Patronazhisti – nga Dardo Veleno

Kamera vezhguese

Kamera vezhguese

Patronazhisti

nga Dardo Veleno

Këto ditë parazgjedhore plasi skandali i përdorimit të supozuar të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. Midis të dhënave përmendet emri i të ashtuquajturit Patronazhist. Meqenëse kemi të bëjmë me një neologjizëm me kuptim ende të paqartë, që nuk gjendet në fjalorët aktualë shqiptarë por endet lirshëm në media, le të përpiqemi së bashku ta përkufizojmë figurën e tij me pak fantazi.
.
Patronazhist:
-Pasardhës i Kryetarit të Frontit që kontrollonte për antena në tarracat e lagjes.
-Person që troket derë më derë për të bërë propagandë.
-Personazh pa bagazh që bën shantazh.
-Person që i bie ziles dhe pastaj fshihet.
-Nazhist me Patro përpara.
-Plazhist që kontrollon njerëzit sa herë futen në det.
-Formulë informatike që ekziston vetëm në bazë të dhënash sekrete.
-Figurë mitologjike që vjen nga e kaluara.
-Padron që bën zhurmë si zhurmues.
-Rrogëtar që e bën nga halli.
-Ish sigurims që hiqet si padron duke të ndjekur nga patinazhi në garazh.
-Djalë i urtë që nuk e di që ka një rol të caktuar.
-Funksionar partie që përdoret si mashë nga pushteti e pushtët.
-Thashethemexhi me smartphone.
-Sondazhist artizanal pa leje dhe pa formula.
-Kujdestar i paautorizuar për njerëz me aftësi normale.
-Kapsollë për debate parazgjedhore.
-Mbikëqyrës që të ka në patronazh për të bërë lavazh.
-Në retorikën politike “ëngjëll elektoral”.
-Njeri që zhvat privatësi.
-Autor i “patronazhimit” që është veprimi sipas kuptimeve të foljes “patronazhoj”.
-Zhurmues i ideve të të tjerëve.
-Personazh i shpikur i filmave distopikë.
-Sinonim i sekserit dhe i sponsorizuesit të votës.
-Hallexhi që përdoret si xhol.
-Në zhargon zhvatës e zhbirues.
-Punonjës që fut në kompjuter të dhëna me gabime.
-Vuajerist i profileve në Facebook.
-Evoluimi modern i gjurmuesit të kufirit dhe i azhurnuesit të dosjeve.
-Bimë barishtore e ngjashme me rrodhen që të ngjitet tek flokët kaçurrela e tek trikoja e leshit.
-Titull që merret pas studimeve universitare dhe dy masterave në Universitetin e Patronazhit.
.
Me siguri ka përkufizime më të sakta. Jeni të mirëpritur.
.
Marre nga https://randodevole.wordpress.com/2021/04/15/patronazhisti
.
 
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook