back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Pejsazh tiranas – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Pamje e Tiranës
Pamje e Tiranës

Pejsazh tiranas

nga Artan Kafexhiu

Dikush, një mik, s’di pse m’veti një ditë:
“A ka mbetë një farë gjaje tiranase tek ty?”
“Besoj se diçka ka mbetë!” – iu gjegja
“Tiranase ka mbetun vetëm n’kujtimet.”
Kujtime që m’vizitojnë si tufa-tufa resh
Përgjat një brazdare bluje qiellore
T’ngarkueme me aromën e tokës
Herë-herë, prej larg mirazhe m’sjellin
T’një unaze rudinash e livadhe luginash
Prej jeshillekut të ndezun, përmbytun
Në diellin përvëlonjës zeusian mesdhetar
Për t’ia lanë vendin n’perëndim të tij
Freskisë dallgë-dallgë t’puhisë së mbramjes
Grunoreve t’arta, vapën me ia lehtësue
Retë e kujtimeve, me fëshfërimat m’sjellin
Pëshpërima gjethesh t’lisave, n’rresht ushtarë
Përgjat rrugëve t’ngushta, gjarpënuese
T’pashtrume, t’mbytuna n’pluhun, për ujë t’etuna
Që i mpakun, n’përtaci, rrjedh n’kanalet përbri,
Kodra, veç kodra, gjithfarësh pemësh qarkue
Vetëm një dalje fushore mes dunave kodrinore
Dielli ngucet vesën mëngjezore me e terun
Hapsira t’pamata gjelbëroshe, ullinj, vreshta,
Shtëpitë përdhese, kryq e tërthor peisazhit
Oazet urbane t’bollëkut të natyrës tiranase
Një botë rustike qerpiçi, agimesh e muzgjesh
Ajri i mbushun me aroma, cicërimat e jetës
N’qarqe fluturimesh trumcakësh e dallndyshesh
Rrënoja teqesh, bazilikash të vogla t’harrueme
Të padukshme, syrit të pastërvitur t’kalimtarit
T’mshehun prej besnikëve, të vetëm t’mbetun
T’moçmit trupdrejtë qiparisa, memece me rrëfye
Historitë, që prej shekujsh, n’pakgja janë ruajtun
Tulla t’murrme, blloqe graniti t’lidhun me shtufin
Gëlqeren prej guroreve, n’zemër malit t’hapuna
Në truallin e një fisi, n’agimin e kohës i banuem
Një tribu, nëpër botë emnin, të tanë etnisë i dha
Një tribu, nëpër arbnore, kodrina e shpërndame
Ku rrënja arb e çdo fjale, kallzon jetën e atynve
Një pllaje, arbni, që shtriqet, qullet e shullohet
Nën diellin e hanën, ku në lindje zgjohen përmbi
Shpinë vargmalesh, që ngrihen n’kufijtë e qiellit
E ulen me fjetë, në brezin e artë, e t’argjentë
T’ujnave adriatikase, t’një deti të përbashkët etnish
Atje, kokën n’lindje shkapet kam, për t’parën herë
Atje, shpirti fëmijës ka ngarend, tanë gaz e haz
Atje, ku të bukurën ai mësoi të shijonte butësisht.

© AK
Është vështirë të fotografosh Tiranën, pa shenjat e galopit të ndërtimeve denatyralizuese të peisazhit mesdhetar të asaj të dikurshmes.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.