Parathënia e librit “Rrezja e Territ” të Leka Ndojës

Leka Ndoja & Jozef Radi janar 2010

Leka Ndoja & Jozef Radi janar 2010

Parathënia e librit “Rrezja e Territ” të Leka Ndojës

nga Jozef Radi

Libri i parë poetik i Leka Ndojës “Rrezja e Territ”, nuk kishte nevojë as për parathënia, as për pasthënie… ai kishte nevojë vetëm të botohej (bile duhej të ishte botue kohë ma parë), megjithatë ajo sëmndja jonë e zakonshme, me e paraqitë dikë, para se ai të dalë vetë dhe të flasë lirisht, u ba shkaku i kësaj quasi-parathënie, për të cilën unë gjithsesi do dëshiroja që ajo ta justifikonte vlerat e këtij libri të parë të autorit Leka Ndoja, libër i cili fatmirsisht është libër i vërtetë…
Në korpusin poetik të autorit që tenton të tridhjetat, hyn si në nji qytet të panjoftun, sa modern aq edhe klasik, ku gjithçka duket e projektuar qartë dhe studjuar hollë, e rafinuar deri në detajet ma të imta, ku falë finesës delikate, mjeshtërisë së punës magjike me fjalën, fjalinsë dhe figurat shpaloset nji botë sa interesante, po aq e thellë dhe e ndërlikuar…
Loja e dritëhijeve që fshihen mbas ndjenjash që ndrydhen ndër figura të shprehura me nji verb origjinal poetik, e ku spikat ndërthurja e gjuhës letrare me variantet ma të ëmbla të gegnishtes, tregojnë se nji brez i ri, po kërkon të ecë seriozisht, në shtigjet e reja të nji tradite që vlen të rishihet dhe të rivlerësohet…
Nëse futesh së pari në stacionet e Leka Ndojës, të ndodh që shumë gjëra të kalojnë të pavëna re, por nëse kalon për së dyti, e ndjen se duhet të kolosh ma shpesh andej pari, dhe do ta shikosh se edhe pjesa më e errët dhe më abstrakte e botës së tij artistike ka nji dritë të brendshme joshëse, që aq shumë i ngjan nji vegimi të largët dhe të afërt njiherësh…
Kjo ndodh edhe pse Leka Ndoja është bir arti!
Edhe pse të qenit bir arti, po aq sa mund të jetë fat, mund të jetë dhe fatkeqsi!
Mund të jetë fatkeqsi, nëse dëshiron, por s’e ngjit dot parnasin e pararendësit tënd dhe detyrohesh të fshihesh pas një modeli duke mbetur gjithë jetën një hije, por mund të jetë edhe fat nëse arrin të ngjitesh më lart se pararendësi yt, duke hedhur nji dritë të re, mbi atë dritë që la lënë ai që ka ikur…
Dikush mund të thotë se është tepër herët për ta thënë diçka të tillë për Leka Ndojën, por unë e gjej të domosdoshme ta mendoj, ta besoj dhe ta them këtë gjë…
Bile, ky libër, më detyron ta them!
Tiranë, 10 dhjetor 1993

Leka Ndoja 2013

Leka Ndoja 2013

Pesë poezi – nga Leka Ndoja

(nga Libri Rrezja e Territ)

Në derë

Në s’do ketë shpatulla
me e bartë
kët vajin tim
me krye për shkamb
le të plase agimi.

E dashtun
që shklet ca re me rrufe
kur puqen dy kangë të ndryshme:
këtu nji notë do ndrrue
në mos
“mizore” të thërrasin
si thonë për pak të tjera

në derë të tingullt troket nji bonjak
në derë të bonjakut nji tingull troket

Epitafist

Kam punën ma të thjeshtë në botë
epitafe thur e shkruej
njerzisë e mesnetëve
kur lindin…
Ngjyej penën në bebzën
e syve
dhe vargje radhis
në faqet e vdekuna të hanës
ku s’do mundet kush
kurrë të m’i shkyej!

Vaksinë

Jepini njomzakëve
o njerëz
çdo darkë
nji pikëz
të langët
Ferri
bashkë me gjinin e nanës…

Trokitje

S’kish pse të rreshte ky shi. Jo!
Në mot të vranët shikimi mpreh durim.
e vërteta hidhet aty këtu
ndër zgafella të egra.
Urrejtja mbyll kapakët dhe pret…
trokitjen e paqes me gishta drite…
S’kish pse të rreshte ky shi. Jo!

Bota e Poetit

Poeti pse shkambin e ka fron?
Detin me dallgë, pse n’gjoks e pret?
Pse kartë ka blunë qiellore e pendë
vetullën e ylberit
q’e ngjyen n’kupë t’amshimit
e shkruen me shkrim Hyjnor naltsive?
Pse gjunjët ka tryezë, e shpirtin banesë
ku përkund dhe rrit dashuninë si fëmijë?
Pse me nji shenjë ban Diellin t’vallzojë;
dhe vetë vdekjen varros në skëterrë?

Lutje

Ma hiqni kët pije të lumtunish!
Unë pij veç pikëllimet e shiut
që krisin dhambët e mermerta
të varrezës.
(nga libri “Rrezja e Territ”)

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook