë subjektivistë. Ata ngrihen kundër shkrimtarit jo nga entusiazmi që kanë për të,  jo… Fajtorët janë shumë po prej disave edhe justifikohen?
Vendi ynë është i vogël dhe shkrimtari me kritikun (në qoftë se del kush pa dashur) janë miq të vjetër dhe reciprokë; kështu që në rast kritike për të keq, nuk shkruan vetëm e vetëm për të mos prishur qejf me shokun.
E përfundoj se këtu në vendin tonë duhet edhe pak kohë, të punojmë me vullnet dhe pastaj të ëndërrojmë.
(Drita, viti II, Nr.585, Tiranë, e diel 23 Tetor 1938 F.5 Drejtor Zoi Xoxa)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.