Pavarësia e Kosovës 17 shkurt 2008 -2020 – nga Atalanta Pasko

12 Vjetori i Shtetit të Kosovës

12 Vjetori i Shtetit të Kosovës

Pavarësia e Kosovës 17 shkurt 2008 -2020,

Gezuar miq të dashur, kudo që ndodheni! nga Atalanta Pasko

Festë e madhe për gjithë shqiptarinë. Megjithëse këtej, në Shqipërinë e Vjetër sikur nuk ndjehet dhe aq. Sidomos kur shikon faqet e para të gazetave. Por ju, motra e vëllezër të Dardanisë mos na e vini re: ne këtej jemi pak të tharë ndjenjash nacionale, që nganjëherë i shikojmë edhe si prapambetje apo ndjesi që na ndajnë nga Europa. Na ndizet zemra e syri vetëm kur shikojmë gjak ose para.
Ani, na falni, e kemi këtë ftohtësi për të keqen tonë, edhe për ngjarjet që lidhen me territorin e këtejshëm.
Por në 12-vjetorin e kësaj Dite të bekuar, dua të sjell edhe diçka që lidhet me Babain, Mitrushin apo Izedin Jasharin e Poemit Kosovar: Para disa vitesh, Donika, vajza e madhe e Sotir Çekanit, nunit që kish zgjedhur Babai për të na pagëzuar ne, katër fëmijët e tij, më tregoi një fragment bisede mes etërve tanë, tek pragu i shtëpisë sonë në Tiranë. Duhej të ishin vitet e errëta 1964-1966. Mbasi të dy ekonomistët kishin biseduar në dhomë për gjëra të ndryshme, edhe nga ato që thuheshin me një fill zëri, duke i përcjellë deri te dera e oborrit mikun dhe të bijën, që banonin në Korçë, Babai kish thënë: “Nëqoftëse shpëton ndonjëherë Shqipëria, atë mund ta shpëtojë vetëm Kosova”.
Ç´të ketë pasur parasysh Babai kur guxoi të thotë këto fjalë? Faktorin ekonomik, për të cilin kishte shkruar jo një herë, e që lidhej me kufijtë e cunguar të Shqipërisë?
.
Prishtine - 17 Shkurt 2016

Prishtine – 17 Shkurt 2016

“Të gjithë duhet ta dijnë se pa indipendencë ekonomike nuk ka indipendencë politike.

Gjith ashtu lipset ta dijnë se Shqipëria në kufiret e pa drejta të 13-tës nuk rron dot as ekonomikisht, as financiarisht.
Kuptohet vetiu, as politikisht” (Bashkimi i Kombit, 16 qershor 1944).
Pra e kishte fjalën për ekonomi komplementare Shqipëri-Kosovë?
Apo e kishte fjalën edhe për shpirtin e gjallë, të panënshtruar, plot vrull e pasion për liri e drejtësi të shqiptarit të Kosovës, që ai e njihte aq mirë dhe të cilit i këndoi me admirim në Poemin Kosovar?
Këtë nuk e gjejmë dot.
Ndërkohë, kemi realitetin e bukur të Kosovës së pavarur dhe jetojmë momentin madhështor të bashkimit të kombit tonë. Ngadal, me hapa të padukshëm, por po ndodh. Kush do që ta shikojë, e shikon.
Gëzuar Pavarësinë e Kosovës, Motra e Vëllezër!
.
Marre nga Muri i FB i Atalanta Paskos, 17 shkurt 2020
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook