Parathanie e librit “Odiseja e Pafajsisë” nga Lek Pervizi

Valentini Portret nga Lek Pervizi, Pluk 1962

Valentin Pervizi – Portret nga Lek Pervizi, Pluk 1962

Parathanie e librit “Odiseja e Pafajsisë”

nga Lek Pervizi

Nuk asht aq lehtë të shkruejsh për nji pjestar të familjes, sepse mendohet se tregimi mund të kushtëzohet nga ndjenja të thella dashunie dhe të quhet i njianshëm, duke paraqitun vetëm anët e mira, të shkallës së lavdimit e naltësimit të njeriut për të cilin flasim. Kështu mund të gjykojnë lexuesit dhe unë nuk mundem me ua heq nga truni kët mendim, për derisa personin të cilit i kam kushtue kёt libёr e kam vёlla.
Por, askush tjetër nuk mund të shkruente për Valentin Pervizin, sepse nuk ka shpëtue i gjallë asnji prej shokve, miqve e dashamirve që e kanë pasë njoftë qysh në bangot e shkollës e gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Asnji nuk mund ta paraqesë atë në dritën e vërtetë të jetës veprimtarinë e tij, si i lirë apo i dënuem nga ajo forcë madhore shtypëse, që i kapërcente kufijtë e arsyes e kalonte n’ato të absurditetit, të mohimit e të mizorive, të shkallës ma ekstreme antinjerëzore e antishqiptare, siç ishte diktatura komuniste në Shqipni.
Që nji sistem shoqnor, ideologjik apo politik të quhet antinjerëzor, s’ka dyshim së përmban ushtrimin e nji dhune ku sundon terrori me vrasje, tortura, burgje, kampe shfarosje, internime e persekutime të egra, të denja për t’u përcaktue si akte që mund t’i kryejnë vetëm ata që shëndrrohen në kriminelë e xhelatë të popujve.
Lek Pervizi - Odiseja Pafajsisё

Lek Pervizi – Odiseja Pafajsisё

Konkretisht, në Shqipni duke fillue nga nëntori 1944 e deri në marsin 1992, kur fitoi e ashtuquejtuna demokraci, u vendos një diktaturë gjakatare, nga ma të llahtarshmet. Njeriu arriti të vlerësohet ma pak se nji kafshë apo vegël pune, pothuej sa nji fije bari, që mund të shkelej apo të kositej pa kurrfarë bremje ndërgjegje. Kjo diktaturë e krijueme, e ushqyeme dhe e ngjeshun me ideologji marksiste-leniniste (ndërsa ishte krejt staliniste) u zbatue me zell tё madh nga partia komuniste shqiptare dhe udhëheqja e saj. Gjatë gjithë kohës që sundoi u kryen krime të randa kundër vetë popullit e kundër vetë vllazënve e motrave shqiptare. Prandaj quhet dhe asht antishqiptare sepse dha prova të padiskutueshme në këtë drejtim, dhe quhet dhe asht antinjerëzore, sepse shkeli dhe mohoi liritë e të drejtat ma elementare të njeriut, që bota e qytetnueme i kishte ngritë në nivelin ma të naltë të respektimit e të mbrojtjes, duke i sanksionue me shpalljen e të Drejtave Universale të Njeriut.

Valentin Pervizi i ri

Valentin Pervizi i ri

Diktatura komuniste në Shqipni, për ma tepër, u ba ma e egër, ma gjakatare e ma xhelatja, duke u lidhun me ideologjinë sllave, e huej dhe anmike, nji ideologji që përhapej nga dy qendrat kryesore të komunizmit në Europë, siç ishin Bashkimi Sovietik me Moskën dhe Jugosllavia me Belgradin, ku sundonin respektivisht Stalini – ky monstër i krimit, dhe Tito – ky antishqiptar i përbetuem. Këta diktatorë pa skrupuj, kishin hartue planet për zhdukjen e racës shqiptare, si popull e si komb, mbasi kishin gjetë të tillë njerëz të dobët e pa karakter, pa moral e pa ndjenja atdhedashunie, siç ishin komunistët shqiptarë, që pranuen të zbatonin direktivat e ruso-jugosllavëve, për me asgjesue popullin, shtetin e kombin e tyne vetëm e vetëm me fitue e me ruejtë kolltuqet e privilegjet personale. Për kët arësye, u zbatue nji terror i përgjithshëm, i egër e gjakatar, me eliminue gjithë shtresën patriotike e intelektuale që kishin luftue e kishin studiue për të formue Shtetin e parë ligjor të historisë sonë. Pёr ta udhëheqë atë drejt zhvillimit e qytetnimit krahas popujve të tjerë perëndimorë, që përfaqsoheshin nga Europa e lirë dhe Amerika. Ky orientim nuk i përshtatej planeve djallëzore të Stalinit, që me flamurin e komunizmit, kërkonte të krijonte perandorinë e madhe pansllave, prej Siberisë deri në Atllantik. Fillimisht e zgjanoi këtë perandori deri në Berlin e në detin Adriatik, duke gllabërue gjysmën lindore të Europës, ku përfshihej gjithë Ballkani, pra dhe Shqipnia, përveç Greqisë, që i iku nga dora nga ndërhymja e vendosun e anglezit Çërçill. Nji ide përbindëshe, që përmbante në vetvete kryemjen e krimeve ma të shëmtueme, nji genocid monstruoz mbi popujt e shtypun që nuk kishte përjetue kurrë historia e njerëzimit, sepse u zhdukën miliona e miliona qenie njerëzore të pafajshme, si t’ishin barë për t’u kositë e jo qenie që Zoti kish krijue sipas shëmbëlltyrës së vet. Faktet tani na japim arsye, sepse numërohen mbi 100 milionë viktimat e komunizmit, ku përfshihen dhe ato mija e mijat e Shqipnisë, që diktatura komuniste i zhduku për hir të internacionalizmit stalinian. Krime të tilla si ato të nazizmit, por edhe ma të mëdha. Asht thanë sa herë: “Vae victis!“! (mjerë të mundunit).

Gjermania humbi luftën dhe gjithë krimet e mbrapshtinat iu ngarkuen asaj, edhe ato që kishin krye hordhitë komuniste të Stalinit bashkë me “shokët“ e “bijtë“ e tij. Provë bindëse masakra e Katinit, që iu ngarkue gjermanëve dhe që doli se i kishin ba sovjetikët. Për të mos përmendë masakrat në Ukrainë e në vendet balltike të kryeme nga rusët në tërheqje dhe kur u rikthyen aty, që edhe ato ua kishin ngarkue gjermanëve.
Valentini me gruen, Gorizia Manini, nё Bologna, 1942

Valentini me gruen, Gorizia Manini, nё Bologna, 1942

Kjo parathanie mori kët drejtim të pashmangshëm, sepse “gjuha shkon atje ku dhemb dhambi“ Sido që të sillemi e përdridhemi në trajtimin e problemeve tona personale, familjare e shoqnore, ato lidhen gjithmonë me çeshtjen shqiptare. Aq ma tepër kur këto probleme shoqnohen me nji rradhë shfaqjesh negative që e kapërcejnë arësyen njerëzore dhe botëkuptimin e shqiptarit për jetën, patriotizmin, politikën, lirinë, demokracinë, shtetin, bashkimin e kombit e t’ardhmen drejt përparimit e qytetnimit. Por zgjidhja e këtyne problemeve nuk mund të kryhej nga nji regjim dhe nji sistem që mohonte e shtypte gjithë liritë dhe të drejtat e njeriut, me pretendimin e çmendun për të krijue nji “botë të re“ dhe nji “njeri të ri“, duke përmbysë “botën e vjetër“ bashkë me njerëzit që i takonin asaj, që do të thoshte ligjërim i krimit dhe i terrorit total.

Valentin Pervizi, qe lindun e rritun në nji ambient patriotik, ku në çdo pëllambë toke, në çdo gur e në çdo lis, fliste historia e lavdishme e kombit, si dhe i shkolluem dhe formuem në shkollat ma të mira europiane, ku mbaroi Akademinë ushtarake, ishte tashma i gatshëm me i shërbye denjësisht atdheut. Mbas 15 vjet shkolle, dhe oficer me përvojë luftarake, vendosi me u kthye në trojet shqiptare, dhe në tetorin 1944, gjendet në Shqipni, në Shkodër. Në dhjetorin e po atij viti, arrestohet, burgoset dhe ma pas internohet përjetsisht, pa pasë kohë me krye nji faj, vetëm për emnin, si bir i Prenk Pervizit.
Kjo ishte pritja që shteti komunist u bante bijve të Shqipnisë, dhe se Valentin Pervizi nuk qe i vetmi. Pati edhe plot të tjerë që mallin ndaj atdheut u përpoqën me u vù në shërbim të tij, zbritën në tokën amtare, e në vend të mirëpritjes e mirënjohjes, gjetën prangat e burgjeve dhe shumë lanë edhe jetën nën breshëritë e togave të pushkatimit. Sot varret e tyne nuk gjenden askund…
Ja ku del, bashkë me veprimin edhe qendrimi antinjerëzor dhe sjellja antishqiptare e diktaturës komuniste.
Në Shkollën Ushtarake të Romës 1936-1939

Në Shkollën Ushtarake të Romës 1936-1939

Zakonisht shkruhet e flitet për figura që kanë arrritë suksese të mëdha, heroj e fatosa, por edhe për ata që kanë krye vepra të rrënqethëshme kriminale, kundër njerëzimit. E nuk përmenden ata që, në aspektin sipërfaqsor, nuk kanë krye akte të bujshme, qoftë të mira apo të këqija. Me këtë shkrim unë, jo si vëlla por si përjetues dhe ndjekës i gjithë jetës së tij, mund të them se kemi të bajmë me një njeri me veti të rralla, që i dhanë mundësi me kapërcye i pamposhtun e krenar, të gjitha poshtërsitë, torturat, dënimet e mundimet, që diktatura komuniste ushtroi mbi të për ta përulë. Këtij trajtimi antinjerëzor e antishqiptar ai i bani ballë me një qëndresë të madhe shpirtnore, e përforcueme kjo, nga themelet e forta të kulturës e të traditave ma të mira shqiptare, që tek ai u ngritën në virtyte, si burrnia, besa, trimnia, shpirti sakrificës, vendosmënia etjera.

Këto virtyte e veshën atë me tiparet e heroit në sytë e bashkëvuejtësve, sidomos të rinjve, që e morën si shembëll për t’u ndjekë, në ato kushte tepër të vështira e të trishta, ku duhej forcë e madhe karakteri për t’i përballue pa u cënue e pa u dorëzue. Unë vetë njoh të rinj të tillë që u kalitën n’ato kushte të pamundshme duke pasun për “mësues“ e simbol Valentinin. Unë vetë mora shembëll prej tij për të kapërcye shumë vështirësi, ku përveç qëndresës personale duhej edhe përvoja e njerëzve si ai, për t’u kalitë e pasë atë zotësi që me arritë me u ba i pamposhtun në çdo rrethanë e situatë në konditat e ushtrimit të dhunës kriminale nga ana e nji pushteti katil e mizor, siç ishte pushteti komunist shqiptar i modelit stalinian.
Oficer në armën e kalorësisë Bolonja, qershor 1941

Oficer në armën e kalorësisë Bolonja, qershor 1941

Ky hero i heshtun ishte i pamposhtun, sepse i mbërthye në pranga si Prometeu, mbas shkambit (heroi ynë i përjetshëm), nga nji regjim shtypës e xhelat, ishte nga ata që e mbanin lart pishtarin e patriotizmit, të kulturës, të traditave e të virtyteteve ma të mira, me kurajo e me shpresë të pashueme të fitores përfundimare të së mirës mbi ë keqen, të drites mbi errësinën e të triumfit të lirisë mbi një diktaturë antinjerëzore, që në rastin tonë ishte dhe antishqiptare.

Por ky njeri ishte, si thamë, figura ma e spikatun e pafajsisë, që u gjet papritun si qingji te burimi, kur i doli para ujku gllabërues. Ndonëse i shpëtoi vdekjes në ato rrethana të kobshme të dënimeve e mundimeve pa fund e pa krye, pasojat ia këputen jetën në çastin kur e fitoi atë liri për të cilën vuejti. Mund të quhet si një viktimë, ndër mija të tjera, por për rrethanat e veçanta që e përfshin, pa qenë fare i pranishëm në kontekstin shqiptar në ngjarjet e trubullinat e atij fundi të vitit 1944, e meriton përcaktimin si theror i pafajsise. Ishte pikërisht pafajsia që u dënue prej diktaturës komuniste në Shqipni, e bashkë me të, një ushtri e tanë të pafajshmish, ku nuk u kursyen as fëmijët në djep, simbolet ma të nalta të pafajsisë, as ky vëlla imi, që erdhi në vendin e vet, për t’i shërbye atij me devocion, kur se e pllakosën për 47 vjet mbrenda nji vorri të përbindshëm, prej të cilit zor se dilte kush i gjallë.
Oficer në armën e kalorësisë Bolonja, qershor 1941

Oficer në armën e kalorësisë Bolonja, qershor 1941

Prandaj historia e tij asht nji Odisé e gjatë ma shumë se dyfishi i vjetëve të Uliksit të Homerit. Nëse Mbreti і Itakës u kthye mbas 20 vjetëve te Penelopa e tij besnike, Valentinit iu deshën 47 vjet për me arritë me u bashkue me gruen e tij, që si nji Penelope e re, (e kalue asaj për kohëgjatësinë), e kishte pritë, në kushtet joshëse të një jete midis miradinave. Jo duke endun e ç’endun nji pëlhurë me fije pejsh, por nji pëlhurë imagjinare që endej me fijet e mendimeve të trishta që e mbërthenin.

Odiseja e Valentinit nuk ishte shkapetja nëpër stuhi detare, por nëpër stuhitë vuejtjeve, tallazet e terrorit dhe të mundimeve, i përplasun 47 vjet rresht në burgje e kampe internimi, prej të cilëve mezi shpëtoi për me mbrritë në nji Itakë, jo si ajo e Uliksit por simbolikisht vërtet nji Itakë ku do të bashkohej një ditë me Penelopën e tij, që e kishte pritë aq gjatë.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook